Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Dy realitete të marrëdhënieve shqiptare-amerikane

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është duke bërë këtë javë një vizitë zyrtare në Shtetetet e Bashkuara, ku po zhvillon takime me komunitetin shqiptaro-amerikan, me anëtarë të Kongresit Amerikan dhe me udhëheqës të lartë të këtij vendi. Kryeqeveritari shqiptar mori gjithashtu pjesë në disa diskutime mbi Shqipërinë dhe mbi rajonin e Ballkanit dhe gjatë një ceremonie në Varrezat Kombëtare në Arlington vendosi një kurorë me lule tek Varri i Ushtarit të Panjohur.  Jo keq për një kryeministër të një vendi të vogël – i cili deri para një çerek shekulli ishte betuar për shkatërrimin e Amerikës dhe të “imperializmit amerikan” — në vizitën e tij të parë zyrtare si kryeministër, në një vend siç janë Shtetet e Bashkuara. Është kjo një vizitë që pak a shumë pasqyron edhe vizitat e mëparshme të përfaqsuesve të shtetit dhe të qeverisë shqiptare gjatë këtyre 25 viteve të fundit.   Historikisht, këto pritje kanë qenë tepër miqësore në SHBA, të përfaqsuesve të kombit shqiptar si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova gjatë këtyre 25 viteve të fundit.  Me këto pritje të ngrohta, Washingtoni nuk ka pasur as nuk ka për qëllim për të treguar ndonjë adhurim të posaçëm për politikanët individë shqiptarë të cilët shkojnë e vijnë në këtë vend, ose mbështetje për politikat e tyre, megjithse pothuaj të gjithë pa përjashtim tentojnë t’i paraqesin vizitat në Amerikë si një “mbështetje” të Washingtonit zyrtar për ‘ta si politikanë dhe për politikat e tyre qeverisëse.

Por ndryshe nga ç’mund të mendojnë politikanët shqiptarë, këto vizita të pakën nga pikëpamja amerikane mendoj unë, janë më tepër një reflektim i miqësisë, për të mos thënë i dashurisë së SHBA-ve për një komb të vogël liridashës. Për një popull, fati i të cilit, gjatë historisë së shekullit të kaluar, ishte vendosur nga zbatimi i një politike të përbetuar anti-amerikane, falë politikave të brendshme fatzeza të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj ShBA-ave, por edhe si pasojë e rrethanave historike. Gjatë asaj periudhe dhe sot, Shtetet e Bashkuara kanë përkrahur historikisht dhe vazhdojnë të mbështesin — kombin shqiptar që ai të jetojë i lirë e i pavarur, i begatë, në demokraci dhe në paqë, pikëspari me vetëveten, por edhe me të tjerët, pa marrë parasyshë se kush e udhëheq.  Ky është motivi kryesor i pritjeve që Washingtoni zyrtar u akordon qeveritarëve shqiptarë kur vizitojnë këtë vend. Një interpretim tjetër i kësaj të vërtete, nga cilido udhëheqës shqiptar dhe i cilës do parti ose bindje politike qoftë, nuk reflekton të vërtetën. Politika e jashtëme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare amerikane afat gjata, nuk lidhen as nuk kanë të bëjnë me individë ose parti politike të një periudhe ose një tjetre – por me popuj e kombe mike që ndajnë dhe besojnë disa vlera bazë, siç është në rend të parë angazhimi serioz për zhvillimin e një demokracie të vërtetë, si një vlerë universale dhe mbrojtja e të drejtave bazë të njeriut.

Nga pamjet publike, nga pritjet dhe deklaratat e bëra nga vet kyreminsitri dhe pala shqiptare, në sipërfaqe duket se vizita e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Amerikë, përfshirë edhe takimet e tija zyrtare në Washington, ishte një vizitë e suksesshme, gjë që i vendosë këto marrëdhënie në një dritë pozitive.   Mirëpo, ky është vetëm realiteti i parë i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, që natyrisht e ka rëndësinë e vet për marrëddhëniet bilaterale.

Por kjo vizitë, si dhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në përgjithësi gjatë këtyre 25-viteve – megjithë sukseset e arritura të Shqipërisë — siç është anëtarësimi në NATO dhe kandidatura për antarësim në Bashkimin Europian – përveç anës publike kanë pasqyruar dhe vazhdojnë të reflektojnë një realitet tjetër në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Me të drejtë Kryeministri Rama, ashtu siç kanë bërë edhe para tij ish-zyrtarë të tjerë shqiptarë, foli gjatë një takimi në New York për vlerat shqiptare siç është besa dhe toleranca fetare në radhët e shqiptarëve. Ai përmendi shpëtimin e hebrenjve, një histori që tani ka marrë nam nga familje të ndryshme shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe vuri në dukje tolerancën fetare në radhët e shqiptarëve me besime të ndryshme, që është shembull për gjithë botën. Dakort, por shpëtimi i hebrenjve u bë nga një gjeneratë tjetër shqiptarësh që meritojnë lëvdata dhe toleranca fetare është një trashëgimi shekullore e shqiptarëve, vlera këto të vërteta dhe dalluese edhe sot, por janë meritë dhe trashëgimi e brezave të kaluar të shqiptarëve.  Kjo është meritë e të gjithë shqiptarëve edhe sot që i ruajnë këto veti e vlera respekti ndaj njëri tjetrit, por mendoj gjithashtu se për 25 vjetë tani e kemi shtryllur këtë lemon dhe kam drojë se ky lemon (i shpëtimit të hebrenjve dhe i tolerancës fetare) nuk ka më lëngë dhe se politikanët shqiptarë të kësaj gjenerate duhet t’i tregojnë Amerikës dhe botës se ata janë të aftë për diçka më tepër.  Si fillim, pse mos të përpiqet kjo klasë politike anë e mbanë trojeve shqiptare që tolerancën historike fetare në radhët e shqiptarëve t’a këthejnë në një tolerance politike midis tyre, duke u lënë kështu brezave të ardhshëm një trashëgimi me të cilën do të jenë krenarë? Ja këtu hasim në realitetin tjetër jo aq të këndshëm dhe të kënaqshëm të marrëdhënieve amerikano-shqiptare.  Ndoshta u duk si e papërshtatshme që për koincidencë, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH)botoi raportin vjetor mbi të Drejtat e Njeriut në botë, përfshirë Shqipërinë, gjatë vizitës së Kryeminsitrit Rama në Washington. Ky raport nënvijoi pa mëdyshje, problemet që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet midis dy kombeve si dhe mungesën e vullnetit të qeverisë dhe shtetit shqiptar për tu marrë me zgjidhjen e tyre. Në rend të parë, Raporti i DASH thekson problemin kryesor të shoqërisë shqiptare e që është korrupsioni, që sipas raportit në fjalë është përhapur në të gjitha institucionet qeveritare, sidomos në sistemin e drejtësisë dhe të shërbimit shëndetsor. Edhe organizata jo-qeveritare e të Drejtave të Njeriut, Freedom House me qëndër në Washington, erdhi në të njëjtin përfundim me DASH në raportin që botoi këtë javë se, “Korrupsioni në Shqipëri është pa diskutim treguesi më negativ në bazë të matjeve që bëjmë ne në 7 drejtime të ndryshme.”

VOA shqip citon raportin e DASH se pandëshkueshmëria është një prej problemeve të tjera me të cilat përballet Shqipëria:  “Ndjekjet ligjore dhe sidomos dënimet e zyrtarëve që kanë kryer shkelje kanë mbetur sporadike dhe të paqëndrueshme. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe personat me lidhje të fuqishme biznesi shpesh kanë mundur t’i shpëtojnë ndjekjes penale,” nënvizon raporti. Qeveria filloi hetimet për disa zyrtarë të nivelit të lartë, por prokuroria më pas vendosi t’i pushojë këto çështje”, thuhet në kapitullin për Shqipërinë. Shqetësimet e qeverisë amerikane ndaj korrupsionit që ka depërtuar thellë në shoqërinë shqiptare, u mbështeten gjithashtu edhe nga një rezolutë e miratuar të ënjtën mbi Shqipërinë nga eurodeputët. Sipas VOA shqip, ata “mbeten të shqetësuar për korrupsionin e përhapur në arsim, shëndetësi, gjyqësor dhe fusha të tjera” dhe shfaqën gjithashtu shqetësimin e tyre për “autocensurën e përhapur mes gazetarëve, të cilët ndonjëherë janë penguar fizikisht për të mbuluar ngjarje të veçanta, janë sulmuar dhe kërcënuar për shkak të detyrës së tyre”, thuhet në rezolutën e eurodeputetëve. Ndër probleme të tjera që thekson raporti i DASH përfshihet edhe shkelja e të drejtave të njeriut ku ndër të tjera përmendet përparimi i vogël që është bërë për kthimin e pronës së shtetëzuar gjatë periudhës komuniste.  Një tjetër problem që ve në dukje reporti amerikan është se Shqipëria vazhdon të mbetet një burim dhe destinacion i trafikimit të qënieve njerëzore për shfrytëzim seksual dhe për punë të detyruar. Mendoj se për shumicën e shqiptarëve sot nuk ka gjë më të papranueshëm dhe më të urrejtshëm moralisht për kulturën dhe traditën shqiptare se këtë fenomen.  Raporti zyrtar i DASH mbi të Drejtat e Njeriut në Shqipëri si edhe raporti i Freedom House pasqyrojnë gjëndjen aktuale politike në Shqipëri. Ndonëse të papëlqyeshme për marrëdhëniet dy palëshe – ato prapseprap përbëjnë realitetin e dytë të këtyre lidhjeve miqësore dhe janë gjithmonë subjekt i paevitueshëm dhe diskutimi serioz me dyer të mbyllura midis zyrtarëve amerikanë dhe udhëheqësve shqiptarë gjatë vizitave të tyre në Washington dhe anasjelltas. Me gjithë euforinë mbi anën publike të saj, as vizita e kësaj jave e Kryeministrit Rama në Washington nuk mund të ishte ndryshe.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …