Në Gjykatën Speciale në Hagë, në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dje ka filluar të dëshmojë Francis Ledwidge, oficer i ushtrisë britanike i cili kishte shërbyer në Kosovë gjatë periudhës së luftës. Ai është dëshmitari i katrëmbëdhjetë por i cili dëshmon pa masa mbrojtëse në seancë publike. Oficeri britanik derisa është intervistuar nga mbrojtja e Hashim Thaçit, është pajtuar me avokatin se serbët sajonin operacione vetëm sa për ta etiketuar UÇK-në si terroriste. Gjatë dëshmisë së tij ai ka thënë se për Hashim Thaçin nuk kishte dëgjuar deri në kohën e Rambujesë. Ndërsa ka folur edhe për një ofensivë në Rahovec ku ka thënë se forcat serbe kishin vrarë një numër të madh të shqiptarëve.
