Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Putini nuk është Gorbaçovi dhe Erdogani nuk është Ataturku, madje as Demireli

Kohët e fundit, anëtarë të Kongresit Amerikan, në grupe dhe individualisht, kanë vizituar disa vende të Ballkanit Perëndimor, me qëllim për të parë së afërmi situatën politike dhe ushtarako-ekonomike në atë rajon dhe për të biseduar me udhëheqësit e atyre vendeve mbi shqetësimet e vazhdueshme amerikane dhe të Evropës Perëndimore, në lidhje me influencën e Rusisë dhe të Turqisë, jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perendimor por edhe më gjërë. Në këtë frymë ishte edhe vizita e Zëvëndës – Presidentit të Shteteve të Bashkuara në fillim të gushtit që kaloi, në Podgoricë, në kuadër të mbledhjes së nivelit të lartë të Kartës së Adriatikut, ku morën pjesë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vizita e Z. Pence në Mal të Zi, Estoni dhe Gjorgji, pasoi vizitën që bëri më heret Presidenti Trump në Poloni dhe në Gjermani. Më heret, përfaqsues të lartë të administratës amerikane, si Sekretari i Mbrojtjes Xhim Mattis dhe Sekretari Amerikan i Shtetit Reks Tillerson ishin dërguar në Evropë për të qetësuar shqetësimet e shprehura nga vendet afër kufijve me Rusinë dhe njëkohsisht për t’i siguruar ato se Washingtoni mbështet Aleancën e NATO-s si dhe sovranitetin e vendeve ish-sovjetike, por që ende nuk janë anëtare të saj, siç është Gjorgjia. Mund të thuhet pra se i gjithë ky aktivitet diplomatik, mbrenda disa javëve nga ana e Shteteve të Bashkuara, kishte për qëllim të zhdukte çdo dyshim të vendeve anëtare të NATO-s dhe të tjerëve, se Washingtoni është i zotuar si gjithmonë për mbrojtjen e përbashkët, në rast të një sulmi, të vendeve anëtare të NATO-s, ashtu siç parashikohet në nenin 5 të aleancës. Për më tepër, gjatë vizitës së tij në Evropë, përfshirë Malin e Zi, Zëvendës-presidenti amerikan Pence, përveç se foli për marrëdhëniet bilaterale dhe politikën mbrojtëse, ai theksoi edhe vlerat e lirisë, të demokracisë dhe tolerancës fetare, duke inkurajuar vendet ballkanike që të lidhen me perëndimin dhe të kundërshtojnë përpjekjet ruse, për të përçarë aleancën NATO, e cila e konsideron Rusinë si një kërcënim të sigurisë dhe paqës në kontinentin evropian. Në vazhdën e këtyre vizitave të zyrtarëve më të lartë amerikanë kohët e fundit në rajonin e Ballkanit, ishte ajo e Senatorit republikan nga shteti Uiskonsin, Ron.

