Flet, Astrit Omeri: Si kam realizuar 12 mijë reportazhe në 42 vjet punë

Dorëshkrimet e operatorit, të TVSH-së, Astrit Omeri: Si kam realizuar 12 mijë reportazhe në 42 vjet punë.
-Si ngritëm në Malin e Dajtit sinjalin televiziv për stacionet italiane RAI -1, RAI- 2 për udhëheqjen.

– Këto dy stacione shiheshin vetëm nga udhëheqja e kohës dhe jo nga populli.

Malin e Dajtit ndërtuam dhe antenën transmetuese polake për TVSH për Shqipërinë e Mesme.

-Emisioni “Sport –Kalitje” ishte ndër më të ndjekurit.

– Në vitin 1971, në malin e Dajtit filloi ndërtimi i antenës për gjithë Shqipërinë

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI


Vite më parë me operatorin e talentuar, Astrit Omeri kam zhvilluar shumë intervista. Madje me të bisedoja shpesh për historikun e TVSH-së kur po realizoja dy librat e mi. Në këto biseda ai më ka lënë disa dorëshkrime. E filloi punën në RTSH, kur ndërtohej Antena e Dajtit dhe e vazhdoi për më shumë se 42 vjet. Ai ka një rekord… Plot 340 filma dokumentarë në emisionin më të ndjekur “Sport –Kalitje” pa llogaritur këtu të tjerat siç janë 60 dokumentarë për alpinizmin, për skitë. Ai mbetet një ndër nismëtarët e emisionit të parë sportiv “Sport-Kalitje-Shëndet” që mbetet më i shikuari në të gjitha vitet e sistemit monist, por edhe në vitet e para të demokracisë.
-Sot që ka gjithë këto televizone private,  është sfumuar nostalgjia për RTSH-në, apo vazhdon ende të ëndërrosh çdo darkë për ato vite të arta kur TVSH ishte i vetmi television në Shqipëri?

  • Unë kur nuk i shkëpus ëndrrat nga TVSH-ja. Dhe pse sot ka dhjetëra televizione ai mbetet unik, special dhe me histori të rrallë. Shumica e drejtuesve të sotëm të televizioneve private kanë dalë nga ai television që sot është venitur.

  • -Në sistemin monist ishte ëndërr të ishe pjesë e TVSH. Po për ju si u realizua kjo ëndërr e madhe ëpr çdo intelektual shqiptar?

Kjo është e vërtetë që ishte ëndërr për ëkdo deh ëpr mua sgurisht ishte ëndërr e madhe. Unë për herë të parë në TVSH kam filluar në vitin 1965, i jashtëm. Fillimet e mia me këtë gjigand televiziv i përkasin ndërtimit të fushës televizive. Kjo vazhdoi deri në vitin 1966 dhe pastaj po në këtë vit u desh një njeri që të rrinte patjetër në Malin e Dajtit që të komandonte dhe të ripërsëriste sinjalin televiziv italian RAI -1, RAI- 2, kjo kërkohej nga Qendra. Pra, këto dy stacione shiheshin vetëm nga udhëheqja e kohës dhe jo nga populli. Meqë unë merresha me sportin e alpinizmit, ku isha edhe trajner (ndërkohë, i Sport-Klub Tiranës) njëkohësisht me këtë punë bëja edhe stërvitje ndaj e mora me shumë kënaqësi. Gjatë kohës që unë punova në Dajt atje u ndërtua stacioni i parë polak që mbahej mend në historinë e Shqipërisë. Ky ishte stacioni i parë dhe ishte 300 vat. Ishte stacion polak, sepse edhe transmetuesi si pajisje ishte polak dhe specialistët e montimit ishin polakë. Ky stacion-antenë ishte për televizionin shqiptar.
Si u ndjetë në këtë punë?
Unë kam simpati të madhe për këtë se unë njoha nga afër se çfarë ishin transmetuesit, radioreletë. Për mua ishte ëndërr se edhe arsimin përkatës e kisha mbaruar për këto pajisje dhe unë akoma nuk e dija se çfarë ishin ato në të vërtetë, nuk i kisha kapur me dorë. I dija vetëm nga figurat që i shpjegonin profesorët nga libri.
Cila ishte kënaqësia më e madhe në ndërtimin e antenës së parë televizive shqiptare?
Pata fatin të ndjeja kënaqësinë e transmetimit të parë televiziv që me këtë antenë që thashë sinjali shkonte deri në brigjet e Italisë. Kur u hap sinjali telefonuan nga anija Tirana që ishte në det të hapur se kishin kapur sinjalin. Kjo ishte një kënaqësi e madhe. Në vitin 1966 u vendos perditori i rrymave italiane që të merrej në Tiranë RAI 1 dhe RAI 2. Kjo e komanduar në mënyrë automatike ,e cila fikej dhe ndizej nga Dajti. Pra, të shihte vetëm udhëheqja.
Pra, stacioni i parë ishte me teknologji polake, po më vonë kjo antenë vazhdoi të funksiononte?
Siç e thashë stacioni i parë ishte polak, i cili përfundoi së ndërtuari në vitin 1968. Në vitin 1968 pas ndërtimit të stacionit polak erdhën specialistë francezë, sepse mendohej t’u bënte një stacion i fuqishëm që të kalonte kufijtë e Shqipërisë. Me këtë stacionin polak mbulohej vetëm Shqipëria e Mesme. U vendos që t’u bëhej stacioni i madh në majë të malit të Dajtit që është edhe sot. Por nuk e di përse marrëveshja me Francën u prish dhe ne më vonë u lidhëm me kinezët dhe stacioni i Dajtit është teknologji kineze. Unë punova shumë me kinezët. Në fillim punuam shumë duke studiuar Dajtin. Pastaj me aparaturat filluam të shkonim mal më mal të Shqipërisë. Sipas kinezëve në kalatë që ishin ndërtuar në kohën e lashtë siç ishte Petrela e me radhë do viheshin antenat lidhëse. Të gjitha këto do lidheshin me Dajtin, Dajti lidhej me Lezhën dhe Lezha lidhej me grykën e Komanit e kështu me radhë me Shkodrën. Ne me fushëmatësin bëmë shumë matje. Unë me aparatin në krahë shkoja mal më mal për të matur fushën. Kështu filloi ndërtimi i stacionit në malin e Dajtit në vitin 1971. Nga ky moment unë pata fatin se, duke u marrë me sportin e alpinizmit m’u dha e drejta nga ish- drejtori i asaj kohe Thanas Nano që duke shkuar në këto male të më jepej një kamera dhe të xhiroja.
Pra, njëkohësisht, ju punonit për ndërtimin e antenave ndërmjetëse dhe filmonit?
Po. Filmoja të gjithë punën, por edhe ambientet rreth e përqark sikundër dhe fotografoja. Prirjet e mia artistike ishin shumë të mira se unë e njihja mirë aparatin fotografik që fëmijë. I hyra kësaj punë. Kam bërë shumë xhirime dhe fotografi që sot po t’i shohësh habitesh se si kanë qenë këto vende të virgjëra. Në vitin 1971, ku del në potencë transmetuesi i ri kinez unë fillova direkt në TVSH në redaksinë e sportit, ku sapo ishte krijuar. Pata fatin që ajo zgjati dhe vazhdova gjithë jetën deri në këto momente që flasim bashkë.
Cilat xhirime do të veçoje nga ato që bënit gjatë ndërtimit të antenave ndërmjetëse?
Përpos atyre unë do të veçoj ekspeditën e parë, ku kamera e TVSH ka qenë në Alpet e Veriut në Theth. Është bërë një dokumentar, e cila ndodhet, edhe sot e kësaj dite në arkivin e televizionit, njëkohësisht ruhet edhe një fotografi e bërë nga ky filmim foto që është vendosur në korridoret e televizionit. Kam xhiruar edhe një dokumentar në minierën e Gurit të Kuq. Në atë kohë televizioni transmetonte një herë në muaj, pastaj dy herë në muaj dhe pastaj një herë në javë.
Ku ishin vështirësitë e fillimeve të asaj kohe?
Ajo që na e bënte të vështirë punën ishte se filmimi nuk lahej tek ne, por në Kinostudio ose në laboratorin e universitetit. Në atë kohë të bëje një dokumentar në një muaj apo 2 muaj ishte një ngjarje shumë e shënuar. Kishte shumë pak aparatura dhe ato ishin tepër të rënda. Kishin vështirësi në manovrim.
Si u perfeksionove në përdorimin e kamerës?
Duke xhiruar kampionatin e skive në 1997 dhe duke xhiruar Alpet në 1967 dhe në vitin 1971 unë isha tërësisht i përgatitur për përdorimin e kamerës. Për këtë arsye më dhanë kamerën më të mirë të asaj kohe ku mbuloja futbollin dhe të gjithë aktivitetet sportive. Nga viti që mora frenat e sportit me shokun tim Vladimir Grillon kemi bërë vetëm për alpinizmin 65 filma dokumentarë. Për çiklizmin kam xhiruar afërsisht rreth 30 rrethe çiklistike dhe 30 garat e kufirit, këto gjithmonë me filma dokumentarë. Ku përveç filmimeve ditore, kronika jepej edhe një film 30, ose 35 minuta. Në vitin 1973, së bashku me gazetarin e talentuar sportiv, Vladimir Grillo, na lindi ideja të krijonim një emision sportiv dhe të titullohej “Sport -Kalitje-Shëndet”. Kjo m’u ngarkua mua bashkë me Vladimir Grillon. Ne mirëkuptoheshim me planet e punës, mirëkuptoheshim edhe në atë që kërkonte partia në atë kohë. Sigurisht mësimet e Partisë mbi gjithçka. Me to nuk mund të luhej. Kjo është një e vërtetë. Por, vështirësia ishte se sporti nuk bëhej vetëm në Tiranë, por edhe në Gjirokastër dhe në shumë qytete të tjera të Shqipërisë. Sport-kalitje-shëndet u vendos si emision një herë në javë. Ai jo vetëm që kishte një shtrirje gjeografike të mirë por vendosëm që të bëjmë edhe një shtrirje disiplinore me vlera të veçanta të sportit dhe këtë e bëmë me shumë dashuri të palodhur si në dimër, por edhe në behar. Ka pasur një kujdes të jashtëzakonshëm nga drejtuesit e radiotelevizionit për sportin, kujdes që fillonte që nga Drejtori i Përgjithshëm dhe vazhdonte tek Drejtori i Televizionit nga kryeinxhinierët. Kërkohej ajo që sot mungon. Transmetimi ishte shumë rigoroz dhe shumë perfekt. Sot nuk mund të qëndrosh në shtëpi pa mbajtur telekomandën në dorë, se në sekondë ikin ngjyrat dhe lëviz figura, zëri etj. Kjo është për të gjithë televizionet nuk ka kontroll teknik, ku telespektatori ta shikojë siç duhet.
Kontrolli i dytë teknik ishte cilësia e punës që bëhej. Duhej një cilësi e mirë e punë. Mua më lindi ideja që të bëja edhe kronika të tjera dhe emisione të tjera siç ishte edhe emisioni i bujqësisë, ekonomisë, industrisë, nëpër qytete ku lëviznim etj..
Po filmat dokumentarë të asaj kohe a kishin vështirësi?
Filmat dokumentarë janë realizuar me shumë kujdes dhe profesionalizëm. Përveç emisioneve specialë u realizuan dokumentarë artistik me vlera të veçanta. Dokumentarë që i rezistojnë edhe kohës sot. Sot në arkivin e televizionit mund të jenë me mijëra filma dokumentarë, të cilët kanë një realizim perfekt. Mendoj se duhet të jepen herë pas here.
-Sa minutëshe ishin atëherë kronikat dhe sa filma dokumentarë dhe reportazhe keni realizuar?
Atëherë kronikat kanë qenë 3 minutëshe. Mbas vitit 1994-‘95 u bënë një minutë. Unë kam të detajuara në skedarin tim dhe në arkiv 12 mijë reportazhe në 42 vjet punë. Unë kisha çdo javë një emision 30 minuta që ishte i detyruar të bëhej nga unë dhe nga Grillo. Kur të bëja një emision kalitje në Kukës apo në Peshkopi, unë duhej të bëja edhe një film dokumentar tjetër për ekonominë dhe bujqësisë, pra nuk kthehesha bosh, plus me këto bëhej edhe kronika. Jo gjithmonë do të shkonte televizioni në këto vende se nuk kishim mjete dhe nuk kishim shumë kamera. Unë i shfrytëzoja këto për kënaqësinë time dhe bëja një rrugë dhe dy punë. Kam 340 filma dokumentarë Sport -Kalitje pa llogaritur këto të tjerat siç janë 60 dokumentarë për alpinizmin, për skitë. Prandaj në arkivën në RTSH kam 90 % të punës.
Po si drejtor i filmit artistik, kur keni filluar?
Në vitin 1999 ishte dëshira e kohës për të bërë filmin artistik. Erdhi koha e demokracisë dhe kërkesat ishin nga më të ndryshmet. Telenovelat braziliane kërkoheshin shumë në programet televizive. Realizimi i një filmi të tillë në TVSH, erdhi rastësisht. Kishte një fond për filmin në Kryeministri, i cili nuk ishte përdorur. Kryeministër i asaj kohe ka qenë Ilir Meta. Ai merr në telefon Drejtorin e RTSH-së dhe i thotë për këtë fond. Për shans në atë periudhë Ruzhdi Pulaha kishte një skenar me 10 seri ‘Njerëz dhe fate” e kishte titullin. Ylli Pepo dhe Ruzhdi Pulaha u lidhën mes tyre dhe vendosën të realizojnë këtë film. Ishte një realizim perfekt. Unë isha Drejtor Fotografie i Filmit. Në kohën ku ne punonim vazhdonin edhe seritë e tjera. Doli një film me 20 seri. Ishte një film, ku tërhoqi interesin publik. Publiku u tregua shumë dashamirës ndaj TVSH-së dhe shumë dashamirës ndaj krijuesve. Një film që la mbresa të thella. Pati edhe një shitje të madhe edhe në Maqedoni. Pas këtij filmi filluan edhe të tjera si “Ishte kohë për dashuri”, ‘Dashuria e fundit”, “Dhimbja e dashurisë”, etj., pra, të gjitha me dashuri (qesh).
-Sa filma artistikë keni realizuar?
Nga viti 2000 dhe deri tani janë 50 filma artistikë, me regjisor të Ylli Pepos me skenarist Ruzhdi Pulahën dhe Bashkim Kozelin njerëz të mrekullueshëm që mua më kanë lënë mbresa. Aktorët kanë qenë të mrekullueshëm dhe asnjëherë nuk ndjenin lodhjen.
-Çfarë kamerash keni përdorur në këtë profesion dhe kush kanë qenë kamerat më të mira?
Kamerat janë dy të ndara: Kamerat e filmit dhe kamerat elektronike. Elektronika ka tjetër aftësi pune. Kamerat kineze që ishin me kurdisje kishin 30 m film pastaj erdhën kamerat që kishin 100 m film, etj… Këto i përdorëm deri në vitet 1980.
Mbas viteve 1980 filloi elektronika. Elektronika erdhi me kamera të ndryshme. Ishin të rënda nga 14-20 kg, por ishin më cilësore dhe kursimtare. Norma ishte 1:2 dhe 1:3. Duhej të harxhohej afërsisht 600 m film deri 1200 m film. Mbas viteve ‘80 filluam me filmin elektronik me ngjyra.
-Gjatë periudhës që ke qenë në TVSH a e ke takuar ndonjëherë Enver Hoxhën?
Takim nuk kam patur. Kam qenë vetëm një herë në kongresin e Rinisë dhe kam ndjerë një kënaqësi të jashtëzakonshme, sepse e pashë nga afër atë burrë vigan. Aty na ndodhi një incident ku gjatë xhirimit, për të dalë sa më mirë ne operatorët u rrëzuam të gjithë.
Si u rrëzuat?
Na ngeci këmba në një trotuar dhe ramë të gjithë njeri mbi tjetrin. Por menjëherë, u ngritëm të gjithë të vazhdonim xhirimet. Ndjemë një lloj përgjegjësie për momentin, por ai burrë me një buzëqeshje, na foli dhe na përshëndeti duke thënë: Ju jeni të rinj dhe ja sa mirë i përballoni situatat.
Takim tjetër me udhëheqësit e PPSH-së keni pasur?
Me Ramiz Alinë jam takuar në një takim që ka bërë me stafin e RTSH-së. Merrej në analizë sporti. Si të bëhej më mirë sporti, si të trajtohej më mirë dhe si të transmetohej në shkallë Republike më mirë sporti. U thanë mendime me rezerva. Unë u ngrita me gjuhën time dhe thashë të vërtetën që të bëhej kjo punë duheshin 500 radiorele. Duheshin çdo javë 4-5 kamera që të filmoheshin të gjitha ndeshjet. Ladi kishte bërë një sakrificë, ku bënte transmetim direkt me njerëzit e ftuar në studio.
I bëmë shumë kërkesa. Kryesorja ishte se duheshin të paktën dhe dy kamera. Unë kisha kamera të mirë se isha në informacion dhe harxhoja shumë me sportin. Ai ishte i veçantë, më popullor. Ishte një njeri që kishte qëndruar më afër televizionit dhe i dinte hallet dhe problemet e televizionit. Na dëgjoi me vëmendje. I shënoi të gjitha kërkesat. Pas disa kohësh na sollën 4 makina ARO me bagazh të hapur. Dy i mori Kinostudio dhe dy i morëm ne. Më vonë na sollën 5 copë “Benz-Mercedes”. Erdhën dhe kamera të tjera të mira: ishin kamera franceze. Këmbëngulja e kryeinxhinierit ishte e madhe. Pra Ramizi e mbajti fjalën. RTSH u modernizua.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …