E nderuara familje e Ahmet Qeriqit — pak me vonesë lexova sot lajmin e zi për kalimin në amshim të kryefamiljarit tuaj, Ahmetit. Ky lajm i zi dhimëplot, mjeroi Familjen tuaj bujare dhe pikëlloi miqtë, dashamirët (një prejt të cilëve e konsideroj edhe unë veten time) si bashkëpunëtorët dhe bashkëluftëtarët e shumtë të tij në Kosovë, diasporë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Komunikimi im i fundit me të ndjerin Ahmet ishte verën që kaloi — atëherë folëm për Ernest Koliqin dhe kontributin e tij në përhapjen dhe mësimin e gjuhës shqipe në Kosovë në kohën e Luftës së II Botërore. Por ndërkohë ndamë hallet tona shëndetësore — ai të tijat e unë të miat — në shenjë inkurajimi dhe përballimi me gjendjen tonë shëndetësore, pa u ankuar por duke e mbajtur sëmundjen me duresë të pashembullt, e duke iu nënshtruar vullnesës së të Madhit Zot. Megjithëse ai me njoftoi për keqësimin e tij shëndetësor, nuk e besova se Ahmeti do ndahej kaq shpejt prej jush dhe prej nesh sado larg që jemi dhe përgjithmonë. Prandaj lajmi për kalimin e tij në amshim më tronditi thellë mua ashtu si edhe të gjithë dashamirësit e kulturës tonë, patriotë e luftëtarë të lirisë, kolegë, miq e bashkëluftëtarë të Ahmetit.
Me kalimin në amshim të Ahmet Qeriqit, Kosova dhe mbarë Kombi shqiptar ka humbur punëtorin e pa pritueshëm të çështjes kombëtare, frymëzuesin dhe organizatorin e pashoq të nismave — sidomos gjatë luftës çlirimtare nën rrethana shumë të vështira — por edhe në lirinë e pas luftës me veprimtarinë e tij gazetareske, portale e radio-televizive, gjithmonë me objektivin për lartësimin e visarit tonë shpirtëror e kulturor, iliro-arbëror.
Si një bashkëpunëtor, nga koha në kohë, me Radio Kosova e Lirë e ndjejë si detyrim moral të falënderoj Ahmetin e ndjerë dhe t’i shpreh mirënjohjen time të thellë për bashkëpunimin. Me këtë rast i dërgoj ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së Ahmetit dhe uli kryet me respekt përpara kujtimit të tij, duke paraqitur përdhimtimet e mia më të thella.
Me nderime dhe respekt,
Frank Shkreli
Nju Jork, Shtetet e Bashkuara të Amerikës