Fragment nga romani në dorëshkrim, 'Saga e Malmirit', vepër e autorit, Ahmet Qeriqi

Fragment nga romani në dorëshkrim, ‘Saga e Malmirit’, vepër e autorit, Ahmet Qeriqi

  1. Mbytja e Ujkut

         Dimri i ashpër i viteve 1955-1956, malmirasit i kishte gjetur  buzë oxhaqeve,  duke ngrohur gjymtyrët dhe duke prognozuar, sa ditë shkuan nga Shënmitri, sa ditë kishin mbetur  deri në Shëngjergj, kur del Arbaini, kur hyn Hamsini? Kur vijnë e shkojnë “Plakat” duke shkundur shtëllunga bore që do të paralajmëronin mbarimin e dimrit,  Njehsimi, një nga një i ditëve, bëhej në çdo shtëpi, sepse dimri i ashpër kishte bllokuar edhe  jetën, jo vetëm  në pjesën jugore të Drenicës. Dëbora, vende-vende kishte arritur lartësinë prej një, deri një metër e gjysmë e më shumë.  Nën presionin e frymës nga veriu, ajo kishte mbuluar edhe rrugët që sapo ishin hapur. Fërfëlliza  mbulonte lugjet me borën e   brigjeve.

Asgjë nuk pipëtinte në fshat, përveç tek-tuk ndonjë e pallur lope, apo viçi në ahur, ndonjë blegërimë deleje, ndonjë lehje apo cijatje qeni, ndonjë krrokatje korbi në majat e lisave, ndonjë fluturim i ndonjë sorre drejt lugjeve, ku uji kishte shkrirë borën…

Nga oxhaqet e shtëpive tymi nuk ndalonte ditë as natë.

Dimri i acartë ishte shtrirë pamëshirshëm në kasollet dhe shtëpitë e fshatit. Jeta ishte paralizuar dhe lëvizjet nga fshati në fshat ishin bërë të pakalueshme. Nëpër lagjet e fshatit hapeshin  vetëm rrugët këmbësore, të cilat për pak kohë mbylleshin nga fërfëlliza dhe era  e fortë, që kur ndeshej në plepat buzë lumit krijonte efekte të përziera tingujsh fërshfëllues. Era fshikulluese që frynte aq mizorisht nga veriu, dukej sikur paralajmërues i një kobi, i një dimri që do të linte pasoja, te njerëzit e te të gjitha gjallesat…

        Bariu i fshatit, Lan Bungu, pa aguar dita kishte mbytur një ujk, duke e goditur  me sëpatë, në kohën kur llava e ujqve i kishte sulmuar vathën, ku kishte vetëm pesë dele  në tëbanin mbi shtëpi. Dy orë më vonë, ujkun e mbytur e kishte ekspozuar te “Mullini i Katunit”. Kishte rregulluar një ngrehinë mbi një degë druri dhe e kishte vendosur në pozitë sulmi. Pastaj i kishte ftuar fshatarët t’i provonin qentë, se cili prej tyre do të guxonte ta sulmonte ujkun e mbytur, të cilin e kishte vendosur “te Shelgu, afër mullirit”, ndërsa kokën ia kishte lidhur me një litar të hollë, për ta lëvizur nga dega e lartë e shelgut, në kohën kur do të sulmonte ndonjë qen. Ishte një “zanat” që e kishte mësuar nga barinjtë e tjerë, por edhe vetë qysh kur kishte qenë fëmijë i kishte rastisur të merrte trupin e  ujkut të ngordhur me qëllim për t i sprovuar  qentë dhe për të mësuar se cili qen në fshat mund ta sulmonte ujkun, sepse të gjithë barinjtë i lavdëronin qentë e tyre, duke bërë me gisht se “ky  apo ai qen përballet me ujkun”.

– E ke mbytë apo e gjete të coftë, i thotë Fat Kadiri duke e qesëndisur fqinjin, i cili në atë ditë me acar kishte vendosur t’ i argëtonte bashkëfshatarët. Lajmi i mbytjes së ujkut ishte përhapur shpejt, sidomos te fëmijët, të cilët tërë ditën rrëshqisnin me saje në rrahet,  që i hapnin për çdo mëngjes burrat e fshatit në lëvizjet e tyre ditore.

– Bjere  qenin e provoje, ia kthen Lani,  i sigurt se asnjë prej qenve nuk do ta sulmonte ujkun, edhe  pse të ngordhur.

– Ke gjetur kohë për karaxhozllëk në këtë dimër, që na ka depërtuar  në palcë!-kishte dëgjuar një zë nga ana e epërme e Mullirit.

– Çka të bëj tjetër, o Bacë. Bora na i ka zënë shtigjet. Në mal nuk po mund të shkojmë. Nuk qëndrohet  tërë ditën te oxhaku. Ulem aty dhe gruaja më thotë shtyju andej, se po e qes bukën në çerep. Kur isha më i ri kurrë nuk më thoshte, shtyhu.  Dal në anën tjetër, nëna plakë  ankohet se po ia zë vendin. Fëmijët ulërijnë. luajnë çaka-rrokas, ndiqen, përplasen….

– Hej a përnjëmend ujk është?, – kishte thirrur një zë nga larg.

– Ujk, ujk, madje i madh sa një thi i egër, eja më afër, nëse dëshiron  ta shohësh!

– Vallaha po shkoj ta marr “Rrcokun” . Ki me pa shka ke me t’ i ba!

– I bën, i bën, nëse  ia mbanë!.

          Ndërkohë Fat Kadiri, kishte nxjerrë qenin nga stela,  ku e mbante lidhur me zinxhirë. Ia kishte ndërsyer që nga larg  “ujkut të mbytur”. Qeni balosh  në fillim kishte lehur dhe ishte nisur me turr drejt vendit,  afër Mullirit, ku qëndronte ujku.  Sapo ishte afruar në dy tre metra, Lani ia kishte ngritur kokën ujkut përmes spangos së lidhur në degën e shelgut. Qeni në çast kishte ndalur në vend, duke u tërhequr. Ai kishte filluar cijatjen dhe kishte ulur bishtin.

– Kape thi!,  – i kishte bërtitur i zoti duke e goditur me një shkop në shpinë.

Turma e tubuar, që po bënte sehir shkulej së qeshuri. Asnjë nga qentë nuk po i binte ujkut. Në fillim të gjithë turreshin e ndonjëri  edhe afrohej krejt pranë, por sapo Lan Bungu ia lëvizte kokën ujkut, me spangon që e kishte varur në degën e shelgjishtes, qeni zmbrapsej.

Deri në mesditë ishin provuar shumica e qenve të fshatit në kohën kur Rrah Prroni kishte sjellë qenin, për të cilin thoshte se është qen i Sharrit. Murraku,  nuk lehte, as i sulmonte njerëzit. I zoti i qenit, nuk linte vend pa e lavdëruar, duke e shpallur si qenin më të fortë, për duel edhe për ndjekje të ujqve. E kishte për treg, meqë kishte pa paguar një taksë për vjedhje drush në pyll dhe mendonte që tani ishte koha kur murraku do ta dëshmonte trimërinë, në mënyrë që pastaj të flitej për të si “qen që i bie ujkut” dhe që do të kishte dëshmitarë shumicën e banorëve të katundit.

Paraqitja nga larg e “Murrakut” përcillej me kureshtje nga të pranishmit, meqë të gjithë mendonin se nëse kishte qen, që i binte ujkut, doemos se duhej të ishte qeni i Rrahut.

Sapo e kishte parë, ujkun, qeni i majmë dhe trashaluq kishte cijatur dhe iu kishte drejtuar jo me vrap, por me drojë. Fillimisht kishte marrë erë në shtegun nga kishin kaluar qentë e tjerë. I zoti i qenit,  e kishte goditur prapa në befasi duke e ndërsyer me zë të lartë. Në momentin kur ishte afruar në pozitë sulmi, Lan Bungu e kishte tërhequr me shpejtësi spangon e lidhur në degë dhe kishte ngritur pezull ujkun e ngordhur.  Nga ngritja e papritur e trupit të ujkut edhe pse i mbytur, ishin frikësuar edhe fëmijët, që po përcillnin spektaklin më interesant  të asaj dite  dimri. Qeni kishte mbledhur bishtin dhe ishte kthyer te këmbët e të zotit, i cili i zemëruar pa masë kishte filluar ta godiste me sa fuqi kishte. Ai vetëm cijaste dhe nuk i shqitej nga këmbët, edhe sikur ta vriste. Të gjithë të pranishmit kishin filluar ta qesëndisnin, Rrah Prronin, i cili ishte zënë ngushtë. Nga zemërimi i egër kishte goditur qenin me shqelma e me një lloz druri, po ai nuk kishte lëvizur nga vendi.

-Mos e rrah qenin o Rrah Ziu, po e sheh se  as qentë e tjerë nuk po i bien, i kishte thënë, Jak Beha, i cili kishte dalë për të parë spektaklin, ku po provoheshin qentë se cili ishte më trim, cila nga ta po i binte ujkut.

        Ende pa mbaruar spektakli i sprovimit të qenve, në rrugën që vinte nga Sadrani, ishin dukur katër vetë hipur  mbi një qerre me rrota hekuri, “një kerr i hekurit” sikur i thoshin fshatarët asokohe,  të cilin e tërhiqnin dy kuaj të fortë. Ata  ishin habitur sesi kishte arritur ajo qerre ta hapte rranë, që e kishte pezulluar bora nga çdo anë.

Lan Bungu, Rrah Kadiri, Jak Beha dhe shumë fshatarë të tjerë, në mesin e tyre edhe shumë fëmijë nga të gjitha lagjet e fshatit, kishin drejtuar sytë te të sapoardhurit. Tre nga burrat, ishin veshur trashë me rroba dimri dhe  mbanin shapka të leshta mbi kokë. Të tre ishin të armatosur. I zoti i qerres, që i ngiste kuajt, mbante  në kokë një qeleshe të bardhë dhe përreth e kishte lidhur edhe shallin e trashë, meqë fërfëlliza e borës nuk ishte ndalur gjatë tërë ditës.

Qerrja ishte ndalur buzë lumit, në vendin ku ishin tubuar fshatarët. Tre të sapoardhurit kishin zbritur dhe me grushtin lart  kishin përshëndetur të pranishmit.

Zdravo narode, stoko moja, 1) – përshëndetje popull, kafsha ime, kishte thënë  burri i gjatë me mustaqe të zinj dhe fytyrë të gjerë, por gati të mërdhirë nga të ftohtit. Ishte mbështjell me një pallto të leshtë dimri, ndërsa  në krah mbante automatikun. Përshëndetjen  e tij në gjuhën serbe  e kishte marrë me vete oshtima e ujit të lumit, që dilte me shpejtësi nga butia e Mullirit të Katundit, ku atë ditë ishin tubuar fëmijët e fshatarët për ta parë spektaklin e tyre të preferuar. Përshëndetjen fyese të inspektorit të UDB-së, në gjuhën serbe nuk e kishte kthyer  askush. Shoqëruesi i tij, një burrë i shkurtë, me një kapelë franceze të ngrehur deri në veshët dhe   me vështrim zhbirues, po ashtu me armë në krah, iu kishte drejtuar turmës, në një shqipe të çalë. Ai u kishte thënë që në mbrëmje, të lajmëronin bashkëfshatarët dhe çdo shtëpi ta dërgonte nga një anëtar te familjes te  shkolla e fshatit, meqë do të mbahej një mbledhje me rëndësi.

Shoqëruesi tjetër ishte, jugo-komunari,  Himë Ziu, nga fshati Sadran, të cilin e njihnin të gjithë. Ai  ishte zemëruar me të pranishmit, që nuk ia kishin kthyer përshëndetjen shefit nga Komiteti dhe iu kishte drejtuar atyre:

– Shka jeni tubu’ kështu, mos asht ndoj demostraci, ktu?

– Po i sprovojmë qentë, komisar, ia kishte kthyer përgjigjen, Shet Rama, një burrë i njohur për hoka por edhe për romuze, i cili po ashtu kishte dalë për ta parë “spektaklin”.

– Po i provoni apo po i tridhni?

– Jo mor ti, qentë këtu nuk i tredhim, ti e di mirë, por e kemi mbytur një ujk dhe po i provojmë, a po i bien.  Tre zyrtarët serbë të Komitetit të Ulpianit ishin bërë kureshtarë të mësonin se ç’ po ndodhte, ndërkohë që Lan Bungu u kishte shpjeguar rastin e tubimit të fshatarëve e fëmijëve për ta parë “spektaklin” e asaj dite  të acartë dimri.

Mustaqeziu  kishte nënqeshur derisa kishte shikuar ujkun, për të parë dhe për të vërtetuar se  me çka ishte goditur, me sëpatë sikur thoshte i “i zoti i ujkut të ngordhur” apo me armë zjarri.

– E kam mbytur me sëpatë, ja këtu i kam rënë mu në qafë. Për pak sa nuk m’i mbyti dhentë, të tjerët ikën, ky kishte mbetur pas derës, kishte shpjeguar Lani.

– Veç ti qenke qen që i bjen ujkut, i kishte thënë me  cinizëm dhe krekosje serbi i Komitetit, në gjuhën e vet, ndërsa Lani nuk kishte kuptuar asnjë fjalë, por e dinte se “shkiet” dinë vetëm të shajnë dhe të rrahin.

Imaçe dana za drugog  mekdana, 2)   do të ketë ditë edhe për mejdan, kishte thënë ai. Të  tre burrat e “komitetit” kishin hipur në qerren e kalit dhe ishin drejtuar te shkolla e fshatit.

Me nisjen e qerres që barte inspektorët e milicët drejt shkollës së fshatit, kishte mbaruar edhe spektakli i ditës, ndërsa Shet Rama kishte konstatuar  se ishte hera e parë që në Malmir  nuk ishte gjetur asnjë qen për be, që t’ i binte ujkut. Ai kishte parë edhe sa e sa spektakle të tilla në të kaluarën, po nuk kishte ndodhur asnjëherë të mos gjendeshin qoftë dy apo tre qen, që i binin ujkut.

– “Na ka ra poshtë  edhe soji i qenve, priteni ndonjë  ditë kur ujqit do të na  futen edhe në soba të nuseve”, kishte thënë Shet Rama i njohur për romuzet, që i kurdiste aty për aty, të cilat nuk i kishte thënë pa qëllim, por atë ditë me to  nuk kishte qeshur askush. Të gjithë të pranishmit tashmë e kishin nuhatur se çka do t i priste ditën e nesërme. “Spektakli” i rastësishëm dhe argëtues te “Mullini i Katunit” do të mbahej  mend si prelud i një spektakli të madh, që do të zhvendosej te Shkolla e fshatit…

 

Kontrolloni gjithashtu

Isuf Bytyçi: Festa e festave, 28 nëntori – Dita e Flamurit

Isuf Bytyçi: Festa e festave, 28 nëntori – Dita e Flamurit

Pikërisht sonte më 28 nëntor 2024 në ora 18:00 organizoi manifestim konsullata e Shqipërisë për …