Në 26-vjetorin e rënies, u përkujtuan dëshmorët Skënder Rexhepi dhe Fitim Duraku, heronj të kombit që u flijuan për lirinë e vendit. Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, së bashku me bashkëpunëtorë, familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë, Organizatën e Veteranëve të Luftës të UÇK-së dhe qytetarë, nderuan veprën dhe jetën e tyre.
“Skënder Rexhepi, i njohur si Komandant “Hekuri” dhe Fitim Duraku, i njohur për përkushtimin e tij në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkë me Xhavit Elshanin – Leopardin dhe Mustafë Bajraktarin, e nisën misionin e tyre më 21 janar 1999, duke u përballur kokë më kokë me armikun serb, gjë që çoi në rënien e Skënderit dhe plagosjen e Fitimit, i cili nga plagët e marra vdiq në fillim të prillit, si dhe plagosjen e Leopardit dhe Mustafës, të dy të ndjerë, të cilët jetuan për ta parë Kosovën të lirë. Ata, me angazhimin e tyre të madh për liri, lanë pas një trashëgimi të madhe atdhetarizmi.”- u shpreh kryetari Latifi.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Skënder Rexhepin dhe Fitim Durakun!