Konferenca e paqes - Paris

Fjalimi i Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes, në Paris, më 1919, një sagë shqiptare … III

Me qëllim për të ndriçuar fakte dhe argumente për të drejtat e shkelura  vijimisht të shqiptarëve nga shtetet e Evropës, në të kaluarën e deri në ditët tona, kemi analizuar  dhe e kemi ndarë në 12-pjesë kryesore  fjalimin e  Gjergj Fishtës, të mbajtur në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919, kur Fuqitë e Mëdha ishin në dilemë, ta lënë të ekzistonte një çerek Shqipërie, apo  ta zhbëjnë në tërësi.   Pa dyshim kemi të bëjmë me  fjalimin  më monumental që ka mbajtur një intelektual  shqiptar në një Konferencë ndërkombëtare, ku ishte vulosur padrejtësisht fati i kombit e i atdheut tonë. Fishta kishte vënë në përdorim krejt energjitë e tij intelektuale, krijuese, njohëse, filozofike e politike, për ta mbrojtur në radhë të parë të vërtetën, parimet demokratike të shkruara në kartë, parimin e vetëvendosjes së kombeve, parimin historik, gjeografik dhe etnik me rastin e përcaktimit të kufijve ndarës mes popujve, në Ballkan.  Mbi të gjitha, në fjalimin e tij ai kishte përdorur fakte të dorës së parë, argumente që i dinin shumica e pjesëmarrësve. Kishte shkëlqyer me dijen e tij historike e politike dhe përkushtimin më të lartë të mundshëm për ta mbrojtur kombin e atdheun, për ta mbrojtur një të vërtetë që po shkelej brutalisht e mizorisht  dhe  në pikë të ditës, nga të gjitha shtetet e krishtera të Evropës, kundër popullit më të lashtë të saj, i cili gjatë shekujve të luftës për ekzistencë ishte sulmuar mizorisht si nga Roma e Bizanti, ashtu edhe nga turku e sllavi, por nuk ishte dhënë, pavarësisht se iu kishin gjymtuar rëndë gjymtyrët, të cilat po vazhdojnë t’ i gjymtohen e t’ i nëpërkëmbën edhe më tej.

 

7. Në njanën anë shqiptari nuk donte t’i shtrohej pushtuesit të huej, në anën tjetër pushtuesi i huej nuk e lente shqiptarin me i organizue forcat e veta në mënyrë që ky ta shtrinte pushtetin e vet mbi të gjithë kombin. Shqiptarit,  iu desh me e lokalizue pushtetin e vet në krahina të veçanta tuj i mbajtë së bashku parimet e kanunit kombëtar,  si rregull jete. Në të tanë Malin e Zi, kur ka nisë Lufta turko-ballkanike, ka qenë vetëm nji shtypshkronjë e vetme qeveritare si dhe kanë pasë nji të vetme fletore politike, e edhe kjo qeveritare. Por nuk ka pasë asnji shkollë të mbajtun me paret e popullit. Ndërsa që në Shqipni, që prej viti 1908, kur qe shpallë Konstitucioni i Turqisë, e deri në fillim të luftës ballkanike, pra në ma pak se katër vjet, u ngrehën shtatë shtypshkronja, u themeluen ma se njizet fletore politike e të përkohshme, u çelë nji shkollë Normale e nja tridhjetë të tjera fillestare, e të tana të veçanta e të mbajtuna vetëm me pare të kombit shqiptar.

U përpiluen të tana tekstet për shkollat fillestare e disa edhe për shkolla të mesme. E kështu, sot më sot, mësimi jepet shqip ndër të gjitha shkollat e Shqipnisë. Janë botue edhe shumë vepra letrare me randësi të cilat e kanë çue nalt ndjesinë kombëtare tuj i dhanë në pak kohë shumë zhdrivillim gjuhës shqipe, fakt ky që, në kohë të pushtimit austro-hungarez, kjo gjuhë qe përdorue për gjuhë zyrtare ndër të gjitha zyrat administrative. Mbrenda kësaj kohe qenë mbajtë tre Kongrese Gjuhësie… dhe  gjithë kjo veprimtari asht zhvillue pa kurrnji ndihmë prej anës së Qeverisë.

