Enriko Ceko

Flet Dr. Enriko Ceko: Qeverisjet e viteve të fundit janë sofistikuar për ndërtimin e fasadave, që ju pëlqejnë edhe ndërkombëtarëve

Në lidhje me reagimin qytetar në Shqipëri ka tre lloj shoqërish, shoqëria civile, shoqëria debile dhe shoqëria kopile, flet Dr. Enriko Ceko: Qeverisjet e viteve të fundit janë sofistikuar për ndërtimin e fasadave, që ju pëlqejnë edhe ndërkombëtarëve

Problemet në Shqipëri po shtohen çdo ditë. Po rritet varfëria, emigracioni, papunësia, ndikimi i politikës për një vend pune, po rriten çmimet, por askush nuk reagon. Shihet se klasa politike është tejet e korruptuar dhe jeton në luks kur pjesa e varfër po mbijeton me vështirësi. Kjo sepse korrupsioni është në nivelet dhe majat më të larta të qeverisë. Atëherë kush do të mund të protestojë? Rinia që ikën në emigrim? Pensionistët që mezi nxjerrin muajin apo opozita e përçarë? Disa nga këto probleme do i prekim në këtë intervistë me doktorin e çështjeve ekonomiko-socile.  Enriko Ceko.

1 – Problemet në Shqipëri shtohen, por reagimi nuk vihet re. Ndoshta më shumë ndikon mungesa e organizuar e shoqërisë civile si në Francë apo në Greqi?

Në aspektin e fasadës kanë ndryshuar shumë gjëra. Duket se qeverisjet e viteve të fundit janë sofistikuar për ndërtimin e fasadave, që ju pëlqejnë edhe ndërkombëtarëve. Ndërsa në aspektin e jetës reale duket se gjërat kanë ngelur në vend ose ka përkeqësim. Nëse shikon reagimin e qytetarëve ndaj problematikës së jetës së përditshme pothuajse mungon. Edhe nëse ka ndonjë reagim vjen kryesisht nga paratë e fituara për ndonjë projekt që zakonisht me mbarimin e financimit e humbet edhe funksionin dhe funksionimin. Për shembull: janë dhënë me miliona euro për fëmijët e rrugës apo për integrimin e komunitetit rom, por sapo filmohet ceremonia e mbylljes së projektit dhe televizionit nxitojnë të promovojnë veprimtarinë, projekti përfundon dhe përsëri ka fëmijë në rrugë dhe përsëri nuk ka integrim të komunitetit rom në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore, ligjore, mjedisore, sportive, etj. Unë mora dy shembuj shumë të thjeshtë, që janë të dukshëm, por nëse vërejmë me kujdes dukuritë që janë penguese për zhvillimin e shoqërisë dhe jetës në përgjithësi në vend, atëhere duket hapur se nuk ka asnjë farë reagimi nga ana e publikut. Përpara disa vitesh unë kam marrë pjesë në protestën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar nga shkatërrimi. Jo vetëm që kishte një pjesëmarrje shumë të vakët në atë protestë nga ana e publikut, por edhe midis nesh individëve aktivë për këtë çështje pati shumë konflikte dhe koniuktura nga më të çuditshmet, që duket se i kishin fillesat te politika, e cila arriti që të penetronte në këtë protestë me anë të rrjetit të saj tepër të sofistikuar dhe tepër enigmatik. Në lidhje me reagimin qytetar në Shqipëri unë e kam theksuar disa herë se ka tre lloj shoqërish, shoqëria civile, shoqëria debile dhe shoqëria kopile. Shoqëria civile është e pakët në numër në vend dhe nuk ka asnjë fuqi reaguese, me përjashtim të ndonjë daljeje në publik në emisione televizive në formë debate, ku kundërshtarët e përgatisin emisionin në atë mënyrë që përfaqësuesi i shoqërisë civile të dalë sa më keq të jetë e mundur. Shoqëria debile është shumica e këtij vendi. Mjafton t’i referohemi kryeministrit të vendit, i cili para disa vitesh e ka deklaruar vetë publikisht në disa televizione me licensë kombëtare dhe me shikueshmëri të lartë se Shqiptarët janë injorantë dhe pas kësaj deklarate askush nuk kundërshtoi apo demostroi në formë individuale dhe kolektive të organizuar. Pë sa i përket shoqërisë kopile janë këto shoqatat që përfitojë financime nga buxheti i shtetit dhe nga donatorë të huaj, që i bëjnë fresk tërë ditën e ditës qeverisë dhe kryeministrit dhe sapo i “shpenzojnë” paratë zhduken në parajsa fiskale. Duket se edhe sapo dikush ngre zërin, presioni qeveritar dhe i administratës publike është shumë i madh. Në administratën publike ka me mijëra persona që punojnë për të shuar dhe mbyllur zëri e atyre që evidentojnë problemet edhe në rrjetet sociale. Sapo dikush ngre një problem, sharjet dhe ofendimet e individëve me identitet të panjohur vërshojnë si lumë me një numër të paimagjinueshëm fjalësh fyese dhe ofenduese, që janë karakteristikë e fundërrinave të një shoqërie në çdo vend të botës. Nëse tentojnë të krahasojmë gjendjen e shoqërisë civile në vend me Francën apo me Greqinë, atëhere jemi si nata me ditën. Atje zëri qytetar ndihet që është i fortë dhe real edhe nëse qeveria nuk merr masa për përmirësimin e gjendjes, zëri qytetar bëhet edhe më i fortë dhe më konstruktiv. Një nga karakteristikat e shoqërisë civile në perëndim është konstruktiviteti. Në italisht është një fjalë shumë magjike: “crescere”, që në shqip përkthehet me u rrit, të rritesh, por që në kontekstin perëndimor ka fituar atributin e një ngjarjeje edhe më të madhe se sa rritja në aspektin fizik dhe biologjik. Ka të bëjë me rritjen në aspektin mental, intelektual dhe njerëzor, që është pikërisht ajo që i mungon shoqërisë shqiptare. Na mungon rritja në aspektin mental, intelektual dhe human, gjë për të cilën askush nuk ka interes të ndryshojë. Delet janë të mira kur shkojnë vetë te kasapi.

