Frank Shkreli

Frank Shkreli: Kol Bib Mirakaj: Më në fund një e vërtetë historike

Më në fund, historia flet, njihet e vërteta. Të pakën në një rast.  Deri tashti dikush tjetër dhe të gjithë të tjerët — emër e pa emër, të merituar e të pa merituar, — morën kredinë për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë nga nazistët gjermanë, në Shqipërinë e okupuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, por asnjëherë, në këto 25 vitete fundit, nuk iu përmend emri protagonistit kryesor të shpëtimit të hebrenjve shqiptar, Kolë Bib Mirakajt, të cilin historiografia komuniste e karakterizon me epitete fyese të lloj-llojshme. Shumë vite më parë, unë e kisha dëgjuar rolin që kishte luajtur Kol Bib Mirakaj në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nga babai i bashkshortës time Vitores, (Pashk Ademi Markgjonaj), por edhe nga bashkohas të Kol Bibës, si Ernest Koliqi, e të tjerë. Por në mungesë të ndonjë dokumentacioni si ky që ka zbuluar dhe botuar në librin e tij Faik Quku – i mbajta të dhënat e tyre, të qeta, në heshtje mbrenda vetes.  Ishte një heshtje, jo vetëm për mua por edhe për shumë të tjerë që kishin dëgjuar të njëjtën bisedë, por në mungesë të dokumentacionit sip është ky i paraqitur nga autori Faik Quku, duhej pranuar në heshtje ato që dëgjonim e lexonim për shpëtimin e hebrenjve shqiptare, megjithse jo të gjitha të dhënat e këtij rasti që kemi dëgjuar deri tani, i përgjigjeshin të vërtetës. Mbarë Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët kudo, me të drejtë duhet të jenë krenarë për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë nga nazistët, por është një njollë e zezë mbi ata që kanë promovuar këtë akt me të vërtetë humanitar të shqiptarëve, por përmendur kurr rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka në këtë mes.   Por, ja tani, gazeta e Tiranës Telegraf sjellë një lajm për lexuesit e saj, në lidhje me librin e autorit Faik Quku me titull, “Qëndresa Shqiptare Gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ku dokumentohet roli i Kol Bib Mirakës në shpëtimin e hebrenjve, dokumenta të kohës këto, të nënshkruara nga dora vet e tij, si Ministër i Mbrëndshëm i Shqipërisë sëa saj kohe.  Tashti, kemi librin e Faik Qokut dhe dokumentacionin siç duket të padiskutueshëm që përbën mbrenda vepra e tij në lidhje me rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka gjatë luftës.

Sipas gazetës Telegraf, në librin e tij, autori Faik Quku, bazura në dokumentacion, ka paraqitur disa të vërteta rreth jetës dhe veprës së Kol Bib Mirakajt.  Siç mund të shihni në linkun e gazetës Telegraf http://telegraf.al/politike/kole-bibe-mirakaj-ministri-shqiptar-qe-shpetoi-2000-hebrenj, spikaten dy gjëra me rëndësi historike, sipas dokumentave të zbuluara nga autori.  Një nga këto të vërteta ka të bëj me vendimin e Kol Bibë Mirakës për të paisur me pasaporta shqiptare 2000 hebrenjtë që gjatë Luftës së Dytë Botërore ndodheshin në territorin shqiptar, një akt ky që mundësoi strehimin e tyre në Italinë jugore, të çliruar nga anglo-amerikanët, duke i shpëtuar ata nga forcat naziste.  E vërteta e dytë me rëndësi është fakti i zbuluar me këtë libër se Ministri “fashist” Kol Bib Mirakaj kishte refuzuar shumën e parave që hebrenjtë donin t’i jepnin atij si shpërblim për vendimin e tij humanitar, jo një herë, por refuzoi parat dhe napolona ari, dy herë: një herë Shqipëri dhe tjetrën herë në Romë, ku Kol Biba ishte i mërguar dhe ku jetonte në skamjen më të madhe, për të cilin kujdesej urdhëri françeskan, nga të cilët varej për bukën e gojës.

