FMN-ja kërkon reformim të listave të kategorive të dala nga lufta

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar reformim të listave të kategorive të dala nga lufta. Përfaqësuesi rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Ruud Vermeulen ka deklaruar se kostoja vjetore e skemave të përfitimeve, të lidhura me luftën në Kosovë, është duke u rritur me shpejtësi të madhe dhe do të mundë të arrijë shumën prej 100 milionë eurosh apo edhe më shumë deri në vitin e ardhshëm kundrejt 60 milionë eurove që ishin ndarë në buxhetin e vitit 2016 për të gjitha skemat e dala nga lufta. Ai ka theksuar më tutje se roli i veteranëve të luftës për të siguruar pavarësinë e Kosovës dhe sakrifica e tyre janë të mirënjohura dhe duhet të vlerësohen. Sikurse në çdo vend tjetër të botës, çështja kyçe ka të bëjë me mënyrën më efektive për ta treguar mirënjohjen për veteranët e luftës për shërbimin e tyre dhe për ta mbështetur rolin e tyre efektiv në jetën civile.

Përfaqësuesi rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Ruud Vermeulen ka përkujtuar më tutje se kur ka filluar të zbatohet skema në tetorin e vitit të kaluar pritej që deri në 13.000 veteranë të luftës do të kualifikoheshin për ndihmë me të ardhura, të ashtuquajturin pension të veteranëve të luftës, i cili përcakton se atë mund ta marrin vetëm veteranët që nuk kanë të ardhura. Megjithatë, është e mundur që deri në fund të këtij muaji më shumë se 22.000 veteranë të luftës do ta marrin këtë pension, ndërsa ky numër është duke u shtuar dita-ditës. Sikur kjo të mos mjaftonte, tani ka kërkesa që të zgjerohet edhe numri i invalidëve të kualifikuar të luftës, 17 vjet pas përfundimit të luftës.

Kontrolloni gjithashtu

zamira.hyseni@uni-pr.edu

Visar Ymeri kritikon Albin Kurtin për kontroll mbi mendimin qytetar dhe mungesë të interesit për nevojat reale

Analisti politik Visar Ymeri ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e …