 

Kjo pjesë e fjalimit të Fishtës tregon më së miri se përpjekjet e shqiptarëve për mbijetesë kombëtare kanë qenë përpjekje mbinjerëzore, por që ata i kanë arritur t’ia dalin mbanë,  falë shpirtit të sakrificës, falë dashurisë së pashuar për gjuhën, kulturën, traditën, flamurin, kombin, atdheun… Aspiratën për ta ruajtur kombin, gjuhën traditës shqiptarët nuk e kishin harruar as e kishin shuar kurrë, as gjatë kohës së robërisë nga Turqia dhe asnjëherë deri në ditët tona, tani kur Serbia nuk lejon përdorimin e abetareve shqiptare në shkollat shqipe të Kosovës Lindore, ndërsa abetaret serbe lejohen edhe në disa shkolla në Shqipëri  ku kurrë nuk ka pasur kokë serbi, por janë shpifur për hir të Beogradit dhe Evropës, për shkaqe “baraspeshe”, për të thënë se ashtu sikur në Serbi ka shqiptarë, edhe në Shqipëri ka serbë, edhe pse ata serbë-folës të Libofshës së Fierit  janë me prejardhje nga myslimanët e Sanxhakut dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me serbët.

 

 

8. Kombi shqiptar i ka dhanë burra në za për urti Perandorisë së Bizantit. Diplomatët ma të mirë dhe gjeneralët ma të vlefshëm të Mbretnisë së Turqisë, shqiptarë kanë qenë. Shqiptar ka qenë edhe statisti italian Françesk Krispi, kështu shqiptar ka qenë edhe Papa Klementi i XI-të si edhe Kardinal Albani. E në se bazohemi në memorandumin e shkruem nga Venizellosi, të cilin ia ka paraqitë Konferencës së Paqes, shqiptari asht sot edhe gjeneralisimi i ushtrisë greke. Por, për me ju a mbushë mendjen edhe ma mirë se kombi shqiptar nuk e ka namin ma të vogël se kombet e tjera të Ballkanit, këtu due me ju pru fjalët që shkrimtarë me vlerë kanë lanë të shkrueme mbi shqiptarët. Shkrimtari francez Hecquard, në librin e vet “ Histoire et descriptions de la Haute Albanie” , ka shkrue se në histori të shqiptarëve “ndeshen prova të lumnueshme energjie, inteligjence dhe aktiviteti.” Ma poshtë thotë: “Ata kanë ruejt doket e burrninë ashtu si vetëm mund ta ruejshin burrat e hershëm të cilëve u këndohet kanga. Për ma tepër, githmonë këta i kanë dhanë burra në namë e në za Greqisë së hershme, Perandorisë së Bizantit, Turqisë e Greqisë së kësokohshme”. Mandej Lordi Bajron gërthet nga ana e vet: “Përmbi karpa të Sulit e gjatë bregut të Pargës, ka burra si veç motit i bajshin nanat dorike; atje ka ende do familje për të cilat kisha me thanë se janë të fisit e të gjakut të Heraklidëve.” Dëshmi janë këto, Zotni të mi, të cilat kishin me ja shtue namin edhe nji kombit ma të madh e të qytetnuem.

 

Kjo pjesë e fjalimit të Fishtës me karakter historik, kishte për qëllim t iu bënte me dije evropianëve se shqiptarët kishin marrë pjesë në ndërtimin dhe funksiononim  e perandorive, kishin luftuar për çlirimin e tyre, kishin bërë emër në qeverisje, ndërtim, arkitekturë, kishin lënë gjurmë të thella inteligjencie në çdo perandori dhe kishin ruajtur të paprekur traditat, tolerancën fetare dhe tolerancën mes popujve e racave. Pavarësisht se kishte qenë kombi më i merituar për ndërtimin e qytetërimeve, ai ishte nëpërkëmbur, pikërisht nga ata qeveritarë e popuj  që më së shumi i kishte ndihmuar. Ky ishte paradoksi që Fishta ua kishte hedhur në surrat pjesëmarrësve të Konferencës së Paqes, e cila firmosi e bekoi mbetjen jashtë Shqipërisë së dy të tretave të trojeve shqiptare.