Ta merr mendja se vendimi i Kol Bib Mirakës, si ministër i Mbrendshëm i asaj kohe — duke paisur me pasaporta hebrenjtë shqiptarë për tu larguar shëndosh e mire nga vendi — mund të kishte pasur pasoja të rënda për ‘të, po të ishte zbuluar ky akt humanitar i tij nga nazistët.    Thonë se burri dhe miku i mirë njihet në ditë të vështirë!  S’ka dyshim se për hebrenjtë shqiptarë Kol Bib Mirakaj, jo vetëm që ishte burrë dhe mik i mirë në një ditë tejet të vështirë për ta, por autori Faik Quku provon se ai në të vërtetë ishte diçka më tepër, ai ishte shpëtimtari i tyre, i cili  madje edhe refuzoi çdo shpërblim nga hebrenjtë shiptarë për paisjen e tyre me pasaporta shqiptare, gjë që tani dihet se bëri të mundur largimin e tyre për në Itali. Si do që ta merrësh, për atë kohë, por edhe për sot, ky ishte një akt heroik nga ana e Kol Bib Mirakës!

Tashti, kemi librin e Faik Qukut dhe dokumentacionin që përbën mbrenda vepra e tij, mbi rolin e Kol Bib Mirakës në shpëtimin e 2000 hebrenjve shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, që vet Pal Bib Mirakaj do të shprehej se nuk kemi më nevojë tani, “Me pranue më heshtjen tonë për një cilësim të tillë që nuk i përgjigjet së të vërtetës”, sepse ka shkruar ai në librin e tij “Vrasja e Nji Kombi” se me heshtje, “Mua më është dukë se bajmë krim kundër vetetes, kundër historisë e kundër fëmijve e njerzëve tanë, që do të mbeteshin me kryeultë për breza të tanë, para shoqënisë.”

Kol Biba do të falenderonte Faik Qukun, se me librin e tij mbi këto të vërteta të dokumentura nga jeta e Kol Bib Mirakës, ai i jep “histori-shkruesit të së nesërmes nji dokument që ta kenë të gjithë Shqiptarët për studim”, një dokument që ai do të pohonte se ia “nxjerrë kartat në shesh dhe ia parashtron haptas Gjyqit të Historisë”, ngjarjet e asja periudhe.  Ndonse nuk e kam lexuar librin, duke vlerësuar nga këto të dhëna të paraqitura në Gazetën Telegraf, me librin e tij, autori Faik Quku zhdukë  jo vetëm heshtjen por edhe shumë paragjykime dhe të pavërteta të promovuara nga disa pseudo historianë shqiptarë mbi rolin dhe veprimtarinë e shumë personaliteteve shqiptare, përfshirë Kol Bib Mirakën gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

http://telegraf.al/politike/kole-bibe-mirakaj-ministri-shqiptar-qe-shpetoi-2000-hebrenj

Frank Shkreli: Lezha na thëret për një Besëlidhje të Re

Javën që kaloi në Lezhë dhe në Romë u përkujtua 549- vjetori i vdekjes se Gjergj Kastriotit Skenderbeu. Me këtë rast, sipas portalit të Bashkisë Lezhë, u mbajtën ceremoni në memorialin që ruan vendvarrimin e Heroit, ku thuhet se morën pjesë drejtues të pushtetit vendor dhe të institucioneve, përfaqësues të partive politike dhe besimeve fetare, ndërkohë që nxenës shkollash e qytetarë të Lezhës bënë homazhe dhe vendosën tufa me lule tek varri i Heroit Kombëtar të shqiptarërve. Njoftohet se Kryetari i Bashkise Lezhë, Fran Frrokaj ne fjalën e tij me këtë rast theksoi se, “Kjo ditë shënon përmbylljen e një prej periudhave më të shëndritëshme të historisë sonë, kur Shqipëria iu imponua Europës si mbrojtëse e qytetrimit të saj dhe kur Gjergj Kastrioti hyri në histori si një ndër gjeneralët më të mëdhenjë të epokës së vet, si strateg i luftës dhe profet i paqës”. Ai shtoi se kjo ditë historike për shqiptarët kudo, nuk është vetëm një datë kur Heroi Kombëtar i Shqiptarëve ndërroi jetë, por kujtohet na të gjithë, “Si një përjetësim i veprës madhështore të tij, si një trashëgimi e vyer e trimërisë dhe urtësisë, vlera këto që na bejnë të ndjehemi krenarë që jemi trashëgimtarë të Gjergj Kastriotit, njeriut simbol të Bashkimit të Kombit, që diti të arrij konsensusin e princave hatërmbetës, duke u berë baza e themelit të shtetit”.   Në fjalën e tij përshëndetse, Kryetari i Bashkisë Lezhë, Frank Frrokaj njoftoi se, në nderim të veprës së Heroit Kombëtar kishte gati për t’ia paraqitur Kuvendit të Shqipërisë propozimin për shpalljen zyrtare të 2-Marsit, Ditën e Besëlidhjes së Lezhës, si festë mbarë kombëtare”, duke theksuar se Lidhja historike e Gjergj Kastriotit-Skënderbe me Lezhën dhe me Besëlidhjen e saj, mbetet një dëshmi e pakontestueshme.

Njoftohet gjithashtu se në ceremoninë e 549-përvjetorit të vdekjes së Skënderbeut, morën pjesë dhe përcollën mesazhe paqeje, mirësie, tolerance dhe bashkjetese vëllazërore udhëheqsit fetarë vendas, Arkipeshkvi i Shkoder-Pultit, Monsinjor Anxhelo Masafra dhe Imami i xhamisë Lezhë, Agim Tereziu.

Njëkohsisht, edhe në Romë të Italisë, për herë të parë, tri ambasadat shqiptare në atë vend (2 ambasadat e Republikës së Shqipërisë, ajo pranë Vatikanit dhe ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Kosovës, pranë Italisë), organizuan së bashku me rastin e 549-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, me 17 Janar një ceremoni përkujtimore në sheshin “Albania”, pikërisht aty ku me madhështinë e tij krenare mbizotëron hapësirën, monumenti i Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbe.  Radio Vatikani shqip njoftoi se përveç diplomatëve të lartë shqiptarë në Romë dhe Vatikan, pranë monumentit të Heroit të tyre Kombëtar, ishin mbledhur me këtë rast shumë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali nga Shqipëria dhe Kosova dhe të gjitha trojet shqiptare, por nuk mungonin as arbëreshët dhe miqë të huaj dhe italianë. Shefi i ambasadës së Republikës së Shqipërisë pranë Vatikanit, në fjalën e rastit, Visar Zhiti theksoi rëndësinë dhe simbolikën e ritualit të organizimit të ceremonisë dhe të vendosjes së bashku të tri kurorave në nderim të Heroit Kombëtar nga tri ambasadat shqiptare, një ndërmarrje kjo që Përfaqsuesi i Republikës së Shqipërisë pranë Vatikanit e cilësoi si një, “Ëndërr e shqiptarëve, një ëndërr në rrugën skenderbejane.” Diplomati shqiptar Visar Zhiti përshëndeti të pranishmit duke thënë se, “Skëndërbeu ishte mik i Evropës në kuptimin e mirë dhe ishte luftëtari i saj. Skënderbeu ishte bashkpuntori dhe aleati i Selisë së Shënjtë, i katër papëve, me të cilët bashkëpunoi. Krijoi një Shqipëri të fuqishme, të lirë që për 25 vjetë përballoi superfuqinë e asaj kohe dhe njëkohsisht u bë dritë dhe pishtar për shekujt e mëpastajshëm” shtoi ai. Në fjalën e tij përshëndetse, Visar Zhiti nënvijoi se, si mbrojtës i qytetërimit perëndimor, “Skënderbeu është, në një farë mënyre, kryekomandanti i parë i kësaj Evrope të bashkuar që kemi.”

Ndërsa edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës pranë Republikës së Italisë, Alma Lama theksoi lidhjet e Gjergj Kastriotit Skënderbe me Evropën, duke thënë se, “Figura e Skënderbeut i ka tejkaluar, prej shekujsh në fakt, përmasat kombëtare. Ai është një figurë që i përket Evropës. Nuk është cilësuar kështu nga ne, por është cilësuar nga mbarë Evropa”, nënvijoi kryediplomatja e Kosovës në Itali. “Skënderbeu nuk është vetëm një figurë historike, ai është shndërruar në një figurë të letërsisë, të artit, të kulturës, në kohën kur jetojmë”, u shpreh ajo. Në fjalën e saj, diplomatja Lame vahdoi duke thënë se,   “Megjithatë, Skëndërbeu si duket ka ende armiqë. Ata janë shumë më të pakët dhe shumë më të dobët, por megjithatë ata ekzistojnë. Dhe ne si pasardhës të Skënderbeut dhe të frymës së tij dhe të asaj çfarë ai përfaqëson për mbarë kombin tonë, por edhe për mbarë Evropën, ne duhet që të jemi bashkë dhe të japim përgjigje, atë përgjigje që po të ishte gjallë Skënderbeu, do tua jepte atyre armiqve që në të vërtetë janë të pakët dhe ne do t’i mundim”, përfundoi ambasadorja e Republikës së Kosovës në Romë.

Ndërkaq,  Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Romë, Anila Bitri në fjalën e saj nxori në pah vlerat kombëtare dhe ndërkombëtare të Gjergj Kastriotit, duke  u shprehur se “Heroi ynë kombëtar, as legjendë dhe as mit, por një personazh i madh historik, i cili programoi dhe ideoi struktura bashkëpunimesh, ndërtoi aleanca, hodhi themelet e shtetit të bashkuar të Arbërit, duke themeluar Lidhjen e Lezhës.”  Lidhja e Lezhës, tha ambasadorja e Tiranës në Itali, është “Institucioni i parë pan-shqiptar që i bënte shqiptarët të projektoheshin në arenën politike ndërkombëtare të asaj kohe, po me aq peshë, me aq forcë, sa edhe popujt e tjerë mesdhetarë dhe evropianë. Ideali që ndërtoi ai duhet të na bashkojë të gjithëve. Unë do doja fort që sa herë të tuboheshim, të hynte në ritual të ditës së celebrimit takimi me Heroin. Mund të ndezim një pishtar, mund të vimë dhe ta shohim për të rimarrë mesazhin që ai lë”, mbylli fjalën e saj kryediplomatja e Shqipërisë në Itali.

Propozimi referuar më lartë i Bashkisë së Lezhës për shpalljen zyrtare të 2-Marsit, Ditën e Besëlidhjes së Lezhës, si festë mbarë kombëtare është një nismë që meriton të merret parasyshë dhe të shqyrtohet seriozisht kur t’i paraqitet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për konsiderim.  Lidhja e Lezhës, siç e cilësoi edhe ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri, është “Institucioni i parë pan-shqiptar”, por njëkohsisht edhe ideali, i cili ashtu si në kohën e Gjergj Katstriotit-Skënderbe duhet të bashkojë të gjithë shqiptarët pa dallim.

Viti që vjen, shënon 550-vjetorin e kalimit në amshim të heroit dhe Fatosit të Madh mbarë kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbeut. Nuk është heret, që institucionet relevante shqiptare të fillojnë të mendojnë për një përkujtim të denjë kombëtar të këtij përvjetori. Një përkujtim, i cili 550-vjetë më vonë, të flasë  me krenari për trimëritë dhe flijet e mëdha të shqiptarëve, që ata pësuan në mbrojtje të Europës dhe qytetërimit të saj, të udhëhequr nga Prijsi i Madh i shqiptarëve.  Por për më tepër, duhet të jetë edhe një celebrim për një të ardhme më të mirë për shqiptarët, një rast frymëzimi për një Besëlidhje të re shqiptare, mbështetur në një zotim të ri për vepra të reja të përbashkëta, ashtu si në kohën e Skënderbeut.  Javën që kaloi, me rastin e 549-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Lezha e Gjergj Kastriotit bëri thirrje që 2 Marsi, të shpallet Dita e Besëlidhjes së Lezhës, në kujtim — të Atij që Papa Pali i VI e pat cilësuar në një fjalim drejtuar shqiptarëve në Romë më 1968 me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut — “Të gjithmonshmit të fisit tuaj, i cili gjithëherë, mbi çdo interes ka venë vlerat e trashëguara të besës, të nderit e të burrënisë… ashtuqë që testamenti i Skënderbeut dhe Atdheu i juaj të shkëlqej me meritime të reja.”

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …