Në një kuptim janë historianët që krijuan kombet”, është kjo një tezë e lëvruar dhe pranuar gjerësisht. Ka ndodhur kështu sepse rrugëtimi nga etnitë, këto popullsi parakombëtare, tek kombet dhe shtetet kombe kanë qenë të mbushura jo thjesht me kohën-kronos, por me ngjarje dhe zhvillime në kohë. Në këtë ndarje shekullore ka pasur beteja dhe luftëra, grumbullime dhe ndarje, zgjerime territoriale në shpinë të tjetrit dhe, tkurrje të detyruara brenda damarëve autoktonë, vetëm e vetëm për të mos u zhbërë dhe humbur identitetin. E gjithë kjo ecuri për popujt, regjistrohet, dokumentohet, arkivohet! E kryhen këtë detyrim kujtesa antropologjike me të gjitha derivatet e saja!
E sjellin këtë mesazh format e tjera të komunikimit si edhe janë mediumet e artit. Por se ka një shkencë fondamentale si edhe është historia shkencore që, bazohet në faktologjinë shkencore të dokumentuar dhe të provuar si e saktë dhe jo e falsifikuar apo deformuar. Jo çdo letër e gjetur në arkiv është me përmbajtje shkencore edhe pse ka vlerë dokumentare! Ky dallim nëse bëhet, i hap udhë interpretimeve të besueshme dhe të gjithë pranuara. Nëse nuk bëhet, kjo mund të të fusë në ngushtime të paqarta të keq interpretimeve, qofshin këto me qëllim, qofshin edhe nga padija!
Duhet mbajtur në konsideratë se falsifikimet më të mëdha në historinë botërore, janë bërë duke manipuluar dokumentacionet dhe keqpërdorur arkivat. Provat e tjera, gojore apo memorilistike mentale, nuk adresohen dot si të tilla dhe askush nuk ka nevojë të merret me to. Falsifikimi e vijon “llagëm-udhën”, me dezinformimet apo keqinterpretimet që vulosen si shkencore, jo rrallë edhe nga “njerëz të shkencës” që e shesin shpirtin, dhe mandej, për ta nuk ka më skrupuj! Jo të gjithë njerëzit e dijes dhe shkencës janë Xhordano Bruno! Ndaj gjithnjë lypsen pluralitete burimesh dhe diversitete argumentesh! Detyra për të krijuar “ndjesinë e bashkësisë historike”, e cila kurdoherë dhe kudo jepej drejtpërdrejtë në etninë përkatëse, ka qenë dhe mbetet edhe sot e ngarkuar në mënyrë të veçantë me mësimet e historisë!
Nëse një popull apo një komb e humbë këtë vetëdije, ai është i fatkeqësuar me degradim, me mosmbajtje përgjegjësie si breza dhe si individë të kohës konkrete. Kjo vetëdije pasurohet me historinë e re, me arritjet dhe kontributet, me vlerat e shtuara, dhe me operacionet e nevojshme institucionale të cedimit nga “sovraniteti politik” kombëtar në funksion të institucionalizmit ndërkombëtar. Por se nuk ka kuptim të pranohet se popujt apo kombet e vegjël, e kanë më të vogël atributin e përgjegjësisë historike! Sa më shumë i rrezikuar të kesh qenë, aq më të mprehtë është dashur ta kesh pasur këtë “shqisë të mbijetesës”. Ka popuj dhe kultura tërësisht të zhdukura, paçka se kanë pasur kontribute dhe histori me arritje!
Mbijetesa jonë shqiptare është unikale, ndërsa konservizmi qoftë edhe arkaik i disa vlerave, tipareve dhe ritualeve, janë parametra lashtësie dhe pika referimi për një kulturë më të gjerë, ballkanike, mesdhetare, dhe globale! UNESCO e çmoi si të tillë iso-polifoninë e antropologjisë sonë, ndaj e regjistroi si “Pasuri të Trashëgimisë Botërore”! Bashkësia historike si popullsi, lidhet me vertikalizmin historik që nga etnogjeneza deri në ditët tona, dhe jo thjesht me shifrat demografike! Ndjesia e të qenit një unit i tillë nga etni në komb, lidhet me vështirësitë dhe kontributet, me privacionet dhe kostot historike. Vetëm në këta dy vitet e fundit kemi qenë përball dy punimeve akademike, atë të “Akademisë së Shkencave të Maqedonisë” dhe së fundmi atë të ”Akademisë së Shkencave të Greqisë”! Në të dy këta botime ka interferime përçart dhe teza kallp për historinë tonë etno-kombëtare, që nga injorimet kulturore, deri tek mohimet e hapura të territoreve dhe autoktonisë!
