Vërshimet e para dy javëve prekën shumë komuna të Kosovës. Për të gjithë ata që u dëmtuan, qeveria premtoi kompensim. Këtë javë, tashmë ekzekutivi në detyrë, ndau 1 milion Euro në ndihmë të familjeve që iu dëmtuan objektet e banimit. Por, kjo shumë nuk po u duket e mjaftueshme institucioneve lokale që janë ende duke vlerësuar dëmet. Vetëm në Drenas, dëmet në shtëpitë e banimit përbëjnë një të pestën e kësaj ndihme. Njësoj thotë edhe zëdhënësi i komunës së Malishevës, Artan Paçarizi, i cili paralajmëroi se do të kërkojnë nga qeveria të kompensohen të gjitha dëmet e shkaktuara nga reshjet. Sipas vendimit qeveritar, dëmet e infrastrukturës do të mbulohen nga buxhetet komunale, ndërsa ato në bujqësi nga Ministria e Bujqësisë. Ndihma për kategoritë e prekura prej vërshimeve ndahet nga Fondi Emergjent Qeveritar.
