Fjala e mbajtur e kryetarit Latifi me rastin e përurimit të përmbledhjes me kumtesa e fjalime për Ukshin Hotin

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, me rastin e përurimit të përmbledhjes me kumtesa e fjalime për Ukshin Hotin, ka mbajtur një fjalë rasti, ai ndër të tjera ka thënë:

Të nderuar familjarë të dëshmorëve, të respektuar familjarë të profesorit Ukshin Hoti, të nderuar të pranishëm, tashmë ka vite që e shënojmë ditëlindjen e intelektualit, atdhetarit dhe ideologut të çështjes shqiptare, i cili la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë kolektive. Në rrugëtimin e tij jetësor Ukshin Hoti pati përvoja unike, jo se e deshi vetë një rrugëtim të tillë, por në udhëkryqet e historisë është shumë me rëndësi orientimi në rrugën e duhur. Iu kundërvu rrymës me vendosmëri, pikërisht në kohën kur sistemi komunist jugosllav kishte nisur të japë shenja lodhjeje. Mbase edhe vetë nuk ka mundur ta imagjinojë se ai sistem, që iu kishte shkaktuar aq shumë fatkeqësi popujve dhe individëve, do të binte me aq shpejtësi. Duke analizuar mënyrën e rregullimit të brendshëm të sistemit komunist në Rusi, Ukshin Hoti sikur i bën një anamnezë vetë rregullimit shtetëror në ish-Jugosllavi. Në këtë mënyrë ai sikur deshi të tërheqë një paralele, duke dashur të tregojë pozicionin e shqiptarëve në një shtet me shumicë sllave, ku shqiptarët kishin pozitë inferiore. Gjendja e rëndë ekonomike, prapambetja në zhvillim dhe emancipim shoqëror, mungesa e kuadrit të duhur për një avancim të proceseve shoqërore e ekonomike, si dhe çështje të tjera që i bënin shqiptarët të ndjehen të huaj në një përbërje kombesh të privilegjuara, qenë ndër çështjet që Ukshin Hoti i trajtoi me kujdesin e një shkencëtari të mirëfilltë. Në këtë kontekst shoqëror e politik ai mbrojti idenë e avancimit të statusit të Kosovës nga krahinë autonome në kuadër të Serbisë e Jugosllavisë, në republikë të barabartë me republikat e tjera në federatën e atëhershme. Kjo qasje shkencore e tij, jo se nuk u kuptua, por se u injorua qëllimshëm, duke ia veshur akuzat e nacionalistit, irredentistit e armikut të shtetit, i cili synonte shkatërrimin e rendit kushtetues jugosllav. Këto shtrembërime të qëllimshme sikur e relativizuan kërkesën e drejtë të shqiptarëve për republikë, sepse në këtë mënyrë prekeshin interesat e serbëve që synonin të ushtronin hegjemoni mbi popujt e tjerë të federatës, me theks të veçantë mbi shqiptarët. Kosova Republikë, sipas qarqeve nacionaliste serbe, e prishte baraspeshën politike në rajon, prandaj akademikët serbë, institucionet shtetërore politike, shërbimi i fshehtë i shtetit dhe ai i ushtrisë jugosllave, përfshi edhe kishën ortodokse serbe, u mobilizuan që ta demonizojnë popullin shqiptar, që mbeti vetëm dhe pa mbrojtje, as të brendshme dhe as të jashtme. Mirëpo, Ukshin Hoti foli zëshëm. Ai artikuloi qartë e me fakte të shumta shkencore pse Kosova duhet të bëhej Republikë dhe se kjo nuk bëhej për inatin e askujt dhe as në dëm të të tjerëve. Kishte ardhur koha që shqiptarët të udhëhiqnin me institucionet dhe me ardhmërinë e tyre. Fatkeqësisht pak intelektualë e mbështetën në këtë qëndrim, madje disa iu vërsulën si hienat një preje tashmë të vënë poshtë. E sulmuan në qelizat e tij – në familje, e anatemuan si nacionalist, irredentist e separatist, duke e përjashtuar nga të gjitha fushat shoqërore, duke e izoluar në vendlindjen e tij në Krushë të Madhe dhe duke e lënë me fare pak burime jetësore. Megjithatë, edhe në këtë situatë të padenjë për një intelektual të kalibrit të tij, Ukshin Hoti nuk u nënshtrua dhe nuk u thye. Ai u bë emblemë e qëndresës, e pathyeshmërisë dhe udhërrëfyes për brezat. Intelektualët si Ukshini qenë të paktë, prandaj gjeneratat e reja, atdhetarët e përkushtuar dhe në fund luftëtarët e lirisë, mësimet e udhëzimet e tij i bënë flamurë betejash. Prandaj, Ukshin Hoti ka përmasat e një kolosi dhe si i tillë meriton respektin dhe nderimin e brezave. Mbi këto parime jemi munduar që të bëjmë gjithçka që ka qenë e mundur për të ringjallur frymën e tij, duke nisur me ndërtimin e shtëpisë së djegur të tij në Krushë të Madhe, për ta shndërruar shtëpi-muze në vitin 2012. Në atë kohë patëm organizuar edhe një tribunë, ku patën folur akademikë, studiues të fushave të ndryshme shoqërore, shkencëtarë të politikës dhe veprimtarë politik nga  të gjitha trojet shqiptare. Po ashtu, në vitin 2018 organizuam një tryezë shkencore në ditëlindjen e tij. Kumtesat e paraqitura në atë tryezë kishin karakter tipik shkencor, duke hedhur dritë mbi aspekte të veçanta të veprimtarisë shkencore të Ukshin Hotit, që pati folur e shkruar për qasjen që shqiptarët duhet të kenë në kuadër të bashkimit shqiptar dhe të shqiptarëve në Bashkimin Evropian. Edhe në vitin 2019, në përvjetorin e zhdukjes së tij, më 16 maj 2019, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj, patëm organizuar një tryezë shkencore. Aty u paraqitën me kumtesa shkencore diplomatë, shkencëtarë, bashkëveprimtarë të Ukshin Hotit dhe akademikë nga Tirana. Në atë Tryezë u hodh dritë mbi aspekte të veçanta të veprimtarisë së Hotit, gjithnjë  në funksion të një politike kombëtare shqiptare dhe proceseve integrative në strukturat Euro-Atlantike. I patëm ndërmarrë këto veprime, jo për të arsyetuar se po bëjmë diçka për Ukshin Hotin, por se qemë dhe jemi të bindur se mësimet e tij vazhdojnë të jenë emblematike dhe se këto mësime janë përherë të dobishme. Studimi i kujdesshëm dhe me kompetencë shkencore i veprës së tij na nevojitet ende dhe do t’na nevojitet edhe më tutje, ngase shqiptarët vazhdojnë të jenë të ndarë, të paintegruar, pa mundësi të lëvizjes së lirë, pa qenë faktor politik, ekonomik e strategjik në rajon, si dhe me një politikë fragmentare e jo kompetente. Ukshin Hoti ishte për një politikë gjithëshqiptare dhe për një qasje shkencore ndaj politikës, prandaj mësimet e tij janë përherë aktuale. Prandaj ne vazhdojmë të investojmë në trashëgiminë e tij politike, historike e shkencore. Në këtë vazhdë, sot nisën punimet edhe në kompleksin historik e kulturor “Ukshin Hoti” në Krushë të Madhe. Aty do të kemi mundësi që përmbledhim aspekte të jetës e të veprës së Ukshin Hotit, ndërsa të rinjtë e të rejat do të kenë mundësi edhe  zhvillojnë jetë kulturore e artistike. Në këtë mënyrë, Krusha e Madhe me rrethinë do të rifitojë peshën historike që i takon, ndërsa qendra kulturore e historike “Ukshin Hoti” do të bëhet ndër vendet që do të vizitohet nga njerëzit për të marrë frymëzim e motiv për punë e veprimtari atdhetare. Të gjitha këto veprime bëhen për t’i kontribuuar trashëgimisë tonë historike dhe për të nderuar jetën e veprën e njeriut që u bë shëmbëlltyrë qëndrese e krenari kombëtare. Edhe mbledhja dhe botimi i kumtesave e fjalimeve për Ukshin Hotin është në vazhdën e këtyre angazhimeve, prandaj shfyrtëzoj rastin që të përgëzoj redaksinë e Shoqatës për Ruajtjen dhe Kultivimin e Vlerave Kombëtare “Arbëria”, nën drejtimin e veprimtarit të shquar Dervish Çadraku, për përgatitjen e këtyre materialeve dhe botimin e tyre, me këtë titull emblematik. Besojmë se, “Ukshin Hoti dhe vizioni i tij politik për shqiptarët” do t’i shërbejë shkencës së politikës dhe historisë. Edhe mbledhja dhe botimi i kumtesave e fjalimeve për Ukshin Hotin është në vazhdën e këtyre angazhimeve, prandaj shfrytëzoj rastin që të përgëzoj redaksinë e Shoqatës për Ruajtjen dhe Kultivimin e Vlerave Kombëtare “Arbëria”, nën drejtimin e veprimtarit të shquar Dervish Çadraku, për përgatitjen e këtyre materialeve dhe botimin e tyre, me këtë titull emblematik. Besojmë se, “Ukshin Hoti dhe vizioni i tij politik për shqiptarët” do t’i shërbejë shkencës së politikës dhe historisë. Inkurajojmë edhe grupe të tjera shoqërore dhe institucione shkencore që të vazhdojnë të hedhin dritë mbi jetën dhe veprimtarinë e Ukshin Hotit, sepse në këtë mënyrë i shërbejmë të kaluarës dhe të ardhmes tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Vitisë organizon tryezë diskutimi për aktivizimin kundër dhunës ndaj gruas

Komuna e Vitisë, përmes zyrës së kryetarit dhe Zyrës për Barazi Gjinore, ka mbajtur sot …