Jemi në prag të Vitit të Ri, 2019. 6 Janari shënoi ditëlindjen e Peshkop Fan Nolit – drejtuesit të parë të organit të Federatës Pan-Shqiptare Vatra — ndërkohë që Gazeta Dielli, siç shënohej për një kohë të gjatë në faqen e parë të saj, “U fillua me 15 Shkurt, 1909”, duke shënuar këtë vit 110-vjetorin e daljes në dritë të “Diellit”. Emërat e Fan Nolit, Faik Konicës, Federatës Pan-Shqiptare Vatra dhe organit të saj, Dielli identifikohen me periudhën më të lumnueshme të historisë së tyre – një histori kjo që përgjithmonë do të mbetet si periudha që e bëri Shqipërinë.
110 vjet= më parë, ekzaktësisht me 15 Shkurt, 1909 në Boston të Shteteve të Bashkuara doli numri i parë i gazetës Dielli, organ i Organizatës Pan-Shqiptare Vatra, gazetë që edhe sot vazhdon të botohet rregullisht në internet dhe njëherë në muaj del në versionin e printuar. Në ‘të përmblidhen artikujt dhe komentet nga kontribues të ndryshëm, si dhe veprimtaritë më të dalluara mujore të organizatës Vatra dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan. Gazeta pasqyron rregullisht edhe ngjarjet aktuale anë e mbanë trojeve shqiptare.
Gjatë dekadave është shkruar shumë dhe jam i sigurt se edhe në këtë përvjetor do të theksohet roli që ka luajtur dhe vazhdon të luaj Vatra dhe Dielli në historinë e vjetër dhe të sotëme të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Dielli ka shënuar edhe më heret përvjetorë të themelimit të tij si zëdhënse e Vatrës dhe e komunitetit shqiptaro-amerikan. Më të njohur janë 50-vjetori dhe 60-vjetori i themelimit të Diellit, shënuar nga diaspora shqiptare në Amerikë dhe më gjërë. Në vend të fjalëve të mia, që i kam shprehur edhe në të kaluarën me raste të tjera, për Vatrën e Diellin, dëshiroj që në këtë përvjetor të Diellit dhe të lindjes së Fan Nolit, të sjell disa komente vlerësuese të Profesor Ernest Koliqit, botuar në revistën e tij Shëjzat, me rastin e 50-vjetorit të themelimit të gazetës Dielli. Profesor Ernest Koliqi, shkruante se gazeta Dielli nuk ishte thjesht një gazetë vetëm për shqiptaro-amerikanët. Ai filllon vlersimin e tij të rolit historik të gazetës Dielli, duke theksuar se, “Kush kujdeset, pak a shumë për historinë e vendlindjes, e di rolin kryesuer që ka luajtun kjo fletore në lëvizjet kombëtare. Ajo e nisi punën e vet me kryefjalën fatlume të Nolit, ‘Një Shqipëri për Shqiptarët’, një moto kjo me të cilën shprehet ai, “Noli ia ndjelli të mirën Atdheut dhe Ora e Kombit mbas pak vjetëve ia fali gjindes shqiptare – tekembramja — një truell të lirë ku ajo të rronte e të zhvillohej si mbas prirjeve të veta landore dhe shpirtënore.”
Ernest Koliqi, botimin e gazetës Dielli dhe themelimin e organizatës Vatra, i lidhë drejtë për së drejti me pavarësinë e Shqipërisë. “Botimi i Diellit solli themelimin e “Vatrës”, e cila me 28 prill 1912 e shpalli veten si Federatë Pan Shqiptare. Çdo grumbullim energjishë e veprimtarishë ka uratën e Perendisë dhe buzqeshjen e fatit. Këtë, na Shqiptarët s’duhet ta harrojmë. Si të donte Provanija Hyjnore me shpërblye ringjalljen e frymës së vëllaznimit ndër Shqiptarë – mbas gjashtë muajve të themelimit të Vatrës – Shqipnija fitoi pamvarsinë. Me 28 prill 1912 u krijue Vatra dhe me 28 nanduer po të atij vjeti e puthi rrezja e lirisë flamurin e Skënderbeut mbas 500-vjetësh që ai rrinte i paluem si leckë e pavlerë në terr e në harresë”, shkruante i madhi Ernest Koliqi, në vlerësimin e tij me rastin e 50-vjetorit të botimit të gazetës Dielli, në revistën e tij Shëjzat të vitit 1959, botuar në Romë.
Në vazhdim të editorialit kushtuar 50-vjetorit të Diellit të Vatrës, Ernest Koliqi e ka cilësuar veprimtarinë historike të Vatrës e të Diellit, si një “varg tubzash epiko-lirike”, duke nenvijuar se gazeta Dielli, “përcolli besnikërisht ngjarjet shqiptare dhe botërore të asaj periudhe, gjithmonë e gatshme për të mbrojtur qendrimet e shqiptarizmit”. Si shembull, Koliqi përmend, në editorialin e tij, një shkrim të gazetës Dielli të 3 qershorit, 1913, ku përshkruhet gjëndja e atëhershme në Ballkan, në të vërtetë shumë e ngjashme me përpjekjet aktuale të Rusisë putiniste për të influencuar ngjarjet atje në interes të saj me qëllim për të dhe për të kontrolluar gjëndjen në Ballkan, përfshirë trojet shqiptare, sidomos për të shkaktuar trazira në Kosovë. Në atë kohë, gazeta Dielli, sipas Koliqit, i kishte dhënë një paralajmërim botës shqiptare në fillim të shekullit të kaluar se, “Shqipëria nuk duhet kurrë të presë ndonjë të mirë ase ndihmë nga Rusia, se interesat e saj kanë qenë dhe do të jenë kurdoherë për të copëtuar Shqipërinë dhe t’ua shpërndajë copat këlyshve sllavë për fitim të saj. Programi i Rusisë është që të përfshijë një ditë gjithë shtetet e Ballkanit, të lidhë Detin e Zi me Egjen e me Adriatikun”, theksohej në komentin e Koliqit.
Në 50-vjetorin e Diellit, Profesor Ernest Koliqi vlerësonte se veprimtaria patriotike e gazetës Dielli dhe e përfaqsuesve të Organizatës Pan-Shqiptare Vatra, arrinë kulmin në vitin 1918. Atëherë kur sipas tij, “Fan Noli ban mrekullina në Europë si delegat i Vatrës.” Ai nënvijon takimet e Fan Nolit me Presidentin Wilson dhe me ish-presidentin Theodore Roosevelt në Washington, para Konferencës së Paqës në Paris, ku sipas Koliqit, “Noli u përpoq për Atdhe me vetitë e nalta të tija — shpëtoi Shqipëninë asokohe nga cungimi ma i shemtuet”, ndërkohë që përveç mbështetjes së presidentit amerikan Wilson për Shqipërinë, iu shtua edhe përkrahja e Papa Benediktit të XVI për shpëtimin e Korçës dhe Gjirokastrës, shkruante Koliqi në komentin kushtuar 50-vjetorit të botimit të parë të gazetës Dielli, mbi rolin që luajti Fan Noli në rrethanat e atëhershme vendimtare historike për Shqipërinë.
Në komentin me titull, “Pesëdhjetëvjetori i Fletores “Dielli”, botuar në revistën Shëjzat të vitit 1959, Profesor Ernest Koliqi u jep meritën më të madhe për veprimtaritë historike të Diellit dhe të Vatrës, “Dy kampionëve të mëdhej të shqiptarizmit, At Fan Noli dhe Faik Konica…si gërshetuesit kryesorë të veprimtarisë së shkëlqyeshme të Vatrës dhe vatranëve”, por pa harruar, shton ai, as veprimtarët e tjerë të shumtë të Diellit e të Vatrës, si, “Kost Çekrezi, Kristo Floqi, Kol Tomara, Kristo Kirka, Bahri Omari e Sotir Peci”, e të tjerë gjatë dekadave e deri më sot.
Por, ja ku jemi sot. Në çerekun e parë të shekullit 21, gazeta Dielli, më e vjetra ndër gazeta shqiptare, kujton 110-vjetorin e daljes në dritë. Shumë gjëra kanë ndryshuar, por shumë gjëra gjithnjë vazhdojnë të jenë të ngjashme me situatat e sotëme aktuale politike dhe mediatike, me të cilat përballet edhe sot, jo vetëm Vatra e Dielli dhe komuniteti shqiptaro-amerikan në veçanti, por edhe mbarë shqiptarët në trojet e veta, në përgjithësi. Duket sikur situatat e dikurshme po përsëriten, hallet e vjetra pra, janë prapë të reja, aktuale. Ende në takimet ndërkombëtare sot diskutohet për copëtim të trojeve shqiptare!!! Duket sikur sfidat me të cilat përballen shqiptarët s’kanë fund.
Kush do e mirrte me mend se në këtë 110-vjetor të themelimit, nga Amerika e largët, Dielli dhe Vatra kanë ende një rol për të luajtur në mbrojtje të interesave kombëtare të shqiptarëve. Fatbardhësisht, Vatra dhe Dielli sot kanë një shembull që mund të ndjekin si dhe mësimet e themeluesve të saj – Fan Noli e Faik Konica me shokë – një gurrë e pashterrshme patriotizmi e atdhedashurie. Prandaj, në këtë 110-vjetor të daljes në dritë të gazetës Dielli, shpresojmë që nga gjiri i brezit të ri të shqiptaro-amerikanëve të dalin patriotë të vërtetë dhe të pa hile si Fan Noli dhe Faik Konica, që të jenë një “shtyllë më e fortë” se kurrë më parë e shqiptarizmit në Amerikë dhe e mbrojtjes së interesave kombëtare në përgjithësi.
Federata Pan-Shqiptare Vatra ka njoftuar se 110-vjetorin e themelimit të organit të saj gazetës Dielli, ka në plan t’a shënojë në mënyrën më të mirë që meriton ky përvjetor. Urojmë që Dielli, Vatra dhe të gjithë ne – megjithë sfidat dhe problemet që ka përballur komuniteti shqiptaro-amerikan gjatë historisë së tij 100 e sa vjeçare — të mësojmë nga historia e gjatë dhe pozitive e veprimtarisë së këtyre dy institucioneve shqiptaro-amerikane, megjithse jo gjithmonë pa probleme, si dhe nga përvoja e udhëheqsve të tyre të shekullit të kaluar, për të punuar vëllazërisht, për të mirën e përbashkët në interesin kombëtar, jo vetëm këtu në Shtetet e Bashkuara por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Sidomos në këtë 110-vjetor të gazetës Dielli dhe në kujtim të ditëlindjes së Fan Nolit dhe të veprimtarisë së tij patriotike, i bashkohem thirrjes së Ernest Koliqit që kishte bërë me rastin e 50-vjetorit të Diellit, që, “Bashkatdhetarët e Amerikës, të cilët dijtën të ndërtojnë këtë qëndër të fortë atdhedashunie – duhet sidomos sot të jenë në naltësinë e misjonit historik që u përket, mbasi jetojnë e veprojnë në prehën të Demokracisë së Madhe Amerikane, në dorë të cilës është fati i botës, e prandej edhe i vendit tonë.”
Një thirrje kjo shumë me vend në vitin 1959, por gjithnjë aktuale edhe sot, për Shqipërinë dhe për Shqiptarët kudo – ku sipas shumë vërejtësve, për fat të keq, ashtu siç është shprehur edhe Fan Noli pothuaj para një shekulli, “Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive” (fetare, sociale, patriotike, morale, e idealeve). Për fat të keq tonin, ky konfuzion i anarkive vazhdon edhe sot, sidomos konfuzioni në fushën morale, patriotike dhe të idealeve.