leoni

Flet Prof. Lush Susaj: Protestat e fermereve po denoncojnë degradimin e shtetit në korrupsion dhe kakistokraci

 Fermerët kërkojnë lirinë dhe sigurinë për të punuar e jetuar me djersën e tyre dhe në tokat dhe pronat e tyre.

-Fermerët po rezistojnë me shpirt ndër dhëmbë përballë korrupsionit dhe injorancës fatale të administratës dhe drejtuesve të institucioneve të bujqësisë

-Fondet për bujqësinë nuk shkojnë tek fshatari po i vjedhin drejtuesit që sikurse dihet kanë punuar vetëm për të vjedhur e për t’u pasuruar.

-Një takëm drejtuesish në asnjë ditë nuk kanë punuar në shërbim të punësimit, as të prodhimit dhe as të mirëqënies dhe sigurisë ushqimore të popullsisë së vëndit.

 

Intervistoi Albert Z. ZHOLI

 

Në Maliq, fermerët janë grumbulluar së bashku me mjetet e tyre në rrugën hyrëse të fshatit Drithas. Fermerët nga fshatrat e fushës së Korçës janë mbledhur në një protestë, duke shprehur shqetësimet e tyre për mungesën e tregut për produktet e tyre. Sipas fermerëve, për shkak të mungesës së subvencioneve, prodhimi i tyre po del me kosto më të lartë. Kjo i bën ata të pamundur për të konkurruar me prodhimet që futen nga jashtë vendit, pasi kanë çmime më të ulëta. Si rezultat, e gjithë prodhimi i qepës, patates, misrit dhe grurit ka mbetur stok, duke u shkaktuar fermerëve humbje të mëdha ekonomike. Policia ju ka kërkuar atyre të mos bllokojnë rrugën nacionale, pasi nuk kanë leje. Kjo është bërë shkas për konfrontim fizik mes palëve, fermerët nuk kanë pranuar lirimin e rrugës. Fermerët kërkojnë që qeveria të ndërhyjë me politika mbështetëse dhe subvencione për t’i ndihmuar të përballojnë konkurrencën e produkteve të importuara dhe të sigurojnë një treg të qëndrueshëm për prodhimet e tyre. Ata theksojnë se pa ndihmën e duhur, situata e tyre ekonomike do të përkeqësohet edhe më shumë. Se si qëndron e vërteta rreth këtij problem kemi një bisedë me Prof. Lush Susaj

-Prof Susaj! Fermerët nga fshatrat e fushës së Korçës janë mbledhur në një protestë, duke shprehur shqetësimet e tyre për mungesën e tregut për produktet e tyre. Ky është shqetësimi kryesor i tyre?

 

-Në datën 22 korrik 2024, fermerët nga fshatrat e fushës së Maliqit dhe Korçës, kanë marrë me vete traktorët dhe mjetet e tyre të transportit, dhe së bashku kanë dalë në një protestë në rrugën hyrëse të fshatit Drithas.

Kjo protestë paqësore dhe e zhvilluar nga njerëzit më të urtë, më puntorë e më patriotë të trojeve shqiptare, është në vazhdën e atyre përpjekjeve dhe protestave të vazhdueshme të fermerëve të Shqipërisë, të zhvilluara edhe në Lushnje, në Divjakë, në Shkodër, në Devoll, etj, ku fermerët kërkojnë lirinë dhe sigurinë për të punuar e jetuar me djersën e tyre dhe në tokat dhe pronat e tyre. Fermerët po rezistojnë me shpirt ndër dhëmbë përballë korrupsionit dhe injorancës fatale të administratës dhe drejtuesve të institucioneve të bujqësisë, që sikurse dihet kanë punuar vetëm për të vjedhur e për t’u pasuruar, dhe në asnjë ditë nuk kanë punuar në shërbim të punësimit, as të prodhimit dhe as të mirëqënies dhe sigurisë ushqimore të popullsisë së vëndit.

Duket që janë fermerët e fundit që kanë mbetur nëpër zonat tona bujqësore, të cilët po luftojnë me të gjitha mjetët kundër korrupsionit dhe injorancës që ka prodhuar e po prodhon falimentimin dhe rrënimin e fermave të tyre, e bashkë me to edhe dëbimin e fermerëve drejt rajoneve bujqësore të Greqisë, Italisë, Turqisë dhe vendeve të tjera të botës.

-Kjo përbën një histori më vete. Çfarë shihet në këtë tragjikomedi të paparë në vendet tona të rajonit?

Në këtë histori, dje u pa edhe ajo skema më e shëmtuar e një shteti korruptiv dhe kakistokrat, që guxon të poshtërojë e të keqpërdorë politikisht edhe policinë e shtetit për të shantazhuar dhe stopuar edhe këtë protestë të pastër e ndër më të arsyeshmet e kësaj bote.

Gjithnjë e kam bërë dhe vazhdoj që të bëj thirrje të sinqertë, që strukturat e hetimit të shtrijnë hetimin pasuror mbi të gjithë drejtuesit e lartë e të mesëm mediokër e të korruptuar të ministrisë së bujqësisë në vite, për të sekuestruar fondet dhe mallin e vjedhur, e për të kuptuar se si investimet dhe projektet në bujqësi kanë përfunduar në zero impakt. Fondet dhe investimet në bujqësi, pavarësisht nga propaganda dhe grumbujt e dosjeve fictive, janë vjedhur kudo, hapur e në masën 100%. Këtu e ka burimin edhe bllokimi i fondeve të IPARD, këtu e kanë burimin edhe kostot e larta të prodhimeve tona bujqësore të pasubvencionuara, madje edhe teorikisht të subvencionuara 5-6 herë më pak se vëndet e tjera të rajonit, dhe rreth 15 herë më pak se produktet e vendeve të BE.

Shtojmë këtu edhe kostot shtesë, që burojnë nga mungesa reale e mekanizimit bujqësor dhe rendimentit të punës. Kujtoj faktin që edhe kjo mungesë buron nga situata monopol mbi importin e mjeteve mekanike, nga injoranca dhe nga korrupsioni me ndihmat dhe donacionet, sikurse janë ato japonese, amerikane, europiane, etj. Janë dukuri që burojnë për shkak të politikave të gabuara edhe në drejtim të mekanizimit dhe të subvencionimit të naftës, dhe mënjanimit të qëllimshëm të ekspertëve dhe specialistëve më të mirë e më të pakorruptuar të bujqësisë.

Sikurse dihet dhe sikurse mund të shifet e provohet kudo, injorantët përdoren, manipulohen dhe shantazhohen lehtë, ata firmosin dhe janë gati të bëjnë edhe burg për partinë dhe për kryetarin e organizatës së korrupsionit.

Injorantët nuk kanë shpirt as moral, nuk kanë pikë ndjesie për popullin, për shtetin e as për kombin. Injorantët janë si krimbat, që zvarriten, që brejnë dhe thajnë çdo gjethe dhe bimë të natyrës, ata ngjiten dhe bëjnë karrierë vetëm në politikën e korrupsionit dhe në grupet kriminale, ndërsa nuk prodhojnë asgjë të mirë për bujqësinë e as për shtetin shqiptar.

-Faktikisht kush i rrit kostot e prodhimeve tona bujqësore?

