Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Mesazhi i Luigj Gurakuqit në përvjetorin e vrasjes

 Ja edhe një përvjetor i një atdhetari të madh dhe njërit prej figurave më të shquara të historisë së kombit shqiptar – Luigj Gurakuqit (19 Shkurt 1879 -02 Mars 1925) — “vjen e shkon”, siç duket ashtu si në të kaluarën, pa e përmend kush dhe pa u kujtuar nga askush, madje as në përvjetorin e vrasjes të tij. Kujtuar ose jo, përmendur ose jo — zyrtarisht ose jo zyrtarisht, doni a s’doni — Luigj Gurakuqi prapseprap flet, nepërmjet veprave historike dhe me rolin që ai luajti në sigurimin e pavarsisë së Shqipërisë, si bashkpuntori më i ngusht i Ismail Qemalit dhe përmes shkrimeve që ka lënë trashëgimi në historinë e kombit.  Por, ai flet edhe nepërmjet shënimeve të historianëve si, ndër të tjerë, Stefanaq Pollo dhe të kujtimeve të bashk-kohasve të tij të cilët e kanë njohur dhe që kanë bashkpunuar me ‘të sa ishte gjallë, personalitete të kombit, si Fan Noli dhe Ernest Koliqi, Mihal Grameno, Pandeli Cale, e të tjerë.

Stefanaq Pollo ka vlerësuar figurën, veprimtarinë dhe rolin kombëtar që ka luajtur Gurakqui në lëvizjet politike të asaj kohe duke theksuar se, ”Nuk ka ngjarje të madhe politike, shoqërore e kulturore në këtë çerek-shekulli ku të mos ketë qenë prania e tij, ku të mos jetë ndier fjala, urtësia e vullneti i tij, ku të mos ketë spikatur patriotizmi e demokratizmi i tij.” Figura e Luigj Gurakuqit, sipas tij, bëhet edhe më e madhe dhe më madhështore, ”Po të kemi parasyshë armiqtë e shumtë që duheshin përballuar, vështirsitë e mëdha që duheshin kapërcyer, komplotet dhe intrigat e kobshme që thureshin kundër atdheut, rreziqet e panumërta që i kanoseshin jetës së tij në çdo hap.”

Fan Noli — jeta dhe veprimtaria e të cilit shëndrit gjithashtu në historinë e kombit shqiptar —   dhe Luigj Gurakuqin ishin shokë e bashkpuntorë të ngushtë. Në të vërtetë, ishin aq të afërm me njëri tjetrin sa që Noli, në elegjinë kushtuar Gurakuqit pas vrasjes së tij, e quan atë “Vëlla”, dhe “Gojë mjaltë dhe zemër hekur”. “Sa më mirë e kam njohur”, do të thoshte Noli për Gurakuqin, “aq më tepër kam qenë i shtërnguar ta respektoj.” Noli do i jepte Gurakuqit dikasterin e Ministrisë së Financave në qeverinë e tij dhe si këshilltarë të ngushtë që ishin e mori Gurakuqin me vete në delegacionin shqiptar, në mbledhjen e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, në shtator të vitit 1924.

Ndërsa Ernest Koliqi që e kishte njohur Gurakuqin për së afërmi si sekretar i tij në vitin 1924 thotë se ai kishte veti që sot u mungojnë shumë politikanëve dhe personave publikë. Ajo që e dallonte Luigj Gurakuqin nga të tjerët, ka shkruar Koliqi, “Ishte ajo që me bashkue e me miqasue ndër vedi gjindën me mendesi, prirje, në kundërshtim. Përhapej nga zemra e Tij nji fuqi vëllaznuese e tillë sa me tubue rreth vetes burra me idena mesjetare, doktora te rij plot hov modernizues, anëtarë kleresh të ndryshme, bashkatdhetarë visesh të ndryshme, të rijë, rrymash të ndryshme. Mbretënonte harmonia aty ku Ai qëndronte.”   Koliqi shkruante duke theksuar mëtej personalitetin frymëzues dhe tërheqës të Gurakuqit që ai nuk kishte njohur as parë ndër shqiptarë, “Një tjetër që të kishte lidhje miqësore e politike aqë të shumta e të ndryshme sa Gurakuqi. Gegë e Toskë, qytetarë, katundarë, malësorë, priftën, popa e hoxhallarë, analfabeta dhe eksponenta të intelektualizmit, arbëreshë, të huej që interesoheshin për Shqipëni, qinda e qinda vetësh, i drejtoheshin atij me një frymë të çuditshme besimi…. besojshin në përpjekjet e tij të çdo lloji….”, përfundon vlerësimin e tij për Gurakuqin, Ernest Koliqi.

Vlerësimet e bashkohasve të tij pa tjetër që sjellin dritë për personin dhe për punën e Luigj Gurakuqit, por janë fjalët e tija të drejtë për drejta, ato që mbartin mesazhe me rëndësi madje edhe për gjëndjen aktuale politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e kudo ku ka shqiptarë.  Ato janë mesazhe për mbarë klasën e sotëme politike shqiptare kudo, por sidomos për përfaqsuesit e popullit në dy parlamentet shqiptare dhe më gjërë.  Dihet se në kohën e Gurakuqit, parlamenti shqiptar kishte në radhët e veta personalitete të dalluara, ndër të tjerë, si Fan Noli, Ali Klisura, Stavro Vinjau e Bahri Omari, me kryetar të opozitës si Luigj Gurakuqi. Ishin këta individë, përfaqsues të kombit shqiptar, të cilët nuk kishin të sharë të ishin atëherë, ose sot, pjestarë të cilit do qoftë parlament të Evropës ose të Kongresit amerikan.

Ata e merrnin seriozisht detyrën e deputetit. Jo si një post për t’u shpërdorur dhe për t’u përdorur për interesa personale e partiake, por si një privilegj që u kishte akorduar populli, me përgjegjësi dhe rëndësi kombëtare. Në krahasim me debatet e sotëme në dy parlamentet shqiptare, Luigj Gurakuqi, në debatet e tija dallohej për maturinë në argumentimet e tija dhe gjithmonë, “Përpiqej të jepte shembullin e nji kritike të fortë, por jo fyese, ndërtuese dhe jo rrënuese”, siaps Ernest Koliqit.  Ai e bënte detyrën e tij patriotike, ashtu si i thonte ndërgjegjia, sipas një letre dërguar Gurakuqit nga Pandeli Cale, e në të cilën ai shprehte besimin e tij të plotë në veprimtarinë patriotike të Gurakuqit.

Është interesant fakti se si Luigj Gurakuqi e shikonte rolin e një anëtari të Kuvendit të Shqipërisë.   Në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar me 21 Janar 1924 — jo shumë ndryshe nga problemet me të cilat përballet edhe sot Shqipërisë – por i frymëzuar nga nevoja e madhe për ndryshime politike, shoqërore dhe ekonomike, Gurakuqi iu drejtua anëtarve të kuvendit të asaj kohe me mesazhin aktual edhe për sot,duke u shprehur se si përfaqsues të popullit, “Populli na ka tregue edhe udhën që do të ndjekim. Populli na thotë: Ky jam, këto nevoja kam, pra mbas dëshirës sime, mbas nevojave të mia, mbas zakoneve që kam, bani ligjet themelore që të mund të rroj i lirë dhe i lumtur si shqiptar.”

Kush mund të thotë se ky mesazh i Gurakuqit i vitit 1924 nuk tingëllon aktual edhe sot?  Mesazhi i tij sot dhe gjithmonë, për klasën politike dhe për mbarë shooërinë shqiptare kudo, është edhe mesazhi i Gurakuqit, një vit pas pavarësisë së Shqipërisë, më 1913: “Ta dijmë mirë se çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë përpara Evropës, e cila vitin që shkoi nxitoi duke njohun me një herë mvehtësiën tonë; u shtojnë rreziqet vëllëzënvet tanë të mjerë, që ditë më tjatrë po presin të lirohen nga zgjedha greke e të bashkohen me ne; e ma tepër u thyejnë zemrën atyne fatzesve, që patën rrezikun e math të mbeten jashtë Shqipënisë së lirë.” (Marrë tekstualisht nga Luigj Gurakuqi: ”Mvehtësia e Shqipëniës”, 1913)

 Në një artikull që Gurakuqi kishte shkruar në Paris në prag të 28 Nëntorit 1919, e në të cilin duket se i drejtohet pikëspari vetvetes por dhe të tjerëve që të reflektojnë. Kjo është edhe një thirrje e sinqertë vëllazërore, nga ana e tij, që fatet e Atdheut të jenë mbi të gjitha, një thirrje që çuditërisht është gjithnjë aktuale. Ai shkruante ndër të tjera:  ”E kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë për ne të gjithë, jo vetëm një ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bajmë shqyrtimin e vetdijes sonë. Në këtë ditë, duhet të vemë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten tonë nëse e kemi bamun gjithkund e gjithmonë detyrën që kishim përpara Atdheut. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhnimet e anmiqësitë që na ndajnë, t’i japim vëllaznisht dorën njani-tjetërit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë se sot e mbrapa do të përpiqemi me të vërtetë për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e kombit, për nderin e flamurit tonë”, është shprehur Gurakuqi.

Sot më shumë se asnjëherë më parë, kombi shqiptar ka nevojë për shembuj atdhedashurie dhe sakrificash personale, të cilët kanë punuar e punojnë për të mirën e përbashkët të shqiptarëve, siç ishte Luigj Gurakuqi. Nëqoftse doni shembuj, janë kujtimin e Luigj Gurakquit, gjeni shembullin e burrënisë, të nderit, e të atdhedashurisë, të pajtimit e të harmonisë shqiptare, por edhe përfaqsues i kulturës perëndimore, i cili gjithë jetën e tij – megjith rrethanat e vështira politike dhe ekonomike nën të cilat jetoi – ai u mundua gjithmonë të sjellë ujin në mulli të atdheut të vet dhe të interesave të tij.

Pa shembuj atdhedashurie dhe sakrificash personale që përfaqsoheshin nga Luigj Gurakuqi, historia e kombit shqiptar do të mbetej e zbrazët dhe e varfër.  Kujtimi i tij kombëtar dhe mesazhet e tija gjithnjë aktuale, po të dëgjohen, shërbejnë drejtë një harmonie dhe bashkpunimi edhe sot, në dobi të interesave të mbrendshme dhe të jashtme të shqiptarëve. Për ndryshe, pa kujtimin e tij të denjë, pa urtësinë dhe fjalët e matura dhe pa vlerat, në bazë të cilave ai jetoi dhe veproi dhe pa të “Njëmendtën ushqyese, intelektuale dhe shpirtërore”, që ai përfaqësonte dhe për të cilat dallohej Luigj Gurakuqi, kam drojë se “I vdiq Ora Shqipënisë.”

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …