Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Amerika jep alarmin e influencës ruse dhe kineze në Evropën Lindore dhe Qendrore

 Wess Mitchell, është Ndihmës Sekretar i Shtetit Amerikan për Evropën dhe Euro-Azinë.  Diplomati Mitchell, konsiderohet si një prej ekspertëve më të njohur amerikanë mbi punët e Evropës Qendrore dhe Lindore.   Në një fjalim që ka mbajtur në Fondacionin Heritage në Washington qershorin që kaloi, diplomati i lartë amerikan kishte njoftuar strategjinë e politikës së jashtme të Administratës së Presidentit Trump ndaj Evropës. Thelbi i atij fjalimi, mbi strategjinë e politikës amerikane në Evropë ishte se Shtetet e Bashkuara e shikojnë Evropën me syzat e një konkurence politike strategjike midis qytetërimit Perëndimor dhe alternativës së një autokracie absolute cariste dhe komuniste që sjellin Rusia dhe Kina.

Por të ënjtën e javës që kaloi, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, foli në Këshillin e Atlantikut në Washington, në mënyrë më të theksuar dhe më urgjente, për shtrirjen aktuale të influencës ruse dhe kineze në Evropën Lindore dhe Qendrore, duke thënë se, “Këthimi i konkurencës midis shteteve të mëdha është një fakt përcaktues gjeopolitik i kohës në të cilën jetojmë”. Ai u tha të pranishëmve se rivalët e Shteteve të Bashkuara janë duke shtrirë influencën e tyre në Evropën Lindore dhe Qëndrore në dëm të Aleancës Perëndimore. “Konkurrenca e sotëme politike ndihet në mënyrë të mprehtë në Evropën Qendrore dhe Lindore. Nga Baltiku e deri në Adriatik, anë e mban gadishullit Ballkanik e deri në Kaukaz, rivalët e Amerikës po shtrijnë influencën e tyre politike, ushtarake dhe tregëtare”, ka thekësuar diplomati amerikan, i cili është përgjegjës për politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Evropës dhe Euro-Azisë.  Ai nënvijoi se “Për një kohë tepër të gjatë tani, Perëndimi nuk e ka marrë seriozisht këtë konkurrencë” ruse dhe kineze në Evropën Lindore dhe Qëndrore.  Në fjalimin e tij në Këshillin e Atlantikut në Washington, Z. Mitchell tha se, “Rusia përdor taktika manipulative përsa i përket shitjes së energjisë, korrupsionit dhe propagandës, me qëllim për të dobësuar vendet perëndimore nga brenda dhe për të minuar lidhjet e tyre me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Kina, nga ana tjetër, thekësoi ai, përdor diplomacinë e borxheve, për të siguruar koncesione në infrastrukturën e shteteve më të vogëla të rajonit euro-aziatik.

Për shtrirjen e influencës së hapët ruse në këtë rajon është folur dhe është shkruar shumë në vitet e fundit, por të përmendurit e shtrirjes së influencës kineze në Evropë dhe Euroazi, në fjalimin e Z. Wes Mitchell javën që kaloi, pasqyron një fokusim më të madh të Administratës së Presidentit Trump mbi shtrirjen ndërkombëtare të influencës kineze në përgjithësi, përfshirë edhe fjalimin e Zëvëndës Presidentit amerikan, Z. Mike Pence, më heret këtë muaj, në të cilin ai numëroi një seri veprimesh aggressive në botë, nga ana e Pekinit.  Si pasqyrim të shtrirjes së influencës kineze në Evropë, Z. Mitchell theksoi faktin se investimet kineze në kontinentin evropian vitin që kaloi, “Ishin gjithsejt 318-miliardë dollarë”, duke shtuar se, “Pekini kontrollon ose ka pronë të tijën pothuaj një të 10-tën e kapacitetit të porteve evropiane.”

Përball këtyre fakteve – nënvijoi Z. Mitchell, “Shtetet e Bashkuara nuk mund të rrinë duar-kryq ndaj këtij kërcënimi në rritje e sipër ndaj Evropës Qendrore dhe Lindore.  “Ne nuk mund të konsiderojmë si një punë të kryer faktin se vendet e ndryshme do të mbeten automatikisht miqësore me Amerikën, por duhet të bëjmë çfarë është e mundur që të ndalojmë dominimin e këtyre vendeve nga rivalët e Amerikës”, është shprehur diplomati i lartë amerikan.  “Washingtoni duhet të bëjë më shumë” për të kundërshtuar influencën ruse e kineze në Evropë, tha ai, por Washingtoni pret gjithashtu nga vendet të cilat i ndihmon Amerika, të mos mbështesin rivalët tonë”.  Duke u folur drejt për së drejti evropianëve, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, tha se, “Evropiano-perendimorët nuk mund të vazhdojnë të thellojnë varësinë e tyre energjetike me të njëjtën Rusi, nga e cila Amerika, njëkohsisht edhe i mbron.  Ose që të pasurohen nga i njëjti Iran”, theksoi ai, “I cili prodhon raketa balistike që kërcënojnë Evropën.” Ndërkaq, Z. Mitchell tha se shpreson se do të bindet Turqia që të heq dorë nga blerja e njoftuar e raketave ruse nga Ankaraja me një vlerë prej 400-milion dollarësh, me shpresën, tha ai, për të mbajtur Turqinë, jo vetëm në një trajektore politike perëndimore, por edhe në një trajektore strategjike të Perëndimit.”

Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Wes Mitchell kritikoi gjithashtu edhe “Shumë prej aleatëve të ngushtë të Amerikës në Evropën Qëndrore dhe Lindore”, të cilët, sipas tij brenda vendeve të tyre, “Kanë venë në veprim rrjete korrupsioni që bashkpunojnë me ndërmarrje shtetërore, brenda një sistemi që favorizon Kinën dhe Rusinë”.  Kjo, situatë e krijuar, theksoi ai, nuk u jep të njëjtën mundësi veprimi dhe nuk është e volitshme për firmat amerikane, ka thënë ai.  Zyrtari i lartë amerikan tha në fjalimin e tij në Këshillin e Atlantikut të ënjten që kaloi, se Shtetet e Bashkuara do t’u japin gjithmonë prioritet me ndihma dhe mbështetje, atyre vendeve që janë miqtë tanë, por njëkohësisht, shtoi ai, Washingtoni, “U bën thirrje këtyre vendeve që të ndjekin shembullin tonë dhe të përmirësojnë e të forcojnë ligjet me qëllim që të kontrollohen më mirë investimet e huaja nga kërcënimet që mund t’i vijnë sigurisë kombëtare nga këto investime”, në vendet e rajonit euro-aziatik.

  1. Mitchell tha, në fjalimin e tij javën që shkoi se grindjet midis disa qeverive të Evropës Lindore e Qendrore me Bashkimin Evropian, kanë bërë të mundur që Rusia dhe Kina ta paraqesin veten para këtyre vendeve si, “Kampionë të sinqertë të pavarësisë së vërtetë kombëtare”, një zhvillim ky, që sipas diplomatit të lartë amerikan, nuk mund të merret as me mend. “Aleatët tonë në Evropën Qendrore dhje Lindore nuk duhet të kenë asnjë iluzion se këto fuqi (Rusia dhe Kina) janë miqtë e tyre”, duke shtuar se, “Ideja se Vladimir Putini është me të vërtetë mbështetës i pavarësisë kombëtare të një shteti të vogël, është çmenduri…  Mbështetja jonë ndaj pavarësisë dhe integritetit kombëtar, është pikërisht ajo që dallon Perëndimin nga regjimet autoritare”, dhe udhëheqsit e tyre, siç janë Rusia e Kina.  Ndryshe nga rivalët tonë, u shpreh Z. Mitchell, “Amerika nuk kërkon shtete të varura tek ne, por kërkon aleatë dhe partnerë të fortë të cilët janë të lirë, të pavarur dhe shtete të cilat janë të gatëshme dhe që kanë mundësi të kontribojnë për mbrojtjen e përbashkët perëndimore… Janë aleatët e fortë dhe të pavarur, dhe jo shtetet e dobëta varëse, ata që do të bëjnë të mundur që Perëndimi të triumfojë përsëri”, ka thënë diplomati i lartë amerikan.

Megjithë paralajmërimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit për rrezikun që paraqet shtrirja në rritje e sipër e influencës ruse dhe kineze në Evropën Lindore dhe Qëndrore, diplomati lartë amerikan, Z. Wes Mitchell përfundoi fjalimin e tij në Këshillin e Atlantikut në Washington me një notë optimiste se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do t’i mundin kundërshtarët e tyre në Evropë. “Një prej përparësive më të mëdha në garën e Amerikës me rivalët e saj autokratë, është vetë historia e Shteteve të Bashkuara, pra, trashëgimia jonë si një popull demokratik, bujar e shpirtmadh, energjetik e plot incitiativë”, përfundoi ai fjalimin e tij javën që kaloi — duke i siguruar të pranishmit se kjo trashëgimi dhe përvojë e përbashkët edhe në “luftën kundër tiranisë” gjatë shekullit të kaluar, së bashku me popujt e Evropës Qendrore dhe Lindore, do të mund të garantojë përsëri që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë t’i ruajnë dhe t’i mbrojnë frontet e lirisë, edhe në të ardhmen.

Zoti Mitchell tha se “Me aleatë të fortë, të mbështetur nga dashuria e tyre për liri, e që është trashëgimia më e madhe e Perëndimit, ne do të triumfojmë përsëri”, përballë shtrirjes aktuale të influencës, në rritje e sipër, të Rusisë dhe Kinës në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …