Fjalë rasti nga kryetari Smajl Latifi në tubimin përkujtimor në Celinë

Pas tubimeve përkujtimore në Brestovc dhe Fortesë, kryetari i komunës së Rahovecit mbajti një fjal rasti edhe në tubimin përkujtimor në fshatin Celinë në shënim të 26-vjetorit të masakrave të forcave terroriste dhe paramilitare serbe  ndaj popullatës së pafajshme.

Fjala e kryetarit të Rahovecit, z. Smajl Latifi:

Të nderuar familjarë të dëshmorëve dhe martirëve, veteranë, invalidë dhe qytetarë të pranishëm,

Celina hyn në mesin e vendbanimeve që pagoi çmim të lartë për lirinë e Kosovës. Heronjtë dhe dëshmorët, të vrarët pa dallim, janë gjaku ynë që nuk falet.

U vranë me pushkë e pa pushkë, fëmijë e gra, djem e burra të moshuar, sepse ishin shqiptarë dhe donin liri. I vrau Serbia e cila ishte pushtuese e që meriton ndëshkim, meriton dënim për krimet e bëra ndaj shqiptarëve.

Celina, në fundmarsin e përgjakshëm ia fali 75 jetë lirisë së Kosovës e bashkë me mysafirë, 82 të ekzekutuar nga skuadrat e vdekjes.

Lufta për liri ishte e vështirë, por ishte mjeti i vetëm për të shpëtuar ky popull. Liria ishte shpëtimi ynë, e kundërta, pajtimi me robërinë, ishte zhdukja jonë. Ne zgjodhëm rrugën e lirisë sepse ia kishim borxh atdheut dhe të parëve tanë, atyre që na mundësuan të mbetemi shqiptarë në këtë truall. Ne e lamë me gjak këtë tokë, sepse ishte jetike e ardhmja jonë. Paguam shtrenjtë sepse armiku ishte i egër dhe nuk zgjodhi mjet e nuk kurseu asgjë kundër shqiptarëve, që vdekjen ta bënim pa dinjitet, pa nder, sepse as vdekja e as jeta nën robëri nuk kishte asnjë kuptim.

UÇK-ja ishte shpresa e këtij populli për liri. Celina i dha kësaj lufte trima që ranë heroikisht në betejat e UÇK-së, por i dha edhe më 27 janar 1990 në Brestoc, Agron Fetahun. Sot e përherë përkujtojmë Hysen Rexhepin, Rifat Dinën – Mixhën, Sadedinin e Afrimin, Sakipin e Naimin e plot kontribues të tjerë të cilët i dhanë fuqi rezistencës dhe luftës për çlirim nga kthetrat e Serbisë. Janë shumë prej atyre ku jo vetëm ne, por edhe brezat e ardhshëm e kemi për nder dhe obligim t‘iu përulemi me respekt të madh.

Pa gjakun e tyre, as nuk mund të vinte liria e as nuk mund të jetonte Kosova e fortë e me dinjitet. Është ky gjak që i dha vlerë këtij trualli, e ne të gjithëve na dha dinjitet e po na mban të fortë edhe sot.

Të nderuar të pranishëm,

Edhe unë e pashë me sytë e mi gjithë atë egërsi të pushtuesit. Përmasat e krimeve që bëri Serbia në këtë vend, në Anadrini e gjithandej në Kosovë, thjesht janë gjenocid i planifikuar shtetëror, me qëllim që të zbatohej plani për shfarosje të shqiptarëve. Vrasje dhe masakrime të njerëzve, djegie dhe shkatërrime të pronave, dëbime masive të shqiptarëve e krime serike të përmasave të etnocidit e gjenocidit, janë vepër e shtetit terrorist serb.

Të dashur pjesëmarrës,

Kjo që përjetuam nuk harrohet kurrë, edhe pse e kemi drejtuar shikimin dhe përpjekjen kah e ardhmja. Të vetëdijshëm se vetëm duke punuar për të ardhmen e ndritur të cilës i detyrohet secili e secila që ka mundësi, pavarësisht se ku gjendet, në mënyrën e vet, pra, duhet të dojë e të veprojë, që të nderojmë të rënët për liri e atdhe.

Çdo ide për t’i ikur logjikës së progresit dhe mirëqenies për këtë vend, për të kërkuar zgjidhje jashtë këtij konteksti, ka të panjohura dhe sjell pasiguri.

Ju ftoj të jemi bashkë e të bëjmë sa më shumë punë, që t’i nderojmë të rënët e t’iu kthejmë shpresën të gjallëve!

Ne jemi këtu për të gjetur zgjidhje të mira në Kosovë, që ta bëjmë atë ashtu siç e deshën të rënët.

Ne luftuam për ta fituar lirinë, shumë u vranë e ranë heroikisht në këtë rrugëtim.

Sot, jemi të lirë, ndaj dhe kemi obligim ta ruajmë e forcojmë lirinë tonë, me besim e përkushtim ndaj vetes sonë e ndaj fëmijëve tanë, për një jetë të re e të sigurt në vendin tonë.

Përtej dhembjes dhe lotëve është krenaria që të shtrenjtit tuaj ia dhanë Kosovës për t’i dhënë jetë asaj, ndërkaq, familjarëve që dhanë gjak nga gjaku i tyre për liri, ju dëshiroj shëndet dhe gjithë të mirat në familjet tuaja!

Kujtimi për të rënët është i përhershëm dhe përherë mbetet obligim njerëzor, qytetar e institucional.

Lavdi dëshmorëve dhe martirëve!

Celinë, 25 mars 2025.

Kontrolloni gjithashtu

Kastarti ngushëllon familjen Krasniqi – Mazreku me rastin e ndarjes nga jeta të mësues Florentina Krasniqi-Mazreku

Kryetari i komunës së Malishevës z. Ekrem Kastrati ka ngushëlluar familjen Krasniqi – Mazreku me …