Flet Prof.Assoc. Ilia LARTI:
-Pse është shumë i theksuar bullizmi në shkollat shqiptare?!
– Për probleme si bullizimi fajtor janë sistemi arsimor, shteti, shoqëria, por edhe familja.
– -Në shkollat shqiptare duhet të ketë më shumë aktivitete letraro-arstike, libra, laboratorë dhe kujdes.
– Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Bullizmi është një dhunë psikologjike ose fizike, e cila ndodh masivisht në të gjitha shtetet e botës, duke filluar me fëmijët që në bankat e para të shkollës.
Dhuna në mjediset e shkollës (në të gjitha format e saj) është një shkelje e të drejtave të fëmijëve dhe adoleshentëve për arsim, shëndet dhe mirëqenie. Asnjë shtet nuk mund të arrijë një edukim cilësorë gjithëpërfshirës dhe të barabartë, nëse nxënësit përjetojnë dhunë apo bullizëm në shkollë…Bullizmin e hasim në 3 lloje të abuzimit: Emocional, Verbal dhe Fizik. Është një femomen që mund të ndodhë në shkollë, në punë, në shtëpi, në internet dhe kudo tjetër.
-Profesor flitet shpesh për bullizëm, por edhe për dhunë. Ku ndryshon bullizmi nga dhuna?
Dhuna sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë është përdorimi i qëllimshëm i forcës ose fuqisë fizike i përdorur kundër vetes, personave të tjerë ose kundër një grupi apo komuniteti, dhe që rezulton ose ka ngjasim të madh me lëndimin, vdekjen, dëmin psikologjik, moszhvillimin ose deprivimin.
Bullizmi është një formë e sjelljes agresive e manifestuar nga përdorimi i forcës, apo detyrimit (shtrëngimit) për të ndikuar të tjerët, veçanërisht kur kjo sjellje është zakon dhe përfshin mungesë ekuilibri të pushtetit. Ai mund të përfshijë kanosje verbale, kërcënimin fizik ose detyrimin dhe është i drejtuar në mënyrë të përsëritur ndaj të njëjtës viktimë, duke u nisur ndoshta nga raca, gjinia, feja, aftësia, etj. “Mungesa e ekulibrit të pushtetit” mund të përfshijë si pushtetin social dhe atë fizik.
-Konkretisht çfarë do të thotë bullizëm?
Bullizëm (Bullying), është një term psikologjik i kohëve të sotme që i shqipëruar do të thotë “kërcënim” dhe tregon fenomenin e sjelljeve të përsëritura, agresive, të dhunshme me karakter psikologjik, fizik, që ju bëhet fëmijëve adoleshentëve të pambrojtur të vetmuar, nga një individ ose grup individësh të tjerë edhe këta bashkëmoshatarë ose më të mëdhenj, të cilët kërkojnë të diskriminojnë, keqtrajtojnë, të abuzojnë me bashkënxënësit si ata nëpër shkollA dhe jashtë saj. Sipas përkufizimit të studiuesit australian Ken Rigby “Bullizmi është një dëshirë për të dëmtuar tjetrin, një veprim që lëndon një disbalancë në forcë midis personave një përsëritje në mënyrë (tipike) një përdorim i padrejtë i forcës një kënaqësi e dukshme e agresorit si dhe një ndjenjë e përgjithshme e të qënit mbizotërues ndaj viktimës”.
Bullizmi zakonish kryhet në një përqindje me të madhe nga djemtë që duan të bëjnë të fortin ose të parin në shkolla, por po shikohet një rritje e përqindjes dhe nga vajzat, të cilat dëshirojnë kundër dhe natyrë femërore, të sillen si djemtë, të shajnë, të dhunojnë, të poshtërojnë viktimat e tyre. Bullizëm janë sjelljet e përsëritura, të dëmshme e agresive ndërmjet personave që ndryshojnë në nivelin e tyre të forcës dhe mund të jenë si fizike, ashtu edhe psikologjike. Ato përfshijnë goditjet, rrahjet, ngacmimet verbale, gjestet fyese, përjashtimin ose thjesht presionin për t’iu përshtatur atyre që dëshiron apo thotë bullisti.
Të gjithë fëmijët adoleshentë edhe të rinj që janë viktimat e bullizmit mbas një trysnije të përsëritur psikologjike dhe fizike shfaqin simptoma anormale të shoqëruara me ndjenja frike dhe ankthi për pasigurinë e tyre në ambjentet e shkollës. Kjo gjë ju krijon atyre trishtim, mbyllje në vetvete, qëndrim në shtëpi të izoluar, mos vajtje në shkollë, rënje nga mësimet etj. Gjithë kjo gjëndje shpirtërore anormale shfaqet dhe me simptoma të tjera të jashtme si anoreksi, dhimbje koke, dhimbje stomaku, të vjella, përgjumje ose gjumë të trazuar etj. Nëqoftëse kjo gjëndje nuk menaxhohet mirë nga personi i viktimizuar, ndihmuar nga shkolla, prindërit, shoqëria, atëhere gjëndja përkeqësohet kalon në dëshpërim, kthehet në depresion dhë lë pasoja gjatë jetës dhe mund të marrë trajta të ndryshme sëmundjesh psikologjike dhe fizike dhe mbi të gjitha këtyre siptomave, personi i bullizuar tenton vetëvrasjen. Sipas mjekëve psikiatër bullizmi e shton 6 deri në 9 herë idetë për suicid (vetëvrasje), ose nëqoftëse rrethanat do të vinë në favorin e viktimës; ai mund të kthehet në një hakmarrës duke u bërë nga i viktimizuar në viktimizues.
Përse një fëmijë priret të bëhet bullist?
Kjo është një pyetje e cila nuk mund të marrë një përgjigje të thjeshtë. Njerëz të ndryshëm dhunojnë për arsye të ndryshme dhe disa dhunojnë më shumë se të tjerët. Disa dhunojnë, sepse janë të pakënaqur me veten dhe mendojnë se duke i bërë edhe të tjerët të ndihen keq, kjo do t’u sjellë kënaqësi. Disa të tjerë dhunojnë, sepse kanë një nevojë të vazhdueshme për t’u treguar të tjerëve se kush drejton. Të tjerë dhunojnë, sepse e kanë perceptuar dhunën si të vetmen formë që siguron mbijetesën në mjedisin kaotik social ku jetojnë.
Shpesh, për fatin tone të keq, disa fëmijë dhunojnë, sepse familjet ku jetojnë, janë tolerante ndaj dhunës ose më keq akoma, i gëzohen të qenit zot të vetes (edhe pse e bëjnë në mënyra shpeshherë të stërholluara dhe duke u përpjekur që të mos bien në sy të vetë fëmijës). Shkollat vlerësohen si mjedisi ideal për bullizmin. Ato janë institucione hierarkike, si përsa i përket statusit të stafit, ashtu edhe të nxënësve. Shkollat funksionojnë në bazë të dinamikave dhe fuqive të ndryshme. Sipas Lines (2008), nxënësit i shquajnë lojërat e forcës që zhvillohen midis anëtarëve të stafit në shkollë dhe i brendësojnë ato në një masë të caktuar ose të paktën, i reflektojnë ato në sjelljet e tyre ndërpersonale.
A mund të dallosh nëse një fëmijë është bullist? Sikur të ishte kaq e lehtë! Duke qenë se arsyet apo rrethanat që provokojnë dhe mbajnë sjelljen bulliste janë kaq të shumta sa ne i përmendëm (në fakt listimi i plotë i tyre do të kërkonte një hapësirë shumë më të madhe), është e vështirë të konfirmosh dyshimin nëse një fëmijë është bullist apo viktimë e bullizmit. Gjithsesi, edhe fakti se tek ne kanë lindur dyshime për praninë e një skeme bullizmi, ky është një ogur i mirë, pasi ne e njohim rëndësinë e sinjaleve që jep fëmija.
Përgjithësisht, fëmijët që tregojnë sjellje bulliste kanë një vlerësim shumë të lartë për veten, ndryshe nga ç’mund të mendojnë disa njerëz. Mendimi i gabuar vjen pikërisht për shkak të faktit se pjesa më e madhe e bullistëve janë nxënës me pak interes për shkollën dhe me një performancë të ulët mësimore. Këta fëmijë dhe të rinj, gjithashtu presin që gjithë të tjerët të përmbushin kërkesat e tyre dhe për më tepër, t’i kenë frikë. Këta fëmijë, në përgjithësi nuk mendojnë se sa keq u bën të tjerëve dhuna e ushtruar prej tyre ose edhe në rast se e mendojnë, kjo gjë u jep kënaqësi. Sidoqoftë, sjelljet bulliste janë tregues të faktit se ata që e ushtrojnë bullizmin nuk dinë të kontrollojnë dhe të menaxhojnë sjelljet e tyre.
– A duhet të cilësohet se pse njerëzit bëjnë bullizëm dhe çfarë shkakton ai, duke ju referuar studimeve shkencore dhe atyre psikologjike?
Kërkimet e fundit shkencore kanë zbuluar se 1 deri 2 njerëz përjetojnë bullizëm në jetën e tyre para moshës 20 vjeçare. Në shumicën e rasteve, personat bullistë kërkojnë të fitojnë një ndjesi pushteti, qëllimi dhe kontrolli mbi viktimat e tyre. Mënyra më e thjeshtë për ta bërë këtë është përqëndrimi tek diçka unike e viktimës dhe krijimi i një pasigurie të re tek viktima, me qëllimin për ta lënduar fizikisht ose emocionalisht. Ne, si njerëz, përjetojmë bullizëm dhe si rezultat bëhemi kritikë të vetes. Ne duam të kuptojmë arsyen pse jemi në shënjestrën e bulli-t, dhe fillojmë të fajësojmë veten. Më pas fillojmë të ndryshojmë ose fshehim atë pjesë specifike të karakterit që na e sulmojnë në mënyrë që t’i shpëtojmë bullizmit. Ne lyejmë flokët, ndryshojmë veshjen, mbulojmë pjesë të trupit sikur të kemi diçka që na turpëron para të tjerëve. Kur bullizmi fillon të ndikojë sjelljen tonë fizike dhe mënyrën në të cilën e shohim vetveten, ndikohet gjithashtu shëndeti ynë sa fizik dhe mendor.
– Po cilat janë arsyet kur bullizmi fillon të ndikojë sjelljen tonë fizike dhe mënyrën në të cilën e shohim vetveten?
Në anketën vjetore të vitit 2016 rreth bullizmit, shumica e bull-istëve thanë që nuk shpenzojnë shumë kohë pranë prindërve të tyre. Gjithashtu shumë prej tyre pranuan se në shtëpitë e tyre kishte shumë konflikt. Disa të tjerë kanë përmendur arsye të tjera si vdekja e një anëtari të familjes, një kafshe të dashur, shpërbërje të familjes dhe situata të tjera rënduese.
Qëndra e bamirësisë “Ditch the Label” anketoi 8,850 persona nga mosha 12 deri 29 vjeç. 14% thanë se kanë bërë bullizëm. Rezultatet sugjerojnë se personat që kanë përjetuar bullizëm kanë predispozicion të dyfishtë për t’u bërë bullistë edhe vetë.
-Si duhet të njihen format, metodat, që mund aplikojë shkolla për të parandaluar bullizmin? Pse bulizmi, mbetet fenomen shqetësues nëpër shkolla?
Duke ju referuar një hulumtimi me pyetje të drejtë përdrejtë me disa nxënës në 3 shkolla (të nivelit 9-të vjeçar), del se 83% e pjesëmarrësve pranojnë se bullizmi është problematik dhe domozdoshmërisht duhet trajtuar dhe parandaluar në shkollat tona.
Pyetësori pati për qëllim të mësojë rreth qëndrimit të nxënësve ndaj kësaj dukurie. Sipas nxënësve, 83% e pjesëmarrësve në hulumtim vlerësojnë se bullizmi është problematik.
“Nga hulumtimet del se bullizmi fizik është më i pranishëm midis nxënësve se sa ai psikologjik. Rezultatet e dala nga ky pyetësor del se: 79% e të anketuarve vlerësojnë se më i pranishëm është bullizmi i ashtuquajtur i padukshëm, ose bulizmi psiqik, edhe atë më shumë në relacionin midis vetë nxënësve dhe më i rrallë mësimdhënës-nxënës.
Kjo sjell dhe të çon drejt përfundimit se: dhuna psiqike, verbale dhe sidomos fiziko- verbale, paraqet një rrezik për ardhmërinë e nxënësve, të cilët më vonë në jetë mund të përballen me pasoja serioze, sidomos në gjendjen emocionale dhe shpirtërore.
Gjithshtu, mendime ka pasur se edhe psikologët, sociologët punonjësit e sigurisë, në shkolla nuk kanë ndikim të konsiderueshëm, në uljen e fenomenit të bullizmit. Ata duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë gjendje, pasi nga ana e tyre nuk punohet, duke filluar nga bërja dhe zhvillimi i hulumtimeve, duke filluar nga gjendja e konflikteve, bulëzimit etje. Në këtë sens del se nxënësit nuk e shohin sa dhe si duhet praninë e psikologut (ata bëhen present vetëm kur ka skena të pa hijshme; madje mjaft prej nxënësve nuk dinin se çfarë është bulizmi, e sidomos format e tij. Pasojat dhe simund ta zbulojmë dhe parandalojmë. (në lidhje me këtë…para se të bëhej hulumtimi u shpjeguan se çështë: bulëzimi, dhe format e tij sidomos ai psikologjik dhe fizik).
– Të angazhuarit e shkollës për të parandaluar bullizmin…
Identifikimi i shenjave të bullizmit me anën e anketimeve anonime të nxënësve.
Duhet bërë një vlerësim për të parë sa i përhapur është bullizmi në shkollë, duke përdorur metoda të ndryshme të mbledhjes së informacionit si: anketime të stafit, anketime anonime të nxënësve, për të lehtësuar grupet e nxënësve e të prindërve në çështjet e bullizmit, duke analizuar tipologjinë e disiplinës e të sjelljes mund të shohim nëse ka tendenca që të shfaqë shenja të bullizmit, duke shtuar kontrollin e të rriturve në zona si: oborri etj. Informacioni i mbledhur mund të përdoret lehtësisht për të identifikuar tipologjinë e bullizmit (p.sh. kur dhe ku ndodh bullizmi më shpesh; cilët janë nxënësit, që kryejnë këto sjellje ngacmuese dhe cilët janë të viktimizuarit, etj.)
Është mirë që shkolla të jetë e një mendje për atë që quan “bullizëm” dhe se kur duhet të ndërhyjë stafi për të ndërprerë një ngacmim, që po ndodh. Përqindja e ngacmimeve në shkollë bie ndjeshëm kur stafi është në gjendje të identifikojë shenjat e bullizmit dhe bie dakord të ndërhyje kur vëren sjellje jo të sigurta, që të dëmtojnë dhe shfaqin mungesë të respektit për tjetrin. Në klasa mund të bëjmë një listë “ndëshkimeve” që mësuesit mund t’u japin nxënësve, të cilët ngacmojnë. Kjo listë duhet të përfshijë “ndëshkime” të vogla, të cilat duhen të jepen për veprime të vogla të bullizmit (ngacmime të lehta), dhe “ndëshkime” më të rënda për rastet kur ngacmimet janë më të rënda e të vazhdueshme (si: dëmtimi fizik, kërcënimi i viktimës prej një kohë të gjatë). Stafi i mësuesve duhet të përvetësojë listën e “ndëshkimeve” në mënyrë që ta përdorë drejt kur ndërhyn me nxënësit që janë ngacmues.
Vendos një standard për të folur me prindërit, fëmijët e të cilëve janë ngacmues. Në mbledhjet me prindër, shkolla duhet të rekrutojë prindërit të punojnë me ta për të ndaluar ngacmimin e nxënësve. Nëse prindi mohon praninë e problemit, ose refuzon të bashkëpunojë për të ndërprerë sjelljet ngacmuese, shkolla e vendos atë para faktit që do të vëzhgojë fëmijën nga afër dhe do të ndërmarrë masa disiplinore sipas rastit, në rast përsëritje të sjelljes.
Viktimat: të parandalojmë që nxënësit të bëhen “shënjestra të bullizmit”.
- Ndërmerr hapa për sigurinë e “viktimës”.
- Ndihmo “viktimën” të vendosë marrëdhënie pozitive me të tjerët.
Mësojini nxënësit që të jenë këmbëngulës për të mos u përfshirë në sjellje bullizte:
1- Mos reago ndaj Fyerjeve, Përqeshjeve, Ngacmimeve mund t’i përgjigjeni butë “këtë mendim ke ti, dakord”. Mos i lejoni ngacmuesit t’ju shohin të mërzitur.
2- Largohu nëse e sheh veten të nervozuar.
3- Thuaj “jo” me zë të plotë e të qartë nëse nuk dëshiron të bësh diçka, që të kërkojnë. Rri drejt dhe shikoji në sy kur e thua.
4- Mos i lër të tjerët të të thonë që të bësh diçka për të cilën ti vetë mund të pendohesh.
5- Mos ki frikë të tregosh rastet e ngacmimeve.
Ndërgjegjësoni spektatorët se sjellja e tyre mund të inkurajojë ose të dekurajojë bullizmin.
Mësojuni aftësi, të cilat ata mund t’i përdorin kur janë prezentë në raste bullizmi.
Ndërgjegjësoi se edhe ata kanë përgjegjësi në episode bullizmi.
Organizo aktivitete me qëllim që të inkurajohen këta fëmijë spektatorë të zhvillojnë marrëdhënie pozitive me viktimat e mundshme.
Roli i Mësuesit në Parandalimin e veprimeve të dhunshme
Krijimi i një fryme pozitive në klasë, zvogëlon mundësinë e sjelljeve antishoqërore dhe të dhunshme. Shkolla ka një rol shumë të rëndësishëm në përballimin e problematikave dhe sfidave të sotme shoqërore. Shkolla duhet të identifikojë, ndër të tjera, faktorët, që krijojnë kushtet që cënojnë vlerat demokratike dhe sigurinë e fëmijëve. Shkolla duhet të vlerësojë diversitetin kulturor, botëkuptimor, shoqëror, etnik etj., por duke u kujdesur që këto vlera, të mos krijojnë kushte për dukuri ekstremiste. Nëse stafi arsimor dhe mbështetës, gjatë procesit mësimor-edukativ, vëren ndonjërën, apo disa nga shenjat e përmendura më poshtë, ai/ajo duhet të zbatojë procedurat e ndërhyrjes. Veprimi i duhur dhe në kohë të duhur është më se i nevojshëm për trajtimin e rasteve në mënyrë të dobishme, para se ato të përshkallëzohen drejt ekstremizmit. Sa më i hershëm të jetë identifikimi i rasteve problematike, aq më i lehtë do të jetë menaxhimi i tyre .