At Gjergj Fishta

Fjalimi i Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes, në Paris, më 1919, një sagë shqiptare… IV

Me qëllim për të ndriçuar fakte dhe argumente për të drejtat e shkelura  vijimisht të shqiptarëve nga shtetet e Evropës, në të kaluarën e deri në ditët tona, kemi analizuar  dhe e kemi ndarë në 12-pjesë kryesore  fjalimin e  Gjergj Fishtës, të mbajtur në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919, kur Fuqitë e Mëdha ishin në dilemë, ta lënë të ekzistonte një çerek Shqipërie, apo  ta zhbëjnë në tërësi.   Pa dyshim kemi të bëjmë me  fjalimin  më monumental që ka mbajtur një intelektual  shqiptar në një Konferencë ndërkombëtare, ku ishte vulosur padrejtësisht fati i kombit e i atdheut tonë. Fishta kishte vënë në përdorim krejt energjitë e tij intelektuale, krijuese, njohëse, filozofike e politike, për ta mbrojtur në radhë të parë të vërtetën, parimet demokratike të shkruara në kartë, parimin e vetëvendosjes së kombeve, parimin historik, gjeografik dhe etnik me rastin e përcaktimit të kufijve ndarës mes popujve, në Ballkan.  Mbi të gjitha, në fjalimin e tij ai kishte përdorur fakte të dorës së parë, argumente që i dinin shumica e pjesëmarrësve. Kishte shkëlqyer me dijen e tij historike e politike dhe përkushtimin më të lartë të mundshëm për ta mbrojtur kombin e atdheun, për ta mbrojtur një të vërtetë që po shkelej brutalisht e mizorisht  dhe  në pikë të ditës, nga të gjitha shtetet e krishtera të Evropës, kundër popullit më të lashtë të saj, i cili gjatë shekujve të luftës për ekzistencë ishte sulmuar mizorisht si nga Roma e Bizanti, ashtu edhe nga turku e sllavi, por nuk ishte dhënë, pavarësisht se iu kishin gjymtuar rëndë gjymtyrët, të cilat po vazhdojnë t’ i gjymtohen e t’ i  nëpërkëmbën edhe më tej.

 

 

Duke folur me gjuhën e fakteve dhe të diplomatëve e historianëve të kohës, Gjergj Fishta iu kishte referuar edhe personaliteteve të caktuara, të cilët mbanin qëndrim të drejtë, të paanshëm, edhe pse qëndrimet e tilla nuk ishin përfillur, as atëherë as përfillen tani.

 

11. Zotni  Rene Pinon pra, në artikullin që prumë prej “Revue des deux mondes”, tuj folë mbi kufijt e Shqipnisë, thotë: “Prej fushave të Vardarit e deri në Adriatik, prej Thesalisë e deri në Mal të Zi, zot toke asht shqiptari, në daç sepse ky hyni këtu mbrendë ma i pari, në daç sepse ky ndolli ma i forti”. E tanë krahina e Kosovës e cila prej Konferencës së Londonit (1913) i qe lëshue Serbisë, dhe mbarë Çamëria, “Epiri i Nordit”, të cilin e lakmon aq shumë Greqia, janë të banueme kryekëput prej shqiptarësh dhe prandaj e drejta e lypë që të numrohen me shtet shqiptar. “

Dhe mos të mendohet se zotni Pinon asht shty tepër me këto fjalë, sepse e vërteta e këtyne fjalëve duket çiltas edhe prej statistikave të cilat qysh prej vitit 1909 e tektej, janë ba përmbi proporcione etnologjike të popullsisë së Shqipnisë. Prej këtyne statistikave zyrtare del në shesh se në krahinat e lëshueme prej Konferencës së Londonit serbëve dhe grekëve, të paktën, 80 përqind të popullsisë janë thjesht shqiptare. Serbt na thonë se banorët e Kosovës me prejardhje janë të gjithë sllav, por, gjithnji siç thonë ata, përdhuni dhe me kohë janë çoroditë tuj u kthye në shqiptarë. Këtë fjalë e thonë edhe grekët për banorët e Epirit të nordit. Por ata nuk thonë të vërtetën sepse, po të ishte e njëmend  se banorët e Kosovës janë sllavë dhe ata të Epirit të nordit grek, atëherë serbia nuk do të kishte mbytë e gri deri më sot afro dyqind mijë vetë në Kosovë dhe Greqia nuk do të kishte djegë ma se treqind e gjashtëdhjetë katunde në Epir të nordit tuj e kryqëzue gjinden pë rsë gjalli, posë atyne pesëdhjetë mijë vetave që i kanë vra dhe i kanë lanë me dekë prej urie dhe sikletit.  Qysh se serbët kanë vra me qindra mijëra njerëz në Kosovë, dhe grekët kanë djegë qindra e qindra katunde në Epir të Veriut, dëshmon qartë se as banorët e Kosovës nuk mund  të kenë qenë serb, as ata të Epirit të velur nuk  mund  të kenë qenë grek.

Jo jo, Zotni të nderuem! Janë vra gjindja me qindra mijëra në Kosovë dhe janë djegë me qindra e qindra katunde të Epirit të nordit për të vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën shqiptare në ato krahina për me mujt me i thanë mandej Konferencës së Paqes se atje nuk ka shqiptarë. Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë: “Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant. “Pra, njëherë shkatërroni vendin, e mandej vendoseni paqen”. Rene Pinon mbi kufijt e Shqipnisë, këtu due me ju përmendë se çka shkruente mbi këtë çashtje Lordi Fritznaurice, mis i Komisjonit të Rumelisë Lindore, mbi Foreign Office e që masandej qe botue në nji Libër Bleu (në diplomaci – asnjanës) të vjetës 1880. Ai shkruen: “Për me folë se shka asht kombi shqiptar, i bie me u përshtri edhe mbrenda kufijve të Serbisë e të Malit te Zi. Krahina e Kosovës, shka merr prej Mitrovice e poshtë, asht krejt shqiptare dhe ka vetëm nji skundill fort të vogël serb. Statistikat bullgare e greke, mbi të cilat qeveritë e Sofjes e të Athinës themelojnë pretendimet e veta mbi Monastir, Ohër e Korçë, janë mbështetë në rrena e leni ma ato pretendime të Greqisë që janë ba pa kurrfarë turpi.” Qe pra, Zotni, se deri ku duhet të përshtrihet Shqipnia e ç’kufij duhet të ketë shteti shqiptar. Mbas dëshmisë së këtij diplomati anglez në za, Konferenca e Paqes kishte me ba nji paudhësi të përgjakshme po nuk e nxuer e nuk ia ktheu Shqipnisë ato tokë, të cilat Konferenca e Londrës kundra çdo gjyqi e drejtësie, në vitin 1913,  ia shkëputi Shqipnisë për me ia lëshue grekëve dhe serbëve.

 

Kjo pjesë e fjalimit të Fishtës nuk është e panjohur për politikanët tanë, të cilët tashmë për hir të demokracisë dhe paqes dhe për hir të qëndrimit të tyre në pushtet, nuk kërkojnë rivendikime, nuk kërkojnë që Kosova dhe trojet shqiptare të bashkohen me Shqipërinë, si një e drejtë e natyrshme dhe e patjetërsueshme, por kërkojnë që Konferenca e Londrës, e Versajës, e Rambujesë, tani e Bukselit të jetëson përgjithmonë mbi kurriz të shqiptarëve. Përderisa Fishta, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Avni Rrustemi, Bajram Curri, Fan Noli, në kohën e tyre nuk ishin pajtuar me vendimet e dy konferencave antishqiptare, politikanët e sotëm të tipit, “Mustafa, Jahjaga, Nishani, Rama, Thaçi, Ahmeti e company, pajtohen dhe nënshkruajnë çdo marrëveshje për ta ruajtur status-quonë dhe mbetjen e tokave shqiptare nën Greqi, Maqedoni, Serbi dhe Mal të zi.

Dikush mund të thotë se pavarësisht se Fishta, Noli e të tjerët nuk pranuan rezultatet e konferencave që copëtuan trojet e Shqipërisë, ajo kishte mbetur e copëtuar, por kjo realisht nuk qëndron. Po të kishin nënshkruar dhe të kishin pranuar krerët e kombit ato marrëveshje, çështja shqiptare kurrë nuk do të ishte rikthyer për shqyrtim, sepse do të ishte përdhosur edhe ideali për liri, barazi e drejtësi.

 

Në mbarim të fjalimit të tij para pjesëmarrësve të Konferencës së Paqes në Paris, në vitin 1919, Gjergj Fishta atyre për fund u kishte sjellë edhe një shembull konkret të shkeljes flagrante  të të drejtave të shqiptarëve me rastin e vendimeve të Konferencës së Versajës dhe konferencës së Paqes, e cila sipas tij ishte ironike dhe helmuese për shqiptarët, sepse kërkohej që ata të pajoheshin, dashur pa dashur me robërinë dhe copëtimin e trojeve të tyre.

 

 

12. Tuj ju falë nderit me gjithë zemër për mirësi që keni dashtë me më dëftue në këtë rasë, do ta mbyll këtë ligjeratë të përvujtë me ato fjalë, të cilat  me 24 nandor 1880 i thanë Parlamentin italian, Madero Savini kur Europa pat çue anijet e veta përpara Ulqinit për me e ngushtue Turqinë që me ia lëshue Malit të Zi tokët e Shqipërisë.

E qe çka foli në atë rast deputeti italian:

– Pse francezëve nuk u mbushet mendja me heqë dorë nga Alsace-Loren?

 Pse nuk do të guxojshit ju, deputetë italianë, me heqë dorë prej viseve italiane që gjinden nën Austri ?

– Pse i keni dalë zot Greqisë kundra Turqisë në Kongresin e Berlinit, vetëm tue u mbështetun në parimin e kombësisë?

E pra, kujtoj unë, se, për me qenë burra fjale, neve na duhet me thanë edhe për Shqipni ato çka thamë edhe për të tjerë në Paris, Romë, Athinë, Varshavë… Në mos paça harrue, siç kam ndie prej profesorit tim, Grotius ka pasë thanë se tashma asht ba si zanat me ua shndrrue zotin popujve. Por përkundrazi, Jan-Jacques Rousseau gërthet: “Ani, ndërrojani zotat, por të paktën pyetni këto bagëti njerëzore që quhen popull !”.

 

Këto janë 12-pjesët kryesore të fjalimit të Gjergj Fishtës, pa dyshim të fjalimit më monumental që ka mbajtur një intelektual  shqiptar në një konferencë ndërkombëtare, ku ishte vulosur padrejtësisht fati i kombit e i atdheut tonë. Fishta kishte vënë në përdorim krejt energjitë e tij intelektuale, krijuese, njohëse, filozofike e politike, për ta mbrojtur në radhë të parë të vërtetën, parimet demokratike të shkruara në kartë, parimin e vetëvendosjes së kombeve, parimin historik, gjeografik dhe etnik me rastin e përcaktimit të kufijve ndarës mes popujve, në Ballkan.  Mbi të gjitha, në fjalimin e tij ai kishte përdorur fakte të dorës së parë, argumente që i dinin shumica e pjesëmarrësve. Kishte shkëlqyer me dijen e tij historike e politike dhe përkushtimin më të lartë të mundshëm për ta mbrojtur kombin e atdheun, për ta mbrojtur një të vërtetë që po shkelej brutalisht e mizorisht  dhe  në pikë të ditës nga të gjitha shtetet e krishtera të Evropës, kundër popullit më të lashtë të saj, i cili ishte sulmuara mizorisht si nga Roma e Bizanti, ashtu edhe nga turku e sllavi, por nuk ishte dhënë, pavarësisht se iu kishin gjymtuar rëndë gjymtyrët.

Ahmet Qeriqi

Janar 2016

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …