Flet Artisti i Popullit Muntaz Dhrami: Zihni Sako dhe Abdurrahim Buza luajtën rol në të ardhmen time

Flet Artisti i Popullit Muntaz Dhrami: Zihni Sako dhe Abdurrahim Buza luajtën rol në të ardhmen time

(Intervistë e Albert Z. Zholit  me  Artisti i Popullit,  Muntaz Dhrami)

-Me Kristaq Ramën, Shaban Hadërin dhe Hektor Dulen kemi bërë vepra të pavdekshme

– Në Lice kam qenë në një klasë me Zef Shoshin, Stefan Priftin, Dhimitraq Trebickën, Sotir Kostan

– Shaban Hadëri dhe Kristaq Rama kishin mbaruar shkëlqyeshëm në Leningrad

– Kristaq Rama ishte i talentuar por mbi të gjitha një intelektual i aftë dhe shok i mirë.

-Enverin e kam takuar dy herë dhe për të kam bërë dy monumente

-Në Drilon Enveri më tha më ke pikturuar bukur, por në letër të vogël si gjirokastrit që je

– Busti i Heroinës së Popullit , Liri Gero ndodhet pas Galerisë së Arteve tashmë me Leninin dhe Stalinin

-Njëkohësisht për luftën kam bërë bocet për dëshmorët e 4 Shkurtit. Një ngjarje e madhe historike kjo.

MUNATAZ DHRAMI Ka lindur në Gjirokastër në 10 nëntor 1936. Shkollën fillore dhe dy vjet të mesme i mbaroi në Gjirokastër.

Gjatë viteve 1953 – 1956 ndoqi studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë ku dhe mbrojti diplomën.

Gjatë viteve 1956 – 1957 punoi si modelist në kooperativën e Porcelanit.

Gjatë viteve 1957 – 1961 vazhdoi studimet e larta për skulpturë në Akademinë e Artit në San-Peteburg (Rusi).

Në vitin 1961 mbrojti diplomën në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë me grupin monumental “Çerçiz Topulli” e “Mihal Grameno”.

Në periudhën e viteve 1961 – 1976 punoi si pedagog dhe si Dekan në Fakultetin e Arteve Figurative në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranê. Periodikisht shkëputet nga detyra si pedagog dhe punon si krijues i lirë në realizimin e disa monumentëve.

Sot mbushni 85-vjeç. Nëse do i hidhni një sy rrugëtimit tuaj si do ju duket kjo rrugë nga shkollimi në Gjirokastër deri më sot në Tiranë?

Kur kthej kokën pas them:- Zot  si ka ikur koha? Një jetë e mbushur me ngjarje, punë dhe histori. Kam jetuar në tre kohë gjatë luftës në monizëm, dhe tani në demokraci. Pra, një jetë që në çdo hap ka një ngjarje ka një histori, ka një moment të rëndësishëm jetësor. Moment i veçantë ishte hyrja ime në Lice. Ka qenë ndërhyrja e të afërmit tim Zihni Sako, që më nxiste, pasi shihte vazhdimisht pikturat e mia. Një ditë ai m’i mori vizatimet dhe ia tregoi Abdurrahim Buzës, piktorit tonë të nderuar. Sa i pa vizatimet piktori i madh tha, që ky djalë të vijë në konkurs në Lice. Por unë nuk mund të shkoja pasi nuk më linte drejtori i gjimnazit (pra kisha filluar mësimet në gjimnaz). Por unë duke pikturuar në rrugët e Gjirokastrës më pa një ditë Bedri Spahiu (ish -ministër i Arsimit). Ai pasi më lavdëroi unë i qava hall duke i thënë se nuk më le drejtori i gjimnazit të futem në konkurrim në Liceun Artistik. Ishin ndërhyrjet e tyre që unë të shkoja dhe të konkurroja në Lice. Në Lice kam qenë në një klasë me Zef Shoshin, Stefan Priftin, Dhimitraq Trebickën, Sotir Kosta etj, ndërsa mësues kam pasur Abdulla Cangonjin dhe Kel Kodhelin. Ata kanë qenë mësuesit e mi në këtë periudhë, deri në mbrojtjen e diplomës.

Cila kaq qenë puna juaj e diplomës?
Puna ime e diplomës në 1956-ën, ka qenë një kompozim i një prindi me një fëmijë. Ka qenë paksa letrareske, ku një vajzë e vogël vjen nga shkolla me një libër në dorë dhe i tregon babait që ishte farkëtar se çfarë ka mësuar në shkollë. Ishte 1 metër e 20 cm, pra më pak se ajo natyrale. Ishte një kompozim i mirë. Nga viti 1956-‘57, punova në kooperativën e porcelanit, si modelist bashkë me Hektor Dulen, Skënder Pukën (një piktor i mirë, i talentuar) nxënës i Odise Paskalit.

Kur filloi krijimtaria juaj e vërtetë?
Viti 1957, ishte viti që filloi krijimtaria ime e mirëfilltë. “Vajza me shall” ishte vepra që unë u ekspozova në Ekspozitën Kombëtare. Ishte si punë konkurrsi. Ishte një ditë e veçantë për vetë faktin se po dilja në një përballje publike, kur dihej se aty kishte shumë piktorë dhe skulptorë të afirmuar. Pikërisht pas këtij ekspozimi apo konkursi më doli e drejta e studimit, në Leninigrad (San Petërbug). Vazhdova studimet nga viti 1957 deri në vitin 1961 kur u ndërprenë marrëdhëniet. Pas këtij momenti unë kthehem në atdhe. Jo vetëm unë, por të gjithë studentët shqiptarë që studionin në BS. Studimet e mëtejshme i vazhdova në Akademinë e Arteve në Tiranë, Institut, i cili në atë kohë ishte sistem 3- vjeçar.
Në atë kohë në Institut po realizonin diplomën Sali Shijaku, Agim Zajmi, Zef Shoshi etj…që kishin lënë studimet në BS. Në këtë kohë kishin mbrojtur diplomën Shaban Hadëri, Kristaq Rama, që kishin mbaruar shkëlqyeshëm në Leningrad dhe kishin lënë emër të mirë. Ne që ishim brezi i ri dhe brezi i fundit në BS u munduam ta ruanim reputacionin e tyre (ata kishin shkuar në moshë të madhe në shkollë).

          Në monizëm ju keni realizuar shumë statuja, buste dhe relieve, si punonit në atë system?

–          -Ai sistem ka vlerat e veta. Nuk mund të errësohet çdo gjë. Mund të them se për artin është investuar. Sot mund të shohësh shumë skulptura heronjsh, apo monumete të mëdha në të katër anët e Shqipërisë që i përkasin asaj kohe. Monumente që kanë shkruar një pjesë të historisë shqiptare.

–          Cili është busti juaj i parë si skulptor profesionist?

–          Busti im i parë është i Jani Vretos i vendosur në Leskovik. Një bust që e punova me shumë dashsuri duke pasur parasysh jetën dhe veprën e tij shumë interesante?

–          Po monumenti juaj i parë?

–          Monumenti im i parë ka qenë bashkëpunim  me Kristaq Ramën. Ky monument i kushtohet Kostandin Kristoforidhit. Është një punë e madhe me shumë përgjegjësi. Monumenti është vendosur në Elbasan ku ndodhet edhe sot. Pra, është monumenti im i parë dhe bashkëpunimi im i parë me Kristaq Ramën. Më pas me të do të kisha shumë bashkëpunime. Kristaq Rama ishte i talentuar, por mbi të gjitha një intelektual i aftë dhe shok i mirë.

-Cilat janë disa nga bashkëpunimet tuaja të mëvonshme me Kristaq Ramën?

Së pari monumneti Nëna Shqipëri që ndodhet në hyrje të kompleksit të “Varrezave të dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore” në Tiranë dhe është 12 metër i lartë. Statuja është në beton dhe është përuruar në varrezat “Dëshmorët e Kombit” në vitin 1971. Realizues Kristaq Ramaunë dhe Shaban Hadëri. Së dyti Monumenti i Pavarësisë i ndërtuar nga Kristaq Rama, unë dhe Sh.Hadëri në Vlorë në vitin 1972 dhe i mbuluar me bronz. Është i lartë 17 metra. Ky monument ngrihet në qendër të qytetit në Sheshin e Flamurit. Në qendër të grupit skulpturor është figura e Ismail Qemalit, kryetarit të parë të shtetit shqiptar. Relievi te Kryeministria (1974) së bashku me Kristaqin, Shabanin dhe Hektor Dulen. Memoriali i Qafës së Koçiut për luftën e vitit 1920. Pra janë disa memoriale në bashkëpunim  me disa nga skulptorët më të mirë shqiptarë. Të gjithë këta skulptorë kanë lënë gjurmët e tyre në vepra monumentale, që nuk do të vdesin kurrë. Tek puna e tyre shikohet një pjesë e mirë nga më të lavdishmet të historisë shqiptare.

Si erdhi bashkëpunimi në grup?

U bënë konkurse për “Monumentin e Pavarësisë”. U paraqitën shumë variante. Ne që ishim të një shkolle, Kristaq Rama, Shaban Hadëri dhe unë fituam konkursin, për të realizuar monumentin. U dhanë shumë ide dhe projekte, por Byroja Politike pranoi këtë tonën. Po kështu në monumentin “Nënë Shqipëri” kemi qenë një grup realizues. Ishte punë e madhe. Edhe kjo në grup, ku paralelisht, në vitin 1972, realizuam monumentin “Nënë Shqipëri”. Pra dy nga monumentet më të rëndësishme ne i realizuam në grup. Ne që bëmë “Monumentin e Pavarësisë”, bëmë dhe “Nënë Shqipëri”. Pastaj me skulptorin Hektor Dule, Kristaq Rama, Shaban Hadëri (dhe unë) kemi realizuar relievin që është vendosur në fasadën e Kryeministrisë. Relievi zgjati një vit e gjysmë punë dhe është punuar në beton ( shihet dhe sot) si dhe monumentin në Qafën e Koçiut (Vlorë) kushtuar luftës së vitit 1920.

Një punë e madhe është bërë edhe për “Obeliskun e arsimit”?
Sigurisht. Një vepër e madhe dhe me përgjegjësi. Këtë vepër e kam në bashkëpunim. Së bashku me Stefan Papamihalin dhe Ksenofon Kostaqin (dy skulptorë të talentuar) kemi realizuar “Obeliskun e arsimit” të Gjirokastrës mes shumë vështirësish. Obelisku është 7 metër i lartë i ndërtuar me gurë me 100 e ca blloqe guri që janë marrë në Progonat. Një gurë i rrallë. Në fillim e bëmë në allçi. Për obeliskun është punuar dy vjet dhe sot ai ruhet pasi nuk ka ngjyrime politike. Pasqyrë e arsimit shqiptar.

Por, po aty afër realizuat dhe Monumentin e Enver Hoxhës në Gjirokastër?

E vërtetë! Unë kam realizuar dy skulptura për Enverin. Kjo në Gjirokastër ishte një nga punimet më të vështira dhe më me përgjegjësi. Nuk mund të luhej me figurën e Enverit. Për të realizuar këtë monument u bë konkurs. Morën pjesë shumë skulptorë. Ndoshta imi pati më fat dhe u cilësua më i miri. Ai ishte një punim që më ka kushtuar kohë dhe punë dhe lodhje të madhe. Ishte një punë e stërmundimshme. Ky monument u realizua në mermer. Pastaj gjatë punës mora dhe ndihmës. Mermeri i monumentit ishte i veçantë, special. Atë e morëm nga Italia. Ishin 5 blloqe mermeri që në fillim peshonin 80 ton. Ndërsa gjatë punës, heqjet e tepërta, bënë që monumenti të peshonte 50 ton. Për sigurimin e monumentit u punua akoma më me më përgjegjësi. E lidhëm me shufra çeliku, që blloqet të rrinin si një trup. Pas rënies së sistemit komunist, monumentit ju thye hunda, veshët, pra nuk shihej më, thuajse u copëtua. Nuk dihet nëse ekziston pjesa tjetër. Vepra ngelet vepër. Ajo mund të hiqet, por jo të përçudnohet. Ajo është pjesë e historisë së një kombi.

Sa herë e ke takuar Enver Hoxhën?

Vetëm dy herë. Takimi i parë në vitin 1978 kur do hapej një ekspozitë aty ku sot është “Teatri Eksperimental Kujtim Spahivogli”. Në këtë ekspozitë ku isha dhe në juri kisha bërë  relievin “Lart Frymën Revolucionare”. Ishte një takim pa biseda dhe ndonjë gjë të veçantë. Nuk ka ndonjë mbresë që ia vlen për t’u përmendur. Takimi i dytë ishte në Drilon kur do punoja për monumentin e tij që do vendosej në hyrjen e “Muzeut Kombëtar”. Ishte vitit 1982. Shkuam bashkë me Vilson Kilicën. Na priti mirë me buzëqeshje. Unë fillova të bëja disa skica portretit të tij që do më duheshin për monumentin. Por nuk kisha letra mjaftueshëm për ta bërë. Kisha disa copëza letre. Fillova ta vizatoj pjesë pjesë në 3 copa. Në fund ai e pa dhe më përgëzoi. Bukur e ke bërë më tha, por je kursyer në letër sikur je nga Gjirokastra. Qeshëm të tre. Pastaj unë i thashë: “Shoku Enver populli më thotë që na e bëj komandantin të bukur. Pra të duan sa më të bukur si në moshë të re. Ai m’u përgjigj. Çdo moshë ka bukurinë e vet më tha. Di frëngjisht më tha. Di pak i thashë. Dhe më recitoi një poezi që kishte bërë një vajzë e re për Viktor Hygonë. Hygoi ishte i moshuar dhe ajo e kishte bërë të ri. Unë nuk dua të më bësh si Mao Ce Duni hiq një rrudhë andej – këndej. Do më bësh si tollumbace. Ti bëj realitetin. Çdo moshë ka bukurinë e vet. Ky ishte takimi im i dytë dhe i fundit me të. Skulptura për të cilën folëm u realizua 4 metër në bronz dhe u vendos brenda tek hyrja përballë flamurit kombëtar i gdhendur në beton. Por e thyen atë është koka vetëm në galeri. Pra s’ka mbetur asgjë nga trupi.

–          Cilat janë disa nga veprat tuaja në shërbim të historisë?

Janë shumë. Populli ynë ka histori të madhe. Ka histori të jashtëzakonshme. Një popull i vogël me kaq histori zor se ka tjetër në botë. Ndër to mund të përmend monumentin  e Ali Pashës në Tepelenë.  Monumenti madhështor është prej bronxi, me peshë 4 ton, i gjerë 3.1 metër, i lartë 2 metra. Ai është vendosur në qytetin e Tepelenës, në sheshin që gjendet në hyrje të saj, kur vjen nga Ura e Leklit dhe fshatit Luzat. Ceremonia e inaugurimit u zhvillua me veprimtaritë e shumta për dy ditë rresht, më 21 dhe 22 shtator të vitit 2002Monumenti i Drashovicës  përjeton dy luftëra të zhvilluara në kohë të ndryshme të ndarë nga njëra-tjera në një distancë prej 23 vjetësh. Monumenti është ngritur në rrugën e lumit të Vlorës, pra në udhën automobilistike VlorëKurvelesh. Ai gjendet i pozicionuar rreth 30m nga ura e famshme e Drashovicës. Ura e Drashovicës përmendet në të dy luftërat që zhvilluan lebërit kundër pushtuesve në verën e vitit 1920 dhe në dimrin e vitit 1943. Kjo vepër monumentale u ndërtua e gjitha në bronx, ndërsa sheshi i saj dhe harku që lidh të dy faqet e historisë në një të vetme është ndërtuar me strukturë betoni. Ndërsa në të dy anët e kësaj strukture gjenden figura në basoreliev që tregojnë luftën për secilën kohë. Monumenti i Adem Jasharit në Tiranë u vendos në të njëjtin vend ku ishte i vendosur vetëm një bust i tij në rrugën e “Durrësit”. Monumenti u vendos me rastin e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë. Busti i Ali Asllanit në Vajzë të Vlorës. Labëria ka nxjerrë burra të mendjes, penës dhe pushkës, shtetarë dhe administratorë, artistë e profesionistë, poetë dhe oratorë. Por rrallë ndodh që në një njeri të vetëm të gjenden bashkë të gjitha këto vlera e vyrtyte. Ali Asllani është njeri prej tyre. Por nga lufta do veçoj një figurë…

-Cilën figurë?

Kam bërë bustin e Heroinës së Popullit,  Liri Gero. Liri Gero lindi në vitin 1926 në qytetin e Fierit. Ajo ishte partizane në brigadën XVII Sulmuese. Heroina e Popullit Liri Gero, ra Dëshmore në tetor të vitit 1944. Më pëlqeu shumë jeta dhe figura e saj. E bëra me shumë përkushtim. Për ironi të fatit sot busti i saj ndodhet mbrapa Galerisë së Arteve, bashkë me bustet e Leninit dhe Stalinit. Nuk ka përse. Ajo luftoi për atdheun: do gjendet një vend.. Njëkohësisht për luftën kam bërë bocet për dëshmorët e 4 Shkurtit. Një ngjarje e madhe historike kjo!

 Punimet e mia të para si të thuash ishin ato me baltë. Në Kërcullë kishte një baltë të kuqe interesante. Me atë unë englendisesha, duke krijuar figura të çfarëdoshme, që vinin në imagjinatën time fëminore. Më vonë fillova të bëja vizatime të ndryshme nga të revistave si dhe shtëpi të ndryshme karakteristike të Gjirokastrës sidomos atë të Zejkatëve. Këtë shtëpi e kam vizatuar disa herë në fëmijëri. Bëja dhe vizatime rrugicash. Kështu u lidha me Shtëpinë e Pionierit, ku ishte një Niko Nasto, amator që bënte afishe, pllakate të mëdha, por që kishte ide për pikturë dhe drejtonte rrethin e pikturës në qytet. Duke zmadhuar pllakate të ndryshme, apo duke bërë vizatime të ndryshme dalëngadalë brenda meje u kristalizua dëshira për të bërë vizatime.
Në malet rreth e rrotull Gjirokastrës shihja shumë imazhe figurash të përçudnuara, diku re në fluturim, diku si figura kafshësh, bishash, diku si figura njerëzish, pra figura, gjëra të ndryshme që trazonin botën time, fantazinë time.

-Po për intelektualët e huaj që kanë shërbyer në Shqipëri, kë ke përjëtësuar në artin tuaj?

Do veçoj gjeologun polak Stanisllav Zuber; lindur më 14 tetor 1883 në Lviv, vdiq më 1947 në Tiranë që ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në studimet e zonave naftëmajtëse shqiptare, kryesisht në territorin e Kuçovës së sotme. Ai u thirr nga italianët për studimin e zonave naftëmbajtëse në Shqipëri dhe qëndroi aty për 20 vjet, deri sa vdiq më 1947 në Tiranë. Për të kam realizuar dy buste një në Tiranë një në Kuçovë.

 

Nëse flasim për figurat e letërsisë shqipe çfarë keni në projekt?

Unë i kam miq shkrimtarët dhe poetët. Jam rritur me libra. Aktualisht kam  në proces një monument për Lasgush Poradecin në bronx. E kam punuar me shumë dashuri.  Kam gati një bocet për këngëtaren e madhe Vaçe Zela që e kam pasur idhull. Për të madhin Naim Frashëri kam një bocet tjetër. Monumentin e Namit e kam ideuar ulur ashtu të mendueshëm. Njëkohësisht kam një bocet për Dritëro Agollin, të cilin e kam pasur mik. Ai mbetet një poet i veçantë. Po ashtu kam bocet për Gjon Palin.

 Unë kam diçka të veçantë. Për gjeniun Ismail Qemali a ke ndonjë bocet?

 

-E kisha lënë për në fund, por ju ma bëtë që tani. Sigurisht që kam bocete në disa variante. Ose më saktë në 3 variante. Ismail Qemali mbetet madhështor para syve të çdo shqiptari. Ai meriton shumë. Monumenti që është vendosur përballë Kryeminsitrisë nuk ngjall shumë emocion as për vendin, as për idetë e tij. Ai monument nuk ishte ideuar për atë pozicion. Nuk them se s’ka vlera. Absolutisht jo, por nuk ishte ideuar për atë vend dhe atë pozicion. Unë kam disa bocete për babanë e Kombit dhe pres miratimin për të vepruar. Unë mendoj që në një vend të dukshëm të Tiranës patjetër duhet të jetë monumenti i Ismail Qemalit.

 

–          Busti i Sali Vranishtit

Monumenti i Sali Vranishtit (Muratit) mbetet unik, Është një figurë historike, e bukur, që të jep dorë për t’u trajtuar. Kjo është në vazhdën e krijimtarisë sime të monumentit të Drashovicës, vazhdimi i monumentit të Pavarësisë në të cilin jam pjesëmarrës.  Ai ka luftuar kundër serbëve, grekëve, ka qenë shok me Çerçiz Topullin dhe të gjithë luftëtarët e tjerë të Rilindjes. Ishte një luftëtar i shquar për Pavarësinë. Ka mbetur vetëm një fotografi e tij nga vitet e luftës, mbi të cilën jam bazuar. Më vonë ai u inkuadrua në mbrojtje të qeverisë së Vlorës dhe, me propozimin e Ismail Qemalit, u vu në krye të Forcave të Armatosura për të mbrojtur Pavarësinë

-Por..

-Kam realizuar statujën e heroit legjendar, të luftës së Kosovës, Adem Jashari që është vendosur në hyrje të bllokut të ambasadave në rrugën e “Durrësit”, në Tiranë. Kam dhe dy bocete për të. Dy projektet e tjera janë për Kosovë. Adem Jashari ka shkruar histori dhe historia duhet ta përjetësojë. Po ashtu Monumenti i Mitrush Kutelit i cili

ndodhet në qytetin e Pogradecit dhe është i lartë 3m e 60 cm. Derdhja në bronz është bërë nga Ramazan Karaj. Ceremonia e inaugurimit u zhvillua më 27 prill 2010. Busti i Shkurte Pal Vata, Heroinë e Punës Socialiste derdhur në bronx. Dushk (Lushnje) 1968.

–          Pra projekte pa fund…..Boceta pafund?

Ditët e fundit kam realizuar një skulpturë të kërkuar nga Credins Bank, të titulluar “Vajza me lule dielli”. Kjo është një skulpturë dekorative, që është vendosur përpara selisë së bankës. Ka përmasat 1,5 metër dhe është në brox. Dua të theksoj se projekte të tilla dekorative janë mjaft të përshtatshme për ambientet e çdo qyteti. Jashtë përdoren shumë. Kjo bankë e ka në misionin e saj përhapjen e të tilla skulpturave, apo relieveve. Vendosja e kësaj skulpture para drejtorisë qendrore të bankës Credins, simbolizon mbështetjen e vazhdueshme të këtij institucioni ndaj figurës së femrës, kontributit të saj të jashtëzakonshëm në ngritjen, zhvillimin dhe rritjen e bankës, po dhe vlerësimin maksimal që i bëhet sot rolit të femrës në Shqipëri dhe në botë. Gjithashtu, çdo qytetar dhe klient i bankës, do të shijojë tashmë një vepër arti të realizuar bukur artistikisht.

-Si njeri i artit a e keni takuar ndonjëherë dhe çfarë marrëdhënie keni më z. Rama, babanë e të cilit e keni pasur mik?

Nuk kam ndonjë miqësi me kryeministrin Rama. Ai tashmë është në politikë dhe unë vazhdoj rrugën e artit. E kam takuar vetëm njëherë tek një ekspozitë e piktorit. Sali Shijaku, shkëmbyem përshëndetjet e rastit dhe aq. Ndërsa me babanë e tij më lidhnin veprat, puna, profesioni, miqësia. Kam një foto të veçantë. ku Edi Rama ka dalë në krahët e nënës së tij, Anetës, e cila i përket 55 viteve të shkuara, ku ai nuk ka qenë më shumë se pesë muajsh. Kjo foto është shkrepur nga babai i Edit, i ndieri Kristaq Rama.

-Tashmë mbi 60 vjet krijimtari, si e ndjeni veten dje dhe sot dhe a i keni numëruar veprat tuaja?

-Ne atëherë merrnim pjesë nëpër ekspozita duke u paraqitur denjësisht dhe me shumë përgjegjësi. Megjithëse kishim kufizime për vetë ideologjinë, ekspozitat kishin shumë kërkesa. Kishim ambicie pasi vinim nga shkolla të fuqishme. Tematika ishte e dhënë, nga realizmi socialist. Por duke punuar me cilësi ne me to përfitonim leje krijimtarie apo studio nga shteti. Pra duhet ta justifikonim punën dhe kërkesat përpara komisionit të ekspozitave. Pra ekspozitat të jepnin shansin dhe t’i duhej të jepje maksimumin duke ruajtur normat e realizmit socialist. Në këto ekspozita kam marrë pjesë me portretin e Çerçiz Topullit. Në 1962 kam punuar bashkë me Kristaq Ramën monumentin e Kristoforidhit. Është e para punë, që ishte në grup. Në 60 vjet janë me dhjetëra skulptura, monumente, relieve. Nuk i kam numëruar. Shtohen çdo ditë…

-Të flasim për këngëtarët?

Nuk kam harruar edhe për ta. Jo, aspak, Kam realizuar në bronx bustin e baritonit të njohur, “Nderi i Kombit” Ramiz Kovaçi.

-Cilat janë problemet e skulptorëve sot?

Problem është financimi. Ka shumë figura patriotike apo ngjarje që duhen përjetësuar në mermer apo në bronx. Historia shkruhet shumë dhe me daltë. Pra në këtë këndvështrim dua të them se investimet e biznezmenëve janë sporadike, janë më shumë nisma private për njerëz të fisit, por duhet të jenë bashkitë ato që duhet të tregojnë kujdes ndaj  skulpturave dhe veprave të tjera të artit. Bashkitë duhet të kenë një fond të veçantë për veprat e artit. Kudo në botë sheh si janë zbukuruar nga skulpturat që i japin bukuri qytetit. Në qytetet italiane, që në lashtësi sheshet ishin mbushur me skulptura, që dhe sot shikohen me ëndje. Pra puna e skulptorëve është e varur shumë nga buxheti i bashkive dhe interesi që ato kanë për veprat e artit.

“Qytetar Nderi” i Gjirokastrës

Gjirokastra e bukur e  mençur që e do aq shumë, e ka nderuar prof. Muntaz Dhramin me titullin e lartë “Qytetar Nderi”. Gjirokastra për Muntaz Dhramin është gjithçka. Prandaj e ka gjithmonë me vete në tërë qenien e tij kudo ku ndodhet, në Shqipëri apo jashtë saj, në rrugë apo në atelienë e tij, me miq gjirokastritë, në salla ekspozitash, konferenca e simpoziume dhe sa herë që i jepet rasti të flasë, të gjithë do ta ndjekin me vëmendje dhe respekt këtë intelektual me integritet të lartë, “Artistin e Popullit”. Ka qenë pikërisht 65-vjetori i lindjes së Muntaz Dhramit, në nëntorin e vitit 2001, kur në sallën e teatrit të qytetit të Gjirokastrës u organizua edhe ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi”, artistit të madh.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …