Flet kineasti Abaz Hoxha: Dhimitër Anagnosti. Ky artist i madh-poet i kinemasë shqiptare
-Dy nga filmat e tij të parë dokumentarë, që u dalluan për mjeshtëri në anën figurative ishin “Gjirokastra” dhe “Gurët dekorativë”
– Nuk harrohet puna si operator në filmat e parë artistikë “Debatik”(1961) dhe “Toka e jonë” (1964) të dy me regji të H.Hakanit
– Vlerat e tij si një regjisor me një të ardhme të madhe dhe si një mjeshtër i vërtetë i ekranit u dukën tek filmi e tij i parë “Duel i heshtur” (1967)
-Veçoj filmat me taban kombëtar “Dueli i heshtur”, ”Plagë të vjetra”, ”Malet me blerim mbuluar”, ”Lulëkuqet mbi mure”,”Në shtëpinë tonë”, ”Përrallë nga e kaluara”, ”Kthimi i ushtrisë së vdekur”
– Në filmin “Gjoleka djali i Abazit” ai kalon nga pejsazhet përrallore lirike baritore në kaltërsinë e detit Jon dhe këngët e bukura lirike të Labërisë
Albert Z. ZHOLI
Kinematografia shqiptare ka patur mjaft arritje. Janë prodhuar mbi 300 filma artistikë të gjinive dhe metrazheve të ndryshme duke u krijuar një traditë në kulturën dhe artin shqiptar. Shumë filma shqiptarë janë pritur me interes të veçantë jo vetëm brenda vendit, por edhe në Festivale të ndryshme ndërkombëtare ku janë shfaqur dhe janë nderuar me shumë çmime si në të kaluarën ashtu edhe veprat e kineastëve të rinj të viteve të fundit. Kinemaja, kultura dhe arti shqiptar krenohen me këta krijues të kësaj tradite të re që kanë ngritur lart emrin e Shqipërisë edhe jashtë saj. Ndër këta kineastë, themelues të këtij arti të ri, që hodhën bazat e kinematografisë sonë ka shkëlqyer gjithmonë emri i nderuar i Nderit të Kombit, Artistit të Popullit, fituesit të disa çmimeve të para në Festivale kombëtare e ndërkombëtare, mjeshtrit të ekranit Dhimitër Anagnosti.
-Ju e keni njohur nga afër Dhimitër Anagnostin Si do ta cilësoni punën dhe veprën e tij dhe cilat janë hapat e tij të parë në kinematografinë shqiptare?
E kam ndjekur hap pas hapi dhe me shumë interes gjithë krijimtarinë e këtij mjeshtri të madh të kinemasë shqiptare. Mbasi mbaroi studimet e larta për operator në Institutin e njohur Kinematografik të Moskës themeluar nga një prej mjeshtrave të kinemasë Sovjetike Lev Kuleshov që në vitin 1919, ai e filloi karierën në kinematografinë shqiptare si operator nëpërmjet xhirimit në film të ngjarjeve të ditës, kronikave dhe filmave dokumentarë. Dy nga filmat e tij të parë dokumentarë që u dalluan për mjeshtëri në anën figurative ishin “Gjirokastra” dhe “Gurët dekorativë” ky i fundit i pari film dokumentar me ngjyra që u përpunua në laboratorin e Kinostudios “Shqipëria e re”. Paralelisht punoi si operator në filmat e parë artistikë “Debatik”(1961) dhe “Toka e jonë” (1964) të dy me regji të H.Hakanit. Por kinematografia shqiptare po shkonte drejt rritjes dhe për këtë i duheshin kuadro të shkolluara me kulturë dhe të afta, prandaj edhe ai, si një mjeshtër i kamerës, kompozicionit, me frymëzim poetik prirje të theksuara artistike që i kishte dëshmuar që në shkollën e mesme “Ali Demi” në Vlorë, kaloi me guxim edhe në funksionin e regjisë dhe së bashku me V.Gjikën xhiruan filmin e tyre të parë si regjisor “Komisari i dritës” (1966), i cili mbeti një nga gurët themeltarë të kinemasë shqiptare për vlerat e tij regjisoriale të kameras dhe subjektin që trajtonte të realizuar me mjeshtëri.
-Në këtë kohë cilin film do të veçonit si të veçantë që ka lënë gjurmë dhe tek ju si kineast?
Vlerat e tij si një regjisor me një të ardhme të madhe dhe si një mjeshtër i vërtetë i ekranit u dukën që në filmin e tij të parë të pavarur “Duel i heshtur” (1967). Ky ishte një film ku dolën në pah përpjekjet e suksesshme të regjisorit të ri për të depërtuar në psikologjinë e personazheve dhe ndonëse i mbëshetur në katër personazhe (tre nga të cilët aktorë të rinj), ka një ngarkesë të fuqishme dramatike dhe emocionale dhe megjithëse ngjarja zhvillohet në bordin e një motovedete në det të hapur, të bën ta ndjekësh me interes edhe kur e ke parë disa herë. Ishte ky një shembull i shkëlqyer shqiptar, që nuk mbetej pas filmit të njohur francez “Maria Oktobër” (ngjarjet e të cilit zhvillohen në një dhomë) ndonëse ky i fundit interpretohej nga 10 aktorë me shumë përvojë, që bënin pjesë në elitën e interpretimit të kinemasë franceze të asaj periudhe. Dhe Dh.Anagnosti është dëshmitari më i qartë i përkushtimit dhe devotshmërisë. Ai u dallua për vepra të suksesëshme në gjithë krijimtarinë e tij si një mjeshtër i detajit dhe gjuhës së tij të veçantë duke i dhënë çdo vepre vulën e tij personale. Kinemaja u nda nga teatri pikërisht nga fakti se, ndërsa teatri flet kryesisht me dialogun, ku zëri zë vendin kryesor, kinemaja është një art vizual ku figura është themelorja. Jo më kot studiues të ndryshëm e kanë përcaktuar kinemanë si një art kryesisht vizual se si një fotografi në lëvizje, por që dallon thelbësisht nga ajo. Përfaqësuesit e “Valës së re” franceze në fundin e viteve 50-të në përpjekjet e tyre për të ngritur rolin e kinemasë si një art kryesisht viziv i jepnin përparësi imazhit kinematografik. Kinemaja e vërtetë kërkon figurë të pastër “dhe shprehëse, dialog të kursyer, konçiz, që të shprehë ide me sa më pak fjalë, që të jap mesazhe dhe jo të shoqërojë thjesht personazhet dhe ngjarjet. Kinemaja është gjithashtu një art kompleks, një art sintezë ku përfshihen të gjitha artet, të cilat duhet të bashkëveprojnë në unison me njëra tjetrën. Elemente të tjera që përcaktojnë gjuhën e filmit janë përdorimi funksional i zhurmave, muzika, skenografia, kostumografia dhe padyshim montazhi ku i jepet filmit të ardhëshëm portreti, mesazhi. Në montazh krijohen emocionet, rritet shkalla e dramaticitetit të veprimit filmik etj. Të gjithë këto elementë duhet të harmonizohen, të veprojnë në unison. Secili ka rolin e tij të veçantë, secili duhet të plotësojë idenë me mjetet e tij të veçanta. Dh.Anagnosti është një mjeshtër i vërtetë i harmonizimit të komponentëve dhe ka një stil të tij të veçantë për dhënjen e mesazheve. Çdo kinematografi kombëtare jep ndihmesën e saj në të përgjithshmen, në vizionin e kinemasë botërore, secila kinematografi duhet të flasë me mjetet e saj të veçanta. Filmi duhet të japë botën shpirtërore, psikologjinë e vendit të tij. Kinemaja botërore nuk ka nevojë që p.sh., filmi shqiptar të imitojë të tjerët, të përpiqet t’i japë botës mesazhe dhe mjete shprehjeje që i ka huajtur nga ata vetë, ajo duhet të japë mesazhet e vendit dhe popullit të tij.
-Por si regjisor ai duhet të ketë specifikën e vetë, peshën e vetë, të veçantën e vet që e dallon nga regjisorët e tjerë. Cila është kjo sipas jush?
Filmat e Dh.Anagnostit bien erë Shqipëri, kanë taban të fortë kombëtar. Ai e ka vërtetuar me krijimtarinë e tij se njeh thellësisht psikologjinë, humorin, traditën dhe nuk përpiqet të sajojë, të huazojë nga të tjerët, por i përdor të gjithë këto elementë me mjeshtëri duke i dhënë filmave vizionin e tij personal. Ai është regjisori, që flet me një gjuhë të veçantë, me stilin, gjuhën, psikologjinë e tij. Filmat e tij, edhe duke mos u parë titujt, dallohen qartësisht se janë të Anagnostit. Ai ka krijuar gjuhën e tij të të shprehurit, gjuhën e Anagnostit. Këtë e vërtetojnë të gjithë filmat e tij që nga “Dueli i heshtur”, ”Plagë të vjetra”, ”Malet me blerim mbuluar”, ”Lulëkuqet mbi mure”,”Në shtëpinë tonë”, ”Përrallë nga e kaluara”, ”Kthimi i ushtrisë së vdekur” etj. Ai është një mjeshtër i vërtetë në përdorimin e humorit të popullit, që e përdor me mjeshtëri, me masë dhe me vend për të dhënë ide të koncentruara, asgjë ashtu kot, por me synime të caktuara dhe e udhëheq spektatorin natyrshëm në rrjedhjen e ngjarjeve. Gjithë filmat e Anagnostit kanë taban kombëtar, nuk huan nga të tjerët, do t’i japë spektatorit shqiptar dhe të huaj botën shqiptare dhe këtë e ka arritur me sukses në të gjithë filmat e tij. Në të gjithë filmat e Anagnostit ndihet një stil i veçantë, ai të fut natyrshëm dhe pa u kuptuar në brendësi të ngjarjes, dramën e personazheve, shpesh me detaje humoristike derisa sikur të tërheq përdore dhe të fut gradualisht në ngjarje dhe si pa e kuptuar ti bëhesh personazh pjesëmarrës.Ai është gjithashtu një mjeshtër i dialogut konçiz duke eliminuar fjalimet dhe deklamimet si p.sh., me tre plane dhe dy fjalë jep idenë e padrejtësive të zbatuesve të ligjeve me frazën e njohur…ligji dhe Maliqi… etj. Skrupuloziteti i tij për një dialog të spikatur dhe në një gjuhë të pastër shqipe është mjaft i dallueshëm. Bashkëshortja e tij, aktorja e njohur Roza Anagnosti tregon: “…Dhimitri është shumë rigoroz në përdorimin e gjuhës shqipe. Kur merrja ndonjë rol në teatër ai më bënte ta përsërisja disa herë dialogun që të ishte i pastër dhe jashtë dialektalizmave dhe barbarizmave. Nuk të lëshon aspak në përdorimin e gjuhës”.
-Por filmi ka shumë elementë jo vetëm lojën e aktorit, si i ka harmonizuar këto elemente Dhimitri në filmat e tij?
Ai është mjeshtër në përdorimin e efekteve zanore dhe të planit të dytë si një element i rëndësishëm dramatik që u jep një shkëlqim të veçantë filmave të tij. Le të marrim p.sh., filmin “Lulëkuqet mbi mure”. Jepet mësuesja Pavlina Mani duke ngjitur shkallët, nga një klasë mësimi vjen e deformuar mësimi i italishtes “…il popólo italiano..”, ajo shkon më tej dhe pregatitet të dirigjojë porsa ajo fillon, në sfond dëgjohet kuzhinjeri duke kënduar, “Te rrapi në mashkullorë”, pra sfidon këngën italiane etj. Po kështu në filmin “Përrallë nga e kaluara”, burri dhe gruaja (Robert Ndrenika dhe Hajrie Rondo) bisedojnë për martesën e pazakontë të djalit 14 vjeçar. Në sfond dëgjohen pëshpërima thashethemesh të grave të lagjes e pak më tej dëgjohet zhurma e shkëmbinjve, që rrukullisen nga kodra nga i dashuri i Marigosë (Elvira Diamanti). Të gjitha këto japin idenë e kundërshtimit, revoltës për këtë padrejtësi dhe zakon prapanik të martesës të një fëmije 14 vjeçar me një vajzë të dashuruar me Trimin (Xhevdet Ferri). Anagnosti është gjithashtu mjeshtër në zgjedhjen e skenografisë dhe kostumografisë me skrupulozitet, e mjediseve reale, në dekor dhe natyrë, e dialogut dhe psikologjisë së popullit dhe kjo dëshmohet në të gjitha filmat e tij e sidomos në “Gurët e shtëpisë sime”, “Përrallë nga e kaluara”, ose “Kthimi i ushtrisë së vdekur” pa përmendur këtu filmin e fundit që ka arritur në përsosmëri.
-Shumë herë regjisorët flasin dhe me gjuhën e vendit në filma, apo me gjuhën e heshtur të punës. Po Anagnosti me çfarë gjuhe ka folur në filmat e tij?
Anagnosti nuk është njeri i bujshëm në jetë, por ai është i dashuruar thellësisht me vendin e tij dhe si një artist shumëdimensional e përdor edhe natyrën e pejsazhin si një element të rëndësishëm në shërbim të idesë dhe dramaturgjisë. Në filmat e tij dhe posaçërisht në atë të fundit “Gjoleka djali i Abazit” ai kalon nga pejsazhet përrallore lirike baritore, që zbresin deri në kaltërsinë e detit Jon, të cilat të shoqëruara me këngët e bukura lirike të krahinës së Labërisë plotësojnë imazhin e frymës poetike të këtij populli. Herë të tjera ai i jep pejsazhin si një element i fuqishëm dramatik që është pjesë përbërëse e këtyre njerëzve duke na dhënë majat e thepisura dhe shkëmbenjtë gjigandë të mbuluara edhe me një vello mjergulle, që bëhen një element i rëndësishëm plotësues dhe shprehës në harmonizimin e komponentit natyrë me elementët e tjerë të filmit. Dashurinë e pakufishme për vendin e tij ai e jep deri te titujt e thjeshtë të filmave të tij si në “Gurët e shtëpisë sime” ose “Malet me blerim mbuluar” ku drama dhe lirizmi, poezia, bashkëjetojnë. Nga njëra anë drama e kombit dhe e këtyre luftëtarëve të lirisë që sfidojnë vështirësi të panumurta duke shoqëruar Lilo Laben, një partizane që ka humbur këmbën, dhe nga ana tjetër titulli natyra dhe pejsazhet e bukura të maleve shqiptare. Këta male të bleruar që mbushin me frymëzim dhe u japin forcë dhe optimizëm në jetë këtyre luftëtarëve të lirisë. Anagnosti është një poet i ekranit dhe kjo frymë e tij poetike e ka burimin te dashuria e tij e pakufishme për vendlindjen. Në filmat e tij ai gërsheton këngën labe, pejsazhin e bukur dhe humorin e spikatur popullor që ia ngrenë vlerat dhe i bëjnë të veçantë filmat e tij. Në të gjitha filmat e Dh.Anagnostit të bie në sy mjedisi, skenografia dhe kostumografia e përsosur e krahinës së tij që, ndonëse nuk ka jetuar gjatë atje, por e ka studjuar dhe e jep me detaje. Ai i ka rrënjët të thella në popullin e krahinës së tij, njeh në detaje psikologjinë dhe humorin, folklorin dhe i jep me një realizëm të paparë, që është për t’u admiruar. Ai është një regjisor i madh shqiptar.
-Sigurisht një rol të madh në suksesin e një filmi ka dhe aktori. Pra nuk do të thotë që nëse je një aktor i mirë mund të bësh çdo rol. Roli dhe vlera e regjisorit është që të gjejë aktorët që t’i përshtaten rolit. Si ka punuar Anagnosti në këtë drejtim?
Anagnosti mbetet një mjeshtër i vërtetë në zgjedhjen e aktorëve dhe bën një punë të lodhëshme e këmbëngulëse derisa arrin të bindet që ai është më jetësori, më i natyrshmi për rolin e tij, që nuk futet në rol i imponuar nga jashtë se e do regjisori, por se kështu e kërkon, subjekti, drama. Ai bën një punë stërmunduese që të stërvitë aktorin për të qënë sa më real dhe i natyrshëm dhe kjo ka bërë që personazhet e tij të mbeten në mend. Në dhjetra shkolla, anekënd Shqipërisë e kërkoi Gjinon në “Përrallë nga e kaluara” deri sa u bind plotësisht se ai do të përballonte rolin dhe do të ishte i besushëm siç u bë në të vërtetë. Por personazhi i Gjolekës në filmin e fundit është një personazh shumë më kompleks, që vepron në rrethana të tjera shumë më të komplikuara, një fëmijë i zgjuar që e don shumë babain e tij, paçka se ai sillet në mënyrë të vrazhdë ndaj tij. Ai e ndien thellë në qënien e tij se babai nuk e ka me të keq, por se do të kalisë një “burrë” të fortë që të jetë në gjendje për të përballuar sfidat e jetës dhe se ai vetë ka thellë në shpirt një brengë që e trajton në atë mënyrë djalin e tij që e don aqë shumë, por që e ndjek zakoni i trashëguar nga babai i tij. Këtë e ka vërtetuar në të gjitha filmat e tij prandaj personazhet e filmave të tij janë aqë të natyrshëm dhe jetësorë që nga “Lulëkuqet mbi mure” dhe deri në filmin e fundit “Gjoleka i biri i Abazit”. Personazhet e tij të mbeten në mend për shumë kohë mbasi janë personazhe të goditur dhe realë, që nga katërshja kapter Rahmiu, Skënder Guri, Islami, Bepini (Duel i heshtur,1967), çifti doktoresha Vera-Gjini “Plagë të vjetra” (1969), Kabo Dalipi, Jaho Cani, Safa Ymeri, Lilo Labja në “Malet me blerim mbuluar” (1971), mësues drejtori, kujdestari, ekonomati dhe galeria e fëmijëve në “Lulëkuqet mbi mure” (1976), Miri-Ana në “Në shtëpinë tonë”(1979), Vangjeli, Tana, Marigo-Gjino në “Përrallë nga e kaluara” (1987), Gjenerali- Prifti-plaka Nicë (Kthimi i ushtrisë së vdekur,1989), e deri te Gjoleka- Abazi në filmin e fundit. Anagnosti është dalluar si një regjisor se nuk fillon asnjë punë pa u bindur plotësisht se do ta shpjerë atë drejt suksesit, bën një punë të madhe stërmunduese dhe seleksionuse, përtyp mirë çdo detaj të skenarit dhe mbasi bindet se në atë është seleksionuar çdo gjë e tepërt e parazite e panevojshme, çiban, atëhere nis punën i bindur në suksesin. E takova në koridorin e kinostudios para se të fillonte xhirimet e filmit “Lulëkuqet mbi mure” dhe ai më tha i bindur se do bënte një film të mirë. Anagnosti është dalluar edhe si një skenarist me një stil të veçantë dhe ide konçize, autor i mbi 12 skenarëve, një artist i kompletuar në letërsi, kamera, regji dhe skenografi. Filmat e tij dallohen për mendimin e thellë regjisorial dhe një gjuhë të pastër filmike. Filmat e tij janë të zhveshur nga elementët parazitarë të jashtëm dhe pa funksion. Anagnosti është një njeri i thjeshtë e pa bujë që e shikon rrallë klubeve ose në mjediset mondane, që nuk flet asnjëherë për vete dhe kjo modesti e bën atë një figurë më të madhe në jetë e krijimtari, që duhet marrë shembull nga gjithkush. Ai ka qenë dhe është gjithmonë një njeri i mendimit të lirë, ka luftuar gjithmonë, edhe në kohët më të vështira, për të mbrojtur idetë e tij.