Në një bisedë në studion e TV-Diellit dhe për dëgjuesit e Radios-Kosova e Lirë, i burgosuri politik, veprimtari, luftëtari i lirisë dhe eprori i UÇK-së, invalidi dhe veterani i luftës, Sadik Halitjaha ka shpalosur disa segmente të jetës dhe veprimtarisë së tij atdhetare, gjithnjë në shërbim të kombit e të Atdheut.
Fillimisht ai ka folur për traditën atdhetare të familjes dhe të afërmeve, pastaj shkollimin, aktivitetin atdhetar, burgosjet kohë pas kohe nga regjimi i ish RSFJ-së, rrugëtimin për në Shqipëri dhe në mërgim, aktivitetin në kundër të LPRK e pastaj të LPK-së, organizimin e luftës së UÇK-së, hyrjen në zonat e luftës, në Kosovë në qershor të vitit 1998 dhe shumë segmente të tjera të një veprimtarie tejet të begatshme dhe një kontributi të vazhdueshëm për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Sadiku ka një përvojë të gjatë jetësore në aktivitetin politik e organizativ dhe ka qenë një ndërlidhje serioze mes grupeve atdhetare të kohës, që vepronin në platforma të ndryshme për nga emërtimi, por që kishin një program unik, çlirimin e trojeve shqiptare dhe bashkimin e natyrshëm me Shqipërinë.
Sadik Halitjaha, u lind më 7 qershor të vitit 1955, në Mushtisht të Therandës (ish-Suharekë), ka diplomuar në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë, në drejtimin, “Afarizmi Financiar në Ndërmarrje”. Ka kryer Fakultetin Ekonomik dega “Menaxhment dhe Informatikë”, në Universitetin e Prishtinës. Në universitetin FAMA ka përfunduar studimet master për Siguri dhe ka marrë gradën shkencore Mr. Sc i shkencave të sigurisë. -Tre herë i dënuar për veprimtari politike kombëtare anti-jugosllave në vitet: 1979 (në burgun e Prizrenit), 1981(në burgun ushtarak të Postonjës) dhe 1986 (në burgun e Prizrenit). Gjatë viteve 1986-1988, ishte drejtues i Lëvizjes Politike Kombëtare për trojet shqiptare në ish Jugosllavi.(Ibrahim Shala)
Veprimtari, Sadik Hatitjaha, nuk e ka ndalur asnjëherë aktivitetin e tij atdhetar, por ashtu si shumë veprimtarë të tjerë e kishte përshtatur në kohë dhe rrethana të caktuara, gjithnjë në përpjekje për ta ruajtur vazhdimësinë e veprimit, jo vetëm në pritje për ditë më të mira, por duke dhënë kontribut të çmuar, që ato ditë të ndodhnin në momentin e duhur. I edukuar në frymë atdhetare, i frymëzuar nga Lëvizja e Rezistencës shekullore, veçmas nga veprimtaria kombëtare, e cila në vazhdimësi kishte rrezatuar sidomos nga Shqipëria, përmes literaturës, Radios e Televizionit, vajtje ardhjeve të delegacioneve, pastaj ndikimit të madh që ushtruan profesorët e Universitetit të Tiranës, të cilët sipas një marrëveshjeje të Kosovës më Shqipërinë, ligjëronin në Prishtinë, Sadik Halitjaha, ashtu si shumë veprimtarë të tjerë të kohës ishte në korrent të të gjitha zhvillimeve, jo vetëm në Kosovë. Ai përfaqësonte një segment të veçantë të veprimtarisë në drejtim të unifikimit të Lëvizjes atdhetare për çlirim dhe bashkim…
“Me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë së veprimtarisë së organizuar ilegale e cila kishte pësuar goditje të rëndë me arrestimet e vitit 1985, shkova në Shqipëri, me 26 maj të vitit 1988. Me drejtuesit e shtetit shqiptar kemi analizuar dhe kemi trajtuar çështjet e angazhimeve të nevojshme për luftën e ardhshme çlirimtare. Sipas marrëveshjeve me disa krerë të lartë të Shtetit Shqipëria mu bë e mundur që me një pasaportë të Shqipërisë të udhëtoj fillimisht për ne Hungari, pastaj në Austri dhe më në fund u vendosa, në Zvicër. Për 10 vjet të qëndrimit në Zvicër, në qytetin e Sionit, kam vazhduar veprimtarinë politike dhe kombëtare në Evropën Perëndimore, në kuadër të LPK-së”, thotë veprimtari, Sadik Halitjaha duke sjellë në kujtesë aktivitetin e tij të pandërprerë atdhetar.
Më shtatë qershor të vitit 1998, së bashku me disa nga krerët e UÇK-së, kalojnë rrugët malore të Pashtrikut dhe nën breshërinë e armëve armike hyn në Kosovë. Grupi ishte në përcjellje të luftëtarit, Haxhi Hoti, i cili edhe bie dëshmorë.
Para se të hynte në fronin e luftës në Kosovë, Sadiku kishte kërkuar nga shteti shqiptar furnizim me armatim për luftën e UÇK-së, bazuar në qëndrimet dhe marrëveshjet gojore të mëparshme të vitit 1988. Ishte ndër luftëtarët e parë të trevës së Therandës dhe komandant i Batalionit të UÇK-së, në Budakovë, që ishte edhe struktura e parë e organizuat ushtarake e luftëtarëve të pikave në një pjesë të territorit të Therandës në formacion Batalioni.
Luftëtari i lirisë dhe eprori i lartë i UÇK-së, Sadik Halijaha ka dhënë një kontribut të veçantë ta luftën e njësive të UÇK-së pas ofensivës së përgjithshme të armikut prej 22 deri në 25 gusht të vitit 1998, kur disa njësite të kësaj ane ishin shpartalluar. Njësia nën komandën e tij u fuqizua edhe më përballoi ofensivën armike dhe doli fitimtare duke vazhduar luftën deri kur UÇK-ja u riorganizua në tërësi. “Në këtë betejë, më 24 shtator, së bashku me bashkëluftëtarët e mi ndodhesha në vijën e fronit përballë forcave serbe, në Budakovë dhe me këtë rast edhe u plagosa. Me ndihmën e pakursyer të mjekëve të luftës, shërohem pas një kohe pa pasur nevojë të largohem nga Budakova. Për herë të dytë jam plagosur më 27 shtator të vitit 1998 në një betejë mbi fshatin Mushtisht. Pas shërimit ftohem në komandën e Nën zonës Operative të Pashtrikut, ku fillimisht emërohem Ndihmës Komandant për Çështje Moralo-Politike“, ka thënë gjatë bisedës në TV-Dielli.
Në verë të vitit 1998, Sadik Halitjaha, pas konsultimeve me zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi merr përsipër që me autoritetin e tij të ndikojë në masovizimin e luftës në pikat rreth Therandës e më gjerë, duke qenë se niveli organizativ ende ishte në grupe të caktuara dhe të pakoordinuara. Si njohës i mirë e strukturave të organizmit ushtarak, por edhe autoritet unifikues, Sadik Halitjaha kishte ushtruar ndikim në afrimin e grupeve e njësiteve, të cilat ishin rikonstruktuar edhe në nivel të Shtabit të Përgjithshëm, në tetor-nëntor të vitit 1998.
Sadik Halitjaha ka marrë pjesë në shumë beteja të UÇK-së, në Zonën e Pashtrikut si, në pikat e luftës në Budakovë, Krushicë, Grejçevc, Pagarushë, Peçan, Gallushë, Javor, Prizren e vend-luftime të tjera.
Me konstituimin e Zonës Operative të Pashtrikut, nga Shtabi i Përgjithshëm, Sadik Halitjaha emërohet Zëvendës Komandant i kësaj zone e cila kishte nën komandën e vet shtatë brigada dhe shtrihej në një pjesë të madhe të territorit të Kosovës.
Pas luftës dhe fitores historike të Kosovës, ishte emëruar anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të TMK-së, Shef i sektorit për Marrëdhënie Civile-Ushtarake (G-5). Ka qenë i emëruar Komandant i Eprorëve të Lartë, në Akademinë Ushtarake ,,Hamëz Jashari”.
Në mars 2003 zgjidhet Kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK në nivel të Kosovës. Me 23 shtator 2010 Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ndanë mirënjohje me motivacion: “Për kontributin e dhënë në themelimin e Shoqatës (Organizatës) së Veteranëve të Luftës së UÇK-së”.
Ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të luftës dhe avancimin e proceseve politike, për çështjen e përgjithshme të shtete ndërtimit të Kosovës. -Gjatë procesit të vlerësimit të pjesëmarrësve të UÇK-së ka qenë pjesëtarë i Komisionit Qeveritar për verifikimin e veteranëve. -Invalid i Luftës së UÇK-së. -Veteran i Luftës së UÇK-së. Nga 2002 e deri më tash i pa punë. (Ibrahim Shala)
I përndjekuri, i burgosuri politik, nga regjimi serb, veprimtari, luftëtari i lirisë dhe eprori i UÇK-së e TMK-së, invalidi dhe veterani i luftës, Sadik Halitjaha, është një intelektual i formuar me kohë, në rrethana nëpër të cilat kanë kaluar shumica e çlirimtarëve të Kosovës. Ai është kalitur nëpër ditë të vështira të jetës dhe ka një përvojë solide në shumë veprimtari. Tani, edhe pse me gatishmëri dhe përvojë të posaçme, në mungesë të punës në institucionet e Kosovës, për të cilët ka bërë shumë, Sadiku iu ka kthyer krijimtarisë dhe sistemimit të segmenteve të caktuara të luftës së UÇK-së, organizimit, funksionimit, sukseseve dhe dështimeve të caktuara, nga të cilat gjithnjë janë nxjerrë mësime të vlefshme.
Disa nga këto segmente të punës dhe veprimtarisë së tij gjatë luftës i ka pasqyruar në librin e tij, “Ne ishim e ardhmja”, një vepër që begaton literaturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga një kënd teorik, ushtarak e praktik, duke vënë në spikamë disa veçanti të kësaj lufte, e cila më në fund me fitoren historike që korri, duke vënë në lëvizje faktorin ndërkombëtar madje edhe vetë NATO-n u bë model për liri dhe çlirim të popujve të shtypur. Njëra nga të veçantat e UÇK-së ishte gatishmëria për sakrificë e eprorëve dhe ushtarëve, sipas shembullit të legjendarit, Adem Jashari, sipas qëndresës militante të Bacë Adem Demaçit dhe liridashësve e çlirimtarëve të Kosovës.
(Bisedën në studion e TV-Diellit me veprimtarin, Sadik Halitjaha e zhvilloi, Ahmet Qeriqi.)