Të shtunën në Uashington, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani nderoi me dekoratën e lartë ish-senatorin republikan të Shteteve të Bashkuara dhe mikun e madh të kombit shqiptar, Z. Robert Dole. Senatori Dole, një burrë shteti amerikan me një përvojë të gjatë në politikën e brendshme dhe ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe me vonë një mik i madh i shqiptarëve, ishte zgjedhur në Kongresin amerikan në vitin 1960 nga shteti Kansas dhe më pastaj në vitin 1968 u zgjodh senator nga i njëjti shtet. Fillimisht, ai fitoi nam në politikën amerikane si Kryetar i Komisionit Kombëtar të Partisë Republikane, nga viti 1971-1972. Në vitin 1976, Presidenti Xherald Ford e zgjedhë për nën-president të tij dhe në vitin 1984 Senatori Dole zgjidhet Udhëheqës i shumicës republikane në Senatin e Shteteve të Bashkuara, duke shënuar kështu mandatin më të gjatë në këtë detyrë, në historinë e kombit si udhëheqës republikan. Ai dha dorëheqjen nga Senati duke iu përveshur fushatës për president të Shteteve të Bashkuara. Pas humbjes ndaj kandidatit demokrat Bill Clinton ai tërhiqet nga politika, por fati e deshti që megjithse ishin kundërshtarë politikë, Bob Dole dhe Bill Clinton punuan së bashku në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve.
Në mirënjohje për veprimtarinë e tij në mbështetje të shqiptarëve, sidomos Kosovës, në një ceremoni të veçantë të shtunën në Uashington, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani nderoi ish-Senatorin Dole me dekoratën më të lartë të vendit, “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, duke e cilësuar politikanin e njohur amerikan, si “përkrahsin e palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës”. Në portalin e Presidentit Nishani thuhet se kryetari I shtetoit shqiptar, gjëndej në Uashington në kuadër të një vizite pune, gjatë së cilës, “Në prani të Ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës, Zonjës së Parë Odeta Nishani e të ftuarve të nderuar shqiptarë dhe amerikanë, Kreu i Shtetit vlerësoi dhe çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Senatorin Robert Joseph Dole me motivacionin:
“Me mirënjohje të thellë dhe vlerësim të lartë shtetëror ndaj kontributit të çmuar dhe ndihmesës thelbësore dhënë për promovimin dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, si dhe për lobimin në Senatin Amerikan në përkrahje të palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës”.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, që përmbledhë shumë mirë veprimtarinë e Senatorit Dole, në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve, Presidenti Nishani shprehu, kënaqësinë dhe privilegjin që me rastin e Ditës së Kujtesës së (Memorial Day) kur nderohen sakrificat dhe heronjtë, ka mundësinë: “Për të vlerësuar dhe nderuar kontributet e çmuara dhe mbështetjen thelbësore të mikut të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, përkrahësit të palëkundur të çështjes sonë kombëtare dhe zgjidhjes së saj, Senatorit Robert (Bob) Dole.”
Në vijim Kreu i Shtetit e cilësoi “Senatorin Dole se ka qenë dhe mbetet një nga përkrahësit dhe politikëbërësit amerikanë më me influencë, që jo vetëm ka përkrahur qysh në fillim të viteve ’90-të, por ka ndihmuar zgjidhjen e çështjes shqiptare në Kosovë si dhe përparimin e proceseve demokratike në Shqipëri, duke ndikuar edhe në procesin e paqtimit, dialogut, mirëkuptimit, begatisë dhe orientimit euro-atlantik të mbarë rajonit të Ballkanit.”
“Ju ishit nga të parët që u përpoqët me vendosmëri, që përcaktuat vijën e kuqe të ndalimit të gjenocidit serb ndaj popullsisë civile e të pafajshme shqiptarë në Kosovë, duke lobuar fuqishëm në Senatin amerikan për fitimin e merituar të lirisë e më pas të Pavarësisë së shumëpritur të Kosovës”, i ka thënë Presidenti Nishani, Z. Dole.
“Për të gjitha këto kontribute, i nderuar Senator Dole, shqiptarët si komb, kudo që jetojnë, ju janë përjetësisht mirënjohës. Prandaj në emër edhe të qytetarëve shqiptarë, në cilësinë e Kreut të Shtetit dëshiroj t’ju përgëzoj, t’ju falënderoj nga zemra dhe t’ju akordoj dekoratën më të lartë e më të shenjtë për ne: atë të Flamurit tonë Kombëtar!”, ka deklaruar udhëheqsi shqiptar duke spikatur meritat e këtij burri të madh amerikan dhe mik i shqiptarëve.
Ju faleminderit dhe dëshiroj t’ju siguroj se ju dhe vepra juaj e paharrueshme do të mbeten përherë të gdhendura në kujtesën dhe mirënjohjen historike të kombit shqiptar!”- përfundoi fjalën e tij Presidenti Nishani.
Shumë i emocionuar, Senatori Dole – i cili kishte shërbyer me vite edhe si Ambasador nderi i Presidentit historik të Kosovës në Uashington, Dr. Ibrahim Rugova dhe si përfaqsues i interesave të Kosovës në kryeqytetin amerikan — e falënderoi Presidentin Nishani për këtë vlerësim të lartë, duke kujtuar me nostalgji se, “kur kandidoi për President të Shteteve të Bashkuara në vitin 1996, është i sigurtë që mori votat e të gjithë shqiptaro-amerikanëve”.
Komuniteti shqiptaro-amerikan është i vetdijshëm se në rolin e tij si ambasador nderi i Presidentit Rugova në Uashington, Senatori Dole, ka luajtur rol të veçantë për të mobilizuar Kongresin dhe administratat amerikane, republikane dhe demokrate, në favor të Kosovës. Zoti Dole citohet nga Zëri i Amerikës të ketë thënë gjatë ceremonisë se “Ushqente dashuri të veçantë për shqiptarët dhe e priti me emocion nderin që iu bë”.
Pas largimit nga Senati, Z. Bob Dole ka shërbyer në detyra të larta në jetën private dhe është nderuar me një numër dekoratash kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 2005, kur shërbeja si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan,(KKSHA) vendosëm që Senatorin Dole ta dekoronim me çmimin e rëndësishëm, “Hands of Hope”, “Duartë e Shpresës”, së bashku me Dr. Elez Biberaj, të cilit iu dorëzua dekorata për “Arritje Jetësore”. Dekoratën e KKSHA-së ia dorëzoi Senatorit Dole, aktivisti i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe mbështetës i fortë i Senatorit Dole për dekada, Z. Xhim Xhema, për angazhimin e tij ndaj idealeve që rrjedhin nga të drejtat e pandryshueshme dhe sovrane të individit dhe të cilat duhet të jenë pjesë e njl shoqërie që qeveriset dhe drejtohet nga idealet e një demorkacie të stilit amerikan.
Me këtë rast të dekorimit të tij nga udhëheqsi më i lartë i shtetit shqiptar, falendëroj Senatorin Dole edhe për ndihmën dhe këshillat që ai dhe bashkpuntorët e tij më kanë dhënë mua personalisht dhe KKSHA-së gjatë periudhës që kam shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Zyra e tij ishte gjithmonë e hapur për ne. Për këtë i jam shumë mirënjohës Senatorit Dole dhe bashkpuntorëve të tij të ngushtë. Njëkohsisht i shprehi edhe falënderimet edhe Presidentit Bujar Nishani për dekorimin e këtij miku të madh të kombit shqiptar, shumë të merituar, si mbështetës dhe luftëtar për të drejtat e shqiptarëve kudo.
Frank Shkreli: Deri kur kështu me shqiptarët në Mal të Zi?
Të ënjtën, me 25 maj në Bruksel, takohen kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të NATO-s. Në një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës Perëndimore, Jens Stoltenberg të mërkurën, thuhet se takimi i Brukselit do të jetë i shkurtër por i rëndësishëm, pasi do të mbledhë udhëheqësit e 28-vendeve aleate. Takimi i udhëheqësve të Aleancës, do të dërgojë një mesazh të fortë uniteti dhe solidariteti, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Në njoftimin e NATO-s për media, thuhet se Kryeministri Markoviq i Malit të Zi do tu bashkohet udhëheqësve aleatë të NATO-s, ndërkohë që parlamentet e të gjithë 28 vendeve anëtare të aleancës perëndimore e kanë miratuar tanimë antarësimin e Malit të Zi në NATO. Në njoftim thuhet gjithashtu se, “Ky është një hap përpara për Malin e Zi, për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor si dhe për vizionin tonë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqë. Presim me kënaqësi që me 29 qershor, Mali i Zi të bëhet zyrtarisht anëtari i 29-të i Aleancës, NATO”, ka thënë për gazetarët, Jens Stoltenberg.
Nga kryeqendra e Aleancës Perëndimore në Bruksel, le të kthehemi tek realiteti politik në Ballkan, pikërisht në Malin e Zi dhe gjendjen e shqiptarëve atje, në një vend që muajin që vjen bëhet anëtari i 29-të e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO.
Ndërkaq, në këtë atmosferë euforizmi për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, është e pamundur që të mos na tërheqin vëmendjen disa zhvillime të kohëve të fundit në Mal të Zi, pikërisht, përsa u përket shqiptarëve autoktonë në trojet e veta shekullore, në atë shtet. Portali Ulqinionline ka njoftuar ditët e fundit reagime të medias malazeze në lidhje me disa veprimtari krejtsisht inocente nga pjesëtarë të komunitetit shqiptar në rrethin e Ulqinit: njëra ka të bëjë me një ndeshje sportive, ku është shpalos flamuri shqiptar dhe tjetra ka të bëjë me një ekskurzion që bëhet çdo vjet në Malin e Rumisë. Janë këto dy ngjarje të kohëve të fundit që prekin të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, e të cilat janë bërë temë shkrimesh e diskutimesh antishqiptare në median malazeze. Reagime të tilla, nuk i kanë hije një medias të një vendi që së shpejti do bëhet zyrtarisht anëtar i NATOs dhe njëkohësisht nuk i sjellin nder as nuk e bëjnë krenare qeverinë dhe as shtetin malazias ,që në prak të antarësimit në NATO, mediat e saj deklarojnë se valvitja e flamurit shqiptar në një ndeshje futbolli dhe një ekskursion ose një piknik pranveror në maje të Rumisë, janë ngjarje që destabilizojnë vendin. Sipas disa mediave malazeze, flamuri shqiptar pranë të cilit së shpejti do të valvitë edhe flamuri malazez në kryeqendrën e NATO-s në Bruksel, na qenka shenjë destabiliteti për Malin e Zi.
Edhe ky grup bjeshkatarësh nga trojet shqiptare Kraja, Ulqini, Tivari, Ana e Malit e Tuzi, në maje të Rumisë, duken shumë të rrezikëshëm për stabilitetin e Malit të Zi
Sipas Ulqinionline dy të përditshmet malazeze, Dan edhe Vijesti, si kryelajm kanë vendosur aktivitetin e shqiptarëve në Rumi por duke i dhënë kahje krejtsisht tjetër nga realiteti. Është e çuditshëme se si një piknik i shqiptarëve dhe i etnive tjera ze vend në faqet e para të gazetave më të mëdha në Podgoricë, duke paralajmëruar se një aktivitet i tillë “kamping”, që mbahet çdo vjetë — pra nuk ka gjë ndryshe as sivjet — kërcënon sigurinë e shtetit malazias. Sipas portalit Ulqinionline, fotografi me thikë dhe sopatë në duar, të domosdoshme për kamping, kanë qenë të mjaftueshme që mediat serbe, konkretisht portali me emrin IN4S, të zbulojë “skandalin” e radhës. “Shqiptarë me uniforma dhe të armatosur, okupojnë Ruminë në Ditën e pavarësisë së Malit të Zi”, ishte titulli i këtij portali rreth daljes së përvitshme të qytetareve të viseve shqiptare e më gjërë, në maje të Rumisë. Portali malazias ankohet se pse nuk kanë reagur autoritetet shtetërore ndaj këtij skandali të shqioptarëve dhe rrezikut që paraqet për stabilitetin e Malit të Zi.
Rasti tjetër për të cilin u dha alarmi ishte një ndeshje futbolli në Ulqin, ku tifozët vendas kishin shpalosur Flamurin Shqiptar. Për këtë “shkelje të rëndë të rendit dhe qetësisë në vend, njoftohet se, komisioni për gara pranë Federatës Malazeze të futbollit, para disa ditësh, ka filluar procedurat disiplinore kundër skuadrës së futbollit, “Otrant Olimpik” nga Ulqini për shkak të organizimit të dobët, sipas saj, të ndeshjes së javës së kaluar kundër ekipt të Ibrit nga Rozhaja. Media ulqinake njofton se “organizimi i dobët”, sipas këtij Komisioni, kishte të bënte edhe “me shpalosjen e flamurit shqiptar në shkallët e stadiumit gjatë ndeshjes së skuadrave, Otrant – Ibër. Klubi ulqinak madje është dënuar me qindra euro dhe masa të tjera disiplinore për “organizimin e dobët” të ndeshjes. Njoftohet se personi që ka shpalosur flamurin shqiptar, Shpëtim Osmani të jetë ftuar nga Dega e Punëve të Mbrendshme në Ulqin për një “bisedë informative” sepse ky zotëria, duke shpalosur Flamurin Shqiptar në stadium, na paska shkelur rendin publik dhe paska prishur qetësinë. E vetmja gjë pozitive nga gjithë ky mes është njoftimi se skuadra e Ulqinit ka shënuar, sipas medias vendase, fitoren më të mirë dhe më të rëndësishme të këtij viti.
Shpalosja e Flamurit Shqiptar në një ndeshje sportive destabilizon Malin e Zi e ndoshta edhe Ballkanin, sipas medias malazeze!
Këto ngjarje kanë shkaktuar, me të drejtë, revoltim dhe shqetësim në radhët e shqiptarëve në Mal të Zi. Është e pabesueshme se shpalosja e një flamuri, cilitdo flamur dhe e cilitdo vend, në një ndeshje sportive, të konsiderohet si një akt armqisor që destabilizon situatën dhe prishë qetësinë në një vend, si Mali i Zi, në prak të antarësimit në NATO. Për më tepër, kur flamuri që shpaloset në territorin e tij nga qytetarë të tij, në trojet e veta shekullore, i përket gjithashtu një vendi anëtar të NATO-s, Republikës së Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo.
Komentet në portalet vendase dënojnë këto akte si të turpshme për shtetin malazias që toleron gjëra të tilla, por kritikave nuk u shpëton as klasa politike shqiptare në Mal të Zi, me përjashtim të subjektit politik Ura, raporton portali Ulqinionline. Sipas medias vendase përfaqsuesit e shqiptarëve në Mal të Zi, nnuk ka reagur ndaj këtyre masave anti-shqiptare dhe as nuk ka kritikuar median malaleze e cila me shkrimet e saja acaron marrëdhëniet ndër-etnike në Mal të Zi. Mungesa e reagimit të subjektit shqiptar në Mal të Zi, ndaj këtyre dukurive të fundit në rrethin e Ulqinit, përfshirë edhe aktivitetet e përfaqsuesve të Kishës Ortodokse serbe, kohët e fundit, në fshatin Martinaj të Plavë-Gucisë, është në vetvete një skandal. Skandal, mbi skandal!
Por duke reaguar ndaj këtyre dukurive, Asdren Çelaj, Kryetar i Klubit të Këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve – Guci, në një shkrim të kohëve të fundit u drejtohet subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi duke u bërë thirrje për reagim ndaj dukurive të fundit: “Folni burra nga një fjalë se nuk bâhet kijameti, mos u frikësoni, nëse asgjë më tepër nuk mund të bëni, të pakten folni sepse nuk keni arritë në ato pozita me votat e Cetinjes, por me votën e popullit shqiptar, me votën e popullit tuaj! Shqiptarët nën Mal të Zi nuk kanë flamur tjetër, përveç shqiponjes dykrenëshe, nuk kanë vend tjetër pos tokave të tyre autoktone, e nuk mund të ikim e as do të ikim nga trojet tona, sado që ky shtet të përdor masa shtërngimi, të tilla si rastet i fundit!
Për derisa shqiptarët vazhdojnë të ndjehen si të huaj në shtëpinë vet, as Mali i Zi dhe as Ballkani nuk do të ketë paqë e stabilitet. Nuk është shpalosja e Flamurit Shqiptar në një ndeshje sportive, që është diçka krejt normale në mbarë botën, ajo që destabilizon Malin e Zi. Por janë masat ndëshkuese të Podgoricës zyrtare ndaj shqiptarëve autoktonë — duke u mohuar të drejtat etnike dhe identitetin e tyre kombëtar – ato që destabilizojnë Malin e Zi dhe shkelja e të drejtave bazë të njeriut shqiptarëve të Ulqinit me rrethe, të drejta këto të njohura nga të gjitha konventat ndërkombëtare mbi të drejtat bazë të njeriut. Sjelljet e Podgoricës nuk janë të denja për një vend anëtar të NATO-s.
Frank Shkreli: Kombi ka nevojë për filiza të rinj në trungun e vjetër politik
Ndërkohë që përzgjidhen kandidatët për deputetë në Shqipëri dhe në Kosovë, kujtojmë parlamentin e parë shqiptar. Pas marrëveshjes Rama-Basha, partitë politike shqiptare kanë filluar konsultimet me bazën për të përzgjedhur kandidatët e mundëshëm për në parlamentin e ardhshëm që do të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri. Gjatë këtij procesi, merret me mend, se të pakën, sa për sy e faqe, partitë do të përpiqen të evidentojnë persona kandidatë, që përveç besnikërisë së tyre ndaj partisë dhe posedimit të aftësive bazë që kërkon detyra për të kryer punën e parlamentarit, kandidatët potencial për në parlamentin e ardhshëm, të jenë edhe njerëz me integritet dhe të cilët gëzojnë njëfarë reputacioni si individ dhe si shqiptarë, në fushën e veprimtarisë së tyre, në rrethin ku jetojnë.
Kështu shpresohet, ndërsa partitë politike kanë deklaruar se do të zgjedhin njerëzit më të mirë, më me reputacion dhe pa konflikte interesi. Thuhet se partitë e mëdha po përpiqen të zgjedhin edhe kandidatë në moshë të re, të cilët mund të jenë të aftë të mendojnë dhe të veprojnë, “outside the box”, jashtë përcaktimeve të politikës së partive, njerëz të cilët ndoshta nuk e ndjejnë veten edhe aq shumë të lidhur me partinë, por që mund të veprojnë edhe pavarësisht partisë. Por, fatkeqësisht, historia e këtyre 27-viteve post-komunizëm sugjeron ndryshe.
Në këtë periudhë parazgjedhore, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, është një rast i mirë ndoshta për të provuar diçka krejt ndryshe nga e kaluara në përzgjedhjen e kandidatëve të ardhëshëm për në kuvendet e dy shteteve shqiptare. Që besnikëria ndaj partisë të mos jetë kualifikimi kryesor për një kandidat në parlament, por të jetë aftësia profesionale, mbi të gjitha, dashuria për Atdheun si dhe vullneti për tu shërbyer të gjithë shqiptarëve dhe të mirës së përbashkët, ndërtimit të shtetit të lirë e demokratik, ku të marrin pjesë të gjithë në sofrën e përbashkët, pa dallime politike dhe partiake. Fatkeqsisht, deri tani, devijimi nga vija politike e partisë nga individë memendime ndryshe, është ndëshkuar rëndë nga partitë. Por, pa liri mendimi dhe veprimi nga antarët e parlamentit të ardhëshëm, qoftë mbrenda partive politike, qoftë pavarësisht tyre, vendi nuk do të ketë liri të plotë as në fusha të tjera në shoqërinë e gjërë shqiptare. Me këtë mentalitet, Shqipëria dhe Kosova do vazhdojnë të jenë midis vendeve që konsiderohen si gjysëm të lira.
Megjithse shpresa vdes e fundit, fatkeqësisht, historia e këtyre 27-viteve post-komunizëm sugjeron ndryshe. Kemi pasur të bëjmë me parlamente jo funksional, të njohur për mosmarrveshje, sharje, debate të denigruara, konflikte politike, që madje kanë përfunduar edhe konflikte fizike. Edhe më keq, vërejtësit shpesh u janë referuar si parlamente krimi. Si përfundim, në këtë periudhë parazgjedhore parlamentare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, ndoshta ia vlenë që nëqoftse jo partitë, atëherë votuesit shqiptarë — ndërkohë që po vlerësohen kandidatët e ardhëshëm për parlament — të pyesin veten: a duam një parlament ndryshe, në krahasim me parlamentet e periudhës post-komuniste të deritanishme, dhe cilët janë njerzit që duan t’i përfaqësojnë ata në tempullin e demokracisë.
A do të kërkojnë votuesit shqiptarë me këmbëngulje një parlamentarizëm të ri, që do të pasqyronte vullnetin dhe interesat e zgjedhësve shqiptarë dhe jo ato të padronëve partiakë dhe të klaneve të tyre politike? Partitë politike dhe votuesit shqiptarë duhet të reflektojnë seriozisht që të vijnë në përfundimin se gjërat deri tani nuk kanë shkuar aspak mirë dhe njëkohsisht të pyesin veten: Cilët duhet të jenë parlamentarët e ri që do të përfaqësojnë vërtetë interesat e kombit shqiptar dhe të cilët, me punën e tyre, mundësisht do të lindin pranvera të reja shqiptarizmi të vërtetë dhe tradicional, bazuar në vlerat historike të kombit, përfshirë edhe ato të trashëguara nga disa prej antarëve të parlamentit të parë shqiptar, për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët, pa dallime politike, fetare ose krahinore.
Gjenerata e re aktuale politike e shqiptarëve, mund të marrë shembull nga breznitë e vjetëra politike të kombit, përfshirë edhe anëtarët e parlamentit të parë shqiptar të vitit 1920. Mund të thotë dikush çfarë na duhet të shikojmë pas, duhet të shikojmë drejtë ardhëmërisë sonë. E vërtetë, por po t’u hedhim një sy emrave të burrave që përbënin parlamentin e parë shqiptar, është e pamundur të mos vlerësojmë sot se ata ishin jo vetëm interpretuesit por edhe praktikuesit më të spikatur të atdhedashurisë dhe të shpirtit të fisit arbënor. Ata ishin gjithashtu edhe promovuesit dhe realizuesit e fortë të shprehjes së vullnetit të popullit — nëqoftse këto vlera kanë ndonjë rëndësi për politikanët e sotëm ose të ardhëm.
Sot, kombi shqiptar ka nevojë për filiza të ri në trungun e vjetër të politikës dhe të atdhedashurisë, për të vazhduar zhvillimin natyral politiko-historik të shqiptarëve, të ndërprerë nga regjimi komunist 50-vjeçar dhe nga trashëgimia e tij gjithnjë aktuale në politikën shqiptare. Parlamentarët e ri që do të zgjidhen muajin e ardhëshëm — si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri — kanë shembuj për të ndjekur, për mirë. Janë shembuj, antarët e parlamentit të parë shqiptar të vitit 1920. Këta patriotë ishin kryesisht mbrojtës të vlerave shpirtërore dhe të trashëgimisë kombëtare. Politika e shqiptarëve sot duhet të jetë tepër e kujdesshme që të ruhet nga influencat e huaja djallëzore antishqiptare– që me sjelljet e tyre, sidmos në marrëdhëniet politike me njëri tjetrin, të mos sjellin ujë në mullijtë e atyre që historikisht nuk ia kanë dashur kurrë të mirën kombit shqiptar. Si Tirana ashtu edhe Prishtina duhet të kenë kujdes nga ata që trumbetojnë vëllazërim me popullin shqiptar në emër ideologjishë dhe interesash ekonomike. Ata mund të kenë ndryshuar për nga mënyra e veprimit, por jo qëllimet e tyre të influencës dhe të zotërimit. Mesazhi i parlamentit të parë shqiptar është: “Merrni fatin e vendit në duartë tuaja”, duke krijuar një gjëndje politike, ekonomike, shpirtërore dhe shoqërore, që e bëjnë jetën të denjë për tu jetuar nga të gjithë shqiptarët në trojet e veta.
Parlamenti i parë shqiptar (27 mars 1920 – 20-dhjetor 1020), u krijua nga Kongresi i Lushnjes, si organ legjislativ, përbëhej nga 37 anëtarë të zgjedhur nga delegatët e Kongresit, të cilët “në mënyrë të organizuar politike shprehën vullnetin e shqiptarëve për të marrë fatin e vendit në duart e veta”. Ishte kjo një brezni plot dinjitet patriotësh shqiptarë që hapi rrugët e lirisë dhe e cila filloi — nën kushte tepër të vështira — ndërtimin e shtetit shqiptar. Siç tregon edhe fotografia më poshtë, shumë prej tyre janë ndër kolosët e historisë kombëtare të shqiptarëve, të cilët gjithnjë vazhdojnë të hedhin rreze ndriçimi patriotizmi dhe diturie për të gjithë brezat e shqiptarëve.
Le të shpresojmë se një brez i ri politikanësh shqiptarë – mundësisht filiza të ri në trungun e vjetër – të cilët do të zgjidhen në parlamentin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës muajin që vjen si përfaqsues të popullit, të shprehin vullnetin dhe interesat e shqiptarëve tashmë të lodhur nga politika e oligarkëve dhe interesat e tyre. Që të marrë në duartë e veta fatin e vendit dhe njëkohsisht të ndjekin shembullin e antarëve të parlamentit të parë shqiptar për patriotizëm dhe atdhedashuri, duke hapur kështu udhë të reja në historinë moderne të shqiptarëve, si trashëgues dhe ndjekës të traditës dhe të vlerave kombëtare që shumë prej këtyre burrave të dalluar të kombit të fillim shekullit të kaluar, u lanë pasë trashëgimi shqiptarëve për të gjitha kohërat.