Siç është njoftuar tanimë nga Vatikani si edhe nga Kisha Katolike Shqiptare, ceremonia e lumturimit të 38-martirëve katolikë do të celebrohet në Katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër më 5 nëntor 2016. Aktivitete të ndryshme kulturore dhe fetare prej pothuaj një jave, po i paraprijnë ceremonisë solemne. Ceremonia fetare do të kryesohet nga përfaqësuesi i posaçëm i Vatikanit, Hirësia e Tij Kardinali i Kongregatës për Çështjen e Shenjtërve, Angelo Amato. Në këtë ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët do të marrin pjesë zyrtarë të lartë të Kishës Katolike nga Europa dhe mbarë bota. Në një shënjë ringjalljeje të Kishës Katolike shqiptare, do të jenë të pranishëm në ceremoni mbi 300 meshtarë nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan si dhe nga diaspora. Në shënjë simbolike të unitetit kombëtar janë ftuar të marrin pjesë në këtë ceremoni edhe udhëheqsit më të lartë politikë dhe shtetërorë të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Kisha do të jetë e hapur për të gjithë pa dallim dhe përveç mediave të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare që do të mbulojnë këtë ngjarje, pritet që i gjith ky kremtim të transmetohet aty për aty nga televizioni publik shqiptar, TVSH.
Lumturimi i këtyre heronjve martirë të Kishës Katolike dhe të kombit shqiptar të shtunën që vjen, shënjtërimi i bijës së kombit Nënë Tereza fillim shtatorin që kaloi dhe emërimi kardinal nderi i Dom Ernest Troshanit kohët e fundit, janë një njohje nga ana e Vatikanit e vuajtjeve çnjerzore dhe e shfarosjes së një numri të madh të viktimave të pafajshme të regjimit komunist në Shqipëri. Këto tre vendime historike të Vatikanit ndaj Kishës Katolike shqiptare, në të vërtetë, janë një njohje edhe nga mbarë bota — e dhunës dhe e shkeljeve që i janë bërë këtij kombi të vogël për pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, pa dallim feje ose krahine, megjithëse proporcionalisht, kleri katolik e pësoi rëndë nga ky regjim duke pasur numrin më të madh të viktimave.
Në të vërtetë, me njohjen dhe me kurorërzimin e heroizmit fizik dhe shpirtëror të këtyre klerikëve katolikë shqiptarë duke i shpallur të lumtur, Kisha Katolike si një institucion botëror, siç thuhet edhe në një njoftim të Radio Vatikanit, akordoi këtë njohje të merituar jo vetëm martirëve katolikë, por është njëkohsisht edhe një shënjë simbolike mirënjohjeje nga ana e Vatikanit për të gjithë ata burra, gra, pleq e fëmijë, të cilët, si pasojë e një ideologjie ateiste, krejt të huaj për botën shqiptare, u dënuan padrejtësisht gjatë pothuaj një gjysëm shekulli, duke pësuar si pasojë torturat nga më çnjerëzoret që kishte njohur shekulli i kaluar. Si të tillë, këta të lumtur nuk i përkasin vetëm Kishës Katolike por janë edhe heronjë të Kombit shqiptar, të cilët trimërisht, në heshtje dhe plot dinjitet i qëndruan dhunës së bishës së kuqe komuniste sllavo-aziatike të imponuar mbi shqiptarët. Ata ishin dhe janë simbol i qëndresës kombëtare — atëherë dhe sot — ndaj të keqes që i është kanosur këtij kombi të vogël të shumë-vuajtur, i përbuzur dhe i sulmuar gjithmonë nga të huajt, por i cili dijti që përballë sfidave të mëdha historike gjatë shekujve të ruante vlerat dhe virtytet më të larta njerëzore, traditën, gjuhën dhe kulturën, jo vetëm në fushën fetare por edhe atdhetare.
Por megjith këtë histori të tmerrshme dhune, madje edhe sot 25-vjetë post-komunizëm, në nivelet më të larta të institucioneve të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, ka ende individë, përfshirë pseudo-historianë dhe grupe të ndryshme të shoqërisë, të cilët vazhdojnë të fshehin të vërtetën dhe ex-catedra arsyetojnë gjithnjë viktimizimin e këtyre të pafajshëmve dhe të tjerëve si këta se gjoja, sipas tyre, ata kanë na paskan bashkpunuar me pushtuesin dhe si rrjedhim i meritonin mundimet dhe vuajtjet dhe asgjë më pak se zhdukjen e tyre fizike nga shpellarët e ish-regjimit komunist. Është thekësuar shpesh, por më kot, nga shumë vërejtës vendas dhe ndërkombëtarë gjatë 25 viteve të kaluara, sidomos nga miqtë e Shqipërisë dhe të shqiptarve, se autoritetet shqiptare dhe shoqëria në përgjithsi duhet pa tjetër të përballen me të vërtetën e kësaj historie tragjike duke u ërë thirrje që të hapin dosjet e ish-Sigurimit famëkeq të shtetit, me qëllim që të mësohet e vërteta e kësaj historie tragjike.
Para disa ditësh, Zëri i Amerikës, nepërmjet korrespondetit Ilirian Agolli, në një kronikë nga Tirana raportoi se apeli më i fundit drejtuar pushtetarve të Tiranës në lidhje me këtë çështje, erdhi nga Kryetari i Zyrës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bernd Borchardt. Në takimin, “Hapja e dosjeve të Sigurimit – Sa më shpejt aq më mirë”, organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer, ambasadori Borchardt u shpreh se vetëm zbulimi, trajtimi dhe diskutimi i padrejtësive të shkuara, nuk lejon që e kaluara të bëhet barrë për të ardhmen. Çfarë të ardhme duan për vendin e vet, autoritetet shqiptare që për 25 vjetë tani kanë refuzuar hapjen e dosjeve të komunizmit për të zbardhur krimet e komunizmit, përfshirë vrasjet e 38-martirëve që do të lumturohen këtë fund jave në Shkodër. Zëri i Amerikës njoftoi gjithashtu nga konferenca se “Politikanë dhe zyrtarë, socialistë dhe demokratë, morën fjalën për të bërë një mori sqarimesh ligjore dhe procedurash parlamentare, pa mundur të shpjegojnë se si ka ndodhur që pas 25 vjetësh demokraci, përsëri ka mbi një vit që nuk zbatohet as ligji i moderuar i hapjes së dosjeve, që i ofron ato vetëm për studime dhe jo për lustrime”. Një shënjë tjetër kjo e arrogancës dhe e mos-veprimit të autoriteteve shqiptare për një çerek shekulli post-komunizëm, në lidhje me hapjen e dosjeve të komunizmit. Ky nuk është vetëm një qëndrim arrogant i Tiranës zyrtare, por është edhe një sjellje fyese dhe përbuzëse ndaj të gjitha viktimave të komunizmit në veçanti dhe ndaj publikut shqiptar në përgjithësi dhe është një faqe e zezë në biografinë e këtyre pushtetarëve të cilët kanë patur përgjegjësinë, mundësinë dhe autoritetin për të bërë një gjë të tillë.
Prandaj për derisa autoritetet shqiptare nuk hapin dosjet ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste të Europës Lindore dhe për derisa disa pseudo-historianë shqiptarë vazhdojnë të hedhin baltë mbi viktimat e pafajshme të një regjimi kriminal të cilit ata i shërbyen gjithë jetën, Shqipëria as shqiptarët nuk do të ecin përpara. Por ama, duan a s’duan këto mbeturina të regjimit komunist, bota po e zbulon të vërtetën. Këta martirë shqiptarë që sot i njeh bota si të tillë, si dhe pasardhësit e tyre të gjallë, janë vëllezër e motra, pjesëtarë të denjë të një Atdheu të përbashkët i të gjithë shqiptarëve pa dallim. Publiciteti që u jepet në media mendimeve të këtyre nostalgjikëve të shëmtuar dhe të diskredituar të komunizmit në këtë kohë, nuk është diçka e rastit. Këta apologjetë të regjimit vëllavrasës, madje edhe 70-vjetë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, vazhdojnë të mbjellin urrejtje dhe inate midis shqiptarëve duke e mbajtur shoqërinë shqiptare peng dhe në një konflikt të përhershëm, trashëgimi e një regjimi diktatorial dhe të një ideologjie të vdekur. Por këta nostalgjikë të komunizmit ende nuk e kanë kuptuar se e vërteta dhe idetë e mëdha nuk mund të mbahen të mbyllura për gjithmonë në çmendurinë e metalitetit të Enver Hoxhës, ku ata gjithnjë mendojnë, veprojnë dhe jetojnë. Mos mashtroni veten se ju nuk jeni aspak më të mirë e më të denjë të Shqipërisë së Gjergj Kastriotit Skënderbe, të Shqipërisë së Ismail Qemalit, të Fan Nolit, Bajram Currit, të Luigj Gurakuqit e shumë të tjerëve — në krahasim me këta martirë dhe të persekutuar të tjerë të atij regjimi komunist diktatorial që ju gjithnjë gjeni forcën morale ta mbroni. Jo, jo mos e gënjeni veten se nuk jeni aspak më të mirë. Përkundrazi, me qëndrimet tuaja, me shkrimet dhe deklaratat tuaja, ju nuk i bëni nder as vetes as kombit shqiptar, por jeni duke mbajtur pengë Shqipërinë e mjerë, ndërkohë që viktimat e komunizmit po i vrisni për së dyti, për së treti e për së katërti, në të vërtetë sado herë që hapni gojën. Dhe jo vetëm këta të lumtur të Kishës dhe të Kombit, por të gjitha viktimat e komunizmit në Shqipëri të cilët nëpërmjet historisë së këtyre 38 martirëve, tani kundër vullnetit tuaj, bota e njeh sadopak më mirë të vërtetën e krimeve të tmerrshme të burgut të regjimit të Enver Hoxhës ndaj popullit të vet të pafajshëm, në përgjithësi.
Jo vetëm historia e kombit shqiptar pret përgjigje për 25 vjetë tani prej autoriteteve zyrtare të shtetit dhe mbështetësve të këtyre krimeve të insitucioneve të dhunës komuniste, por presin përgjigje edhe martirët që do të lumturohen në Shkodër këtë fund jave. Ata duan dhe kërkojnë të dinë psehen. Duan të dinë se pse u vranë atëherë nga regjimi enverist dhe institucionet e tij të dhunës dhe pse vazhdojnë të vriten edhe sot nga autoritetet e vendit dhe nga nostalgjikët e regjimit enverist. E gjithë kjo në një shtet që pretendon të jetë demokratik dhe i cili mburret me anëtarsimin në Aleancën Ushtarake të Atlantikut, NATO. Vet martirët e Kishës Katolike Shqiptare por as pasardhësit e tyre, ditën e lumturimit të tyre më 5 nëntor në Shkodër, nuk kërkojnë as hakmarrje as dënime kundër askujt, pasi në prak të martirizimit të tyre, ata i kishin falur xhelatët komunistë. Por u kërkojnë autoriteteve shqiptare zbulimin e të vërtetës të së kaluarës komuniste dhe njëkohësisht – para Kombit dhe para botës –kërkojnë njëzëri nga bashkatdhetarët e tyre sot, një përgjigje ndaj këtyre pyetjeve:
“Pse na vratë, o vëllazën shqiptarë; cila ishte e keqja që ju bâmë me misionin tonë, o stërnipa të Kastriotit, ku ua shkelëm doket e zakonet tueja, ku e përdhosëm kanunin tuej, o mbasardhës të Lekës; thue gabuem që ju mësuem ‘Hymnin e Flamurit’ të ngritun në bjeshkët e Dedë Gjo’ Lulit; gabuem, thue, se ecëm ndër gjurmë të opangëve të tija për me mbledhë ushtarë për Krishtin? … Me ruejtë fenë e Tij në tokën tonë të Arbënit? Thue nuk i ndejëm besës suej ndër votrat e sofrat e shtrueme e të çueme prej atyne burrneshave fisnike, që në djep druni përkunden dikur foshnje Nanë Terezën? Gabuem, thue, se kënduem në ‘Lahutë të Malcís’, kangën e Atë Gjergjit e diftuem si vdes shqiptari për Fé e Atme, ashtu si vdiq Gjeçovi? … Por nuk ka gjâ… mbasi na jemi këtu… këtu âsht toka jonë, këtu âsht trupi ynë, këtu âsht edhe gjaku ynë, që u derdh për jú, për idealin ma të naltë, për të cilin vdes shqiptari. Një ditë kemi për t’u ringjallë s’bashkut! (Shënim nga vepra “Çinarët” e Françeskanit shqiptar Konrad Gjolaj, marrë nga Radio Vatikani)
Ka ardhur koha për veprim. Mjaft më me rezoluta dhe projekt-rezoluta boshe që nuk çojnë askund. Tregojeni veten burra se më në fund pas 25 vjetë post-komunizëm jeni gati — institucionalisht dhe moralisht – të zbuloni dhe të njoftoni të vërtetën mbi krimet çnjerzore të regjimit të Enver Hoxhës, duke hapur dosjet e regjimit famkeq. Sepse për shqiptarët, trajtimi i krimeve të komunizmit, sipas ish-ambasadorit gjerman Helmut Hoffman në Tiranë, është një doemosdoshmëri që viktimave të regjimit komunist— të gjallë e të vdekur – në mos asgjë tjetër, të paktën – “T’u këthehet një pjesë e dinjitetit të tyre.”
Këthejani pra dinjitetin dhe nderin jo vetëm viktimave të komunizmit, por mbarë kombit shqiptar. Hapni dosjet e Sigurimit famkeq!