Kostot e prodhimeve tona bujqësore i rrit edhe korrupsioni me fondet e ujitjes dhe kullimit, të cilat nuk arritën kurrë në destinacionin e duhur, përkundrazi u gllabëruan nga supërvizorët dhe nga tenderimet dhe shpërblimet për shokët e partisë. Kostot bujqësore rritën edhe nga situata monopol në importin e plehërave, farërave, fidanave dhe pesticideve, e sikurse dihet, në Shqipëri nuk vijnë llojet që duhen, por vijnë fidanat dhe farërat që don partia e importuesit monopol, apo importuesi monopol i partisë. Vijnë më të dobëtat dhe më pak të kushtueshmet, shpesh vijnë edhe llojet e dala nga tregu rajonal dhe europian. Importohen ato lloje që kanë zhgarravitur e listuar doktor gjilpërat dhe ekspertët e korrupsionit dhe nepotizmit, të cilët nuk kanë jetuar as punuar kurrë me prodhimin bujqësor. Për më tepër, nuk kanë asnjë shkallë arsimimi dhe njohurish mbi shkencën dhe teknologjinë bujqësore. Janë përsonazhe që mbase dinë të blejnë e të grumbullojnë vota, por që nuk dinë asgjë mbi rajonizimin dhe kërkesat specifike të tregjeve. Në këtë mënyrë, ky takem ka shkaktuar një situatë qesharake edhe në lidhje me rajonizimin dhe strukturat varietore, të cilat nuk mund t’i bëjë kurrë partia, e as strukturat e korrupsionit dhe nepotizmit të saj. Gabohen të gjithë ata që mendojnë se mund të prodhohet dhe eksportohet pa patur baza të forta ligjore e shkencore.

Me të tilla struktura varietore e prodhuese, të pastudjuara e të pasubvencionuara; të pa akorduara me kërkesat e tokës, klimës dhe tregjeve; larg shërbimit agronomik dhe sigurisë ushqimore, falimentimi dhe dëbimi i fermerëve është një proces i sigurtë.

Me duhet të theksoj faktin që këto janë punë dhe shërbime që duhen kryer e zgjidhur nga administrata dhe institucionet e Ministrisë së Bujqësisë, një institucion që për mendimin tim, ngado që ta kapësh bie erë korrupsioni, inkopetence, politizimi, abuzivizmi dhe nihilizmi të pashëmbullt ndaj potencialeve klimatike, tokësore, prodhuese dhe intelektuale të vëndit.

Fermerët kanë edhe një hall të shkaktuar nga inkopetenca shtetërore me grurin, i cili nuk po ju shitet, edhe pse për shkaqet e mësipërme, ju ka dalë me një kosto shumë të lartë mbi 30 lekë/kg. Grurin, sot në Devoll, Lushnje, Korçë e Maliq, po e shesin 17-20 lek/kg. Përkundrejt faktit që Shqipëria importon çdo vit rreth 300000 ton grurë nga Ukraina dhe Rusia, e ku paradoksalisht dhe antishqiptarisht, është lënë pa grumbulluar rreth 100000 ton drithëra që prodhojnë fermerët tanë të mrekullueshëm, e më të vjedhurit e kësaj bote. Po kështu, Shqipëria importon nga bota (Turqia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Serbia, etj), mbi 270000 ton/vit zarzavate, në një kohë kur prodhimet e shalqinit, pjeprit, domateve, trangullit, etj, po kalben dhe po hidhen nëpër kanale. Kjo marri po ndodh ditën për diell, e kudo për shkak se edhe tregun tonë të brendshëm kaq të vogël e të varfër që e kemi, po e mbytin prodhimet nga Turqia dhe Serbia nga njëra anë, dhe mungesa totale e politikave mbrojtëse nga ana tjetër.

Edhe në këtë pikë, shteti për fermerët nuk duket asgjëkundi, sepse mungon totalisht mbrojtja ligjore e prodhimit vendas në pikun e prodhimit të tij, e në këtë mënyrë është shkruar me kohë edhe falimentimi i prodhuesve të Devollit, të Maliqit, të Divjakës e gjithë Shqipërisë.

Për këto arsye, konsumatorët shqiptarë, konsumojnë qepën e blerë në treg me 100 lekë/kg, që është prodhim i importuar nga Serbia, Turqia, etj, ndërsa po kalbet prodhimi supërcilësor i qepës në Maliq e Devoll, ku qepa supërcilësore po shitet dhe konsumohet me 20 lekë, ose 5 herë më lirë. Në këtë mënyrë, populli shqiptar, duket që është kthyer në një popull pa busull dhe pa drejtim ligjorë e as shkencorë. Tashmë duket që është bërë i varur, skllav dhe konsumator i prodhimeve të vendeve fqinjë, ndërsa nuk eksporton asgjë në tregjet rajonale. Valutat dhe paraja e shqiptarëve shkon për të blerë drithëra, bulmet dhe  zarzavate nga fqinjët, ndërsa prodhimi vëndas po vdes çdo ditë. Përkundrejtë kësaj situate, kemi vetëm dosjet fiktive te tenderimeve dhe punimeve që nuk janë bërë kurrë, kemi shumë filmime dhe fotografi për dosjet fiktive, kemi strategji dhe studime që nuk bëjnë për asgjë, sepse nuk janë hartuar nga ekspertët dhe as nga specialistët e mirëfilltë të fushave. Kemi aq shumë propagandë për arritjet imagjinare, ndërsa ndodhemi në një tragjedi të thellë kombëtare, pa e kuptuar faktin që filozofia na mëson që tragjedia denoncon teprinë në korrupsion me fondet, subvencionet dhe investimet që nuk shkuan kurrë tek fermeri. Kjo tragjedi denoncon atë malin e lartë të injorancës dhe politizimit ekstrem të strukturave të bujqësisë, nga ku qëllimisht janë mënjanuar më të mirët, të gjithë ata që flasin dhe reagojnë, e që janë kundër korrupsionit, dosjeve fiktive dhe injorancës në bujqësi. Kjo tragjedi denoncon dhe dëshmon për kaosin dhe katastrofën që prodhon korrupsioni. Kjo situatë denoncon se si shteti sëmurët dhe bëhët inekzistent sa herë që politika i lëshon terren korrupsionit, ka ndodhur ajo që Platoni e ka trajtuar në filozofinë e tij Republikën dhe Ligjet (427-347 p.e.r).

Për ata që nuk besojnë në argumentat e mësipërme, janë të lutur që të dalin në terren e të shohin me sytë e tyre tokën e mbetur djerr, pa ujë, pa subvencione dhe pa kultura bujqësore.

Janë të lutur që të kalojnë e të shohin me sytë e tyre pronat e paimagjinueshme të ish ministrave dhe zyrtarëve të lartë të politikës së lidhur e pasuruar nga fondet e bujqësisë, pasi asnjëri prej tyre nuk ka patur dhe nuk ka asnjë profesion dhe asgjë të trashëguar nga paraardhësit e tij. Kështu do të më jepni të drejtë për ato që kam trajtuar e do të trajtoj, deri kur fondet, subvencionet, investimet dhe projektet të shkojnë tek fermeri dhe prodhuesi e jo tek zyrtarët e korruptuar të partisë. Hajdutët e korrupsionit kanë vjedhur dhe grumbulluar pasuri për 1000 vjet. Janë prona dhe pasuri haram, e cila duhet konfiskuar me ligje demokratike, për të ja kthyer popullit të vjedhur, e tashmë edhe të dëbuar përmes mizerjes së korrupsionit.

Korrupsioni është pushtimi më i neveritshëm, më i ndyrë e më dëmbërës. Shikojeni se si e ka shkatërruar bujqësinë dhe prodhimin bujqësorë, sikurse edhe arsimin, mjedisin, industrinë, shëndetësinë, kulturën, historinë, diplomacinë, etj.

Mos u merrni pse flet dhe pse shkruan Lushi, jeni të lutur që të sqaroni vetvetën tuaj pyetjen time të thjeshtë “përse nuk reagoni?”, “përse po heshtni?”, “kujt i interson korrupsioni, varfëria dhe zbrazja e Shqipërisë?”. Nga heshtja, nuk vjen asgjë e mirë.

Kontrolloni gjithashtu

Flet “Mjeshtri i Madh” Gëzim Tushi: Kriminelët kujtojnë se kanë të gjithë të drejtat për të bërë gjithçka, pa ju kanosur asnjë rrezik

: Kriminelët kujtojnë se kanë të gjithë të drejtat për të bërë gjithçka, pa ju …