Pompeo

Frank Shkreli: Mike Pompeo, i emëruari i kryetarit Trump në krye të diplomacisë amerikane

Pas disa muaj mos marrëveshjesh, shpeshherë edhe publike, me Rex Tillersonin, Sekretarin Amerikan të Shtetit, Presidenti Donald Trump e shkarkoi atë papritmas nga detyra, ndërkohë që emëroi Drejtorin e Agjencisë CIA, Z. Mike Pompeo në krye të diplomacisë amerikane, me të cilin, tha Presidenti Trump, ka të njëjtat pikëpamje mbi shumë çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Duke bërë njoftimin për emërimin e Z. Pompeo në detyrën e re si Sekretar Amerikan i Shtetit, Z. Trump u shpreh se, “Jam krenar që po emëroj Drejtorin e CIA-s, Z. Mike Pompeo në detyrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit.  Mike Pompeo u diplomua i pari në klasën e tij në Akademinë Ushtarake në West Point, u dallua në shërbimin e tij në Ushtrinë Amerikane dhe u diplomua me nderime të larta në Universitetin Harvard, dega juridike.  Ai ka shërbyer edhe në Dhomën e Përfaqsuesve të Kongresit Amerikan, ku është dalluar për aftësitë e tija, për të bashkpunuar me përfaqësues të dy partive kryesore” u shpreh Presidenti Trump, duke njoftuar emërimin e Z. Pompeo në krye të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).

“Jam i bindur”, shtoi shefi i Shtëpisë së Bardhë se Z. Pompeo, “është personi i duhur për këtë detyrë, në këtë kohë kritike. Ai do të vazhdojë të zbatojë programin tonë të politikës së jashtme për të përforcuar aleancat tona, për tu ballafaquar me kundërshtarët tanë dhe për të realizuar çnuklearizimin e ishullit Korean”. Ai shtoi se Z. Pompeo është lavdëruar nga përfaqsues të dy partive në Kongresin amerikan, se si Drejtor i CIA-s ai, “ka vendosur lidhje të ngushta me aleatët dhe miqët tanë në fushën e inteligjencës ndërkombëtare.”  Zoti Trump përfundoi deklaratën e tij për emërimin e 54-vjeçarit Pompeo, duke thënë se, “Përvoja e tij në ushtri, në Kongres (tre mandate si përfaqsues i shtetit Kansas) dhe si Drejtor i CIA-s, e kanë përgatitur atë shumë mirë për rolin e tij të ri”. Ndërkaq, Presdienti Trump i bëri thirrje Kongresit që të miratojë emërimin e Z. Pompeo në detyrën e shefit të diplomacisë amerikane, sa më parë që të jetë e mundur.

 Pas njoftimit nga Shtëpia e Bardhë, Z. Pompeo u shpreh se i ishte shumë mirënjohës Presidentit Trump për emërimin e tij në krye të diplomacisë amerikane dhe shtoi se, “mezi pret që të fillojë nga puna dhe të përfaqësojë presidentin dhe popullin Amerikan anë e mbanë botës”.  Z. Pompeo u angazhua gjithashtu se nëqoftse emërimi tij miratohet nga Senati, ai do të “udhëheqë korpusin më të mirë diplomatik në botë, drejtë formulimit dhe realizimit të objektivave të politikës së jashtme të Presidentit Trump.”

Ndonëse, Z. Pompeo ndanë shumë pikëpamje me shehfin e Shtëpisë së Bardhë, ashtu si ç u shpreh edhe Z. Trump në njoftimin për ta emëruar atë në detyrën e Sekrterit të DASH, duket se Z. Pompeo mund të ketë pikëpamje të ndryshme nga Presidenti në lidhje me Rusinë dhe udhëheqsin e saj Vladimir Putin.  Gjatë seancave dëgjimore në Kongres për aprovimin e tij në detyrën e Drejtorit të CIA-s, Z. Pompeo mori një qëndrim në përputhje me vlerësimet e CIA-s agjencisë që ai do të drejtonte, kundër politikave të Rusisë dhe të udhëheqsit të saj Putin.

 Në lidhje me politikat putiniste ruse dhe ç’pret nga Sekretari i ri Amerikan i Shtetit, udhëheqsi i Partisë Demokrate në Senat, Z. Çarlës Shumer, u shpreh nepërmjet një deklarate të martën se, “Nëqoftse miratohet emërimi i tij si Sekretar amerikan i shtetit, shpresojmë se Z. Pompeo do të rifillojë një politikë të re karshi Moskës duek ashpërsuar politikat tona ndaj Rusisë dhe Putinit”, tha udhëheqsi i demokratëve në Senatin amerikan.

Komentuesi Bret Stephens i gazetës Nju Jork Tajms në një koment sot e cilësoi Z. Pompeo si “anti-Tillersoni”, dhe thotë se Pompeo e njeh mirë Uashingtonin dhe ka shërbyer si Drejtor me kompetencë i agjencisë CIA. Për më tepër, shkruan gazeta Tajms, Pompeo ka besimin e Presidentit, që do të thotë ndryshe nga Rex Tillersoni, si rrjedhim do të ketë edhe besimin dhe kredibilitetin e qeverive të huaja. Por, më i rëndësishëm është fakti se Mike Pompeo është i gatëshëm të kundërshtojë presidentin, që do të thotë se do të ketë mundësi edhe ta kontrollojë atë. Publicisti i Nju Jork Times thotë se Pompeo është një konservator tradicional me ide të qarta mbi interesat dhe përgjegjësitë e Shteteve të Bashkuara në botë.  Si i tillë, ka më shumë të ngjarë që Presidenti Trump ta dëgjojë atë dhe të bindet nga një konservator i përgjegjshëm.

Ndërsa gazeta e shtetit Kansas, Uiçita Igël, nga vjen i emëruari i Presidentit Trunmp për sekretar të DASH, shkruan se “Pompeo tani bëhet diplomat për herë të parë. Bashkbiseduesit e tij ndërkombëtarë do ta dinë se me mbështetjen e shprehur të presidentit, ai ka më të ngjarë (në krahasim me Tillersonin) se në takimet me ta, ai do të flasë drejtë për drejëtë, në emër të presidentit.  “Detyra e Sekretarit Amerikan të Shtetit është një rol sfidues për Z. Pompeo, një rol që me kohë ai duhet ta luaj me përsosmëri. Ai duhet të marrë qëndrime më pak agresive në fushën ndërkombëtare. Në vend të këtij agresiviteti që ai ka treguar në Kongres dhe si drejtor i CIA-s – cilësi kjo që i pëlqen presidentit Trump – tani ai duhet të bëhet pjesë e zgjidhjeve të problemeve botërore dhe jo thjeshtë t’i analizojë ato nga jashtë”, thekson në komentin e saj gazeta e shtetit Kansas, Uiçita Igël, nga vjen Sekretari i ardhëshëm amerikan, nëqoftse aprovohet emërimi tij nga Senati i Shteteve të Bashkuara, proces ky që pritet të fillojë muajin e ardhshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …