Në Katalunjë është parashikuar se partitë separatiste do të fitojnë shumicën e ulëseve në parlamentin rajonal, duke rritur tensionet në lidhje me aspiratat për pavarësi nga Spanja. Me mbi 99% të votave të numëruara, separatistët fituan 50.9%. Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit, zyrtarët thanë se grupet separatiste janë në rrugë të mirë për të fituar midis 73 deri në 80 vende në parlamentin rajonal në Barcelonë. Në mandatin e kaluar të legjislaturës ato kishin 68 vende në parlamentin me 135 ulësesh. Kryeministri i Spanjës, socialisti Pedro Sanchez feston fitoren e zgjedhjeve. Partia Socialiste e njohur si PSOE (në Katalonjë si PSC), parashikohet se do të marrë më së shumti 33 vende, sipas gazetës La Vanguardia. Socialistët janë kundër shkëputjes së Katalonjës nga Spanja, por kanë sinjalizuar se janë të hapur për negociata. Në Spanjë çështja e statusit të Katalonjës po e dominon politikën e brendshme që shumë kohë.
Katalonja mbajti një referendum për pavarësi, por i njëjti u shpall i pavlefshëm nga ana e Madridit. Qeveria qendrore vendosi nën masa emergjente rajonin më 2017.
Atëbotë, presidenti rajonal i Katalonjës, Carles Puigdemont, u arratis në në Belgjikë. Shumë separatistë u dënuan me burg.
Çfarë pritet të ndodhë?
Partia separatiste e majtë Esquerra Republicana de Catalunya (ERC) tha se ajo do të drejtojë qeverinë rajonale dhe do të kërkojë mbështetjen e partive të tjera për një referendum mbi pavarësinë.
“Ne tashmë kemi një fuqi të madhe për të arritur te një referendum dhe Republika Katalanase”, tha shefi i rajonit në detyrë Pere Aragones, i cili udhëhoqi listën e kandidatëve të partisë.
Ai i bëri thirrje kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, të hyjë në bisedime për të rënë dakord me mbajtjen e një referendumi, raporton Reuters.
Por, shpërndarja e votave në disa parti, ka krijuar kushtet që edhe Partia Socialiste të përpiqet për të formuar qeverinë. Kandidati socialist Salvador Illa, i cili deri vonë udhëhoqi përgjigjen e Spanjës ndaj koronavirusit si ministër i Shëndetësisë, tha se pas disa viteve të separatizmit, në Katalonjë ekziston një thirrje e gjerë për pajtim dhe tha se ai do të përpiqet të formojë një shumicë në parlament.
Por, kjo përpjekje e tij do të kërkonte një bashkëpunim të vështirë me partitë tjera.
Partia Junts e qendrës së djathtë e cila mbështet përpjekjet për pavarësi, fitoi rreth 32 vende, ndërsa partia separatiste e ekstremit të majtë mori nëntë. Të dyja këto parti konsiderohen kryesore për arritjen e një qeverie tjetër të koalicionit separatist.
Spanja do të pezullojë autonominë e Katalonjës
Partia nacionaliste spanjolle e ekstremit të djathtë Vox fitoi 11 vende në Parlamentin e Katalonjës për herë të parë, përpara Partisë Popullore, partisë kryesore konservatore spanjolle. Vox është tashmë partia e tretë më e madhe në Parlamentin kombëtar të Spanjës.
Në këto zgjedhje u regjistrua një pjesëmarrje e ulët me 53% për dallim nga zgjedhjet e vitit 2017 në të cilat kishin votuar 79% e elektoratit. Vëzhguesit kanë thënë se rezultati përfundimtar nuk ka gjasa të prodhojë një përsëritje të deklaratës kaotike për pavarësi nga Spanja që ndodhi më 2017. Sipas tyre, tensionet kanë rënë dhe shumica e votuesve ishin më të shqetësuar për pandeminë, sesa pavarësinë. ( Kestrin Kumnova, REL)