Forca të shtuara të misionit paqeruajtës të KFOR-it, sërish kanë defiluar në Urën e Ibrit, në Mitrovicë. Pjesëtarë të misionit të KFOR-it kanë thënë për Radios Evropa e Lirë” në terren se bëhet fjalë për disa stërvitje. Ky mision ka prani të përhershme në urën e Ibrit, që ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun e banuar me serbë. Forca të shtuara ka pasur edhe në fundjavën e kaluar, kur misioni ka konfirmuar se ka kryer disa trajnime. Këto veprime u ndërmorën pak ditë pasi autoritetet e Kosovës kanë mbyllur pesë institucione paralele serbe në veri. Banorët serbë të zonës, prej vitesh, kanë marrë shërbime të ndryshme në to dhe mbyllja e tyre ka shkaktuar reagim të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare kundër Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare, megjithatë, kërkon që të gjitha çështjet që lidhen me situatën në veri, të trajtohen në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.