(Albert Z. ZHOLI Forum për filmin shqiptar të sistemit monist)
– Po të mohohet lufta, të mohohet filmi, arsimi, elektrifikimi do ngelemi pa histori
–Të ndalosh filmat e socrealizmit është sikur të ndërtosh nga e para Universitetin apo Kinostudion
Disa herë në media është hedhur ndonjë “shashkë” që të gjithë filmat e prodhurara në sistemin komunist të mos shfaqen në ekranet e televizioneve. Madje këtë e ka hedhur edhe ndonjë poet apo shkrimtar që para disa vjetësh ngjalli shumë debat në shtyp dhe rrjetet sociale. Por më tej ky debat përshiu jo vetëm regjisorët, aktorët, skenaristët, kompozitorët, por edhe politikën dhe gjithë shoqërinë shqiptare. Po pse po diskutohet shumë edhe tani shfaqja e këtyre filmave? E gjithë kjo furtunë erdhi si rezultat i diskutimeve në faqet e internetit se filmat e socrealizmit ndiqen dhe sot po me aq kureshtje sa dhe dje. Madje disa rrjete sociale para disa ditësh vlerësonin shumë nga këto filma. Për të qenë korrekt me lexuesin, “Telegraf” zhvilloi një bisedë të gjerë me aktorë, regjisorë, skenaristë që kanë punuar në atë sistem. Ja cili është mendimi i tyre…
Luftar Paja, “Artist i Popullit”
-Të ndalohen filmat e atij sistemi? Pse? Kush e thotë? Cilët janë ata që e thonë? Përse e thonë? Nga vijnë dhe kush janë? Kam kohë që e kam dëgjuar dhe e dëgjoj këtë refren. Do të thosha një refren i pështirë antishqiptar. Me një tezë për “Regjimin zero” e filluam demokracinë. Nuk lamë gjë pa bërë. Të gjitha i shkulëm, i dogjëm, i shkatërruam, i vodhëm. Sot ata të gjithë që bënë këto dalin me një teori të re, atë të mos transmetimit të filmit shqiptar të viteve të sistemit socialist. Unë do ju drejtohem të gjithë atyre që e kanë nisur këtë debat pervers se: -A e dini që dhe shteti shqiptar ka një ditëlindje? A e dini se dhe Universiteti shqiptar ka një ditëlindje? A e dini se dhe Kinostudio “Shqipëria e re” ka një ditëlindje? Pra çdo art, çdo shkencë ka një ditëlindje. Edhe filmi shqiptar ka një ditëlindje. Atë se mohon askush dot! Në atë sistem janë luajtur aq filma sa sot do të duhen 100 vjet të realizohen. Me të metat, me dobësitë, me ideologjizmat ato kanë vlerat e tyre. Çdo film, çdo ngjarje duhet të vendoset në kohë. Një gjë di të them se skenat masive të atyre filamave sot nuk mund t’i realizojë asnjë vend në Ballkan. Ato filma sot ndiqen me interes të madh nga rinia pa diskutuar brezin e tretë. Pra është ai kontigjent artistësh, regjisorësh, kompozitorësh, skenaristësh, që kanë nxjerrë vepra madhore që kujtohen me respekt dhe filmat ndiqen me shumë respekt. Personalisht kam luajtur shumë filma artistikë në atë sistem, dhe e them me bindje shumë, shumë pak filma kishin ideologjizma brenda. Shumica kishin karakter patriotik, atdhetar, historik, edukues. Dua të them se kjo vjen për arsye se ata që duan këtë luftë të re klasash, janë njerëzit më ziliqarë të arritjeve të filmit shqiptar në atë sistem dhe që sot nuk realizohen dot. Për më tej, ajo plejadë aktorësh në atë sistem, nuk mund të rritet dhe të realizojë filma të atij niveli artistik. Ideologjia mbetet ideologji, ndërsa arritjet artistike kanë vend tjetër. Edhe sot kur i shoh ato filma, madje dhe ato që nuk kam luajtur vetë qaj dhe gëzohem kur shoh realizime të nivelit të lartë, që sot nuk i shoh në asnjë film dhe në asnjë dramë. Këtë e them me bindje dhe jam në gjendje të përballem me këdo. Kur shkonim në sheshet e xhirimit, në kushte të vështira të motit, por edhe të shpërblimit, ne mendonim vetëm si të bënim art. Kurrë nuk kemi diskutuar se sa marrim dhe sa mund të marrim. Ishim njerëz idealistë, kur sot shohim se rreth nesh ka vetëm aktorë materialistë. Ne atëhere bënim art me sakrificë, sot bëhet art për të fituar shuma të majme. Ne shumë herë e gdhinim dhe me bukë me çaj, por për gjithë natës mendonim se si të realizonim më mirë rolin dhe jo se si të fitonim më shumë. Kjo ndoshta nuk njihet nga ata që duan të mbyllin 50- vjet histori, arritje, krenari. Turp!
Margarita Xhepa “Artiste e Popullit”, “Nderi i Kombit”
As e mendoj se si mund të diskutohet një gjë e tillë. Pastaj, ajo është jeta jonë dhe nuk mund të diskutohet nga të tjerë të hiqet apo jo. Ndoshta mund të ketë sekuenca që mund të hiqen, po mirë, por jo të hiqet filmi. Thonë që mohohet lufta, mohohet filmi, por mirë pa histori do rrimë ne? Konkretisht do flas për filmat që flasin për luftën Nacionalçlirimtare ku kam disa role. Aty shumë herë nuk përmendet as partia as Enveri. Po pse duhet të hiqen këta filma xhanëm? Me çfarë kurajë? Di të them se ne kemi punuar me dashuri të jashtëzakonshme. Në sheshet e xhirimit nuk diskutonim për partinë apo për Enverin, por për rolin. S’na zinte gjumi se si të realizonim rolin sa më mirë. Filmat e atij sistemi ngrenë probleme sociale, pasqyrojnë ngjarje të Luftës Nacionalçlirimtare, problemet educative të sinqeritetit, të dhembshurisë, etj… Çfarë mund të thuash ti për filmin “Dimri i fundit”?! Ato nëna të thjeshta, por me një dhembshuri të madhe me një varfëri të madhe, por me një fisnikëri të jashtëzakonshme ndihmojnë partizanin e plagosur, u treguan të mençura, duke prerë dru, me një veprim njerëzor që t’i shmangeshin ndjekjes së gjermanëve: u futën në përrua për të mos lënë gjurmë. Pra, ato kryen një mision fisnik, një mision njerëzor, që ndihmuan luftën me një triko, me një palë çorape, me një veprim të tillë këto nëna të mrekullueshme shqiptare kanë treguar cilësitë dhe virtytet e tyre më të mira. Ne e dimë se si është tradita e gruas shqiptare, që harron veten për fëmijët, për atdheun, me një durim, me një fisnikëri, me një qetësi, të jashtëzakonshme që është pasqyruar në këtë film. A mund të hiqet ky film?! Le të marrim dhe filmin “Pylli i lirisë” apo disa filma të tillë ku unë kam luajtur. Psh filmi “Toka e përgjakur” kur vritet një burrë pa të drejtë kur dihet që është toka e tija. Padrejtësisht i heq bukën e gojës, i vret të ardhmen, i vret jetën. Filma të tillë me karakter socialo-edukues janë me dhjetëra. Por le të marrin filmin “Dora e ngrohtë”. Një film shumë i bukur, shumë edukues. Vërtet ai i dënuari mbaroi burgun, por ama ai nuk duhet të rrijë me atë damkën e burgimit. Jo! Dorën atij nuk ia jep partia, por në radhë të parë ia jep shoqëria, miqtë, shokët. Si këta filma ka plot të tjerë. Di të them se në atë sistem të varfër, ne punonim me dashuri të jashtëzakonshme të sillnim pranë popullit art. Artin ne nuk e mendonim si anëtarë partie por si aktorë, si artistë. Kishim një përkushtim idealist që nuk mund të mendohet, dhe as e çonim në mend anën materiale, se ashtu ishin sistemuar gjërat: të varfër, por me shpirt artisti. Kishim një dashuri të madhe për njeri-tjetrin, punonim me një seriozitet të madh dhe me një rrogë të vogël. Di të them se kemi bërë filma në shi, në borë, në diell, zbathur dhe kurrë nuk kemi thënë u lodhëm. Këto filma janë pasuri e artistëve, e skenaristëve, e regjisorëve, e montazhierëve, etj. Çfarë mund të thuash për skenarët e Kiço Blushit që ka shkruar për figura të mëdha si Tefta Tashko Koço që studiuan jashtë shtetit dhe erdhën të japin koncerte në kushte të vështira në vendin e vet?! Jam pa fjalë, nuk e besoj. Nga nisen këta njerëz që hedhin baltë mbi historinë? Këto ditë shkova në një promovim dhe recitova. Një koleg dhe të gjithë më thanë: si ke ardhur me këtë këmbë të sakatuar në aktivitet? Jo i thashë, e munda dhimbjen të vij këtu mes njerëzve për të dhënë shpirtin tim. Ky është brezi im, brezi i sakrificave! Arti mbetet i përjetshëm pjesë e historisë më të bukur të një kombi. Temat që kemi trajtuar dhe luajtur në atë sistem, nuk kanë të bëjnë me ideologjizma, por me shpirtin e çdo artisti, skenaristi, regjisori, kompozitori, për të sjellë para popullit të vet art të vërtetë. Nqs ka diku një fotografi të dikujt, ajo pjesë e histories. Ne nuk mund ta sjellim filmin sikur është realizuar sot! Ajo foto e diktatorit i përket asaj periudhe historike. Ne s’mund ta tjetërsojmë kohën, vendin dhe historinë. Kush nuk e pëlqen le ta heqë atë pjesë. Thelbi është se ata filma kanë trajtuar probleme sociale, por mbi të gjitha kanë mesazhe të mrekullueshme. Kush flet për filmat e atij sistemi le të hedhë më mirë sytë në punën dhe në veprën e tij.
Skënder Jaçe -(Kineast)
Është qesharake dhe nuk ja vlen të merresh, por do të thosha njerëz inkopetentë për kinemanë dhe zhvillimet e saj në kohë, diskutojnë plot profanitet. Filmi konsiderohet një vepër artistike e mbyllur, ashtu si një roman. Ai mban vulën e kohës, historinë dhe kulturën e zakonet të një kombi. Pavarësisht fashetizimit ideologjik të kohës në të cilën janë xhiruar. “Frika” se mos të rinjtë sot helmohen nga ideologjia komuniste, me duket arsyetim naiv. Rinia e sotme ka një informacion të bollshëm ajo është mbi shinat e kinemasë së Hollyëood dhe di ta dallojë shumë mirë zhvillimin e etapave dhe të ideologjisë e propagandës në kinematografi. Ç’duhet të themi për Çarlin e madh ku ai me pikëpamjet e tij komuniste fshikullonte ashpër “borgjezinë” e kohës, a mos duhet t’ja censurojmë filmat këtij gjiganti të artit të -7, apo t’u presim pjesët që nuk na pëlqen?! Filmi shqiptar është një dëshmi e gjallë e kohës duke parë sot me një sy tjetër, nxirren dhe mësime për propagandën e kohës, nuk flas këtu për ato filma të dobët artistikisht, që natyrisht vetë koha do t’i seleksionojë. S’jam aspak për censurimin e tyre: kurrsesi, atë gabim që bëri sistemi i kaluar me censurimin e filmit e sidomos atij të huaj. Dëgjova në një panel një mendim absurd, që filmat të shfaqen me një përmbajtje sqaruese para fillimit. Kjo bëhej në kohën që lamë pas, ku për çdo film pas qëndronte gërshëra. Më kujtohet filmi i njohur italian i cili titullin e tij origjinal e kishte “La polizia ringrazia” ky titull e trembte propagandën e kohës dhe ia ndryshoi titullin në “Kush bën ligjin?” duke vënë në titrat e fillimit një sqarim propagandistik se ç’ndodhte në vendet kapitaliste, sot duket qesharake, por është realitet. E njëjta gjë do ndodhë në se veprohet kështu me filmin shqiptar. Lëreni kohën në rrjedhën e saj, ajo është e pamëshirshme ndaj mediokritetit, sloganeve dhe harresës ndaj një vepre të dobët. Mendimi ndryshe bashkë me inatet që s’na ndahen si komb, do të na hedhë poshtë Sandër Prosin e Naim Frashërin, Kadri Roshin e Sul Pitarkën, Violeta Manushin e Drita Pelingun, Pandi Raidhin e Bexhet Nelkun etj etj. Sot këta filma nuk janë prezent në ekranin e madh, edhe për mungesë të sallave të kinemasë. Mendimi se sot nuk kemi filma të bukur shqiptar ndaj nuk i konkurrojmë dot filmat e parë është i gabuar. Jeta vazhdon. Gjenerata të reja krijuesish kanë dalë, të cilët duan promovim akoma më të mirë. Filmi ka shtëpinë e tij që është kinemaja, e cila pothuajse në të gjithë territorin e vendit mungon. Në se krijuesit aktorët e asaj kohe u bënë të dashur dhe të njohur për publikun e kohës ishte ekrani i madh ai që u jepte vlerë, ndaj krijuesit dhe aktorët sot nuk njihen shumë nga spektatori, sa kohë që ekrani i vogël do të luajë premierat e filmit shqiptar të formatit në kinema, të cilat shuhen menjëherë pas një premiere në kinematë e Tiranës duke mos e parë dritën e projeksionit në Shqipëri. Ndaj ky debat mbetet shterp dhe nuk mund të gjejë arsyetim. Fjala “NDALOHET” në kufijtë e saj është i rrezikshëm për një shoqëri të hapur.
Anastas Nika- aktor
– Mëndja më shkon rreth fillim viteve 80, kur si student i artit skenik shkonim në “Kinostudio ku do të shikonim një film rus të ndaluar, i cili titullohej ” I dyzetenjëti”….dhe pas dekadash të tëra vetëm tani më erdhi nder mend titulli i këtij filmi, që tronditi sistemin rus të asaj kohe,e vetëm e vetëm pse po flasim për ndalim filmash, ndryshe ndoshta s’do të kujtohesha….E ndryshe s’do të kujtohesha për një film si ai, që vërtet është i veçantë se për rreth një orë e ca është film i realizmit socialist, e vetëm për pak sekonda në fund, ai e tradhton idealin komunist. Heroina përlotet mbi armikun e klasës vrarë prej saj duke i thënë “Sykaltri im”. Kurrë se kam dëgjuar qysh atëherë këtë film… E me këtë kujtesë dua të them që koha është seleksionuesi më i mirë i gjërave dhe në këtë rast filmave të kohës së socrealizmit.
Është absurde të mendosh sot , kur flasim për lirinë e fjalës e mendimit, të kërkosh të censurosh në mënyrë drastike një histori gjysmëshekullore, një punë e bërë me zemër e shpirt të mbarë krijuesve shumë të talentuar shqiptarë. Shpesh herë bëhet fjalë për ç’mitizim dhe aq përparësi merr kjo gjë sa vetë ç’mitizimi kthehet në një mit …..E nëse do të ndalojmë filmat e kohës së komunizmit ,atëherë duhet të ndalohet gjithçka e krijuar e ndërtuar në atë kohë,që nga veprat e artit të mirëfilltë në letërsi, muzikë, koreografi, pikturë, teatër e film gjer tek veprat: si ura, rrugë e hekurudha, godina , ata që i bënë ato, sepse gjithçka e ndërtuar në atë periudhë sigurisht mban vulën e kohës së komunizmit…E sigurisht që kjo është e pamundur të ndodhë, se pastaj do të kërkonim vetëm ne si shqiptarë që të kthenim kohën pas, t’i zhduknim këto 50- vite ,e ndryshe nga bota të ktheheshim me një vendim unanim 50- vjet pas botës,duke menduar që jemi para saj…Le t’ia lemë kohës. Ajo bën çudira. Edhe një prej djemve të mi, i cili ka qenë i dashuruar për të parë filmat e asaj kohe duke qëndruar me orë të tëra, ku edhe bukë hante duke parë filmat si “Beni ecën vet”, “Shoku ynë Tili”,” Përrallë nga e kaluara”’, Zonja nga qyteti”, “Malet me blerim mbuluar”, “ Lulëkuqe mbi mure”, “Plumba prej plasteline”,“Dueli i heshtur” “Skënderbeu”, “Nëntori i dytë” e dhjetëra filma të tjerë,dhe nuk shoh ta kenë dëmtuar,përkundrazi e kanë bërë më të dashur dhe më të ndjeshëm ndaj atdheut,njerëzve të tij të të gjitha krahinave e besimeve, vlerave e traditave të kombit të tij….E kanë bërë më atdhetar, më serioz e shumë bashkëkohor. Ai ka njohur nga afër qysh i vogël aktorë ikona si Kadri Roshi, Robert Ndrenika, Timo Flloko, Agim Qirjaqi , Niko Kanxheri, Vangjush Furxhiu, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, e gjer tek shokët e mi të kursit, idhujt e gjithë fëmijëve shqiptarë si Beni tek “Beni ecën vetë” Herion Mustafaraj , apo Tomka tek” Tomka dhe shokët e tij “ si Enea Zhegu, e gjer tek pedagogu i tij aktori i njohur Ahmet Pasha. Sot kushdo prej nesh në këtë botë demokratike ku interneti, libri, udhëtimet, njohja me njerëz nga kombe të ndryshme na e ka bërë më të lehtë për ta njohur, e kushdo dua të them i ka të gjitha mundësitë të gjejë vetveten dhe njohë botën, të mirën e të keqen dhe të luftojë për ta bërë edhe më të mirë këtë botë , e nëse s’mundet ta bëjë këtë , të paktën mos ta prishë atë.
Sepse dalin dhe njerëz të çuditshëm për të ndërruar dhe Hymnin Kombëtar, se i ka ikur koha….kur ne e dimë mirë që ai është një gur fundamental ku qëndron kombi ynë. E për këtë kaq bukur flet dokumentari i skenaristit e regjisorit të mrekullueshëm Petrit Ruka.
E dikush do të thotë ndaj jemi të lirë të flasim e të mendojmë….Perëndia na ruajtë mendjen nga këta njerëz e nga kjo liri të menduari. E duke u kthyer përsëri tek filmat e socrealizmit do të pranoja që fëmijët e mi më mirë të shohin filmat e asaj kohe, ku shumë prej tyre kanë e përcjellin vlera të mirëfillta njerëzore dhe educative: si të sillemi në shkollë, familje e shoqëri, përballë filmave mbushur me horrorr e seks të ç’frenuar, filmave që shkatërrojnë personalitetin njerëzor e që jepen në çdo orë të ditës, sa bëhesh me zemër kur ke pranë fëmijët e lëre kur je dhe me miq. Mbetesh me pult në dorë të ndërrosh stacionin, nëse e ke atë fat ta arrish ta bësh këtë gjë. E sa për anën dogmatike të tyre le të flasim si korr unik i fuqishëm, pa pushime me zë të ultë e të lartë orë të tëra pa fund për komunizmin,të mirat e të ligat ,vlerat dhe krimet e tij ,dhe kam bindje se ata me kulturën e inteligjencën e tyre do të dinë ta ndajnë shapin nga sheqeri.
Uroj që brezi i sotëm të realizojë sa më shumë filma, kur dimë që bëhen vetëm një në vit, dhe të sjellin vlera duke sjellë në dritë më të mirën e të duhurën e kohës që jetojmë,e sigurisht edhe ngjarje e njerëz që sistemi i kaluar i luftoi a i la në heshtje. Kështu brezi i ri do ta ketë edhe më të plotë kohën e komunizmit , e do të dijë ta gjykojë e vlerësojë atë më mirë. Ç’do gjë ka kohën e vet. E ne le t’ia lemë atë kohës.
Bujar Kore-operator
-Kur e kam dëgjuar për herë të parë këtë bisedë, mendoja se do ishte diçka e rastit, diçka spontane dhe nuk do të mirrte përmasa të tilla. Kam xhiruar në çdo skaj të Shqipërisë, nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug dhe e di çdo të thotë të realizosh një film. Kam xhiruar dhjetëra filma dokumentarë, por edhe seriale televizivë në atë sistem dhe di të them që filmat xhiroheshin në kushte reale, në kushte natyre, natën dhe ditën, në shi dhe borë, në terren të thyer dhe plot sakrifica. Ato filma mbajnë vulën e kohës, mbajnë vulën e një periudhe të caktuar historike. Të gjithë aktorët, regjisorët, operatorët, skenaristët xhironin me një ndershmëri që nuk mund të besohet sot. Larg familjes, larg njerëzve. Në kushtet e një ushqimi modest, ne punonim dhe xhironim orë dhe pa orë, kohë dhe pa kohë dhe pse shpërblimi ishte i paracaktuar dhe qesharak. Unë edhe sot që jam në pension i shikoj me admirim këto filma. Aty shoh artistët e mëdhenj shqiptarë qe sot e them me bindje se nuk gjen më të dytë. I shoh dhe mallëngjehem. Në filma të veçantë mund të ketë dhe ideologjizma, por ato dhe mund të hiqen, të priten. Por çdo film vihet në vend dhe në kohë. Nuk mund të themi që një film i atij viti ta sjellim sot në vitin 2017. Historia bëhët sipas viteve dhe jo sipas dëshirave. Atëherë nuk kishte celular, nuk kishte kompjuter, nuk kishte laptop, pra nuk mund t’i sjellim ato vite në këtë ditë. Historia flet me gjurmët e kohës dhe jo me të dëshirave. Atëhere po të veprojmë me këto mendësi ne duhet të heqim të gjitha këngët e atij sistemi, duhet të heqim të gjitha vallet që janë krijuar në atë sistem, operat dhe me radhë. Nqs do i heqim të gjitha këto ahere kë do datojmë filmi i parë, opera e parë, drama e parë, koreografia e parë shqiptare? Do ngelen pa asnjë indetitet? Nqs ka diçka të tepruar le te hiqet, le të retushohet. E them me bindje se, pjesa dërmuese e atyre filmave ishte me karakter të theksuar edukativ, patriotik, paçka se dikujt sot nuk i pëlqen. Historia mbetet histori dhe nuk mund të ndryshohet sipas dëshirave!