Njoftohet se të mërkurën u zhvillua një takim midis tre ministrave të diasporës, të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë: zotërinjve Pandeli Majko, Dardan Gashi dhe Edmond Ademi. Sipas një komunikate që lëshuan tre ministrat shqiptarë, pas takimit të tyre në Ohër, ata e konsideruan takimin e tyre, “Si një fillim i rëndësishëm për të nxitur veprim të përbashkët në forcimin e lidhjeve midis vendeve, në kuadër të procesit të integrimit euroatlantik”.
Ministrat nuk njoftuan asnjë plan “veprimi të përbashkët” ose bashkrendim nismash për të ardhmen, përsa i përket diasporës, me përjashtim që siç thuhet në komunikatë, “Ministrat ranë dakord të kryejnë vizita të përbashkta në SHBA, Gjermani dhe vende të tjera për të takuar komunitetet e diasporës”. Në komunikatë thuhet gjithashtu se, “Ministrat përshëndetën vendimin e fundit të Parlamentit të Maqedonisë për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe si një akt që i jep kredibilitet bashkëpunimit të ngushtë midis tre vendeve.” Nuk e kam krejt të qartë nga fjalët e përdorura në këtë komunikatë, por shpresoj që tre ministrat shqiptarë nuk i konsiderojnë shqiptarët nën Maqedoni, si pjesë e “diasporës”, ashtu siç nuk janë “diasporë” as shqiptarët në Kosovë dhe as shqiptarët që jetojnë në trojet e veta shekullore nën Malin e Zi, megjithse jetojnë jashtë kufijve të shtetit amë. Dua të besoj se kur tre ministrat flasin për diasporë, ata e kanë fjalën për shqiptarët e përhapur anë e mbanë botës, për “gjakun e shprishur”, të detyruar të largoheshin nga vendlindja dhe trojet shekullore në Ballkanin Perëndimor dhe të vendoseshin, për arsye të shtypjeve dhe diskriminimeve politike dhe ekonomike – sidomos gjatë shekullit të kaluar – kryesisht në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara – dhe jo për shqiptarët që jetojnë në trojet e veta, gjysh pas gjyshi.
Sidoqoftë, krijimi i tre ministrive të diasporës është një vendim për t’u mirëpritur, ndonëse i vonuar dhe takimi i parë midis tre ministrave të diasporës këtë javë në Ohër, shpresohet të jetë një hap i rëndësishëm drejtë bashkrendimit të veprimtarive, por sukseset ose dështimet e veprimtarisë së tyre, veças ose të përbashkët, për diasporën, do të vlerësohen në muajt dhe vitet e ardhëshme.
Mirëpritet fakti, që mbas më shumë se një çerek shekulli pas shembjes së komunizmit, më në fund Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia po i kushtojnë vëmendjen që meriton diasporës, të pakën me fjalë deri tashti. Shpresoj që marrëdhëniet e tre ministrave me diasporën, të mos jenë politike, dmth reflektuese të politikave të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare — por të jenë patriotike, vëllazërore, mbarë kombëtare dhe njëkohësisht të rrinë larg influencave partiake të bosave të tyre politikë në Tiranë dhe Prishtinë, me qëllim që diaspora ose pjesë të diasporës të mos përdoren për qëllimet e tyre politike dhe elektorale, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën. Fatkeqsisht, ashtu si më përpara, edhe vitet e fundit janë venë re prirje, nga përfaqsues një partie politike ose një tjetre, për të influencuar politikisht, individë ose grupe të diasporës, ose duke bërë diferencime, sidomos në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, në favor të një partie politike ose një udhëheqsi politik shqiptar. Ka patur raste që udhëheqsit më të lartë të Shqipërisë dhe të Kosovës, gjatë vizitave të tyre në Amerikë, janë takuar vetëm me individë ose grupe të selekcionuara nga ambasadat e tyre dhe nuk kanë gjetur mundësi për takime me grupe gjithëpërfshirse të komunitetit.
Disa vërejtës janë shprehur se si përfundim i këtyre përpjekjeve nga vizitorët prej trojeve shqiptare, për tu takuar me individë dhe grupe të seleksionuara nga ambasadat, ndonjëherë edhe pa u njoftuar publikisht, dhe duke anashkaluar pjesën dërmuese të komunitetit – vitet e fudnit vihet re një çangazhim politik i dukëshëm, për të mos thënë një indiferentizëm i plotë i aktivitetit politik të komunitetit shqiptaro-amerikan. Për hir të vërtetës, duhet thënë se ky indiferentizëm i atribohet gjithashtu edhe zhvillimeve negative politike të disa viteve të fundit, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Zhvillime këto të cilat po pengojnë, në mënyrë të pakuptimt, integrimin e mëtejshëm të kombit shqiptar në organizmat euro-atlantike. Nëqoftse shqiptarët janë ndër popujt më pro-perëndimor, atëherë pse udhëheqsit e shqiptarëve, pikërisht kjo klasë politike e sotëme, me grindjet dhe mosmarrveshjet midis tyre, me bëmat dhe të pa bëmat e saj gjatë çerek shekullit të kaluar, po pengojnë këtë proces, që shqiptarët kudo përfshirë ne në diasporë mendonim se është një proces i natyrshëm dhe si i tillë, duhej të kishte ndodhur shumë më heret. Kjo, për fat të keq nuk ndodhi dhe po të marrim parasyshë grindjet aktuale politike, korrupsionin dhe problemet me drejtësinë, në Tiranë dhe në Prishtinë, as nuk ka gjasë të ndodhë së shpejti. Një gjë e tillë demoralizon komunitetin shqiptaro-amerikan dhe ma merr mendja mbarë diasporën shqiptare kudo. Kështuqë, ministrat e ri të diasporës shqiptare – nëqoftse me të vërtetë janë serioz për detyrën që kanë marrë përsipër dhe nëqoftse nuk do ta kalojnë kohën nepër darka e dreka në restaurantet e shqiptarëve në mërgim – i pret një punë e madhe për të bindur komunitetin se më në fund Tirana dhe Prishtina janë serioze dhe të sinqerta për të angazhuar diasporën pa dallim, për të mirën e përbashkët. Lufta e dytë Botërore për mbarë botën ka marrë fund pothuaj një shekull më parë – me përjashtim të shqiptarëve të cilët gjithnjë mbahen peng prej saj.
Komuniteti shqiptaro-amerikan, historikisht, ka luajtur dhe duhet të luaj rolin në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në trojet e veta. Në të vërtetë, ai ka luajtur rolin e ambasadorit më të mirë që mund të kishte kombi shqiptar. Me vullnet të mirë dhe pa përzierje dhe ndërhyrje politike, me ndihmën e ministrave të ri të diasporës, komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos brezi i ri, mund dhe duhet të riangazhohet përsëri në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, ashtu si në të kaluarën jo të largët.
Ish- Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerry duke iu drejtuar përfaqsuesve të diasporës në Amerikë dy vjet më parë, është shprehur se “Shekulli 21 kërkon një politikë të jashtëme më gjithë-përfshirse. Komunitetet e diasporës janë të parat që mësojnë për një çështje me rëndësi ose krizë në vendet e tyre të lindjes dhe përfaqsuesit e diasporës janë të parët që njoftojnë zyrtarët e lartë të shtetit dhe të qeverisë amerikane”.
Këtë fakt e kishte kuptuar më mirë se kushdo tjetër – para tij ose pas tij – Presidenti i parë i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Të nderuar ministra të ri të diasporës, ju dëshiroj punë të mbarë, por nëqoftse me të vërtetë, ju dhe bosat tuaj politikë në Tiranë dhe në Prishtinë dëshironi angazhimin e diasporës dhe marrëdhënie më të mira me të, atëherë ndiqni shembullin e marrëdhënieve që kishte dikur Ibrahim Rugova me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me diasporën në Evropë. Periudha e 1990-ave mund të konsiderohet si periudha e artë e bashkimit të komunitetit shqiptaro-amerikan rreth një udhëheqsi që kishte besimin dhe respektin, jo vetëm të komunitetit shqiptaro-amerikan, por si rrjedhim siguroi shpejt edhe në radhët e zyrtarëve më të lartë amerikanë — respektin e namin si simbol i bashkimit të komunitetit shqiptaro-amerikan rreth kauzës së Kosovës, pa dallime politike, fetare a krahinore. Gjatë krizës në Kosovë, influenca e komunitetit shqiptaro-amerikan në Uashington konsiderohej si më e fuqishmja pas Izraelit.
Kjo fatkeqsisht nuk ekziston më! Lobimi i fuqishëm i shqiptarëve të Amerikës në Uashington gjatë 1990-ave dhe fillim-shekullin 21, është zëvëndësuar tashti me pagesa jo-transparente ose gjysëm transparente, prej qindra mija dollarësh dhënë kompanive lobiste amerikane nga udhëheqsit qeveritarë e partiakë të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, vetëm për të siguruar ndonjë fotografi individuale me ndonjërin prej presidentëve amerikanë, për t’u përdorur për qëllime elektorale në vend. Nevojitet pra një angazhim më i madh e më serioz se kaq për një partneritet të vërtetë alla-Rugovian me diasporën shqiptare, nëqoftse me të vërtetë — me ndihmën dhe bashkpunimin e të gjithëve — duam që Shqipëria dhe Kosova të jenë më në fund shtete të lira e demokratike, plotësisht të integruara në organizmat euro-atlantike. Roli dhe angazhimi i diasporës shqiptare, në Amerikë dhe në Evropë është jetik, sidomos në fushën e politikës së jashtme – jo vetëm për përforcimin e marrëdhënieve me shtetet mike siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Aleancës Euro-atlantike, por edhe për fatin dhe mirëvajtjen afat-shkurtër dhe afatgjatë të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar. Kur flitet për diasporën, ambasadorë më të mirë se diasporën nuk keni.