Forcat ushtarake serbe granatojnë në brendi të Shqipërisë (E diel 19 korrik, 1998)

Forcat ushtarake serbe granatojnë në brendi të Shqipërisë (E diel 19 korrik, 1998)

Vazhdon me intensitet puna në meremetimin e shkollës. Xhevat Olluri me Eminin dhe një ekip të kompletuar elektricistësh po e instalojnë rrymën, ndërsa Idriz Hamza me punëtorët e tij po e kryen suvatimin dhe po bën adaptime të tjera të nevojshme. Edhe sot, pa zbarkohen pandërprerë rimorkiot e traktorëve të mbushur me grurë.

Pas luftimeve të djeshme, në Blinajë, situata sot paraqitet e qetë. Forcat serbe janë tërhequr në Magurë dhe po presin përforcime të reja për të vazhduar sulmin kundër pozicioneve tona. Luftëtarët tanë po qëndrojnë të pathyeshëm në pozicione. Kam bindje që serbët kanë bërë një tërheqje taktike, me qëllim që luftëtarët tanë të fitojnë besim dhe të grumbullohen sa më shumë. Pastaj serbët do të marrin ofensivën e paralajmëruar qysh në fillim të muajit.

Agjencitë e huaja të lajmeve kanë bërë të ditur, se forcat policore e ushtarake jugosllave, kanë granatuar dhjetëra kilometra në brendi të kufirit të Shqipërisë. Të njëjtat burime saktësojnë se si rezultat i goditjes me armatim të rëndë ka pasur të vdekur dhe të plagosur në radhët e popullatës civile. Shumë shtëpi janë dëmtuar. Fshatarët e zonave kufitare po i lënë vatrat e tyre dhe po tërhiqen në brendi të vendit. Autoritetet shqiptare si zakonisht kanë dënuar rastin, si gjithnjë me deklarata verbale, por nuk iu kanë kundërpërgjigjur sulmeve të armatës  jugosllave.

Qëndrimi zyrtar i Shqipërisë për luftën në Kosovë është parimor dhe tejet i përmbajtur, mbase për faktin se faktori ndërkombëtar e di mirëfilli se i tërë armatimi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, merret në Shqipëri. Si duket pikërisht për këtë autoritetet shqiptare janë përcaktuar për një  strategji afatgjate, sigurisht duke e pasur mbështetjen edhe nga autoritetet ndërkombëtare.

Për shkak  të luftimeve që janë zhvilluar dje, forcat okupatore serbe kanë shkyçur  nga rrjeti elektrik të gjitha fshatrat tona.

Bëhet e ditur se në Rahovec janë intensifikuar luftimet. Forcat tona kanë depërtuar në disa lagje në brendi të qytetit, për t`iu shkuar në ndihmë popullatës, të cilën po masakrojnë bandat vrastare serbe. Në Rahovec kanë shkuar përforcime edhe nga mesi i ushtarëve tanë. Nuk kam informacione të sakta, por sipas të gjitha gjasave atje po zhvillohet një luftë e ashpër dhe tejet e rrezikshme për popullatën civile, meqe popullata flet shqipen dhe serbishten në të njëjtën kohë dhe ushtarët që nuk janë nga ajo anë nuk dinë si të gjenden. Elez Durmishi më bën me dije se në mesin e të plagosurve në Rahovec është edhe Ilir Dugolli nga Nekoci, vëlla i Enver Dugollit, i cili është dënuar nga serbët dhe po mbahet në burg. Dyshohet për dhjetëra ushtarë tanë të rënë në luftimet të cilat, në brendi të Rahovecit po zhvillohen fyt për fyt me ushtarët dhe policinë serbe. Dihet po ashtu se ka rënë dëshmorë edhe një komandant i shquar nga Dukagjini,  Agim Çela.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …