Donald Trump është zgjedhur dhe javën që kaloi u betua si president i Shteteve të Bashkuara. Dua të them nga fillimi, ashtu siç jam shprehur edhe në disa shkrime gjatë fushatës për president të Amerikës se me Donald Trump nuk më lidhin shumë gjëra dhe vazhdoj të kemë rezervimet e mia mbi disa prej politikave të tija të prononcuara deri më tani. Donald Trump u zgjodh president nga populli amerikan dhe si i tillë duhet të respektohet vota e zgjedhsve amerikanë, të pakën deri atëherë kur të kemi arsye që të themi se paskemi bërë gabim. Por edhe po të ndodhte një gjë e tillë, për ata që dinë diçka për sistemin politik të SHBA-ave, është vet ky sistem që do të kujdeset për të qenë gati për çdo eventualitet, prandaj korbat e zi përtej oqeanit nuk kanë nevojë të derdhin kot lotë krokodili për të ardhmen e Amerikës sepse fati i saj është në dorë të popullit amerikan dhe të përfaqsuesve të tij dhe jo në dorë të një ose më shumë individësh, sado të pushtetshëm të jenë ata. Këto mendime që pasojnë, në të vërtetë nuk kanë të bëjnë aspak me Donald Trump-in si president, por kanë të bëjnë me ata korbat e zi të cilët, me zgjedhjen e Donald Trump në krye të Amerikës, po njellin fundin e Shteteve të Bashkuara, ashtu siç e njohim sot Amerikën. Nga entuziazmi që tregojnë, kjo shfaqje, në të vërtetë, duket më shumë si një dëshirë nga ana e tyre se sa një shqetsim.
Socialistët dhe social demokratët majtistë të Evropës së bashku me mediat e tyre pothuajse e kanë shpallur tanimë fillimin e luftës civile në Amerikë. Për më tepër, ata shfaqin gjoja “shqetsimin” e tyre për fundin e Amerikës, por edhe se zgjedhja e Donald Trump-it do të shkaktojë luftën e tretë botërore, e tjera parashikime të zymta. Madje, edhe në disa media shqiptare që e konsiderojnë veten majtiste shoh shkrime por edhe programe selektive në televizion, në të cilat komentuesit paraqesin Amerikën në dritën më negative që është e mundur, si rrjedhim i zgjedhjes së presidentit Trump. Ndërkohë botohen e ribotohen shkrime në disa gazeta, disa prej të cilave janë artikuj të përkthyer të autorëve majtistë evropianë, të selekcionuar me kujdes nga redaktorët shqiptarë, në përputhje ideologjike me pikpamjet e tyre, e të cilët veç njellin zi për Amerikën. Një prej atyre shkrimeve, nga një autor i huaj i uronte mirëseardhjen Amerikës në “klubin” e vendeve Arabe. Sikur media shqiptare – me ndonjë përjashtim të dalluar — nuk ka me çka tjetër të merret, veç të ribotojë shkrime anti-amerikane të majtistëve evropianë! Sikur Shqipëria nuk i ka hallet e veta të cilat duhej të trajtoheshin nga media vendase, për gjetje zgjidhjesh. Por, duket sikur një segment i medias shqiptare ka marrë përsipër të qajë hallin e Amerikës nën administratën Trump në vend që të përballet me sfdiat e vendit. Nuk jam i sigurt nëse kjo dukuri në median shqiptare është në të vërtetë një përpjekje për të kamufluar problemet e mbrendshme të Shqipërisë, apo është një politikë editoriale e qëllimshme, nga disa qarqe, për të kritikuar dhe sulmuar Amerikën si dikur në kohën e komunizmit. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se, në përgjithsi, një nivel i tillë kritikash nuk vihet re, për të njëjtën periudhë, në mediat e Republikës së Kosovës, ç’prej zgjedhjes së Donald Trump-it president të SHBA-ave.
Këto komente në media por edhe në radhët e disa politikanëve evropianë, të sjellin në kujtesë kulmin e luftës së ftohtë gjatë 1980-ave kur president i Amerikës ishte Ronald Reagan. Dëshmitarët e asaj kohe mbajnë mendë se vendet komuniste e madje edhe disa vende perëndimore, përfshirë mediat e tyre, shpreheshin se Presidenti amerikan Ronald Reagan me deklaratat dhe politikat e tija të ashpra anti-komuniste do të shkaktonte shpërthimin e luftës së tretë botërore. Akuza këto që më në fund përfunduan në protesta të mëdha organizatash të majta komuniste dhe neo-komuniste, të cilat organizonin protesta anë e mbanë Evropës perëndimore me pjesëmarrjen e qindra mijëra demonstruesve kundër Shteteve të Bashkuara dhe politikave të “kaubojcit” amerikan Reagan. Për rezultatet e politikës së jashtme dhe të mbrendshme të Presidentit Ronald Reagan flet vet historia. Sot, ai konsiderohet si njëri prej presidentëve më të suksesshëm amerikanë.
Kësaj radhe, Amerika zgjodhi një president ndryshe dhe një gjeneratë tjetër korbash të zi matanë oqeanit prap, ashtu si në kohën e Presidentit Reagan, parashikojnë fundin e Amerikës, mbarimin e botës dhe luftën e tretë botërore të shkaktuar nga Amerika. Fjalori shqip e shpjegon se korbi është një zog me pendë të zeza që e bën folenë në drurë, zakonisht në vende të vetmuara. Të vetmuar në pikpamjet e tyre, këta korba të cilët si rrjedhim i vetmisë së izolimit shpirtëror dhe intelektual të tyre, sidomos të izolimit nga vlerat morale dhe politike të popullit amerikan, nuk kanë shumë njohuri nga bota e sidomos nga bota e Shteteve të Bashkuara dhe as njohuri se si në të vërtetë funksionon sistemi politik amerikan.
Amerika nuk është Donald Trump, as Barak Obama, as George Bush dhe as Bill Clinton. Të gjithë këta — disa më të mirë e disa më të këqij – megjithse kjo i lihet historisë t’i gjykojë — janë ushtrues të detyrës bazuar në një sistem politik të përcaktuar shekuj më parë nga themeluesit e këtij kombi, një sistem ky i cili përcakton kufizime të qarta ndaj pushtetit që mund të ushtrojë presidenti në politikat e mbrendshme, të jashtme dhe ushtarake, pa pasur mundësi të shkelë vijat e kuqe që ia përcakton kushtetuta. Janë degët e tjera të qeverisë federale — Kongresi dhe Gjyqësori – ato që kontrollojnë punët e presidencës, por është edhe presioni publik, siç ishin demonstratat masive anë e mbanë Amerikës një ditë pas betimit të Presidentit Trump. Demonstrata të tilla nuk njellin fundin e Amerikës, siç mendojnë korbat e zi evropianë, as nuk tregojnë dobësinë e sistemit amerikan, por përkundrazi venë në dukje vitalitetin dhe gatishmërinë e shoqërisë amerikane për të shfaqur kundërshimet e saj kur e sheh të nevojshme — në mënyrë entuziaste dhe të organizuar me një numër të madh pjesmarrësish — ndaj politikave të veçanta të Presidentit ose qeverisë federale, shtetërore e vendore, ose në favor të kauzave të ndryshme, në përgjithsi. Është një detyrë dhe përgjegjësi e shenjtë, tradicionale e amerikanëve për të venë gjithmonë në dyshim vërtetësinë e premtimeve dhe zbatimin e këtyre premtimeve nga të zgjedhurit në pushtet, përfshirë presidentin (always question authority”).
Prandaj mos kini merak — se cilat do qofshin ose jo problemet e amerikanëve me Presidentin Trump, ose me presidentë të tjerë në të ardhmen, ata do t’i zgjidhin vet atë probleme me votë të lirë, me protesta po se po, por kryesisht me mjete ligjore dhe kushtetuese, në Kongresin Amerikan dhe në Gjykatën e Lartë, po të jetë nevoja, ashtu siç ka ndodhur me skandalin “votergejt” në fillim të 1970-ave, një rast ky që ndryshoi përgjithmonë dhe mund të thuhet për më mirë Washingtonin dhe politikën amerikane. Ashtu pra, siç kanë bërë historikisht amerikanët me presidentë të tjerë të mëparshëm por edhe me sfidat kombëtare – të mbrendshme dhe të jashtme — siç ishte për shembëll Lufta e Vjetnamit, me të cilat janë përballur Shtetet e Bashkuara në të kaluarën, ashtu do të ndodhë edhe në të ardhmen, po të jetë e nevojshme. Prandaj, qetësohuni, merruni me punën e pushtetarëve tuaj dhe mos tu frikësojë Trump-i dhe deklaratat e tija, se ka kush kujdeset dhe kush të kontrollojë, të qortojë dhe të korigjojë punën e tij, nëqoftse paraqitet nevoja. Flini rehat se megjithse Amerika ka mjaft probleme, ajo i ka edhe institucionet e saj të sprovuara dhe me përvojë të gjataë për tu përballur me to.
Ky në të vërtetë ishte edhe mesazhi, ditët e fundit, i një analisti evropian. Max Hoffman i Deutsche Welle-s, ka shkruar se Evropa ka nevojë të jetë e shqetësuar më pak për Trump-in e më shumë për vet-veten. Analisti gjerman u bën thirrje diplomatëve dhe politikanëve që drejtojnë institucionet e Bashkimit Evropian që të jenë më pak të shqetësuar për presidentin e ri amerikan se ç’shprehen tani, duke thënë se parashikimet për presidentin Trump dhe administratën e tij mund të dalin të vërteta ose jo, por në cilindo rast qoftë, Evropa nuk do të mund të influencojë Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, ajo që duhet të bëjnë tani shtetet evropiane është, “që të pilotojnë vet anijen e tyre.” Ai përfundon duke thënë se Evropa, “Duhet të ndërtojë një bazë më solide për të ardhmen e vet” dhe nënvijon duke shtuar se “Nëqoftse shqetësimet evropiane ndaj Trump-it, bëjnë që si përfundim Evropa të jetë më e bashkuar dhe më e vendosur, atëherë,thekson analisti gjerman, Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump mund të ketë bërë diçka të mirë për vet shtetet e Evropës, duke u hapur sytë që të jenë më të bashkuara dhe më të vendosura për fatin e tyre të përbashkët.
Kjo është një këshillë e mirë, jo vetëm për Evropën por edhe për segmente të posaçme të botës shqiptare që kanë shprehur gjoja shqetsimin e tyre në lidhje me zgjedhjen e presidentit Trump, që të kenë kujdes punët e veta për të cilat janë përgjegjës para votuesve dhe kombit të vet dhe të shqetësohen më shumë për hallet e vendit se sa për problemet e Amerikës nën udhëheqjen e presidentit të saj të ri. Sepse, me Trumpin ose pa Trumpin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli amerikan – megjith problemet e tanishme ose në të ardhmen — do të sigurojnë që ky vend, megjithë të metat e tija, të mbetet gjithnjë lakmia e botës dhe të vazhdojë të jetë vendi i lirisë, i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut për të gjithë. Prandaj, ka më shumë gjasë që në të ardhmen, korbi të hajë korbin, para se t’i vijë fundi Amerikës, siç parashikojnë tani disa korba të zi përtej detit.