Kryetari i Francës, Fransua Hollande, i cili ishte duke parë ndeshjen miqësore Francë-Gjermani, ishte larguar për arsye sigurie nga stadiumi, ndërkohë që të gjithë tifozët e pranishëm janë bllokuar brenda stadiumit, për shkak se janë mbyllur dyert e tij. Pas qetësimit të situatës jashtë stadiumit, ata u lanë të dilnin jashtë tij.
Dëshmitarët pranë stadiumit kanë thënë për gazetën “Liberation” se ka dëgjuar mbi 100 të shtëna, ndërkohë që agresori dyshohet të jetë larguar nga vendi i ngjarjes.
Të shtëna dhe shpërthime bombash janë dëgjuar edhe në galerinë e artit “Louvre”, si dhe në dy qendra tregtare. Ndërkaq, në Francë, presidenti Hollande ka thirrur një mbledhje të kabinetit të emergjencave duke startuar kështu të ashtuquajturin plan alfa të kuq, i vlefshëm në çdo rast kur ndodh ndonjë sulm terrorist në territorin francez.
Në konferencën e shkurtër për shtyp, presidenti Hollande u shpreh se “populli francez duhet të qëndrojë i bashkuar dhe i qetë, pavarësisht çfarë po ndodh”, ndërkohë që ka urdhëruar mbylljen e kufijve të Francës, për të shmangur ndonjë largim të mundshëm të terroristëve. Hollande ka shtuar se “janë duke u kryer të gjitha operacionet e nevojshme në këtë situatë, ndërsa forcat e policisë janë në kërkim të atentatorëve në Paris”.