(Kadri Hazbiu mbante kobure në brez për çdo të papritur. Kur kalonim mbi Çamëri, më tregonte territorin që e kishte shkelur me këmbë, me një komision ushtarak. Kadri Hazbiu ngrinte dolli për Enverin të parin, pastaj për Hysniun dhe Mehmetin)
Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi
Një natyrë në dukje miqësore dhe që kishte zell për muzikën dhe këngën. Kështu e shfaq Kadri Hazbiun, ish-ministrin e Mbrojtjes në kohën e komunizmit, Hasan Luçi, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë. Gjatë një rrëfimi të tij të ri në “Albanian Free Press”, ai tregon detaje nga takimet me të, duke zbuluar mes tyre edhe elementë të veçantë të profilit të kësaj figure të njohur të asaj kohe. “Në Paris, Kadribleu katër palë këpucë me qafa, për Enverin, Mehmetin, Hysniun dhe për vete”, është njëri prej tyre, etj…
Kur keni qenë më afër me Kadri Hazbiun dhe çfarë ju ka bërë përshtypje prej tij?
Në shtator 1979, kur Hysni Kapoja ishte shtruar në spital në Paris se qe rëndë, atje vajti Kadri Hazbiu dhe Vera Kapo, të cilët i shoqërova edhe unë. Vajtëm në Rinas, por avioni grek “Olimpik” u vonua. Kadriu priste drekën nga Tirana, por ajo u vonua, pra shkuam së bashku te kafja jashtë aeroportit (te kafja e Dikut, siç quhej). Atje porositëm dhe u shqepëm me bukë e djathë, pastaj u nisëm. Kur avioni po kalonte rivierës sonë në jug, ai më tregonte malet, ku kishte kaluar si partizan. Kur kalonim mbi Çamëri, të cilën e kishte shkelur me këmbë me një komision ushtarak, më tregonte bukuritë dhe ngjarje të kohës. Vërtet është vend i bukur Çamëria, kodra të bukura, pllaja, stane, pyje me ullinj, hone që binin thikë mbi det. Kur mbërritëm në aeroportin e Athinës, na priti ambasador Lik Seiti dhe shefi i protokollit diplomatik grek në sallonin e nderit, duke mos na kaluar nga kontrolli elektronik për armë etj., as nga kontrolli doganor. Pasi u përshëndetëm, greku i kujtoi Kadriut kohën kur kishin qenë në komision. U bë një bisedë e ngrohtë si miq të vjetër dhe grekët na qerasën. Greku qëndroi derisa u nis avioni për në Paris dhe na shoqëroi edhe në hyrje në avion, ku ndërkohë na doli një problem i vogël me kontrollin e sigurisë, pasi Kadriu dhe unë kishim koburet në brez për çdo të papritur. I propozova që unë ta dorëzoja pistoletën time Makarova, sipas rregullit ndërkombëtar te kryepiloti, kurse ai ta mbante të vetën. Por Kadriu, pas një debati të shkurtër, vendosi t’i fusnim në një qese të dyja, t’ia jepnim kapitenit dhe t’i merrnim kur të zbrisnim. Kjo zgjidhje i pëlqeu edhe grekut, i cili nuk bëri ndonjë ndërhyrje të veçantë, veçse tha të zbatohej praktika ndërkombëtare, se ka siguri të plotë avioni. Duke udhëtuar në klasin e parë, ku kishte pak veta, Kadriu dhe Vera u ulën në karriget ngjitur, kurse unë zura vend përkarshi e ndiqja edhe lëvizjet e stjuardesave kur shërbenin. Pimë uzo greke, uiski që na shërbyen. Ai bënte shaka duke pyetur se çfarë duhej bërë me të ngrënat dhe me të pirat, kurse unë i thosha: Asgjësim! Sa u ul avioni në Paris, piloti më solli pistoletat, kontrollova qesen dhe pashë se armët ishin, siç i lidha unë, e falënderova dhe u përshëndetëm.
Ku shkuat, pasi u ulët në Paris?
Në Paris shkuam direkt e takuam Vito Kapon atje. Ndërkohë, arriti edhe Pëllumb Kapoja, i cili si edhe unë, u përfshimë në shërbim pranë Hysniut në spital, në një dhomë përballë, me shërbim çdo 6 orë. Zakonisht, unë shoqëroja edhe Kadriun, i cili bënte edhe vetë vizita mjekësore e ndonjë shëtitje. Një ditë do të merrja ca analiza dhe do të bëja edhe një punë tjetër, por zëvendësuesi Viktor Kolaneci nuk po vinte në kohën e caktuar. Mora dy herë në telefon atje ku flinin, por herën e dytë doli në telefon Kadriu vetë, megjithëse flinte në hyrje tjetër. I tregova arsyen, por ai më tha: “s’u bë qameti!”. Pastaj e miratoi. Një ditë, disa nga mjekët, me Servet Backën, pasi kishin blerë fruta për Hysniun, siç thoshin dhe pasi kishin hedhur edhe nga një gotë pas gote, i kishin ngrënë edhe frutat e pijet derrçe. Së bashku me Kadriun vajtëm te Hysniu, por këta s’i gjetëm dhe i kërkuam ku ishin, jo në shërbim. I gjetëm pothuajse tapë në një kafe afër spitalit. Kadriu i shikoi me inat të madh, por s’u tha gjë aty. Kjo nuk ishte hera e parë, se këtë zakon e bënin edhe çdo darkë, pasi kishin edhe raki e ullinj nga Shqipëria. Zakonisht vaktet i hanim së bashku kolektivisht, por këta mungonin shpesh.
Kuzhinieri Qemal Gjeli, kavajas, qe vërtet has. Ai bënte gjellë e ngopeshim, përfshi fruta e birrë, por sidomos supëra të mira të shijshme. Nuk kam parë kuzhinier që t’i bëjë vaktet kaq të mira me një grosh. E pyesja se e kisha mik të vjetër, si ia dilte? Por ai me qesëndi, më përgjigjej: “Ti do më shumë apo më pak, ti paguan, por të tjerët më therin po u mora një grosh më tepër”. “Mos ua qaj hallin të tjerëve, -i thosha unë, – po ti pse s’të marrin në qerasjet me paret e qeverisë?”. “Po ti vetë, pse s’vete me ta, or qerrata”, – ma kthente ai. Me këto qyfyre dhe me këto menu të Qemalit, Kadriu bënte gallatë sa me njërin dhe me tjetrin kur mblidheshim në dhomën e ndenjies, ku shihnim edhe televizor. Një herë atje, Servet Backa shikonte lajmet, por harroi të përkthente për Kadriun dhe qeshi me zë të fort sikur të ishte vetëm. “Po, ti na thuaj diçka e mos hap dhëmbët!”, – ia ktheu Kadriu. Në atë kohë kisha hyrë dhe e dëgjova muhabetin. Meqenëse Serveti shikoi nga Kadriu, i tëri si spec i kuq, se ishte i kuq edhe në fytyrë, unë fillova përkthimin, që e bëja zakonisht për Kadriun e ndonjë tjetër që ndodhej atje.
Sa kohë qëndruat në Paris me Kadriun?
Pasi qëndruam 20 e ca ditë, së bashku me Kadriun u kthyem në atdhe nëpërmjet Athinës, ku vizituam Akropolin. Për darkë na ftoi ambasadori Lik Seiti, por nuk ndenjëm vonë. Në ora 02.00 të mëngjesit u nisëm me vetura për në Kapshticë, në një benz, Kadriu e Lika mbrapa, para unë e shoferi. Deri në Korinth, tek lapidari i Leonidhës, na shoqëroi edhe Harilla Kola me shokë. Atje bëmë fotografi, e vetmja së bashku me Kadriun në jetën time, por më ka humbur, nuk di pse, nuk e gjej në shtëpi, se ma dha Harilla. Unë kisha dalë me të në presidiume në MPB, në mbledhje të ndryshme, por jo afër me të dhe zakonisht fotografi i ministrisë nuk na i jepte fotot. U ndalëm për drekë në Kostur. Gjatë rrugës, Kadriu më ngacmonte si kuçiot, meqë edhe Lika ishte nga Sevasteri i Vlorës. Shaka për shaka, se flisja pa ndrojtje, lirshëm me Kadriun, por kur kthehesha gjysmë mbrapa t’i shihja në sy, Lika më bënte shenjë mos e ngacmoja Kadriun. Por ai më ngacmoi rëndë si kuçiot për mendjemadhësi e rrahje gjoksi, si dhe për një fshatarin tim që kishte një histori morali. Ia ktheva pa mëdyshje, duke i thënë: “Kur unë bëj atë listën time për këto gjëra, juve të Lumit të Vlorës ju vë në krye të saj, kurse Kuçi gjendet andej nga fundi”.
Lika po linte mendjen dhe më shponte fort me gisht në shpinë që të pushoja. “Po edhe ndonjë histori e kemi, -e zbuta unë tonin, -p.sh. një herë një Abaz shkonte hipur në kalë si krushk në një vend, por kur kaloi pranë mikes që ujiste arën e misrit, e pa por nuk i foli. Ajo, pasi e la të kalonte pak më tej, i bërtiti: o hapas! – për ta ironizuar hamshorin. Por ai ia ktheu zjarr për zjarr: “Kur ish Abazi Abaz, ta hante nga përpara dhe jo nga pas!”. Kadriu qeshi me lot, kurse Lika u skuq e vuri buzën në gaz.
Qesëndisja vazhdoi sërish dhe Kadriu më ngacmoi për një njeri të nderuar në fshat. Ia prita përsëri, por më keq, me këngën e një nuseje kuçiote, Sose Mustafaraj, martuar në Bolenë të Kurveleshit të Poshtëm, kur vjehrra e saj bolenase qante burrin e vet, i vrarë nga osmanët, si luftëtar me Zenel Gjolekën në kryengritjen e Tanzimatit, dhe gjatë vajit ajo shau kryetrimin, Zenel Gjolekën kuçiot si bucelaxhi, fjalë përgojuese. Unë ia mora vajit të saj: “Zonja krushkë, s’qave mirë/Nuk shahet Gjoleka ynë”. Por Kadriu ma mori nga goja dhe e mbaroi pa asnjë gabim, e dinte mirë. Por vaji i kuçiotes kundër vjehrrës mbaron kështu: zonja krushkë s’qave mirë/Nuk shahet Gjoleka ynë…Unë umizin s’ta këput (famën e Gjolekës)/Po të gënjeu lumi mut!”. Pasi e mbaroi, Kadriu tha: “ma hodhe në histori, por edhe unë s’jam larg”. Qeshëm fort, kurse Lika u skandalizua. Kadriu tha edhe histori të tjera të pleqve me tema të tilla dhe unë sa e ndezja po me bejte të tilla, që i kisha dëgjuar prej të moshuarve. Ç’të bënim tjetër në atë udhëtim të gjatë e të mërzitshëm, të hidhëruar si në mort, pra, në vdekje bëhet gaz i madh, për t’i lehtësuar njerëzit e hidhëruar. Kuptova se Kadriu qe njohës i thellë i folklorit popullor dhe traditave. Qëndruam në Follorinë afër kufirit për një kafe në mal në vendin e quajtur Pisoderr, një pikë turistike “greke”, se në fakt është tokë shqiptare.
Atje Kadriu na foli mirë vërtet për tre bashkëfshatarët e mi, por të tre të vdekur: I pari, Rrapo Luçi, një kushëriri im dëshmor që e kishte patur shok gjatë LANÇ-it, nëna e të cilit e mjekoi, kur Kadriu ishte me bronkopneumoni e i veshi edhe lëkurë dashi në shkurt 1944 gjatë operacionit të dimrit dhe e mbajti derisa u shërua në Rrëzë të Luçes në Kuç. I dyti, Selman Lamaj, që e vranë banditët e arratisur pas çlirimit në Gusmar në zyrë, ku ishte sekretari i partisë së Kurveleshit; i treti, Bejo Stefani, vjehrri im, me të cilin punoi gjatë si kryetar dege në ministri e zv.drejtor në DPB në Tiranë, që në prag të pensionit e çuan në Shkollën e Sigurimit të MPB në Sauk dhe vdiq pas pak kohësh. “Më vjen mirë, -i thashë unë, – që m’i përmende se Rrapon e Bejon i njihja mirë dhe ashtu qenë vërtet, por s’pate ndonjë kuçiot të gjallë që ta përmendje për mirë?”. Duke marrë pamje serioze, Kadriu tha: “Po pse të gjitha do t’i dish ti? Mbase kur të vdesin të them”.U ngritëm dhe nxituam se u bë vonë.
Nga ora 19.00 mbërritëm në Korçë në shtëpinë e pritjes. Kadriu vendosi ta kalonim natën atje. Hëngrëm e pimë boll, duke bërë edhe shaka. Kënduam dhe ia ktheva një herë labçe, se ai që e filloi jo vetëm s’ia kthente mirë, por s’dëgjohej fare as në iso. Më pas, Kadriu ngriti disa dolli, veç të tjerëve edhe për Enver Hoxhën, Hysni Kapon dhe për Mehmet Shehun.
Pse?
Mesa dukej për shëndetin e Hysniut dhe ndofta rakia ia nxiti atë sjellje me mua jonormale. Nga shëndeti ai qe mirë. Në Paris, pasi u vizitua e bëri analizat, prof. Pol Miliezi tha se nuk kishte asgjë shqetësuese, nuk i dilte asgjë e keqe për dhembjen e kokës, nga e cila ankohej shpesh. Kjo dhembje më mbeti enigmë, por atëherë e quanim nga shqetësimi për Hysniun. Zakonisht ai qe i stresuar në punë se përballonte shumë ngjarje e çështje vetë, sidomos pas grupit “puçist”.
Po Kadriu nuk bëri pazar në Paris?
Para se të ktheheshim nga Parisi, Kadri Hazbiu më kërkoi ta çoja në dyqane ku kishte këpucë të mira me qafa, dimërore e lëkure. E çova në 2-3 vende dhe përfundimisht bleu në dyqanin e madh luksoz “Pasi” (Passy), Paris, këpucë me qafa për Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Hysni Kapon dhe veten e tij. Kur u kthyem në shtëpinë e pritjes, ai kishte bërë llogarinë e dietës, të ushqimit që kishte ngrënë dhe të këpucëve dhurata, pa bërë shpenzim tjetër dhe diferencën ia ktheu arkës së shtetit. Qe i vetmi që bënte këtë gjë në çdo shërbim brenda e jashtë shtetit, siç mësova nga Fejzo Bijo, që punonte në Drejtorinë e Pritjes së udhëheqjes. Në Tiranë kishim pirë 2-3 herë kafe në klubin e ministrisë, por ai asnjëherë nuk na la të paguanim, se kishte bërë marrëveshje me kamerierët të mos na merrnin paratë. Njëherë unë ngrita zërin në kafe, kur kamerieri s’mori asgjë, duke i thënë se edhe ne kishim ca lekë dhe dinim edhe zakonin tonë. Por ai qeshte e ngrihej dhe ikte. Një mbrëmje në Paris vajta në shtëpinë e pritjes, ku flinte Kadriu se më kërkoi, por ngurova të hyja se po hanin bukë së bashku me Fejzo Bijon, ai më thirri të afrohesha dhe më dha porosinë, pastaj dola menjëherë. Në fakt ai mbante për darkë gati çdo mbrëmje shoqëruesit e vet të zakonshëm, mjekët etj. Gjatë atij shërbimi mua nuk më ftoi asnjëherë.
HISTORI
“Akademiku Aleks Buda, s’u respektua siç duhej kur erdhi në Paris”
“Në vitin 1976, në Paris erdhi prof. Aleks Buda, kryetar i Akademisë së Shkencave, në bazë të marrëveshjes kulturore me Francën. U njoha me të për herë të parë, e vlerësoja si shkencëtar nga shkrimet e tij, kështu që u përpoqa ta ndihmoja sa kisha mundësi, se ishte edhe i moshuar, sidomos duke e çuar e marrë ku kishte punë, e shoqëroja në vizita të ndryshme, e qerasja në kafe. Unë kisha dëgjuar edhe mirë për të si historian dhe njeri, pra e ftova edhe në shtëpi. Gjithashtu, vura re se ambasadori ynë Dh.Lamani nuk po e trajtonte mirë, siç e meritonte në çdo drejtim. Mirëpo, Dhimitrit i ra në sy se e trajtoja mirë dhe më qortoi, duke më thënë të bëja punët, se nuk ishim atje të sajdisnim Aleks Budën. Unë i kujtova atij rangun zyrtar dhe moshën si dhe ai t’i jepte edhe veturën e tij kur kishte mundësi, sidomos kur shkonte në institucionet franceze për ta paraqitur me dinjitet, por Dhimitri nuk e bëri këtë asnjëherë edhe kur unë nuk ndodhesha atje. Aleksi shkoi me metro dhe me të drejtë francezët qenë habitur, kur ai u tha pasi ishte vonuar në takim. Kjo ndodhi bëri që edhe Aleksi t’ia thoshte Dhimitrit, i cili reagoi keq direkt me të, duke i thënë troç se s’qenkej i detyruar dhe nuk paskësh mundësi ta ndihmonte. Pas kësaj sjellje të ambasadorit, edhe Aleksi kishte shfryrë inatin, megjithëse fare butë. Vijova ta ndihmoja, por ambasadori bëhej më mistrec. Një gjë më ka mbetur në mendje nga takimi me Aleksin: Ai mbathte këpucë me thembra të ngrëna keq dhe vishte kostum që dukej fort i përdorur. Mendova ngaqë ishte gjirokastrit, apo vërtet kishte halle? As sot nuk e di pse s’pyesja dot, por e ngrita zyrtarisht në kuptimin e mirë se partia duhej kujdesur më mirë për shkencëtarët, sidomos kur dilnin jashtë vendit për ta përfaqësuar. Shfrytëzova rastin dhe e pyeta sidomos për Zenel Gjolekën e birin e tij Myslim Gjolekën, figura të fshatit tim, pse nuk zinin vend të merituar në historinë e Shqipërisë dhe jo vetëm këta, por edhe nga krahina të tjera, që folklori popullor qe i pasur me këngët e tyre. Ai qetë e butë me atë të qeshurën e bukur, me gojë si grua, me fytyrën fisnike e kreshnike, me flokë të bardha të bollshme, më dha të drejtë, por shtonte se ende kishte dosje të pahapura në arkiva brenda e jashtë vendit, se historia jonë ka disa ngatërresa dhe ndonjë rivalitet. Kuptova më shumë sesa më tha ai dhe që në vitet ’80 iu futa arkivave me sa më lejonte puna zyrtare”.