Xhonson, njëkohsisht edhe Kryetar i Komisionit të Senatit Amerikan për Sigurinë Kombëtare. Gjatë takimeve të tij në Beograd me zyrtarët serbë, Senatori amerikan u bëri thirrje autoriteteve serbe që të mos i japin statusin diplomatik personelit rus në atë që Moska e cilëson si një “qendër humantitare” ruse, shumë të përflur në Nish të Serbisë, por të cilën shumë ekspertë dhe agjenci perëndimore të shërbimit të fshehtë, thonë se është një çerdhe spiunazhi. Ligjvënsi amerikan i tha Presdientit të Serbisë, Vuçiq, se akordimi i statusit diplomatik personelit në qendrën ruse në Nish, do të ishte, “Një shenjë shumë e keqe” dhe nuk do t’i shëbente interesave të Serbisë, sidomos sa u përket investimeve perëndimore në atë vend. Qendra “humanitare” ruse në Nish — për të cilën kam shkruar edhe më heret e që është hapur në vitin 2012 – sipas shumë vërejtësve të çështjeve të Ballkanit, në të vërtetë, shërben si një qëndër spiunazhi kundër vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe sidomos kundër interesave perëndimore në atë rajon, por përdoret edhe si qëndër propagande për të influencuar opinion publik në favor të politikës dhe diplomacisë së Rusisë në rajonin e Ballkanit. Senatori Xhonson u tha bashkbiseduesve në Beograd se nëqoftse Serbia dëshiron investime nga perëndimi, “Ajo duhet të tregojë shënja se preferon stilin qeverisës të demokracive perëndimore dhe tregun e lirë dhe jo llojin e agresionit që, fatkeqsisht, po demonstron aktualisht Vladimir Putin-i i Rusisë”. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Senatori Ron Xhonson komentoi mbi gjëndjen në Ballkan dhe mbi marrëdhëniet ruso-amerikane, duke theksuar se, “Është e nevojshme që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të tregojnë interesim më të madh ndaj këtij rajoni, duke marrë rolin udhëheqës”. Tani është një kohë e përshtatëshme që vendet e Ballkanit të integrohen në Bashkimin Evropian dhe në radhët e demokracisë Perëndimore”u citua të ketë thënë, për ndryshe shtoi ai, rajoni,“Shumë lehtë mund të bie nën influencën ruse”. Senatori Xhonson u shpreh gjithashtu se Rusia po bën çdo gjë të mundur për të destabilizuar autoritetet vendore, me qëllim për të parandaluar animin e tyre drejtë Perëndimit”, duke thënë se ne duam që vendet e Ballkanit të, “Anojnë nga Perëndimi dhe jo nga Lindja”. Gjatë vizitës së Senatorit Xhonson në rajon, ai vizitoi edhe Prishtinën, ku u takua me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe me Kryeministrin në detyrë, Isa Mustafa. Senatori amerikan i siguroi udhëheqsit më të lartë të Kosovës, sipas një njoftimi për media, se, “Administrata e presidentit Trump do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha fushat dhe do të mbetet e përkushtuar për paqën dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

Ndërkaq, dhe përballë kësaj situate, shtetet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, duhet të vendosin — ndërkohë që marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin janë në nivelin më të ultë ç’prej shembjes së Murit të Berlinit, por njëkohësisht edhe duke marrë parasyshë përkeqsimin e marrëdhënieve të Turqisë së Erdoganit me Perëndimin, e sidomos me Gjermaninë – se kah do t’ia mbajnë ato, siç u shpreh Senatori Xhonson: nga Lindja a po nga Perëndimi? Distancimi i dukshëm i Turqisë nga Perëndimi, nën regjimin e Presidentit Erdogan, mund të nevojitë një pozicionim të ri nga ana e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare,edhe në marrëdhëniet me Ankaranë. Nuk ka dyshim se influenca e stilit të qeverisurit nga Putini dhe Erdogani në rajonin e Ballkanit, minon demokracinë dhe inkurajon disa prej të “fortëve”të Ballkanit që të ushtrojnë një pushtet autoritar në disa prej vendeve të rajonit, duke shkelur dhe duke abuzuar me të drejtat e njeriut dhe me normat demokratike. Prandaj, vendet ballkanike duhet të vendosin njëherë e mirë nëse modeli udhëheqës për ‘ta është ai perëndimor, a po preferojnë modelin e Putinit dhe Erdoganit: njëri dëshiron ringjalljen e perandorisë sovjetike e tjetri ringjalljen e perandorisë otomane, në kurriz të popujve të Ballkanit dhe të Evropës. Ndërsa pretendojnë integrimin e plotë ekonomik dhe politik me Evropën, Shqipëria dhe Kosova nuk mund të flirtojnë njëkohësisht me udhëheqës të tillë, si Erdogani e Putini, të cilët kanë minuar demokracinë, jo vetëm në vendet e tyre, por kudo që atyre u “shkelë” këmba. Ndërkohë që marrëdhëniet e Turqisë me Evropën sa vinë e keqësohen dhe ndërsa lidhjet midis Putininit e Erdoganit po përmirësohen, qoftë edhe në sipërfaqe — shpejt do të vijë koha që udhëheqsit shqiptarë në Ballkan duhet të vendosin se kah do t’ia mbajnë, drejtë Perëndimit apo drejtë Lindjes? Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Z. Ditmir Bushati duke folur të mërkurën në Shkollën Verore të Këshillit Kombëtar të Integrimit në Tiranë, me të drejtë u shpreh se, “Topi është në fushën tonë”, ndërsa theksoi se, “Nevojitet të forcojmë më tej konsensusin kombëtar, diologun politik që integrimi europian të mos jetë thjesht retorikë, por të jetë ai që ne dëshirojmë ta konsiderojmë si projekti ynë i vetëm kombëtar”. Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet ta kuptojnë para se të jetë vonë, se Putini nuk është Gorbaçovi dhe Erdogani nuk është Ataturku, madje as Demireli.

 

Frank Shkreli: Dy ngjarje me rëndësi fetare dhe kombëtare në trojet shqiptare

 

Këshilli për media i Administraturës Apostolike të Prizrenit ka shpërndarë njoftimin zyrtar dhe ftesat për Shënjtërimin e Katedralës “Nënë Tereza” në Prishtinë, më 5 shtator 2017, që bie në 20-vjetorin e vdekjes dhe në 1-vjetorin e shenjtërimit të saj. Ndërsa dy ditë më parë, me 3 shtator do të zhvillohet ceremonia e dedikimit të Katedralës së re Shën Pjetri në Tivar, një qëndër kjo e vjetër kishtare me një histori të gjatë, duke filluar nga themelimi i saj në shekullin e 9-të.   Kështu pra sivjet dhe brenda më pak se dy javësh, në të njëjtin muaj dhe në të njëjtin vit, dy qendra të mëdha në trojet shekullore autoktone shqiptare, përfshirë Dardaninë antike, po e rivendosin namin e vet historik.

Në njoftimin e Administraturës Apostolike të Prizrenit thuhet gjithashtu se ceremoninë madhështore në Prishtinë do ta kryesojë i dërguari personal dhe special i Papës Françeskut, hirësia e Tij, kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani.  Në njoftimin e Kishës Katolike të Kosovës evokohet pak histori për vendin ku është ndërtuar Katedralja, e ku ndër të tjera thuhet:  “Në afërsi të Ulpianës, Shën Florit dhe Laurit, martirëve tanë të parë të Dardanisë (fillimi i shekullit të II pas Krishtit), krejt afër varrit dhe eshtrave të zhdukur të arqipeshkvit të fundit të Prishtinës, Imzot Pjetër Bogdanit, si dhe martirëve të panumërt të shumë gjeneratave, kemi hirin dhe dhuratën të lajmërojmë dhe të ftojmë në shugurimin e Shenjtërores, “Nëna Tereze” në Prishtinë, Bijës, Motrës dhe Nënës së këtij Populli dhe kësaj Kishe, në të cilën ajo mori sakramentet dhe thirrjen misionare në Shenjtëroren dioqezane në Letnicë”.

Njoftim/ftesa shënon gjithashtu një historik të zhvillimit të idesë për ndërtimin e Katedralës, shënon se duke konsideruar “faktet e mësipërme historike, si dhe nevojën e kahershme të Kishës sonë, Komuna e Prishtinës, me mbështetje të madhe të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, ndau truallin e caktuar për ndërtimin e kësaj Shenjtërore. Pas studimit dhe përpunimit të projektit nga arkitekti Livio Sterlicchio dhe grupi i tij nga Roma, gur-themeli është bekuar më 26 gusht 2005, nga tashmë i ndjeri Imzot Mark Sopi, në praninë e të ndjerit Dr.

                      Mesazhi i Nënë Terezes në gjuhën e saj amëtare drejtuar popullit shqiptar nga Oslo e Norvegjisë në vitin 1979

Ibrahim Rugova, me pjesëmarrje të kardinalit amerikan Theodor McCarrick, Imzot Zef Gashi, Imzot Dodë Gjergji, meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltareve, autoriteteve ndërkombëtare dhe vendore dhe të shumë besimtarëve dhe qytetarëve”.

Ndërkaq, thuhet se vdekja e papritur e ipeshkvit Imzot Mark SOPI, (11 janar 2006), si dhe e Presidentit të  Dr. Ibrahim Rugova, (21 janar 2006), kishte shkaktuar shtyrje të domosdoshme të procesit të ndërtimit. Por me emërimin dhe ardhjen e ipeshkvit të ri për Kosovë, Imzot Dodë Gjergji,  ky proces u përshpejtua, ndërkohë që puna për ndërtimin e katedralës filloi më 5 shtator  2007, në festën e së Lumes Nënës Tereze”, thuhet mëtej.

 Në njoftim/thirrjen dërguar nga Mons. Lush Gjergji, e arritur të mërkurën në postën time elektronike theksohet domethënja, mesazhi dhe objektivat kryesore që mbartë prania e katedralës kushtuar Nënë Terezes në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë. Aty thuhet se: “Shenjtërorja “Nëna Tereze” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ka dy qëllime dhe synime thelbore: “kthimin” apo mishërimin e saj në mendjet dhe zemrat tona, si dhe ndërmjetësimin e saj për Kishën dhe Popullin tonë. Kështu, në këtë “shkollë” të dashurisë, ne do ta mësojmë dhe zbatojmë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, virtyte këto që Nëna Tereze i mori ndër ne dhe i dëshmoi dhe i barti në mbarë botën”, thuhet në njoftimin e Kishës Katolike të Kosovës, kushtuar bijës së këtij populli të lashtë, “Gonxhe Bojaxhiu, kjo “Lule” e tokës dhe gjakut tonë, që u bë motra Tereze e Loretos (1929); Nëna Tereze, “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobeliste e Paqes (1979), e Lumja Nëna Tereze (2003); Shën Nëna Tereze (2016)”, përfundon njoftimi i Këshillit për media i Administraturës Apostolike të Prizrenit, në lidhje me ceremoninë e 5 shtatorit 2017 në Prishtinë.

Ndërkohë që shugurimi i njoftuar tanimë i Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë me 5 shtator ka siguruar edhe më heret publicitetin e merituar si ngjarje me rëndësi për të gjithë shqiptarët pa dallim dhe kudo, një tjetër Katedralë Katolike Shqiptare po merr një pamje tjetër, gjithashtu e ndodhur historikisht dhe aktualisht, në trojet autoktone shqiptare. Është fjala për Katedralën e vjetër, tani të rindërtuar të Tivarit, e cila ka një histori të lashtë mbi 900-vjeçare, por edhe të pasur historikisht, nga pikëpamja fetare dhe kombëtare në trojet shqiptare, si njëra prej qendrave kryesore të katolicizmit në Shqipërinë e Veriut.

(Një shënim personal, nëqoftse më lejohet të përmend lidhjet e mia qysh në fëmijëri me këtë qëndër historiko-fetare. Ishte prej derës së Katedralës së vjetër të Tivarit që Arkipeshkvi i atëhershëm, Aleksandër Tokiqi, fund gushtin e vitit 1965 — kur isha vetëm 15 vjeç – së bashku me prindërit e mi më përcolli për në anijen që shkonte nga porti i Tivarit për në portin e qytetit Rijeka në veri-perëndim të Kroacisë, për të vazhduar mësimet në gjimnazin klasik të urdhërit të salezianëve).

Kështu, pra dy qendra të mëdha shqiptare, jo vetëm fetare por edhe kombëtare, po e rivendosin namin e vet historik në Dardani dhe në trojet shqiptare, Tivar-Ulqin-Malësi. Këto dy qendra me rëndësi, nën rrethana të ndryshme historike kanë patur dhe do të kenë shumë të përbashkëta, ndërkohë që në frymën e Nënë Terezës, do t’i shërbejnë shqiptarëve, që të shtojnë dashurinë jo vetëm ndaj Perendisë, por edhe dashurinë ndaj njëri tjetrit – ku pa dallim feje a krahine, si vëllëzër të një gjaku, siç thuhet edhe në njoftimin e Këshillit për media i Administraturës Apostolike të Prizrenit, “Ne do ta mësojmë dhe zbatojmë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, virtyte këto që Nëna Tereze i mori ndër ne dhe i dëshmoi dhe i barti në mbarë botën”.

 Në të vërtetë, ishte kjo frymë dashurie, qytetërimi dhe bashkjetese fetare midis shqiptarëve të një gjaku – sidomos atyre në diasporë, por jo vetëm — që bëri të mundur financimin për ndërtimin e këtyre dy objekteve fetaro-kombëtare. Përsa jam në dijeni, ishin kryesisht ndihmat financiare të grumbulluara sidomos nga komuniteti shqiptaro-amerikan — pjesëtarë të tri feve kryesore të shqiptarëve pa dallim, në Shtetet e Bashkuara — por edhe amerikanë miqë të shqiptarëve, të cilët dhuruan shuma të mëdha drejtë realizimit të përfundimit të këtyre dy objekteve.  Ndërtimi i këtyre dy katedraleve është rezultat i ndihmës shqiptare për shqiptarët. Ishte kënaqsi të shikoje organizimet vjetore të lojës së golfit, organizuar nga Anton Raja me shumë shokë, ku merrnin pjesë shqiptaro-amerikanë nga të gjitha trojet shqiptare, pa dallim feje e krahine dhe shumë dashamirës të dy besimeve — vëllëzrit myslimanë dhe ortodoksë — me qëllim mbledhje fondesh nga viti në vit, ekskluzivisht, për ndërtimin e katedralës së Nën Terezës në Prishtinë. Këto takime vjetore do të mbeten gjatë në kujtesën e pjesëmarrsëve.

 Shqiptarët e Amerikës e kishin kuptuar me kohë rëndësinë e themelimit të qendrave fetare këtu në Shtetet e Bashkuara dhe mbëshetetjes së ndërtimit të këtyre objekteve në trojet shqiptare në Ballkan, sidomos pas shëmbjes së komunizmit. Qëndrat fetare shqiptare dhe komuniteti shqiptaro-amerikan pa dallim – kanë njohur jo vetëm dobinë shpirtërore por edhe rolin patriotik të këtyre qendrave, duke filluar nga veprimtaria fetaro-patriotike e Fan Nolit dhe themelimit të Kishës Ortodokse Shqiptare, Shën Gjergji në Boston e deri tek kohët e fundit por edhe më heret, në një histori jo të largët. Duhet përmendur Teqenë Bektashiane në Detroit, xhamiat e shumëta shqiptare në qytetet kryesore të Amerikës, kishat ortodokse shqiptare gjithashtu dhe kishat katolike si motra që me vite i kanë shërbyer këtij komuniteti, por edhe nuk janë kursyer kurrë së ndihmuari edhe projekte të ndryshme anë e mbanë trojeve shqiptare – përfshirë edhe ato fetare, siç janë rastet e lartëpërmendura. Synimi është dhe ka qenë gjithmonë që me këto qëndra – në një botë të huaj shpesh të rënduar nga goditjet e fatit, larg familjeve e të dashurve — të mbahen gjallë sa është e mundur, jo vetëm besimi, por edhe gjuha, zakonet e doket, thjeshtë kombëtare. Megjithë sulmet e dikurshme të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj imigracionit “armiqësor” dhe megjithë indiferentizmin që shpesh është shfaqur ndaj diasporës nga qeveritë post-komuniste të Shqipërisë dhe të Kosovës – flas kryesisht për komunitetin shqiptaro-amerikan të cilin e njoh deri diku — diaspora ka ndihmuar me zemërgjërsi dhe i ka dalë zot kombit të vet, pa kërkuar kurrë asnjë shpërblim, qoftë material qoftë politik për përpjekjet e tyre në ndihmë të Atdheut.

Besoj se shumë prej nesh që jetojmë këndej oqeanit mbetemi të interesuar dhe vuajmë për fatet e bashkombasve tanë në Ballkan. Kjo ndodhë ndoshta për arsye poetike, ndoshta për ndiesi shpirtërore, ndoshta për dashurinë ndaj një historie të lavdishme por shpesh të vështirë dhe plot vuajtje. Për mua personalisht, madje edhe në një moshë të shkuar, interesimi për fatin e shqiptarëve kudo, mbetet gjithnjë një dashuri idealesh, që gjenë kënaqësi në vetvete, pa kërkuar asgjë hiç – në mbrojtje sado pak të vogël, të një pasurie dhe historie kombëtare të trashëguar nga të parët tanë – por që megjithse larg nga Atdheu i zanafillës sonë – na jep mundësi që ta quajmë veten shqiptarë në një botë të huaj.  Kjo, pra është edhe arsyeja që krenohemi me emërin e Nënë Terezës, sepse na nderon dhe na bën krenarë që ta quajmë veten shqiptarë — kudo që na ka hedhur fati i jetës në këtë botë.  Kështuqë, shpresoj që edhe inaugurimi, javën e parë të shtatorit, i Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë dhe i Katedralës Shën Pjetri në Tivar, të jenë festa mbarëkombëtare, takime vëllazërore, pa dallime fetare a krahinore, a po ngjyrash të tjera.  Një gjë e tillë do të ishte shpërblimi më i madh për të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e tyre.  Do të ngushëllonte gjithashtu edhe zemrat e të gjithë mërgimtarëve shqiptarë pa dallim feje, por të cilët kontribuan në ndërtimin e këtyre dy monumenteve madhështore, pikërisht për këtë arsye, sepse krenohen me emërin shqiptar. Shpërblim tjetër më të mirë se këtë nuk dëshiron askush.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …