Frank Shkreli: Autori Shqiptaro-Amerikan Albert Lulushi me një libër të ri

Frank Shkreli: Autori Shqiptaro-Amerikan Albert Lulushi me një libër të ri

Shqiptaro-Amerikani Albert Lulushi njihet si autor tepër i suksesshëm këtu në Shtetet e Bashkuara i disa librave në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe jo vetëm në këtë fushë. Ai konsiderohet si njëri ndër ekspertët më të dalluar në këtë fushë gjatë 20-viteve të kaluara këtu në Amerikë, ndërkohë që ekspertizën e tij në fushën e Teknologjisë së Informacionit, ai e ka përdorur me mjeshtëri duke punuar për ente të ndryshme të qeverisë federale të SHBA-së dhe për disa nga kompanitë më të njohura dhe më të suksesshme amerikane dhe ndërkombëtare .

Përveç librave të botuar mbi Teknologjinë e Informacionit gjatë dy dekadave të fundit, në verën e viti 2014 ai vendosi të dilte krejtësisht nga fusha e tij e veprimtarisë së Teknologjisë së Informacionit në të cilën, me punë të rëndë dhe përkushtim të vendosur kishte bërë emër.  Atë vit ai botoi librin mbi historinë e misionit të parë të Agjencisë Qendrore të Zbulimit Amerikan, CIA me titullin, “Operation Valuable Fiend” ose në shqip, “Operacioni Kundërshtari i Dobishëm.”   Është ky një libër në të cilin përshkruhen në hollësi — bazuar në gjurmimet shkencore të autorit Lulushi dhe në dokumentat arkivore të dorës së parë të asaj kohe si dhe në një bibliografi të pasur — përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri, përpjekje këto që kishin filluar në në vitin 1949.

Libri më i ri i autorit Albert Lulushi, i posa botuar nga shtëpia botuese Arcade Publishing e New Yorkut mban titullin, “Donovan’s Devils” ose “Djajtë e Donovanit”, sipas komandantit të parë të Forcave Speciale OSS, William Donovan, një avokat republikan nga New Yorku i emëruar në atë detyrë nga Presidenti i atëhershëm amerikan Franklin Delano Roosevelt, ndërsa Shtetet e Bashkuara po përgatiteshin për luftë me Gjermaninë dhe me Japoninë.  Është kjo një histori për të cilën është shkruar edhe më parë nga autorë të tjerë amerikanë, por megjithkëtë mbetet një histori shumë pak e njohur e këtyre Forcave Speciale para-ardhëse e atyre që sot njihen si, “Forcat Speciale Amerikane” dhe para-ardhëse gjithashtu të CIA-s së sotëme.  Subjekti i librit të ri të Albert Lulushit është pra krijimi dhe veprimtaria e zyrës së parë moderne amerikane të shërbimit të fshehtë, të quajtur Zyra e Shërbimeve Strategjike të Shteteve të Bashkuara, që njihej shkurtimisht me germat OSS.   Libri i ri “Donovan’s Devils” i Albert Lulushit, plotëson boshllëkun që ekzistonte në njohurinë dhe historinë e veprimtarive të OSS-it, libër ky i cili është vlerësuar nga kryehistoriani i CIA-s, Z. David Robarge, i cili është shprehur se “Më në fund, në sajë të Albert Lulushit, OSS-it i jepet vendi i duhur në histori.”

Ndryshe nga librat e autorëve tjerë mbi këtë subjekt — të cilët sipas autorit janë përqëndruar në antarësimin në këto grupe të pjesëtarëve të elitës amerikane të asaj kohe — Lulushi thekson se qëllimi i tij me botimin e këtij libri ishte që të portretizonte dhe të dokumentonte më tepër historinë e “njerëzve të thjeshtë që ishin rekrutuar nga radhët e brezave të parë dhe brezave të dytë të emigrantëve në këtë vend”.   Lulushi shkruan se këta imigrantë, njerëz të thjeshtë e të rëndomtë, të cilët iu përgjigjen thirrjes për të shërbyer – u vendosën prapa vijave të armikut për të luftuar gjermanët dhe italianët. Ata, shton autori, u paraqitën vullnetarë për të marrë pjesë në akcione tepër të rrezikshme duke rrezikuar jetën e vet me veprimtaritë e tyre prapa vijave të armikut, kryesisht në Europë, përfshirë Francën, Italinë, por edhe vendet e Ballkanit.  Lulushi është shprehur se me këtë libër ai është përpjekur të paraqesë një pasqyrë të gjithanshme dhe sa më afër realitetit që ishte e mundur”.

Albert Lulushi shkruan se ishte e pamundur që në librin e tij të përfshiheshin aktivitetet e shumta të OSS-it anë e mbanë botës, andaj ai vendosi të përqëndrohej mbi veprimtarinë dhe misionet e Komandës të Grupeve Operative në zonën e Mesdheut dhe në teatrin e operacioneve të luftës në Europë. Ndërsa pjesëmarrësit në këto operacione hidheshin si parashutistë nga ajri apo deti për të infiltruar në territorin e kontrolluar nga armiku nën fshehtësinë absolute të territ të natës, misioni i fshehtë i këtyre grupeve operative, sipas autorit, ishte që t’i shkaktonin armikut shkatërrim dhe konfuzion duke kryer sabotime, por edhe duke organizuar rezistencën vendase kundër armikut.  Pjesë e rëndësishme e operacioneve të këtyre grupeve operative të OSS-it ishte ndër të tjera edhe shpëtimi i ushtarakëve dhe personelit amerikanë, të robërve të luftës, evakuimi siç ishte rasti i shpëtimit të infermiereve amerikane nga territori i Shqipërisë.

Zyra e OSS-it që mbulonte Shqipërinë dhe Ballkanin ishte e vendosur në Bari të Italisë dhe kishte zhvilluar një përvojë të konsiderueshme për shpëtimin e personelit amerikan prapa vijave të armikut.   Lulushi konsideron se njëra prej operacioneve të para dhe më të suksesshme e këtij grupi ishte shpëtimi i 13 infermiereve, 13 teknikëve mjekësorë amerikanë dhe ekipazhit prej katër antarësh, pasi aeroplani i tyre në udhtim e sipër nga Katania e Sicilisë për në Bari, më 8 nëntor 1943, për arsye të kohës së keqe mbi Mesdhe kishte humbur drejtimin duke e detyruar të fluturonte gabimisht mbi territorin e Shqipërisë. Aeroplani amerikan me pasagjerët brenda u qëllua nga armiku me top kundërajror duke e detyruar të ulej në një fushë të Shqipërisë qëndrore. Ndërkohë që aeroplani u shkatërrua nga sulmi, fatbardhësisht pasagjerët dhe ekipazhi i shpëtuan përplasjes së aeroplanit. Një grup partizanësh shqiptarë, shkruan Lulushi, i transportoi ata në një zonë malore në jug të Shqipërisë që kontrollohej nga ata. Sidoqoftë, megjithë rreziqet me të cilat përballeshin amerikanët në një territor të panjohur për ta — të kontrolluar nga partizanët dhe nga forcat nacionaliste — ishte oficeri i Forcave Speciale Amerikane, OSS, Lloyd G. Smith, ai i cili me ndihmën e një oficeri britanik, i atashuar pranë grupeve partizane, pothuaj dy muaj pas sulmit dhe përplasjes së aeroplanit amerikan në Shqipërinë e Mesme, evakuoi me fshehtësinë më të madhe nga territori shqiptar grupin mjekësor amerikan.  Ishte data 9 janar, 1944 kur në Bari të Italisë nga bregdeti shqiptar arrijti anija në të cilën gjëndeshin 10-infermiere amerikane, 13 teknikë mjekësorë dhe katër antarë të ekipazhit, të shoqëruar nga oficeri i Forcave Speciale amerikane OSS, i cili me aftësinë dhe prëvojën e tij i shpëtoi ata duke i larguar ata nga territori shqiptar.    Lulushi citon oficerin britanik i cili shoqëronte grupin e infermiereve dhe teknikëve shëndetsorë amerikanë, të ketë thënë se atij, “i kishte lënë përshtypje të madhe mikpritja e banorëve të fshatrave shqiptare nepër të cilat ata kaluan fshehurazi, madje edhe përball reprezaljeve të forcave gjermane.

Megjithëse evakuimi i amerikanëve nga Shqipëria doli me sukses, ky nuk ishte një mision i kryer, pasi 3 infermiere amerikane, shkruan autori, ishin ndarë nga grupi si përfundim i një sulmi gjerman, ndërkohë që eprorët e Oficerit Smith të OSS-it i kërkuan atij që të këthehej përsëri në Shqipëri për të gjetur dhe për të tërhequr së andejmi 3 infermieret amerikane të mbetura pas.   Ndërsa ai kishte pranuar të këthehej për një operacion tjetër shpëtimi në Shqipëri, oficeri Smith ishte informuar nga grupe nacionaliste shqiptare se 3 infermieret amerikane ishin gjallë dhe se po strehoheshin nga një familje shqiptare në Berat, zonë që në atë kohë kontrollohej nga forcat nacionaliste.   Me ndihmën e forcave nacionaliste, shkruan Lulushi, Oficeri i Forcave Speciale Amerikane OSS Lloyd Smith, mundësoi që 3 infermieret amerikane të arrinin më në fund nga strehimi i tyre në Berat në bregdetin shqiptar, ku me 19 mars takojnë oficerin Smith i cili me përpjekjet e tija bëri të mundur trasportimin e tyre nga bregdeti shqiptar në Itali, ndërkohë që heret në mengjesin e 22 marsit, 1944 ata arrijnë shëndosh e mirë në Bari të Italisë, pas një periudhe prej 5 muajsh të fshehur në Shqipëri, ndërkohë që gjatë gjithë kësaj kohe nuk dihej fati i tyre, pasi kishin mbetur prapa vijave të armikut në Shqipëri dhe larg forcave aleate, shkruan Lulushi. Ishte ky një operacion i sukseshëm evakuimi nga Shqipëria i Forcave Speciale Amerikane.

Botimi i librit të ri të Albert Lulushit ka siguruar vlerësime të shumëta javët dhe ditët e fundit nga ekspertë, pjesëmarrës në ato aktivitete dhe njohës të historisë së asaj periudhe.   Njëri prej tyre, miku i shqiptarëve, Frank Wisner është shprehur se libri, “Donovan’s Devils më la gojëhapur. Albert Lulushi na ka dhënë sfondin thelbësor të forcave special”, ka thënë Ish-ambasadori, Nën Sekretari i Mbrojtjes për Politika, dhe Nënsekretari i Shtetit për Çështje Ndërkombëtare të Sigurisë, Frank Wisner.

Vlerësime të tjera të librit të Lulushit përfshijnë pohimin e Jack Devine, ish zëvendës drejtor i CIA-s dhe president aktual i Grupit Arkin, i cili ka vlerësuar librin e ri duke pohuar se, “Lulushi ka prodhuar një libër që duhet lexuar nga çdo nxënës i OSS-it dhe nga publiku i gjerë në përgjithësi.   Libri është mbushur me detaje interesante në lidhje me pak sprova të njohura dhe vështirësi të operacioneve të OSS-it gjatë Luftës së Dytë Botërore.”    Ndërsa enti i librave “Publishers Weekly”, vlerëson se leximi i librit të Lulushit, Donovan Devils është, “Me interes të veçantë për ata që janë sidomos të interesuar në përvojën amerikane të emigranteve dhe në historinë e operacioneve speciale.”   Natyrisht se njohuria e gjuhëve dhe e kulturave të ndryshme të  emigrantëve pjesëtarë të Forcave Speciale, si OSS, e bënte më të lehtë komunkimin e tyre me popullësinë vendase.

Në përgjithësi, vlerësimet nga ekspertë, ish pjesëmarrës në Forcat Speciale dhe njohës të historisë së asaj periudhe janë të shumta dhe tepër pozitive për librin më të ri të autorit shqiptaro-amerikan Albert Lulushi, ashtu siç ishin edhe për librin e tij të parafundit, botuar më 2014 mbi historinë e misionit të parë të Agjencisë Qendrore të Zbulimit Amerikan, CIA në Shqipëri me titullin, “Operation Valuable Fiend”, në të cilin dokumentohen përpjekjet e pasukseshme të Shteteve të Bashkuara për të përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës, në mbarim të ‘40-ave dhe në fillim të ‘50-ave.

Me këtë libër dhe me veprat e tjera para kësaj – si në fushën e historisë ashtu edhe të teknologjisë së informacionit — Albert Lulushi, gjithnjë sipas pohimeve të ekspertëve më të njohur amerikanë në këto fushë, është duke dhënë një kontribut tepër të rëndësishëm dhe të veçantë mbi operacionet e fshehta dhe heroike, por shpeshëherë të keqkuptuara – mbi sukseset por dhe mbi dështimet e asaj periudhe të Luftës së Dytë Botërore në të cilën vepronin Forcave Speciale — të enteve amerikane siç ishte OSS dhe më vonë CIA-s, pasardhëse e saj. Libri, përveç dokumentimit të veprimtarive të asaj periudhe, ofron njëkohsisht edhe mësime nga ajo histori – ashtu me sukseset dhe dështimet e saj — edhe për operacionet e sotëme të Forcave Speciale moderne amerikane, të cilat mund të nxjerrin mësime nga ajo histori që përmblidhet në librin e Lulushit, Donovan’s Devils.

Natyrisht se veprat e shumta të këtij autori në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe në fushën e inteligjencës ushtarake dhe të Luftës së Ftohtë,  janë rezultat i talentit të dalluar por edhe i shembull i punës së rëndë dhe serioze të tij në këto fushë.   Si i tillë, Albert Lulushi nderon veten si ekspert në këto fushë, ndërkohë që konkuron me më mirët e këtij vendi.  Por, me kontributin e tij të shquar në fushën e botimeve me subjekte të ndryshme si edhe me angazhimin e tij në marrëdhënjet e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe Kosovën gjatë viteve të kaluara – autori tashmë i njohur për publikun amerikan dhe jo vetëm, Albert Lulushi, me veprimtarinë e tij dhe me punën e palodhur, nderon njëkohsisht edhe mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan.

 Albert Lulushi, i lindur në Shqipëri, iku në Perëndim në vitin 1990 dhe u zhvendos në SHBA në vitin 1991. Ai ka ndërtuar një karrierë të suksesshme si sipërmarrës i teknologjisë së informacionit duke punuar me agjencitë qeveritare amerikane dhe kompanitë Fortune 500. Lulushi ka ndihmuar Shtetet e Bashkuara në kryerjen e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe Kosovën. Albert Lulushi është autor i librit Operation Valuabe Fiend, nje përzgjedhje e History Book Club dhe Military History Book Club. Ai jeton në Oakton, të shtetit Virginia, afër Washingtonit.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …