Java e kaluar ishte një javë historike për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar. Shqipëria mori pjesë në Kampionatin Evropian të futbollit. Në ndeshjet e saja me më të mirët e Evropës, skuadra kombëtare shqiptare pati humbje, barazim dhe më në fund fitore, në ndeshjen e saj me Rumaninë. Ishte një javë pothuaj e pashembullt në histori për imazhin e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, për sjelljen e skuadrës kombëtare po se po, por më tepër kampionati evropian pasqyroi sjelljen dinjitoze të dhjetëra mijëra tifozëve shqiptarë që kishin shkuar në Francë nga të gjitha trojet shqiptare, nga diaspora në Europë e madje edhe nga Amerika. Dukej se i kishte ardhur koha shpalosjes me krenari të ngjyrave kuq e zi të flamurit kombëtar të shqiptarëve, në një Evropë që shpesh nuk i ka dashtë dhe shpesh ka marrë vendime historike të gabuara në kurriz të shqiptarëve dhe të interesave të tyre. Por ja erdhi koha, pas shumë shekuj vuajtjesh të këtij kombi të vogël por krenar që shqiptarët t’i tregonin Evropës dhe botës qytetarinë dhe kulturën e tij njerëzore dhe kombëtare. Gjatë ndeshjeve, skuadra shqiptare e futbollit dhe tifozët e saj e treguan veten të denjë të emrit shqiptar.
Të vetëdijshëm se nderi i Atdheut tregohet më së miri dhe në rend të parë me sjellje të mira ndaj njëri tjetrit dhe ndaj të tjerëve, futbollistët shqiptarë dhe mbështetësit e tyre, gjatë kampionatit të futbollit evropian, ia përmirësuan imazhin Shqipërisë dhe ia rritën namin kombit shqiptar më shumë se çdo gjë dhe çdo kush tjetër, për një kohë të gjatë. Si pasojë e propagandës së armiqëve të shqiptarëve gjatë dekadave, Evropa dhe bota dinin pak ose aspak për shqiptarët dhe ato që dinin nuk ishin zakonisht pozitive. Sjelljet e mira të shqiptarëve në Francë duket se habitën jo vetëm atë vend por edhe mbarë Evropën, ndërsa media franceze e cila siç duket nuk priste sjellje të tilla nga shqiptarët gjatë kampionatit, me kënaqësi u bëri thirrje shqiptarëve që të vizitonin Francën sa herë të duan dhe kur të duan. Shqiptarët e pranishëm në Francë për ndeshjet futbollistike të kampionatit evropian, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, me të vërtetë shpalosen për mbarë botën vetitë më të mira kombëtare dhe njerëzore të kombit shqiptar.
Ngjarje të tjera që i dhanë një hov tjetër imazhit të mirë të shqiptarëve – e që njëkohsisht pasqyroi edhe tolerancën fetare ndër shqiptarët — ishte edhe inaugurimi javën që kaloi i shtatores së Nënë Terezës në Phafenfohen të Gjermanisë, në prani të një numri të madh shqiptarësh dhe gjermanësh. Mirëpo, ishte pjesëmarrja e përfaqsuesve fetarë të shqiptarëve ajo që la përshtypje të thellë në të pranishmit dhe popullësinë vendase. Sipas burimeve të medias në Kosovë në këtë inaugurim, të pranishëm ishin Ipeshkvi katolik i Kosovës, Dodë Gjergji, Imami Xhevat Kryeziu, At Nikollë Marku dhe Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
Edhe me këtë rast, shqiptarët përsëri i treguan Gjermanisë dhe Evropës urat historike që ekzistojnë midis besimeve fetare të shqiptarëve, si dhe bashkëjetesën, harmoninë dhe lidhjet e gjakut midis tyre. Ndërkaq parada vjetore në New York, kushtuar gjithashtu Nënë Terezës, veshi kuq e zi rrugët e lagjës Manhattan, duke parakaluar para mijëra shikuesve vendas dhe të huaj dhe duke lënë përshtypje jashtzakonisht pozitive në radhët e banorëve të New Yorkut dhe të turistëve të shumtë.
Ajo që të bie në sy në të gjitha këto raste të shpërthimit të krenarisë kombëtare shqiptare, qoftë pjesëmarrja e kombëtares në kampionatin evropian, qoftë kujtimi i Nënë Terezës para shënjtërimit të saj në shtator — është fakti se shumica dërmuese e pjesëmarrësve në kët ngjarje ishin në moshë të re. Ky fakt në të vërtetë është një gjë pozitive që mund të jetë shenjë e mirë për të ardhmen, se ndoshta — ky brez i shqiptarëve, 25-vjetë pas shembjes së komunizmit, ndryshe nga klasa e tanishme politike anë e mbanë trojeve shqiptare – ka filluar të hedhë poshtë frymën e ideologjive dhe influencave të huaja të shekullit të kaluar dhe tu këthehet rrënjëve dhe vlerave kombëtare. Duket se kjo brezni — ndryshe nga klasa politike që udhëheq sot shqiptarët – është e vetdijshme për vlerat kombëtare, shpirtërore dhe historike të kombit shqiptar, dhe si e tillë ka vendosur, me qa sa ka mundësi, të shkojë përpara me hapa të shpejt dhe të sigurt drejtë botës përëndimore, aty ku kombi shqiptar e ka pasur gjithmonë vendin. Megjithë anarkinë politike shqiptare të këtyre dekadave të fundit, duket se shpirti shqiptar kërkon të dalë njëherë e përgjithmonë nga errërsirat shpirtërore shekullore dhe të shkojë drejtë dritës dhe vetive të vërteta stërgjyshore që e kanë dalluar gjithmonë kombin shqiptar.
Kjo gjeneratë e re e shqiptarëve – ndonëse e dhunuar, e abuzuar dhe shpesh e detyruar të largohet nga trojet e veta ka një potencial të madh, por të shtypur dhe të shtrydhur – po pret gjithnjë për hapjen e një rruge për një të ardhme politike që do të mundësojë që këto potenciale intelektuale dhe shpirtërore të këtij brezi që mbeten ende për tu shfrytëzuar, të shfytëzohen në përputhje me kulturën dhe qytetarinë që treguan para botës tifozët shqiptarë dhe skuadra kombëtare në Francë. Nuk bëjnë keq ata që janë venë sot në krye të politikës anë e mbanë trojeve shqiptare të marrin shembull nga sjelljet e mira, nga uniteti dhe nga kultura e futbollistëve dhe e tifozëve shqiptarë në Francë, por edhe nga toleranca dhe harmonia fetare e shfaqur në Gjermani dhe në rrugët e New Yorkut, ku shqiptarët pa dallim feje a krahine nderuan Nënë Terezen para Shënjtërimit të saj në shtator.
Politika pa kulturë dhe pa qytetari nuk vlenë asgjë. S’do mendë se ne në mërgim kënaqemi për imazhin pozitiv të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, kudo dhe kurdoherë që ndodhë, sepse duam dhe dëshirojmë ta shohim Shqipërinë dhe kombin shqiptar të nderuar dhe të respektuar nga miqtë dhe nga armqitë dhe jo vetëm në fushën e topit. Por e duam dhe e dëshirojmë gjithashtu edhe të përparuar politikisht dhe ekonomikisht, ashtuqë ky brez, i cili shpresojmë se është i vendosur t’i japë një imazh të ri kombit, të qëndrojë dhe të ndërtojë një jetë më të mirë dhe më të begatë në trojet e veta. Për këtë është përgjegjëse drejtë për drejtë ky brez politikanësh që sot janë venë në krye të kombit, pasi për mirë ose për keq, këta janë ndërtuesit e të ardhmes së kombit shqiptar. Ashtu siç bënë lojtarët e kombëtares dhe tifozët e tyre gjatë këtyre javëve në Francë, presim që edhe ata të pakën të tregojnë vullnet të mirë e të “mahnitin” botën me qytetarinë, me atdhedashurinë dhe me kulturën politike, duke pasqyruar për momentin jo vetëm simbolet kombëtare, por edhe drejtësinë shoqërore dhe vlerat morale si dhe bashkjetesën politike dhe harmoninë shoqërore në radhët e shqiptarëve pa dallim, duke i hapur kombit shqiptar shtigje të reja në historinë e tij të shumë vuajtur. Vetëm kështu do të ketë një përmirsim më të qëndrueshëm të imazhit pozitiv duke i zbardhur fëtyrën kombit me një kulturë politike dhe me sjellje qytetarie ndaj të gjthëve, përfshirë edhe kundërshtarët politikë.