 

9. Tash, zotni, mbasi ju diftova se kush janë dhe çka janë shqiptarët, më duhet t’ju flas për të drejtat e tyne. E po ju tham se shqiptarët kanë të drejtë

a) për nji pavarësi politike;

b) gjithnjë brenda kufijve gjeografikë e etnikë të Shqipnisë. Mbi pavarësi të kombit shqiptar nuk kam shumë fjalë me ju thanë. Dihet se kjo e drejtë ka qenë njohtë, sigurue dhe dorëzanue me nji traktat të Pushteteve të Mëdha të Antantës…Pavarësia e kombit shqiptar pra, në se do marrë si nji punë e kryeme dhe e dorëzanueme mbi erz të kombeve të mëdha të Europes… Pushtimet e hueja dhe intrigat e paemen të nji diplomacie bakalle të pashpirt e të pazemër, kaq fort ia kanë shndërrue dhe perçudnue fizionominë gjeografike dhe etnologjike Shqipnisë… Prandaj lypset të përcaktojmë ma përpara disa kritere të sigurta mbas të cilave mandej me përskajue kufijt e natyrshem të Shqipnisë. Sipbas parimit të autodeçizionit (vetëvendosjes) secili popull që mund të thotë se ka nji homogjenitet të pakëputun e të pandamë në vetvete, ashtu si ky përcaktohet prej klauzolave të teorive willsonjane, ka të drejtë, ose në mos tjetër do të kishte të drejtë që ai vetë me e nda kuvendin mbi sharte të veta politike e ekonomike dhe me u nderue si shtet i lirë dhe i pamvarshëm….Simbas këtyne parimeve, asht punë e arsyeshme që shteti shqiptar të përshtrihet gjeografikisht deri ku mbërrin kombësia e popullit shqiptar e vijueshme dhe e pandame prej centrit të vet. Sepse tagri i autodeçizionit nuk asht e lidhun me individë ose me grupe të caktuem njerëzish, por me nji “avrom” të gjithëmbarshëm prej të cilit përbahet kombi. Prandaj çdo zvoglim që i bahet tokës së Shqipnisë, i pambështetun mbi këto parime, do me thanë se ai i bahet dhunshëm dhe me të padrejtë.

 

 

10. Por në bazë të cilit kriter ka për të mujt me u caktue të përshtrimit e kombësisë shqiptare? Mbas gjuhës, i vetëm ky në këtë rast asht kriteri ma i patundshëm dhe që nuk mund të lihet kurrsesi mbas dore. Populli shqiptar flet nji gjuhë krejt të veten që, tuj lanë mënjanë transformimet e natyrshme të elementëve të cilëve nuk i ka pshtue asnji gjuhë tjetër deri më sot, kurrfare nuk mund të unjisohet me gjuhë të tjera keltike, latine, gjermanike, sllave ose helenike, me përjashtim ku puqet me to me rranjë të bashkueme indo-gjermane. Prej këtej pra rrjedh që që të gjithë ata që e flasin këtë gjuhë, kanë një kombësi krejt më vete e krejt të ndame prej asaj të kombeve të tjera të Europës. Sepse nuk ma merr mendja që nji tjetër popull i gjallë i Europës t’ia ketë imponuar shqiptarit nji gjuhë që dhe as nji tjetër popull europian mos ta ketë folë. Për ma tepër, nji gjuhë e dekun, nuk i imponohet nji populli mbarë. Por as populli shqiptar nuk ka mujt me ia tatue popujve të tjerë gjuhën e vet.

E për këtë arsye, shteti shqiptar, duhet të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshin gjuha shqipe. Tuj pasë caktue këto parime ose kritere, të shohim tash se cilët do të jenë kufijt gjeografikë të shtetit shqiptar. Por, per me u diftue krejt të papajamajtshëm në këtë çashtje plot me gënjeshtra si dhe aq pahijshëm shoshitë prej armiqve, këtu unë due me ia lanë fjalën, Zotni, shkrimtarit tuej të sipërpërmendun, z. Rene Pinon i cili ka qenë në Shqipni dhe e ka pa vetë me sy tuj e prekë vetë me dorë se kush mundet me pasë arsye mbi këtë çeshtje.

 

Edhe pse Konferenca e Versajës kishte konfirmuar kufijtë e shteteve të Ballkanit në vitin 1918, Konferenca e Paqes në Paris, e mbajtur  një vit më vonë kërkonte që përfaqësuesit e kombeve të Ballkanit ta nënshkruanin konfirmimin e tillë, i cili Shqipërisë i shkëpuste dy të tretat e territorit etnik dhe historik. Fishta dhe delegacioni shqiptar nuk ishte pajtuar me vendimin e Versajës. Andaj ai kishte shtuar për shqyrtim deklaratat për të drejtat e kombeve për Vetëvendosje, duke insistuar në parimin etnik dhe historik. Ai kishte kërkuar që,  atje ku shumica shqiptare rronte pashkëputshëm me gjuhë traditë, apo trevë,  ajo krahinë t i rikthehej Shqipërisë. Fishta insistonte që sipas  parimeve, asht punë e arsyeshme që shteti shqiptar të përshtrihet gjeografikisht deri ku mbërrin kombësia e popullit shqiptar e vijueshme dhe e pandame prej centrit të vet. Sepse tagri i Vetëvendosjes nuk asht e lidhun me individë ose me grupe të caktueme njerëzish, por me nji “avrom” të gjithëmbarshëm prej të cilit përbahet kombi. Prandaj çdo zvoglim që i bahet tokës së Shqipnisë, i pambështetun mbi këto parime, do me thanë se ai i bahet dhunshëm dhe me të padrejtë.

 

Kjo padrejtësi historike, jo vetëm që nuk është korrigjuar  në Brukselin e sotëm globalist të Evropës, (trashëgimtar i Konferencave të Londës, Versajes,Bukureshti, Jalltës, më vonë Rambujesë) por u ka hapur oreksin serbëve, malazezve, sllavo-maqedonasve e grekëve që të mbajnë nën pushtim trojet me shumicë etnike  shqiptare.

Brukseli pranon faktin që Kosova t’ i dhurojë Malit të Zi 8000 hektarë tokë dhe që Serbia ta krijojë për vete një shtet brenda Kosovës, atje ku serbët janë shumicë,  por nuk pranon që shqiptarët shumicë në Mal të zi të kenë një shtet të vetin, as shqiptarët në Kosovën Lindore të kenë po aq të drejta sa kanë serbët në Kosovë.  Dhe për më keq, Brukseli ka arritur ta krijojë një klasë politike brenda shqiptarëve, e cila i bindet pikë për pikë BE-së, në mënyrë që në të ardhmen të konfirmojë se shqiptarët janë pajtuar me copëtimin e trojeve të tyre, për dallim që në Konferencën e Versajës dhe të Parisit ata nuk ishin pajtuar. Nuk duhet lënë anash faktin se vetëm në vitin 1973, shteti komunist i Shqipërisë nuk kishte pranuar ta nënshkruar Kartën e Helsinkit, për mos-ndryshimin e kufijve në Evropë. Historia më vonë tregojë se ajo hartë u shpërbë me shpërbërjen e përjetshme të Jugosllavisë dhe doli shteti i pavarur i Kosovës, të cilin nuk e ka pranuar as e pranon BE-ja dhe as pesë shtete të Evropës.

 

Ahmet Qeriqi

Janar 2016

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …