Të dielën më dy shkurt, në Munih të Gjermanisë morën fund punimet e “Konferencës së Munihut”, e 50-ta e radhës mbi sfidat e sigurisë në Evropë dhe në botë. Sipas organizuesve, në konferencën e sivjetme morën pjesë, përveç afër 20 udhëheqës shtetesh e qeverish dhe rreth 50-ministrave të punëve të jashtme dhe të mbrojtjes, edhe shumë përfaqësues të medias dhe të shoqërive civile nga vende të ndryshsme. ”Konferenca e Munihut”, gjatë dekadave të kaluara është e njohur si një prej forumeve ndërkombëtare më me rëndësi, ku janë debatuar dhe shkëmbyer mendimet nga vendimmarrësit më të lartë ndërkombëtarë në lidhje me sfidat e mbrojtjes dhe të sigurisë, me të cilat përballet bota tani dhe në të ardhmen, por tema kryesore e bisedimeve të kësaj konference ka qenë gjithmonë zhvillimi dhe përforcimi i marrëdhënieve trans-atlantike midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës. ”Konferenca e Munihut”, kryetar i së cilës është ambasadori Wolfgang Ischinger, u hap të premten nga Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, i cili foli mbi rolin e Gjermanisë në botë. Udhëheqsi gjerman tha se, “Shtetet e Bashkuara nuk mund të jenë gjithmonë një burim i pashterrur sigurie” dhe bëri thirrje , “që Gjermania dhe aleatët e saj europianë, duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre.” Për më tepër, theksoi Presidenti gjerman Gauck — i cili vet e ka pësuar keq për disa vite në burgjet komuniste të ish Gjermanisë Lindore — “se për Gjermaninë dhe për aleatët e saj duhet të jetë diçka e natyrshëme, që të mos refuzojnë kurrë, por të mbështesin popujt e të tjerë kur shkeljet e të drejtave të tyre bazë, përfundojnë në gjenocid, në krime lufte, në spastrime etnike ose në krime kundër njerëzimit.” Ish i burgosuri i regjimit komunist gjermano-lindor, tani president i Gjermanisë, njërit prej vendeve më të fuqishme në botë, i tha “Konferencës së Munihut”, se “Regjimet brutale nuk duhet të lejohen të fshehen pas perdes së parimeve të sovranitetit shtetëror dhe të mos ndërhyrjes”. Ai nënvijoi edhe konceptin e ”përgjegjësisë për të mbrojtur” të pafajshmit e cilit do vend qoftë nga barbarizmat çnjerzore, si një “përgjegjësi e komunitetit ndërkombëtar”, kur vet shteti dhe qeveria e tyre dështojnë të bëjnë një gjë të tillë. Presidenti gjerman u bëri thirrje bashkombasve të vet që të vazhdojnë të jenë të angazhuar ndaj bashkpunimit me “aleatët tanë europianë dhe me miqët tanë në organizatën e Atlantikut Verior”, ashtuqë të “mos harrojmë, të mos lëmë pas dore dhe të mos tradhëtojmë vlerat universale të njeriut, por t’i zbatojmë ato së bashku me miqtë dhe aleatët tanë, të jetojmë në bazë të këtyre vlerave të përbashkëta dhe t’i mbrojmë ato kudo e kurdoherë që të kërcënohen ato”, përfundoi Presidenti i Gjermanisë Federale.
Presidenti i Gjermanisë Joachim Gauck me Sekretarin Amerikan në Konferencën e 50-të në Munih
Shtetet e Bashkuara u përfaqsuan në ”Konferencën e Munihut” me një delegacion të nivelit të lartë, kryesuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri dhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Çak Hegel, ndërkohë që përfshinte edhe anëtarë të Kongresit, si dhe ish-zyrtarë të lartë, siç është Henri Kisinger. Xhon Kerri, duke kujtuar fëmijërinë tij në Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore, ku i ati shërbente si diplomat në atë kohë, ndërsa po fliste për Planin Marshall të ndihmave amerikane për rindërtimin e Europës së pas luftës, i tha konferencës se sot, “Vizioni i guximshëm i Xhorxh Marshall-it, kërkon prej nesh që të mendojmë për diçka më shumë se vetëm të ngrejmë ndërtesa të reja. Periudha e Xhorxh Marshall-it ishte një periudhë që dëshmoi mbështetjen dhe angazhimin amerikan për ri-ndërtimin e një kontinenti. Por ajo periudhë ishte diçka më shumë se rindërtimi i një kontinenti”, tha ai. Sekretari Amerikan Kerri vazhdoi duke thënë se Plani Marshall, ” në të vërtetë ishte, rindërtimi i një ideje, ishte rindërtimi i një vizioni, i bazuar mbi një seri parimesh, që përfundoi në themelimin e një aleance, që vetëm disa vite më pare, as që nuk mund të merrej me mendë se mund të krijohej.”
Sekretari Amerikan i Shtetit tha se gjatë gjithë jetës së tij ishte i vetdijshëm se, “Shtetet e Bashkuara dhe Europa janë më të forta kur janë të bashkuara për paqë dhe begati, kur kemi të njëjtin qendrim për një mbrojtje të fortë dhe për një siguri të përbashkët, por njëkohësisht edhe kur së bashku mbështesim lirinë dhe vlerat e përbashkëta njerëzore.” Përballë sfidave me të cilat përballet sot bota, ai tha se “duhet të bëjmë më shumë, në mbështetje të këtyre vlerave të përbashkëta, dhe jo vetëm të flasim për to”. Dhe shtoi se duhet të mendojmë më seriozisht dhe të punojmë më shumë ashtuqë të mund të përballemi me kërcënimet ndaj vlerave tona të përbashkëta dhe universale të njeriut.
Kryediplomati amerikan përmendi kërcënimet nga terrorizmi, nga ekstremizmi dhe radikalizmi fetar që, sipas tij, rrezikojnë shtetet e dështuara dhe ato në dështim e sipër. Europa, tha Zoti Kerri nuk është ende e ”tërë, e lirë dhe në paqë”, dhe shtoi se për t’u përballur me sukses me sfidat e sotëme, “Amerika ka nevojë për një Europë të fortë, por dhe Europa ka nevojë për një Amerikë të angazhuar” dhe jo izolacioniste. Izolacionizmi, tha Xhon Kerri, nuk është një opcion për asnjërën palë.
Kryediplomati amerikan qe shumë i sinqertë me të pranishmit, duke thënë se të gjitha këto që i tha nuk ishin një leksion për askënd, pasi pranoi se vet demokracia amerikane nuk është e përsosur, në të vërtetë tha Zoti Kerri, është një sistem që gjithmonë është në përsosje e sipër, ”Jemi krenarë”, shtoi ai, se ”ne përpiqemi që të përsosim sistemin tonë në mënyrë të hapur e transparente, me përgjegjësi për ta reformuar, për ta ndrequr ku e kur është e nevojshme dhe për ta përforcuar atë kur duhet.” Kështuqë, tha ai, ne i bashkohemi këtij dialogu me ju këtu në Munih, duke ditur dhe duke pranuar të metat tona, por pranimi i mangësive tona nuk do të thotë se ne nuk do themi gjërat ashtu siç i shohim në vende të tjera duke u bazuar në pikpamjet dhe vlerat tona. Ai foli për ngjarjet në Ukrainë, duke thënë se lufta për për një të ardhme demokratike në Europë, sot për sot, nuk është askund më e rëndësishme se në Ukrainë. Sekretari Amerikan i Shtetit u angazhua se, “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian qëndrojnë pranë popullit ukrainas në këtë luftë”, dhe shtoi se shumica e popullit ukrainas dëshiron të jetojë në një vend të lirë, demokratik, në siguri dhe begati. Ai tha gjithashtu se nuk duhet të ketë asnjë dyshim në qëndrimin tonë për të folur haptazi dhe me vendosmëri, në raste kur të shkelen vlerat dhe interesat tona, kudo në botë.
Duke vazhduar të fliste për vlerat e përbashkëta, nga fundi i fjalimit të tij, Zoti Kerri një kritikë të posaçme rezervoi për ata që i quajti ”oligarkë” në Europën Lindore dhe në Balkan, duke thënë se, “Fakti është se ne shohim tendenca shqetsuese në shumë rajone të Europës Qendrore dhe Lindore, si dhe në vendet e Ballkanit. Aspiratat e qytetarëve po shtypen dhe po shkelen nga interesat e oligarkëve të korruptuar, interesa këto të cilat përdorin paratë për t’i mbyllur gojën opozitës politike dhe kundërshtarëve, për të blerë politikanët dhe entet mediatike, dhe për të dobësuar pavarësinë e gjykatave dhe njëkohësisht ata përdorin trysni duke abuzuar me të drejtat e organizatave jo-qeveritare për të ekzistuar dhe për të vepruar”, në ambientin e tyre, tha Xhon Kerri.
Kjo kritikë e Zotit Kerri ndaj disa vendeve ku oligarkët, sidomos në Ballkan, kanë uzurpuar jetën politike dhe ekonomike, e ku ata në shumë raste kontrollojnë dhe përdorin median për manipulimin politikanëve dhe të zgjedhjeve, është një referencë e qartë se në këtë mes bota perëndimore nuk ndanë me pasurinë e përbashkët të vlerave universale, për të cilat u fol në Konferencën e Munihut, me vendet ku oligarkët dhe interesat e tyre i kanë zënë frymën shoqërisë dhe zhvillimit të saj demokratik dhe ku kanë helmuar e korruptuar klasën politike dhe median për interes të tyre. Analistë të çështjeve ballkanike kanë thënë se përqendrimi i medias në duartë e këtyre oligarkëve dhe politikanëve të fuqishëm, kërcënon seriozisht pavarësinë e medias, pasi mungesa e pavarësisë financiare të enteve mediatike i bën ato të varen politikisht dhe të kontrollohen nga këta oligarkë. Kjo gjëndje përkeqsohet edhe më shumë kur oligarkët vendas, sidomos ata të vendeve ballkanike, bashkpunojnë me oligarkët nga shtete të tjera, veçanërisht ata të ardhur nga Rusia, Turqia dhe ndonjë vend tjetër. Shtypi i huaj ka shkruar shpesh për këta oligarkë të Ballkanit dhe për influencën e tyre negative në zhvillimet demokratike të këtyre vendeve, por mund të jetë hera e parë që një zyrtar i lartë amerikan, në nivelin e kryediplomatit Kerri, i përmend oligarkët si një klasë e veçantë me influencë në këtë pjesë të botës, të cilët përbëjnë pengesën kryesore të zhvillimit të mirëfilltë demokratik, ndër të tjera të pavarësisë së gjykatave, të lirisë së medias dhe lirive të tjera demokratike. Siç duket, Sekretari i Shtetit me deklaratën e tij në Munih në lidhje me atmosferën negative politike dhe ekonomike të krijuar nga oligarkët në Ballkan tha tërthorazi se, për derisa kjo gjëndje nuk përmirësohet — me këto vende nuk mund të ketë partneritet serioz as ndarje të vlerave perëndimore, siç janë dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, barazia, zbatimi i ligjit dhe të drejtat bazë universale të njeriut. Si rrjedhim, shtoi ai, Europa ende nuk është ende “një e tërë, në paqë dhe e bashkuar”.
Presidenti i Gjermanisë, Joakim Gauck tha se këto vlera universale duhet të mbështeten dhe të mbrohen së bashku me miqtë dhe partenerët tanë në organizmat euro-atlantike, përfshirë NATO-n. Ndërsa Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Çak Hegel, duke llogaritur në një përkrahje më të madhe nga partnerët europianë, tha se “Partneritet, do të thotë partneritet! Çdo vend anëtar duhet të marrë pjesë dhe të luaj rolin që i takon”, dhe shtoi se “nëqoftse konsiderohet se sigurimi i një kombi nuk meriton një investim të tillë partneriteti dhe nëqoftse udhëheqja e një vendi nuk dëshiron të punojë për një investim të tillë, atëherë ai vend” sipas tij, “nuk ka udhëheqjen që meriton — dhe siç na mëson historia, mund të thuhet se e ardhmja e atij vendi është në rrezik”, paralajmëroi Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Çak Hegel. Andaj, minimizimi i rolit dhe i influencës mbytëse të oligarkëve në jetën politike dhe ekonomike të vendeve të Ballkanit, do të ishte një ndër hapat kryesorë që do të përshpejtonte integrimin e plotë euro-atlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Për ndryshe fjalët e udhëheqsve të këtyre vendeve, se ata janë serioz për integrimin e tyre në Bashkimin Europian, si dhe për një partneritet të denjë dhe me vlera të përbashkëta — mbeten vetëm aq — fjalë dhe asgjë tjetër. Të pakën kjo është historia e 20-vjetëve të fundit!