E para, u tërhoq për ripunim,
e dyta ka marrë dhe vulën e një studiuesi anglez dhe e sjell Epirin deri në Durrës; duke ngatërruar emërtimet administrative në kohën e “Perandorive Multietnike dhe Multikulturore”, me territore autoktone popullsish të etnive të ndryshme!
– Po ne çfarë bëjmë për vetëdijen e të qenit një bashkësi historike, me një kontinuitet qysh nga mugëtirat pellazgjike e deri sot?!
Akademia jonë e Shkencave, dremit dhe nuk ka produkt të matshëm! I fundit i “dinozaurëve” të “Albanologjisë Shkencore”, të nivelit të George Von Hann dhe Jockle, është “Panteoni i Gjallë i Shqiptarizmës”, Prof. Kristo Frashëri!
Të tjerët, më të rinjtë, argalisen në pafuqinë e arsyes dhe në injorancën e dallueshme joakademike! Politika dhe disa historian pranë saj, entuziazmohen se po “korrigjojnë gabimet” në lidhje me periudhën e mbretërisë! Aq shumë janë “dehur” nga kjo bëmë, sa harrojnë se tashmë ka një botim serioz, shkencor (dhe neutral nga emocionet politike), për periudhën e mbretërisë, është botimi i historianit amerikan Bernd Fisher!
Ka një botim të studiuesit të sprovuar Prof. Arben Puto, “Shqipëria Politike” 1912-1939, ku periudha e mbretërisë është dhënë përmes një informacioni burimor shterues, të brendshëm dhe ndërkombëtar!
Tani kemi edhe një studim të “Institutit të Historisë”, vlerë e shtuar kjo! Por se sjellja ndaj historisë nga historianët, nuk duhet të bëhet me porosi të politikës së radhës. Ekzigjenca shkencore është një atribut “genuine” i atyre që nuk paguhen për koniunkturën politike, por për të vërtetën shkencore historike, si “mbretin e të gjitha kohërave”!
Duhet zbritur me sondën vertikale të “arkilogjisë historike”, atje ku po zbret suksesshëm çdo ditë gërmimi arkeologjik, me zbulimet e fundit të ekspeditave në terren tokësor dhe nënujor”.
Kultura materiale dhe ajo shpirtërore në bashkëpunim e harmoni, e bëjnë “trungun” e historisë një pemë të fortë dhe gjithë stinore! 100 Vjetori i Pavarësisë do duhet të pritet e të festohet jo me dekore mburrjesh dhe me spektakël festimesh, por me rivitalizim të ndjesisë e të qenit si “një bashkësi historike”, “pellazgo-ilire-arbërore-shqiptare”! Të llocësh tek cekëtina e periudhës së 60-70 viteve të fundit dhe, të harlisesh me të, në mënyrë sempliste dhe jogjithëpërfshirëse; kjo është një dashuri incestive me copëza të historisë kombëtare e pinjollë të saj dhe, jo sjellje korrekte dhe e detyruar me vijimësinë historike në boshtet vertikale dhe horizontale të saj!
Detyrimet në një botë globale dhe të diversitetit shpesh deidentifikues, ku siç mëton studiuesi amerikan Benjamin Barber në librin e tij me titull: “Gihadi vs McWorld”: “shoqëritë e mbyllura konservative ndeshen me shoqëritë e hapura komercialiste, të cilat unifikimin me standardet e tregut dhe diversitetin e mundësisë së konsumizmit e paraqesin si liri, përplasje e egër kjo që po prodhon në rastin më të mirë ndeshje kulturore dhe, në më të keqin ka sjell luftëra”, ndaj është detyrim orientimi i drejtpeshuar në “landscape-in” politik ku edhe jetohet në ditët tona!
Nuk duhet harruar në asnjë moment se kombet kanë shenjat identitare, të lashta, të vjetra, të mesme në kohë, të rejat dhe modernet e postmodernet! Këto njolla, të bardha dhe të zeza, gri apo të gjelbra, si gjurmë të historisë, nga ajo etnike tek ajo kombëtare, përmes edukimit shkollor së pari, përcillen si kulturë historike. Por se aktualisht, ne jemi të fatkeqësuar sepse brezat e rinj nuk po e studiojnë si dhe sa duhet këtë shkencë. Kjo bjerrje nuk është vetëm me pasoja individuale. Po na prishet dita ditës kuptimi dhe vetëdija për detyrimet ndaj kombit dhe atdheut! Largimi nga panteoni i historisë, sjell si rrjedhojë të hidhur edhe mungesën e një kulture të përbashkët historike! Kultura historike është ajo që e krijon si rrallëkush edukatën dhe kulturën institucionale! Ajo antropologji që nuk e ka këtë “asset dije” – vetëdijen institucionale dhe detyrimet që rrjedhin prej saj; është një masë amorfe që merret për dore edhe nga një i “verbër në politikë”. Në një situatë të tillë nuk ka për të dy palët, as për turmën e pavetëdijes, as për “prijësin”; sisteme imunitare. Atdheu dhe pasuritë e tij shpirtërore dhe materiale, nuk janë “baçia” e brezit dhe politikanëve të radhës! Toka-Atdhe nuk bën një euro! Politika nuk fillon sot!
Përgjegjësitë historike nuk fshihen kurrë! Kur u goditën Kullat Binjake në 11 shtator 2001, parulla që u shkruajt në ajrin e kohës dhe në ndërgjegjen e çdo amerikani ishte, “Amerika në rrezik”! Ne shqiptarët jemi në një pikë vlimi! Fqinjët nuk e duan historinë e Ballkanit ashtu si edhe ka qenë, sepse shovinizmin e tyre historik ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, vazhdojnë ta shesin si histori të tyre kombëtare me rrënjë autoktonie edhe në territoret e tyre (lexo tonat Kosovë, Çamëri, Epir-deri në Durrës). Së fundi edhe ”otomanistët e rinj” të tregut ekonomik, shqetësohen nga librat e historisë në Kosovë. Kanë frikë nga e vërteta historike dhe bëjnë presion për ndryshime që, me fjalë të tjera do të thotë: “Gënjeheni brezat e reja për të shkuarën historike!”
Para 4-5 vjetësh, libri i historisë në Shqipëri e sillte kufirin grek brenda territoreve tona, që do të thotë se ju nxënës jeni shqiptar, por ju nuk jetoni në trojet tuaja etnogjenetike!
– Po ku jetuakemi ne atëherë?!
– Në tokat e të tjerëve?!
– Po atdhe kemi ne?!
– Po toka të të parëve a kemi?!
– Po prona ka njeriu shqiptar, apo ai ka jetuar vetëm me pagesën e shpatës së zhveshur si profesion?!
Identiteti kombëtar kalon nga pasia e pronës nga çdo individë, të trashëguar, të falur apo të blerë! Kur prona është një truall në dheun e të parëve, ajo është më shumë se pronë ekonomike dhe detyrim familjar! Një pronë e tillë është atdheu “ku më ka rënë koka”! E që koka, shpirti dhe gjaku mos shprishen e helmohen, të gjithë të kontribuojmë çdo ditë për një rivitalizim të vetëdijes kombëtare në këtë prag “një shekull pavarësi kombëtare”! Nesër do të jetë vonë dhe mallkimi do të vijë i rëndë! Një histori dhe identitet mijëravjeçar nuk mund të zhbëhet nga disa të sotmit që duan të vegjetojnë pa ideal dhe pa përgjegjësi kombëtare! Historia nuk shitet në treg, shit-blerësit e saj janë jashtëqitjet e historisë!