Me rastin e vizitës së Ministrit të punëve të jashtme të Sllovenisë Karl Erjavec në Kosovë do të organizohet edhe një forum ekonomik në mes të komunitetit të biznesit slloven dhe atij Kosovar. Takimi në fjalë do të organizohet me datën 13 Mars të këtij viti dhe pritet që në delegacionin e Sllovenisë të jenë afër 40 ndërmarrje të sektorëve të ndryshme duke filluar nga ndërtimtaria, prodhimtaria, infrastruktura, edukimi, IT dhe telekomunikimi dhe fusha të tjera të cilat do të jenë interesante për zgjerim të bashkëpunimit. Kjo u theksua sot në një takim të përbashkët në mes të ambasadorit të Sllovenisë në Kosovës z.Bojan Bertoncelj me bashkëpuntorë dhe Kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës z. Safet Gerxhaliu.
Takime të tilla janë një mundësi e mirë për të forcuar bashkëpunimin ekonomik i cili bazohet edhe në raporte shumë të mira politike në mes të dy shteteve mike. Sllovenia ka kaluar me sukses procesin e tranzicionit dhe sot është anëtare e barabartë në familjen evropiane prandaj ky forum ekonomik do të jetë një mundësi e mirë që nga format klasike të bashkepunimit ekonomik të kalohet në forma të avancuara e në vencanti në hulumtimin e mundësive për realizimin e projekteve të përbashkëta të financuara nga fonde të ndryshme ndërkombëtare e në vecanti nga IPA – fondet theksoi z. Gërxhaliu.