2- Ç’ farë sjell në një shoqëri demokratike mungesa e sindikatave?

Sindikatat janë syri, veshi, zëri dhe mendja e punëmarrësve. Këto organizata në Shqipëri duhet të funksionojnë mbi bazën e Kodit të Punës dhe akteve të tjera ligjore dhe nënliogjore, që rregullojnë marrëdhëniet midis punëdhënësve dhe punëmarrësve. Në rastin konkret, pjesa më e madhe e sindikatave janë inekzistente, edhe pse në aspektin formal ato janë subjekte të regjisuara në gjykatë, sipas ligjit.

Sindikatat në Shqipëri kanë një trashëgimi jo për t’u mburrur dhe historia e tyre në vitet e para pas rënies së regjimit, degjeneroi në privatizimin e disa pronave publike, me anë të të cilave u mendua se ato do të mbijetonin dhe do reformoheshin, gjë që nuk ndodhi. Edhe pronat e tyre tashmë janë tjetërsuar e përvetësuar, saqë është e vështirë edhe për të gjetur rrënjët e abuzimeve me këto prona dhe abuzimet në aspektin financiar me paratë e këtyre sindikatave. Mos harrojmë se nga sindikatat e para viteve 90, u trashëgua një sasi e madhe kapitali në formën e parasë, që ishin kuotat e anëtarësimit të punonjësve të tërë Shqipërisë. Se çfarë u bë me këto para, askush nuk e di. Një pjesë e madhe e subjekteve të sektorit të shërbimeve dhe hotelerisë së atyre viteve ju dhanë si pronë sindikatave, tashmë pothuajse asnjë prej tyre nuk është në pronësi të sindikatave, apo edhe më keq, sindikatat e asaj periudhe nuk ekzistojnë më. Ka disa sindikata të reja, që janë krijuar rishtazi, që përpiqen të mbrojnë të drejtat e grupeve, që përfaqësojnë, por meqë në vend nuk ka ndonjë traditë sindikaliste dhe traditë në aspektin e protestës në mbrojtje të të drejtave në përgjithësi dhe të grupeve të veçanta në mënyrë specifike, atëhere është shumë e thjeshtë që kërkesat legjitime të fuqisë punëore dhe të profesioneve specifike, të denatyrohen, të mos respektohen e të mos përmbushen. Imagjinoni se sa keq është gjendja, saqë vetë kryeministri merr iniciativën për rritjen e pagave dhe vendosjen e pagës minimale, që në fakt është punë e pastër e sindikatave dhe e sektorit privat. Ky shembull tregon se sa keq është gjendja në Shqipëri dhe se si lëngon vendi dhe qytetaria e vërtetë në këtë vend.

3- Kriza e largimit të qytetarëve, kanë sjellë pasoja sot në ekonomi, por sidomos tek popullsia ku 56% e fëmijëve kanë lindur jashtë vendit dhe 44% brenda vendit. Çfarë do sjellë kjo për kombin?

Këto nuk janë karakteristika të një kombi. Këto janë karakteristika të një popullsie që dikur ka qenë homogjene rreth 99% dhe tashmë është kthyer në një popullsi heterogjene, një dukuri që sjell shkatërrimin e nocionit të kombit. Fakti që Shqipëria nuk u bashkua me Kosovën ditën e nesërme që Kosova fitoi Pavarësinë, flet shumë. Fakti se edhe pse në Malin e Zi dhe në Maqedoni të Veriut kemi drejtues shqiptarë të këtyre shteteve, dhe askush nuk flet për bashkim kombëtar, tregon qartë për gjendjen e kombit tonë. Fakti se kur thirren në takim informal për Procesin e Berlinit kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vëllau nuk vjen, tregon shumë. Fakti se edhe pse pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912 përfshinte edhe Kosovën dhe viset e tjera shqiptare përreth, si popullsi dhe si territor, dhe në përfundim të Luftës II Botërore Kosova dhe pjesa tjetër e territoreve të Shqipërisë u ndanë nga trungu mëmë, flet shumë.

Nuk mjafton atdhetarizmi i pushtetarëve në Shqipëri dhe ndër shqiptarët në vendet përreth apo dhe në diasporë. Personalisht mendoj se ky atdhetarizëm është fals, është fiktiv. Na duhet një qasje tjetër për çështjen tonë kombëtare. Çdokush të vendosë 10% të pasurisë së tij për kombin. Çdokush të punojë një ditë në javë për kombin. Çdokush të angazhohet në mënyrë qytetare dhe civile në një çështje që shqetëson kombin. Moisiu e ngriti kombin e tij nga asgjëja. Por ai me besim te Zoti dhe te morali ndërtoi ligjet, që u bënë të detyrueshme për zbatim. Ka një diferencë shumë të madhe midis kombeve, që besojnë te Zoti dhe respektojnë moralin dhe ligjin me kombet e tjera. Duket se kombi shqiptar nuk bën pjesë te këto lloj kombesh. Duhet shumë punë për këtë. Zoti, morali dhe ligji janë trinomi ekzistencës dhe zhvillimit të kombeve.

4- Diferenca e pagave dhe pensioneve është alarmante. Pse vjen ky diferencim fyes për masën e popullsisë? Mjafton që të shkosh në një subjekt të administratës publike apo privat, që ofron shërbime për moshat e treta dhe shikon në derën e institucionit një shkresë ku përmendet fjala “gjallesa”. Deri këtu ka vajtur puna.

Moshat e treta dikush në Shqipëri i etiketon si “gjallesa”. Janë pikërisht këto “gjallesa” që i kanë bërë kokën atij, që etiketon prindërit e gjyshërit me këtë epitet tepër fyes. Turp dhe faqe e zezë. Shumë turp edhe për subjektet që pranojnë që të vendosin në derën e tyre këtë copë letër. A thua se këta që drejtojnë këto institucione dhe që hartojnë këto shkresa paçavure nuk do vdesin kurrë dhe nuk do u shkojë mosha? Kjo është arrogancë dhe mendjemadhësia e atyre, që janë në pushtet dhe opozitë, që denigrojnë qytetarët e këtij vendi dhe që u shërbejnë me këto mënyra dhe epitete ndaj të moshuarve atyre, që nuk e duan kohezionin social në Shqipëri. Sjellja në këtë mënyrë ndaj të moshuarve tregon injorancë dhe dashakeqësi. Më tej kjo shprehet edhe në trajtimin e tyre nga ana financiare me pensionet qesharake. Ndërkaq, ato pasuri që kemi trashëguar janë vënë kryesisht në periudhën 1944 – 1990 dhe janë vënë me mundin dhe djersën e atyre që tashmë janë në pension dhe që dikush merr guximin t’i etiketojë si “gjallesa”. Në mënyrë urgjente kjo gjendje duhet të ndryshojë. Ju kërkoj që ju si media serioze dhe me ndikim të bëni maksimalen që ky etiketim të hiqet nga përdorimi si në aspektin praktik, ashtu dhe në atë ligjor. Në aspektin financiar, në vend ka rreth 1.1 milionë forca pune, nga të cilat rreth 200.000 janë të papunë. Pjesa tjetër janë rreth 200.000 që punojnë në administratën publike dhe me kontrata të përkohshme pune në administratën publike në sistemin qendror dhe vendor dhe rreth 700.000 të punësuar në sektorin privat. Këtyre që punojnë ju mbahen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Sigurimet shoqërore, që paguajnë këta persona, që janë në punë shkojnë për të paguar pensionet e atyre që janë tashmë në pension. Por pagesa e sigurimeve shoqërore është shumë e ulët krahasuar me atë ç’ka pensionistët aktualë kanë nevojë të marrin si pension. Ne na duhen rreth 3 milionë forca aktive pune që me sigurimet shoqërore, që do u mbahen këtyre, të paguhen rreth 700.000 pensionistët aktualë të Shqipërisë me pension dinjitoz. Skema e sigurimeve shoqërore në Shqipëri është e falimentuar dhe kërkohen mjete dhe metoda të tjera që kjo skemë të jetë eficiene dhe efikase.

5- Pse nuk miratohet Minimumi Jetik?

Minimumi jetik janë paratë që duhen për të mbajtur frymën gjallë. Me këtë inflacion galopant dhe me këto kushte jetesë, duket se minimum jetik i shprehur në para është shtuar dhe është e vështirë që të llogaritet në mënyrë ekzakte. Një grup deputetësh ka ofruar një projekt ligj dhe ka përcaktuar që për vitin 2023 shuma të jetë 18.000 lekë/person. Miratimi i minimumit jetik është çështje e qasjes ndaj qytetarisë. Shqipëria është ndër të paktat vende që nuk e ka të përcaktuar këtë. Para disa vitesh, në kuadër të luftës për mirëmanaxhimin e buxhetit të shtetit dhe të luftës kundër korrupsionit u ndërmorr një aksion për shmangien dhe eliminimin në masë të listave të gjata të atyre, që përfitonin mbështetje sociale dhe pagesë papunësie, por për ata që mbetën në skemë nuk është se pati ndonjë rritje të përfitimit, edhe pse kjo u premtua. Tashmë këto lloj pagesash janë në rastin më të mirë rreth 9.000 lekë, tërësisht e pamjaftueshme jo për kryefamiljarin, që ka përgjegjësi të mëdha për anëtarët e tjerë të familjes, por edhe për një individ të vetëm. Nga ana tjetër, koncepti modern i pagesës së papunësisë dhe mbështetjes sociale kërkon që masa e përfitimit të lejojë individin që të fitojë aftësi, njohuri dhe kompetenca për të rihyrë në tregun e punës dhe të integrohet në shoqëri. Pra, pagesa të jetë e mjaftueshme edhe për fitimin e trainimeve të ndryshme dhe të kualifikimeve profesionale në mënyrë që kryefamiljari të ketë mundësi të rifillojë jetën normale, ndërsa pagesa aktuale e atyre që përfitojnë është mjaft e ulët dhe nuk realizon kushtin në fjalë, pa llogaritur këtu ata që u takon ndihma dhe mbështetja, por që nuk e fitojnë. Banka botërore në mjaft raste e ka shprehur shqetësimin në lidhje me këtë, sidomos pas pandemisë, kur u pa se një pjesë e mirë e shoqërisë shqiptare nga shtresë e mesme kaloi në kufijtë e varfërisë dhe në shtresë të varfër, gjë që rrezikon integritetin e shoqërisë dhe nivelin e cilësisë së jetës. Miratimi i minimumit jetik është çështje parimesh dhe qasjeje. Nuk mund të mendohet që një qeveri e majtë të pranojë minimumin jetik. Aspektet e trajtimit të minimumit jetik në aspektin ligjor, financiar dhe praktik, janë qasje konservatore dhe jo komuniste.

6- Thuhet se ka emërime klienteliste në Drejtësi. Ndoshta dështimi i Reformes së shumë pritur ka këtë bazë? Mos vallë po e favorizojnë militantët e drejtësisë krimin dhe korrupsionin ?!?

Reforma në drejtësi është jë reform e vonuar. Ajo që duhet të ishte e para dhe tëo s diskutohej si problem në Shqipëri është e fundit dhe problem kryesor. Përse e them këtë? Ne jemi ndoshta një ndër vendet e pakëta në Evropë që kemi vuajtur më së shumti në periudhën e regjimit komunist në aspektin e drejtësisë. Nuk kishte avokat. Prokuroria ishte edhe subjekt hetimor, edhe subjekt pretenciar, edhe subjekt direktivues për dhënien e dënimit. Gjykatat e politizuara jepnin dënime maksimale për vepra penale dhe kundravajtje penale që lidheshin në mënyrë të drektpërdrejtë me mosrespektimin e të drejtave dje lirive themelore të njeriut, duke burgosur, internuar dhe ekzekutuar me mijëra e mijëra qytetarë. Pikërisht për shkak të kësaj masakre ndaj qytetarisë, çështja e reformës së sistemit të drejtësisë në Shqipëri nuk duhet të ishte aspak problem. Që në fillim me rënien e regjimit, sistemi i drejtësisë duhet të kishte përfituar maksimalisht nga ndihma dhe mbështetja e perëndimit dhe të kthehej në një sistem model për të tjerët. Kjo tregon se ne nuk dimë apo nuk duam të mësojmë nga gabimet, dështimet, vuajtjet, keqtrajtimet. Kjo ka bërë që përsëri shqiptarët të gabojnë, të dështojnë, të vuajnë dhe të keqtrajtohen dhe kjo lidhet edhe me pyetjen me të cilën e filluam këtë intervistë në lidhje me shoqërinë civile. Është e dukshme se në Shqipëri shumica e shoqërisë përbëhet nga është shoqëria debile e cila duke qenë e kontrolluar nga shoqëria kopile, lufton forcimin e e shoqërisë civile dhe nuk lejon zhvillimin e saj. Kjo spjegon gjithshka që ka ndodhur po ndodh dhe do të ndodhë edhe në të ardhmen në Shqipëri. Nga mënyra se si do orientohemi në lidhje me masën kritike të shoqërisë civile, masë kritike e cila është e aftë të bëjë ndryshimin, do të varet shumë dhe e ardhmja e vendit dhe e kombit. Teoria e masës kritike në politikë dhe veprimin politik kolektiv përkufizohet si numri kritik i individëve të nevojshëm për të ndikuar në politikë dhe për të bërë një ndryshim me ndikim. Ne në Shqipëri pothuajse asnjëherë nuk e kemi patur masën kritike për të ndërmarrë veprime dhe vendime në të mirë të qytetarisë dhe në të shumtën e rasteve edhe kur kemi patur masë kritike, ajo është manipuluar në interest të individit apo grupeve të vogla që kanë kontrolluar sistemin dhe shoqërinë shqiptare.

 

Intervistoi: Albert Zholi

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …