Zgjedhjet e fundit për kryetar në Shtetet e Bashkuara shkaktuan debate të ashpra jo vetëm midis kandidatëve të dy partive kryesore të këtij vendi, republikanit Donald Trump dhe demokrates Hillary Clinton, por edhe në radhët e mbështetsve të tyre – debate që shpesh ishin dhe vazhdojnë të jenë përçarse mbi politikat e mbrendshme dhe të jashtme që duhet të ndjekin Shtetet e Bashkuara.
Pjesë e këtij debati, ishte një konferencë dy-ditëshe që u mbajt muajin e kaluar në Institutin e Shteteve të Bashkuara për Paqë në Washington, tubim ky që kaloi gati pa bujë dhe pothuaj me aspak mbulim nga media, por ishte një takim i rëndësishëm dhe domethënës për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, në të kaluarën por edhe për angazhimin e administratës së re në punët botërore dhe për rolin që Washingtoni duhet të luaj në këtë fushë. Ishte kjo një konferencë ku morën pjesë, Këshilltarja për Sigurinë Kombëtare e ish-Presidentit Obama, Susan Rice dhe Këshilltari i ri Sigurisë Kombëtare në adminsitratën e Presidentit Trump, ish-gjenerali Michael Flynn. Në konferencë ishin gjithashtu të pranishëm edhe ish-Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, Senatori republikan, Lindsey Graham dhe qindra ish-zyrtarë të lartë dhe zyrtarë të administratës së re, diplomatë dhe ekspertë të pavarur të çështjeve ndërkombëtare të cilët përfaqsonin pikëpamje të ndryshme mbi zhvillimin e marrëdhënieve të Amerikës dhe mbi rolin e saj në botën e jashtëme. Ndryshe nga debatet mbi zhvillimet e politikave të mbrendëshme, shpesh të acaruara politike dhe ekonomike, midis Shtëpisë së Bardhë dhe udhëheqsve të Partisë Demokrate, ky takim ku u diskutua pothuaj ekskluzivisht politika e jashtme e Shteteteve të Bashkuara — sipas Institutit për Paqë i cili sponsorizoi takimin — ishte një tubim që vërtetoi se me anë të dialogut të mirëfilltë dhe ndërtues, mund të përcaktohen bazat e një politike të jashtme efektive, që mund të mbështetet nga dy partitë kryesore amerikane – një politikë që në të vërtetë është jetike për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Në një njoftim mbi zhvillimet e konferencës dy ditore thuhet se pjesëmarrsit në atë tubim, arritën përgjithsisht në marrëveshje mbi perimetrat e sfidave të sigurisë dhe të politikës së jashtme, me të cilat përballen sot Shtetet e Bashkuara. Për një menazhim më efektiv të këtyre sfidave, pjesmarrsit në konferencë u dakorduan se roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara është i pazevëndsueshëm dhe se si i tillë nevojitë aleatë, anë e mbanë botës. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Trump, ish-gjenerali Michael Flynn u tha të pranishëmve se administrata e re amerikane beson se Shtetet e Bashkuara, “Duhet të marrin përsipër një rol më të madh — pa marrë parsyshë nëse kjo na pëlqen ose jo – pasi bota e kërkon një gjë të tillë. Ai shtoi duke thënë se administrata e re do të “Rishqyrtojë të gjitha marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me vendet anë e mbanë botës.”
Në debatet e tyre, përfaqsuesit demokratë dhe republikanë ishin të njëjtit mendim se më së pari Shtetet e Bashkuara duhet të forcojnë bazën e mbrendshme nga e cila varet roli i jashtëm i këtij vendi, e që sipas ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Stephen Hadley, që ka shërbyer në administratën e ish-Presidentit George W Bush, “nevojitë forcimin e ekonomisë ssë vendit, një politikë më bashkpunuese midis palëve dhe një ushtri më të fortë.” Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e cila ka shërbyer në administratën e ish-Presidentit Bill Clinton, si edhe pjesëmarrës të tjerë civilë dhe ushtarakë, nënvijuan se Amerika në rolin e saj botëror ka nevojë gjithashtu edhe për përdorimin e mjeteve të forta të diplomacisë, të zhvillimit dhe të pajtimit ndërkombëtar. Pjesëmarrsit në atë konferencë u pajtuan se Amerikës i duhet një përgjigje e mbështetur nga dy partitë kryesore të këtij vendi ndaj sulmeve që po kërcënojnë rregullat dhe rendin e tanishëm ndërkombëtar. Udhëheqsit e të dy partive politike amerikane në atë tubim, shprehën gjithashtu edhe shqetësimin e tyre në lidhje me agresionin e Rusisë në Ukrainë, mbi manovrimet ushtarake në rritje nga ana e Kinës si edhe ndaj dobësimit të kohezionit në radhët e vendeve të Bashkimit Evropian, duke i cilësuar këto dukuri si shënjë e dobësimit të rendit ndërkombëtar, një sistem ky që pak a shumë, ka ruajtur paqën botërore gjatë 70-viteve të fundit.
Natyrisht se në një debat të tillë mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në botë, ku morën pjesë ish-udhëheqës dhe zyrtarë të lartë me qendrime të ndryshme, nga administratat demokrate dhe republikane, nuk do të ketë gjithmonë një harmoni të plotë të pikëpamjeve. Por të gjithë pjesëmarrsit –pa marrë parasyshë pikëpamjet e tyre politike dhe partiake – treguan ashtu siç është shpesh traditë në Amerikë, një angazhim që në fillim të administratës së re të punojnë drejtë një politike të përbashkët mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në botë — gjithmonë në interesin kombëtar të këtij vendi — duke treguar se megjithë ndasitë dhe përçarjet politike të mbrendshme shpesh të ashpëra – politika e jashtme e këtij vendi dhe roli që duhet të luajnë Shtetet e Bashkuara në botë, gëzojnë gjithnjë mbështetjen e ekspertëve dhe zyrtarëve të lartë të dy partive kryesore të Amerikës, por edhe diplomatëve dhe ekspertëve të pavarur të çështjeve ndërkombëtare.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Trump, ish-Gjenerali Michael Flynn dhe ish Këshilltarja e Presidentit Barack Obama për Sigurinë Kombëtare, Suzan Rice morën pjesë në konferencë
Krahaso këtë mbështetje të politikës së jashtme amerikane dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë nga dy partitë kryesore dhe nga eskpertë e diplomatë të ndryshëm amerikanë, me politikën e jashtme të Shqipërisë ndaj Shteteve të Bashkuara, sidomos kohët e fundit. Duke u mbështetur në disa burime të medias shqiptare, kjo politikë po zhvillohet në dy platforma të ndryshme të ndjekura nga dy partitë kryesore, nga ajo Socialiste dhe ajo Demokrate. Dy kampe pra të ndara në politikën e tyre ndaj shtetit strategjik numër një për kombin shqiptar, njëra pro “sorosiane” e tjera pro “Trump”. Edhe nëqoftse në thelb kjo politikë e Tiranës ndaj Shteteve të Bashkuara nuk është e vërtetë, kam drojë se nga të përfolurat deri tani mbi këtë çështje dhe nga debatet e analistëve kryesisht të njëanshëm në televizionet shqiptare, dëmi është bërë tanimë. Shtetet e Bashkuara, me vendimin e tyre, kurrë nuk do të jenë armike të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, siç është provuar historikisht, vetëm shqiptarët mund të bëjnë një gjë të tillë, ashtu siç bëri dikur Enver Hoxha. Prandaj, qendrimet e fundit të politikës dhe disa mediave shqiptare ndaj Amerikës dhe zhvillimeve në këtë vend, duket se kanë krijuar një atmosferë jo të këndshme në marrëdhëniet midis dy vendeve, që për ndryshe deri më sot janë përshkruar si të shkëqyeshme midis Washingtonit dhe Tiranës. Prandaj, lindë pyetja kush është motori që inkurajon një pasiguri të tillë në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve dhe pse? Nuk kini nevojë të përlaheni e të përçaheni për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane se kini mjaftë fushë të tjera ku mund ta beni këtë. Nëqoftse dikush dëshiron, që në vend të miqësisë midis dy vendeve, falë politikës shqiptare ndaj Shteteve të Bashskuara, Washingtoni të detyrohet të marrë qendrim indiferent politik dhe diplomatik ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, politika e tanishme ose më mirë të themi heshtja zyrtare ndaj dukurive të tilla, do të shkaktonte dëme të mëdha në interesat kombëtare të shqiptareve në Ballkanin Perëndimor, duke kënaqur kështu jo vetëm armiqtë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por edhe armiqtë e interesave kombëtare të shqiptarëve.
Marrëdhënjet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara janë tepër të rëndësishme që të bëhen objekt mosmarrveshjesh ndaj nuk guxohet të luhet me to ose të manipulohen në këtë mënyrë, qoftë nga individë ose parti politike për qëllime të ngushta, personale ose politike. Pretendimet tuaja, të nderuar politikanë, se mund të keni mbështetjen e njërit ose tjetrit udhëheqës ose parti politike e zyrtarë amerikanë janë fals dhe mos gënjeni votuesit shqiptarë. Politika zyrtare amerikane nuk ka përkrahur kurrë ekskluzivisht ndonjë politikan ose parti politike të vetme shqiptare. Washingtoni zyrtar nuk do të bëjë një gjë të tillë as tani, kështuqë “sorosianë” dhe “trumpist” shqiptarë dhe mbështetsit tuaj, më mirë kujdesuni bashkë pa dallim partie, për interesat afatgjata politike, ekonomike dhe të sigurisë të shqiptarëve që mund të vinë nga marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore shqiptaro-amerikane.
Shtetet e Bashkuara, janë mirënjohëse ndaj ndjenjave historikisht, pro-amerikane të kombit shqiptar. Shqipëria, nga ana e saj, ka përkrahur pa mëdyshje politikën amerikane në luftën kundër terrorizmit dhe merr pjesë në operacione ushtarake në kuadër të NATO-s. Mos e prishni pra këtë miqësi historike. Siç thashë më lartë, mjafton një qendrim indiferent i Washingtonit ndaj Shqipërisë për të dëmtuar këtë miqësi dhe njëkohsisht për të kënaqur dhe për të inkurajuar armiqët. Jo vetëm Washingtoni zyrtar por edhe Kombi shqiptar pret prej jush – si politikanë individ dhe si parti — që para Shteteve të Bashkuara dhe zyrtarëve të saj të flisni me një zë dhe të paraqiteni të bashkuar në mbrojtje të interesave kombëtare të shqiptarëve, përfshirë zhvillimin dhe mbarëvajtjen e marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore që ekzitojnë tani midis Shteteve të Bashkuara dhe kombit shqiptar. Prandaj, ashtu siç është mbështetse dhe bipartizane politika amerikane, pa dallime politike, ndaj Shqipërisë dhe Shqiptarëve, e tillë duhet të jetë edhe politika e Shqipërisë dhe e klasës politike të saj ndaj Shteteve të Bashkuara dhe marrëdhënieve zyrtare midis dy vendeve.
Frank Shkreli: Kundër apatisë politike- për një revoltë elektorale
Për problemet politike dhe ekonomike, përfshirë trazirat dhe grindjet politike të pafund të këtyre 25-viteve të fundit, anë e mbanë trojeve shqiptare, e sidomos problemet serioze si korrupsioni, droga, mashtrimet dhe batakçillëqet e lloj-llojshme të klasës politike shqiptare të kësaj periudhem fajin kryesor e kanë, natyrisht, vetë politikanët e djeshëm dhe të sotëm. Ata janë arkitektët e vërtetë të këtij “monumenti” politik dhe ekonomik, të cilit fatkeqsisht nuk mund t’i thuren lavde. I ashtuquajturi tranzicion nga komunizmi në demokraci, mund të konsiderohet tani zyrtarisht si i dështuar. Shqipëria dhe Kosova, në krahasim me vende të tjera europiane dhe bazuar në standarde botërore të qeverisjes së mirë dhe të lirisë e demokracisë, vazhdojnë të cilësohen gjithnjë si, “vende pjesërisht të lira.” Me të thënë të drejtën nuk jam krejt i sigurt se ç’do të thotë “pjesërisht i lirë”, është si të thuash “gjysëm shtatëzënë”. Në mendjen time, ose je i lirë ose nuk je. Megjithkëtë, cilado qoftë domethënja, sipas Freedom House, Shqipëria dhe Kosova as kësaj radhe nuk bëjnë pjesë në grupin e vendeve që cilësohen si të lira.
Për gjëndjen e pa shpresë kaotike në fushën politike, ekonomike dhe shoqërore që mbretëron sot gjithandej trojeve shqiptare, kredia duhet t’i shkojë në radhë të parë klasës politike të të ashtuquajturës periudhë post-komuniste, por për këtë “normalitet”nuk mund të shfajësohet as një pjesë e madhe e qytetarëve-votues që kanë qëndruar dhe vazhdojnë të qëndrojnë larg pjesëmarrjes së tyre aktive në proceset politike të vendit. Shumë ankohen se janë të dëshpëruar, të zhgënjyer dhe të lodhur nga arroganca e udhëheqësve të tyre politikë, nga korrupsioni, nga mashtrimet dhe të shqetësuar nga aleanca të ndryshme të politikës me krimin e organizuar, por megjithkëtë nuk ushtrojnë të drejtën e pjesmarjes në proceset politike, me qëllim për të ndryshuar gjërat për më mirë. Shumë kanë deklaruar se për të dalur nga kjo situatë, e vetmja rrugë është emigrimi jashtë vendit, siç vihet re edhe në sondazhet e fundit. Qytetari i thjeshtë e ndjenë veten krejtësisht të pafuqishëm ndaj kësaj situate të krijuar dhe përballë këtyre forcave të errëta, por të plotfuqishme dhe siç duket imune ndaj sundimit të ligjit. I zhgënjyer dhe i mundur, votuesi shqiptar fatkeqsisht ka vendosur të dorëzohet para këtyre forcave, madje edhe duke mos ushtruar as të drejtën e votës, i bindur nga përvoja e 25-viteve të fundit se vota e tij nuk ka asnjë vlerë, sepse pa marrë parasyshë se për cilën parti ose politikan që voton, asgjë nuk përmirësohet dhe as nuk ndryshon në jetën e tij. Kësaj i thonë apati politike, e cila në botën shqiptare fatkeqsisht fryhet e zmadhohet edhe nga një pjesë e medias për interesat e saja klienteliste, një media që shërben si myshteri dhe si zëdhënse e partive dhe grupeve të ndryshme interesi – por të cilat duke mbrojtur interesat e politikës, gjithmonë veprojnë kundër interesit të përbashkët.
Apatia politike është e rrezikshme njësoj siç është edhe politika e pa kontrolluar. Apatia e shqiptarëve ndaj politikës dhe pjesmarrjes në proceset politike, rrezikon kombin aq sa edhe korrupsioni, droga, papunësia dhe probelme të tjera me të cilat përballen shqiptaët çdo ditë. Të dëshpëruar përballë kësaj situate të krijuar, Shqiptarët po “votojnë me këmbë”, po largohen masivisht nga trojet e veta si asnjë herë më parë. Madje as në kohën e komunizmit nuk kishte largime të tilla në masë. Shqiptarët nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe nga vise të tjera shqiptare, pothuaj po garojnë — për vend të parë për nga numri më i madh i imigrantëve që kërkojnë strehim në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara — me popuj siç janë sirianët, të cilët përballen me vite tani me një luftë shkatërruese civile që ka shkaktuar vdekjen e qindra mijërave dhe largimin e miliona të tjerëve nga vendi i tyre i shkatërruar. Por emigrimi nuk është zgjidhje as për vet këta shqiptarë që mendojnë se rrugët e botës do u sjellin një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre dhe as për të ardhmen afatgjatë të trojeve shqiptare, të cilat dalngadalë duket se po zbrazen si rrjedhim i politikave të dështuara dhe mungesës së sundimit të ligjit, të ndjekura nga politikanët shqiptarë deri më sot.
Natyrisht se kurrë nuk është vonë për të ndryshuar drejtim. Kryesisht është në dorë të kësaj klase politike që të ndryshojë punët për më mirë. Por, fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur deri më tani dhe nuk ka gjasë që, me të njëjtit protagonistë, të ndodhë tani ose në të ardhmen, pasi kemi të bëjmë me të njëjtën klasë politike të këtyre 25-viteve të fundit, pothuaj me të njëjtit persona, të cilët besoj se nuk kanë as vullnetin dhe as njohuritë e nevojshme politike dhe intelektuale për të ndryshuar. Prandaj i mbetet qytetarit të thjesht shqiptar që të pakën, me pjesëmarrjen e tij më aktive në proceset politike, të provojë të ndryshojë gjendjen në të cilën jetojnë sot shqiptarët. Deri më sot, me ndonjë përjashtim aty këtu, nuk është parë ndonjë aktivizim serioz i shoqërisë që të pakën do bënte që politika dhe insitucionet qeveritare të merrnin parasyshë ndrshsime thelbësore dhe plotësimin e nevojave bazë të mbijetesës dhe që të pakën të tregojnë sado pak vullnet për tu marrë me hallet shqiptarëve. Si rrjedhim, për të shpëtuar kombin nga gjëndja që është katandisur, nevojitet një angazhim më i madh politik nga qytetarët, si shpresë e fundit për dalur nga kjo situatë, ose të pakën për të ngadalësuar përkeqsimin e saj. Nuk është e mjaftueshme, që për të qenë qytetar i mirë, duhet vetëm të paguash taksat dhe të zbatosh ligjet që vet ligjvensit nuk i zbatojnë. Duhet një pjesëmarrje shumë më aktive dhe një rol i përhershëm i qytetarëve në jetën publike. Për më tepër, nevojitet një revoltë paqësore e elektoratit duke marrë pjesë më aktive dhe duke luajtur një rol më të madh në jetën politike, pikësëpari duke votuar –me qëllim për t’i dërguar një mesazh të pa dyshimt klasës politike se status-koja politike dhe ekonomike është e pa tolerueshme. Pjesëmarrja më e madhe e publikut në proceset politike është e vetmja shpresë për të pasur një shoqëri dhe qeveri të lirë, si dhe një qytetari dhe sistem politik që varet nga sundimi i ligjit. Shpresë për të pasur një qeverisje që pikëspari mbron interesat kombëtare duke luftuar korrupsionin mbytës në radhët e veta dhe një pushtet që angazhohet seriozisht për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve pa dallim, sidomos të atyre që janë më në nevojë e të cilët shoqëria i ka lënë mbrapa. Kjo është një garanci, aq sa është e mundur, që duhet të mundësojë edhe funksionimin normal të institucioneve qeverisëse në interes të popullit dhe në mbrojtje të drejtave bazë të qytetarëve duke u përballur drejtë për drejtë me hallet e përditshme të qytetarëve. Ky duhet të jetë roli i qeverisë, por votuesi shqiptar – me aktivizimin e tij më të madh në proceset politike, mbi të gjitha me votën e tij — duhet të mbajë përgjegjës pushtetarët, që këtë rol t’a luajnë si duhet dhe gjithmonë në interesin e përbashkët të shoqërisë dhe të kombit.
Fatkeqsisht, në radhët e popullit ekziston aq shumë indiferencë politike ndaj asaj që po ndodhë në trojet shqiptare sot, sidomos indiferencë ndaj zhvillimeve politike nga një pjesë dërmuese e qytetarëve. Njerzit janë lodhur dhe kanë humbur shpresën. Kjo mund të jetë një situatë apatie që i ka rrënjët në praktikat institucionale shtetërore dhe qeveritare të çerek shekullit të kaluar por dhe në trashëgiminë komuniste që jo vetëm kufizon, për të mos thënë se e ndalon, por sigurisht që nuk e inkurajon pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset politike. Historikisht, qeveritë jo demokratike të zhytura në korrupsion, përbëjnë rreziqe të mëdha për shoqërinë, por ama edhe indiferenca e njerëzve të thjeshtë dhe e votuesve ndaj politikave jo demokratike dhe qeverisjes korruptive të pushtetarëve, përbën gjithashtu një rrezik tepër të madh për zhvillimin normal të një shoqërie të lirë dhe demokratike. Kjo pra është një apati që nëqoftse nuk ndryshojnë punët — në thelb – rrezikon jo vetëm të ardhmen e lirisë dhe demokracisë në trojet shqiptare, por kërcënon edhe vet ekzistencën dhe identitetin e kombit shqiptar.