Frank Shkreli: Faqe nga historia e marrëdhënieve amerikane shqiptare

 


MESAZH DREJTUAR POPULLIT SHQIPTAR — 13 MAJ, 1951


 


 


Ishte viti 13 maji i Vitit 1951. Lufta e dytë Botërore kishte marrë fund më 1945.  Por Lufta e Ftohtë  që filloi   menjëherë pas mabrimit të  Luftës së dytë botërore  ishte në ashpërsim e sipër midis dy blloqeve kundërshtare — Perëndimit demokratik të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Lindjes komuniste të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik.  Ishte një luftë kjo që zhvillohej në të gjitha sferat e jetës, përfshirë edhe median.  Në këtë frymë  acarimesh dhe kërcënimesh në marrëdhënjet ndërkombëtare, mosbesimi midis palëve ishte i thellë.  Pjesë e kësaj lufte ishte edhe roli i medias, sidomos i radio transmetimeve ndërkombëtare të kohës, të cilat përcillnin programet përtej oqeaneve, fillimisht, kryesisht nepërmjet valëve të shkurtëra. 


 


Në këtë atmosferë tensionesh, më 13 Maj, 1951 rifillon radio transmetimet edhe Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, transmetime të cilat kishin filluar më 1943, por që ishin ndëprerë më 1945.  Ishte ky një rifillim i shërbimit shqip të VOA – 70-vjetori i të cilit u festua vitin që kaloi — i cili qe inaugurua me një mesazh të posaçëm drejtuar popullit shqiptar nga Sekretari amerikan i Shtetit në atë kohë,  Dean Acheson.  Ishte ky një mesazh i ngrohtë i cili ritheksonte miqësinë tradicionale dhe të herëshme midis popullit amerikan dhe popullit shqiptar, mesazh ky i cili përsëritej shpesh, pothuaj çdo vit, nga zyrtarë të lartë amerikanë, megjithë vrerin anti-amerikan që vinte nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.   Mesazhi i Dean Acheson-it më ra në dorë nga miku im Albert Lulushi, i cili e kishte zbuluar atë në arkivat amerikane ndërsa po bënte hulumtime për librin e tij me titull, “Operation Valuable Fiend”, ose në shqip, “Operacioni kundërshtari i dobishëm”, i cili do botohet muajin që vjen.


 


Megjithëse ishte kulmi i Luftës së Ftohtë, mesazhi i ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, Dean Acheson, për nga theksi i miqësisë amerikano-shqiptare, nuk ndryshon as nga deklaratat e mëparshme as nga  ato të ditëve të sotme të zyrtarëve amerikane, gjë që le të nënkuptohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur dhe kanë vazhduar të kenë një politikë pro-shqiptare, konsekuente megjithë armiqësinë e regjimit komunist të Tiranës, për pothuaj një gjysëm shekulli ndaj Shteteve të Bashkuara. Andaj ia vlenë të sillet në vëmendjen e lexuesit në këtë përvjetor të kësaj deklarate që ishte bërë në kulmin e periudhës më të errët, të marrëdhënjeve midis dy vendeve.


 


Pason mesazhi i Dean Acheson drejtuar popullit shqiptar me rastin e rifillimit të transmetimeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, me 13 Maj, 1951.


 


“Është një kënaqsi e madhe për mua që me këtë rast t’i dërgoj një mesazh popullit Shqiptar në emër të Qeverisë dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara. Me rihapjen e programeve të Zërit të Amerikës në gjuhën Shqipe, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan edhe njëherë shprehin interesimin e tyre tradicional për popullin shqiptar.  Lidhja midis nesh, po ripohohet; miqësia e jonë e herëshme do të marrë fuqi dhe rëndësi të re.  Kjo miqësi është një rezultat i natyrshëm i identifikimit të Shteteve të Bashkuara me përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.  Gjatë viteve, Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan i kanë konsideruar këto përpjekje me simpati dhe mbështetje, duke ditur se ato pasqyrojnë aspiratat e juaja të vërteta.


 


Ç’prej Konferencës së Versajës më 1919, kur Presidenti Woodrow Wilson mori përsipër duke treguar interesimin e tij personal për ri-vendosjen e një Shqipërie të pavarur, Qeveria e Shteteve e të Bashkuara ka mbështetur përpjekjet e patriotëve Shqiptarë.


 


Gjatë periudhës midis dy luftërave botërore, Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar marrëdhënje të ngushta dhe miqësore me popullin Shqiptar. Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar institucionet humanitare dhe arsimore private, siç janë Kryqi i Kuq  Ndërkombëtar për të Rinjtë, Fondacioni për Lindjen e Afërt dhe Fondacioni Rockefeller, për të ndihmuar shqiptarët në përpjekjet e tyre në themelimin dhe  në zhvillimin e institucioneve të veta.  Shtetet e Bashkuara ishin të parat nga fuqitë aleate të Luftës së Dytë Botërore, të cilat bënë deklaratën e parë zyrtare për rivendosjen e një Shqipërie të lirë, duke deklaruar se një gjë e tillë ishte në përputhje me parimet  e Kartës së Atlantikut.


 


Por kjo tani është pjesë e historisë, e së kaluarës suaj.  Tani e tutje, Zëri i Amerikës do t’u flasë juve mbi të tashmen dhe mbi të adhmen. Tani për tani, ju e dini më mirë se unë se shpresat e juaja për një vend të lirë dhe sovran,  nuk janë realizuar. Me qëllim për t’u ndihmuar që të realizoni një të ardhme për veten tuaj, si një vend i lirë dhe i pavarur dhe anëtar i komunitetit të kombeve, Shtetet e Bashkuara, nepërmjet kësaj radioje do ju sjellë mjetet ose instrumentet për të gjykuar dhe vlerësuar gjërat — dmth, faktet.  Zëri i Amerikës do ju sjellë atë që u është mohuar për një kohë të gjatë — të vërtetën nga bota e lirë.  Me këtë rast, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan u dërgojnë përshëndetjet e tyre dhe Zëri i Amerikës u dëshiron mirëseardhjen në radhët e dëgjuesve të tij.” 


 


Ky mesazh nga ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Dean Acheson pasqyron ndjenjat miqësore, simpatinë dhe mirëkuptimin që Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan kanë treguar gjatë dekadave për aspiratat e kombit shqiptar për një ekzistencë kombëtare të lirë dhe të pavarur.  Janë këto aspirata të ngulitura thellë në traditën dhe psikozën amerikane, por njëkohësisht janë edhe pjesë e idealeve universale për liri e demokraci dhe njëherazi janë edhe burimi i qytetërimit perëndimor të shqiptarëve. Andaj, gjatë dekadave të regjimit komunist në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë, pritshin me ankth dhe me shpresë ditën kur Shqipëria dhe kombi shqiptar do të jetonte në liri, i zoti  dhe i lirë për të vendosur vet fatin e tij.  Por fatkeqsisht, ndaj këtyre deklaratave miqësore, nuk kishte asnjë inkurajim për normalizimin e marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane nga qeveria komuniste shqiptare e asaj kohe.  Përkundrazi, vihej re se pas deklaratave miqësore për popullin shqiptar nga Shtetet e Bashkuara, propaganda anti-amerikane nga regjimi enverist sa vinte e ashpërsohej si për nga cilësia e inatit ashtu edhe nga niveli i urrejtjes ndaj Amerikës.   Por sidoqoftë,   Shqipëria dhe Shqiptarët sot janë ndër popujt më pro-amerikanë, ashtuqë më në fund, vizioni i Dean Acheson-it më 1951 — për “një Shqipëri të lirë e të pavarur, anëtare e komunitetit të kombeve”, sot anëtare e NATO-s — është bërë realitet dhe roli që ka luajtur Zëri i Amerikës në realizimin e këtij vizioni ishte i konsiderueshëm, sepse sipas Dean Achesonit, VOA gjatë 70-vjetë histori, u solli shqiptarëve të vërtetën dhe faktet, si mjetet dhe instrumentet e nevojshme për të vlerësuar dhe gjykuar drejtë.


 


 


F. Shkreli: Gjatë shekujve, shqiptarët kanë luftuar për lirinë dhe në mbrojtje të trojeve të veta


 


Historikisht, shqiptarët kanë kërkuar gjithmonë fqinjësi të mirë me popujt për rreth. Shqiptarët, asnjëherë nuk kanë pretenduar dhe as nuk kanë bërë përpjekje për rrëmbimin e tokave dhe të territoreve të kombeve fqinje. Paqën dhe miqësinë me popujt fqinjë e kanë dëshiruar me shekuj.  Ky qëndrim i shqiptarëve ndaaj fqinjve nuk ka ndryshuar as sot. Në të vërtetë, qeveritë shqiptare, sidmos të 25 viteve të fundit kanë bërë ç’mos që të ndërtojnë marrëdhënje moderne dy-palëshe dhe rajonale, lidhje të cilat i kanë hije shekullit 21 — madje edhe duke i cilësuar ato si marrëdhënje me “partnerë strategjikë”, ndonëse  këto vende as sot nuk kanë hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj trojeve shqiptare.


 


Gjatë shekujve, Shqiptarët nga ana e tyre, kanë luftuar për lirinë e vet në mbrojtje të trojeve të veta pa pretendime dhe lakmi për tokat e të tjerëve. Ndërsa fqinjtë e shqiptarëve, në jug dhe në veri, nepërmjet përfqsuesve të tyre më të lartë, madje edhe në Europën e sotëme post-komuniste dhe në kulmin e përpjekjeve për një Europë gjithë-përfshirëse, të bashkuar dhe në paqë, nuk durohen pa shprehur ndjenjat e tyre anti-shqiptare kurdoherë që u jepet rasti.  Shëmbull i kësaj çfaqjeje ishte vizita historike, kohët e fundit e Presidentit grek Korolos Papulias, hitorike sepse ishte e para e një udhëheqsi grek në Zvicër, në 100-vjetët e fundit. Sipas të dhënave në media, duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi Kosovën, udhëheqsi grek nga Zvicra asnjanëse dhe gjithmonë paqësore me të gjithë, me deklaratën e tij nuk u tregua shumë miqësor me shqiptarët. 


 


Në një konferencë për shtyp së bashku me Presidentin dhe Ministrin e Jashtëm zviceran, presidenti i Greqisë u shpreh, ndër të tjera, edhe për marrëdhënjet e vendit të tij me Shqipërinë dhe me Kosovën.  Ndoshta deklarata e tij në lidhje me Kosovën ishte më e papritura, ndërsa tha se Athina nuk ishte nën presionin e as kujt për të mos njohur pavarësinë e Kosovës, se ky ishte një vendim i Athinës — duke deklaruar se Greqia nuk e njeh Kosovën sepse Athina “vepron bazuar në interesat kombëtare”.  Thënë ndryshe, presidenti Papulias deklaroi në Zvicër se nuk është në interesin e kombit të tij që të ketë marrëdhënje normale dhe paqësore me Kosovën si shtet i pavarur dhe anasjelltas as me shqiptarët në përgjithësi, pasi pavarësia e Kosovës konsiderohet si një arritje historike për të gjithë shqiptarët.


 


Z. Papulias tha se Greqisë nuk i bëhet presion nga askush për të mos njohur Kosovën shtet të pavarur. E vërtetë?  Le ta marrim me mendë se në rast se  Moska dhe Beogradi do ta njihnin pavarësinë e Kosovës, a thua Athina nuk do të bënte një gjë të tillë.  Udhëheqsi grek mund të thotë të vërtetën kur deklaron se Greqisë nuk i bëhet presion për të mos njohur Kosovën, pasi historikisht qëndrimet e Athinës karshi Kosovës dhe shqiptarëve përputhen me ato të Beogradit dhe Moskës – është kjo një përputhje dhe bashkrendim i heshtur interesash historike të tre-këndshit Beograd-Moskë-Athinë, kundër vetvendosjes dhe të drejtave të shqiptarëve.


 


Ai, që Z. Papulias iu referua si, “problem i Kosovës” dhe të cilin ai pretendon se e njeh mirë, sipas tij na qenka një “problem serioz” i cili sipas presidentit grek kërcënon jo vetëm stabilitetin në Ballkan, por edhe paqën në përgjithësi në Bashkimin Europian.”  Ndoshta Z. Papulias  di  diçka për të cilën bota tjetër nuk është në dijeni,  se Kosova sot, sipas tij, përbën rrezikun më të madh ndaj paqës në Europë, a po siç thotë populli, veç “njellë zi” për rajonin e Ballkanit Perëndimor, e kush të fajësohet për këtë në mos shqiptarët. Për më tepër, duhet për tu habitur kur një deklaratë e tillë bëhet nga presidenti i një vendi që tani okupon presidencën e Bashkimit Europian!   Është e pa kuptueshme insinuata e presidentit grek se Kosova na qenka sot një “problem” që duhet zgjidhur.  Deklarata e tij është në kundërshtim të plotë me qëndrimet e Bashkimit Europian, si dhe me qëndrimet e aleancës së NATO-s, anëtare e të cilave është edhe Greqia,  dhe në mos përputhje edhe me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj  pavarësisë së Kosovës.  Por nëqoftse qëndrimi i Z. Papulias ndaj Kosovës nuk është i njëjti me BE-në, NATO-n dhe SHBA-në, ai duket se është në përputhje të plotë me qëndrimet e Serbisë dhe të Rusisë, dy vende historikisht aleate të Greqisë, kundër të drejtave të shqiptarëve në rajon në përgjithësi dhe ndaj politikës së tyre ndaj Republikës së Kosovës, në veçanti. 


 


Z. President, ndryshe nga ajo që mendoni ju, “problemi” i Kosovës është zgjidhur njëherë e mirë.  Kosova, pas një historie tragjike, falë luftës dhe vuajtjeve të popullit të saj si dhe ndihmës nga aleatët perëndimorë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës – është më në fund shtet i pavarur dhe i njohur nga diplomacia e shteteve më të fuqishme dhe më shumë se 100-vendeve anë e mbanë botës.  Me komentet e tija në Zvicër, Z. Papulias, lë të nënkuptohet se Kosova ishte më mirë kur shqiptarët e asaj treve ishin të zhytur në gjak nga masakrat e forcave terroriste serbe të Millosheviçit dhe se shpërngulja me forcë e shqiptarëve të Kosovës nga trojet e veta shekullore, do të kishte qenë më pak kërcënuese për “paqën dhe stabilitetin në Ballkan dhe në përgjithësi në Bashkimin Europian”.  Zoti President, u ka dalë boja pretendimeve tua dhe të aleatëve të juaj se shqiptarët na qenkan ata që edhe sot kërcënojnë paqën dhe stabilitetin në Ballkan dhe në Europë.  A është e vërtetë, Z. Papulias se gjithnjë i konsideroni shqiptarët si kërcënues të paqës dhe të stablitetit, jo vetëm në Ballkan por edhe në Bashkimin Europian në përgjithësi, ashtu siç u shprehët gjatë vizitës suaj në Zvicër?


 


Zoti Papulias komentoi edhe një çështje problematike për marrëdhënjet midis dy kombeve, atë në lidhje me ligjin grek të luftës me Shqipërinë.  Në vend që të thonte se ky ligj i takon së kaluarës dhe se si i tillë ky ligj nuk ka vend në marrëdhënjet normale midis një vendi anëtar të Bashkimit Europian dhe një vendi që aspiron të bëhet anëtare e Europës së bashkuar.  Ai nuk dha asnjë justifikim se  pse vendi i tij mban një ligj të tillë ende në fuqi në fillim të shekullit 21, por  mënjanoi përgjigjen e duhur duke shtuar se “Greqia sot udhëheq një politikë në favor të paqës dhe stabilitetit në Ballkan.”


 


Në konferencën me shtypin gjatë vizitës së tij në Zvicër javën që kaloi, Presidenti Papulias tha se Greqia “strehon mbi një milion punëtorë shqiptarë”, një shifër kjo që në pamjen e parë duket si pak e ekzagjeruar.  Por sidoqoftë, Z. President, nëqoftse prania e punëtorve shqiptarë nuk do të ishte në “interesin kombëtar të Greqisë” nuk besoj se do i kishit pranuar këta punëtorë shqiptarë.  Por e vërteta është se për punëtorët nga Shqipëria vendi juaj ka pasur dhe ke nevojë për të mbajtur gjallë ekonominë greke, pasi shumicën e punëve që bëjnë ata, grekët nuk i bëjnë.  Sepse puntorët, për të cilët Greqia nuk kishte nevojë, i keni këthyer vitet e fundit pa u thënë as faleminderit.  Kjo, i nderuar Z. President nuk ishte as nuk është një lëmoshë që Greqia u jep shqiptarëve, por është një marrëdhënje pune – ku ata kanë nevojë për punë dhe Greqia ka nevojë për ta, ashtu siç ndodhë në shumë vende të Europës, përfshirë Zvicrën – por ndoshta me të vetmin përjashtim se në Greqi, emigrantët trajtohen shumë më keq se puntorët emigrantë në vendet e tjera europiane, një fakt ky që është dokumentuar herë pas here edhe nga organizata të ndryshme ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.


 


Fatkeqsisht, pikëpamjet e shprehura javën që kaloi në Zvicër nga Presidenti i Greqisë, Z. Karolos Papulias dhe njëkohësisht president i radhës i Bashkimit Europian në lidhje me Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi, nuk janë aspak në përputhje me vlerat, në bazë të të cilave është themeluar Bashkimi Europian – dmth  me “vlerat e respektit për dinjitetin njerëzor, për lirinë, demokracinë, barazinë para ligjit, respekt për të drejtat e njeriut, duke përfshirë edhe të drejtat e pakicave.”  Artikulli I-2 i BE-së i përcakton këto vlera si të përbashkëta për shoqëritë dhe vendet anëtare që “karakterizohen nga pluralizmi, mos-diskriminimi, toleranca, drejtësia dhe solidariteti…..”, vlera këto për të cilat popujt e Ballkanit — përfshirë mbi të gjithë grekët dhe shqiptarët — kanë nevojë t’i adaptojnë dhe t’i jetojnë për një fqinjësi të mirë midis njëri tjetrit si dhe për një paqë dhe stabilitet më të fortë në rajonin e Ballkanit dhe në mbarë Europën.  Këto vlera të përbashkëta duhet të mbrohen dhe të promovohen nga të gjithë! Paqa dhe stabiliteti në Ballkan dhe në Europë — ndryshe nga ç’pretendon presidenti Papulias– nuk kërcënohen as nga shqiptarët as nga “problemi” jo ekzistues i Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …