Fjala e Kryetarit te Rahovecit Smajl Latifi në ceremoninë e hapjes zyrtare të Festës së Vjeljes së Rrushit, HARDHFEST 2024

Përshëndetje për ministrat, kryetarët e komunave, deputetët, ambasadorët, vreshtarët e verëtarët dhe shoqatat përfaqësuese të tyre, mysafirë të ftuar, përshëndetje për këshillin organizues dhe për të gjithë ata që po kontribuojnë që të kemi festë e të shijojmë e përjetojmë vlerat e saj.

Përshëndetje për z. Avni Orllati, afarist dhe biznesmen shumë i zoti, i cili drejton me shumë sukses dhe me arritje kulmore, kompaninë “Orllati Group”, në Zvicër dhe tash edhe në Rahovec e Kosovë, që e kemi mirëpritur këtu dhe është nikoqir i Festivalit tonë, Hardhfest,

Të dashur qytetarë, përfaqësues të institucioneve vendore, përfaqësues të ambasadave, miq nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera,

Mirë se keni ardhur në Rahovec respektivisht mirë se keni ardhur në Festën e Vjeljes së Rrushit!

Ca kokrra rrushi, verë, raki, dashuri dhe mikpritje ofron Rahoveci nga sot e për tri ditë radhazi për të gjithë ata që vijnë dhe e shijojnë festën e vjeljes së rrushit që tashmë është kthyer në një ngjarje madhështore, shumë ngjyrëshe dhe është bërë me të drejtë vlerë e trashëgimisë tonë të pasur kulturore, të agroturizmit që po ec, po zhvillohet e po merr përmasë, si dhe vlerë e trashëgimisë së pasur natyrore.

Festa e Vjeljes së Rrushit është një festë e bujqve dhe vreshtarëve tanë fisnikë, për të ndarë me ne të mirat e tokës sonë – bereqetin dhe mundin e gjithë vitit, me krenari të pamasë, e mbledhin dhe e kultivojnë atë që tashmë njihet përtej kufijve kombëtarë – verën dhe rakinë e Rahovecit.

Rahoveci me peizazhet e tij të bukura dhe traditën e gjatë të vreshtarisë, është një destinacion i rëndësishëm turistik për mijëra vizitorë të cilët vijnë dhe shijojnë produktet tona vendore dhe shijojnë për tri netë radhazi performancën e dhjetëra artistëve dhe grupeve vendore dhe ndërkombëtare.

Komuna e Rahovecit në vazhdimësi ka qenë mbështetje e madhe për bujkun respektivishtvreshtarët dhe verëtarët, e dimë që duhet bërë edhe më shumë, sepse gjithmonë ka vend për përmirësim, por, ne premtojmë dhe do të zhvillojmë politika të cilat do të ndihmojnë dhe nxisin rritje të prodhimtarisë vendore.

Falënderoj nga zemra organizatorët, të cilët çdo vit punojnë me përkushtim për ta bërë këtë festival një ngjarje të rëndësishme kulturore dhe ekonomike për Rahovecin.

Komuna e Rahovecit ka qenë gjithmonë pranë tyre me mbështetje financiare dhe infrastrukturore, dhe jam krenar që këtë vit kemi arritur të rrisim edhe më shumë këtë përkrahje.

Vizitorët nga brenda dhe jashtë vendit nuk vijnë vetëm për të festuar, por edhe për të përjetuar atë që Rahoveci ka për të ofruar: një traditë të pasur, mikpritje të ngrohtë dhe produkte të cilësisë së lartë. Kjo krijon mundësi të reja për vreshtarët tanë, për bizneset lokale dhe për gjithë komunitetin tonë.

Ju ftoj të shijoni këtë festë magjike dhe të përjetoni gjithçka që Rahoveci ka për të ofruar.

Urime dhe gëzuar!

Ju faleminderit!

Rahovec, 6 shtator 2024

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Aliu ka pritur në takim Kryetarin e posazgjedhur të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – dega në Ferizaj, Afrim Mehmeti

Kryetari i Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu ka pritur në takim kryetarin e posazgjedhur …