Frank Shkreli: Milosh Zeman, një zë nazi-fashist, antishqiptar nga Qendra e Evropës

Frank Shkreli: Milosh Zeman, një zë nazi-fashist, antishqiptar nga Qendra e Evropës

Media të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare njoftojnë se në Beograd arrijti për një vizitë dy-ditore, presidenti i, Republikës së Çekisë, Milosh Zeman, ku u prit nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Pa zbritur ende në tokën serbe, udhëheqsi çek nuk mund të priste që të shprehte dashurinë e tij për Serbinë dhe urrejtjen shekullore fashiste të disa elementëve evropianë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, duke u shprehur se atij i pëlqente shumë Serbia dhe nuk i pëlqente aspak Kosova.  (Unë besoj se përkthimi i vërtetë I deklaratës së tij duhet të ishte: “Unë dashuroj pa masë Serbinë dhe poplin serb, por urrejë për vdekje Kosovën)   Këto komente kundër Kosovës dhe shqiptarëve, pasi në Kosovë shumica është shqiptare, Zemani i përforcoi pak më vonë gjatë një takimi me Vuçiqin, me një deklaratë tjetër kundër pavarësisë së Kosovës duke shtuar se me të këthyer në Pragë, ai do të japë urdhër që për një muaj të shqyrtohet mundësia se çfarë mund të bëhet në lidhje me tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Republika çeke.   Deklarata e Zemanit pra nuk ishte një “gafë diplomatike” për të cilën ai njihet mirë në vendin e tij dhe në qarqet ndërkombëtare, por është një shprehje e menduar mirë dhe me paramendim, prej tij.

 Fjalët e Zemanit duhet të kenë tingëlluar si një muzikë e preferuar dhe e këndshme në veshët e Vuçiqit dhe të ish-bashkpuntorëve të tjerë të kriminelit të luftës në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi, Millosheviqit — nëpër korridoret e diplomacisë serbe, ku si gjithmonë ashtu edhe sot, përpilohen politikat më anti-shqiptare serbe në takime me përfaqsues evropianë e rusë, të tipit Zeman.  Mirë e ka thënë dikurë At Gjergj Fishta i ngratë, për të cilin fatkeqsisht, urrejtja komuniste ndaj tij vazhdon ende në trojet shqiptare, trashëgimi kjo e pashlyer e historisë komuniste të Enver Hoxhës.  Ai nuk gëzon as sot respektin e merituar të Tiranës dhe as të Prishtinën zyrtare, e jo më të Beogradit dhe të përfaquesve të Evropës dhe këlyshve të Rusisë, si Aleksandër Vuqiç dhe Millosh Zeman.  Ashtu si në kohën kur i ka shkruar këto rreshta At Gjergj Fishta, disa elementë të politikës evropiane edhe sot mbrojnë gjithnjë interesat e klyshëve të Rusisë, në kurriz të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve:

                                  Uh! Evropë, ti kurva e motit!

                                  Që i re mohit, besës së Zotit!

                                  Po, á ky asht sheji i qytetnisë?

                                  Me da tokën e Shqypnisë,

                                  Për me mbajt klyshtë e Rusisë?

Fatbardhësisht – megjithë zhurmën që shkaktoi deklarata që bëri në Beograd presidenti çek –Zemani dhe Vuçiqi nuk kanë kompetenca që të tërheqin njohjen zyrtare diplomatike të Republikës së Kosovës nga ana e Republikës e Çekisë.  Janë ente të tjera qeveritare në Pragë që vendosin një gjë të tillë, gjë nuk pritet të ndodhi, pasi kam besimin se në Pragë ka ende njerëz që janë të influencuar nga politikat pro-shqiptare euro-atlantike, të dy ish-udhëheqësve çekë të njohur, pro-shqiptarë: ish-Presidentit Vaclav Havel, simbolit të lirës dhe të drejtave të njeriut në botë dhe ish-Sekretares Amerikane të Shtetit Madeline Albright, mbështetses së fortë të Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve.  Kontributet e tyre në mbështetje të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi, janë të njohura, tanimë. Në raste të tilla si kjo deklarata e Zemanit kundër Kosovës , duhet të na kujtojë se edhe sot, 30-vjetë pas shembjes së komunizmit dhe 20-vjetë nga ndërhyrja e NATO-s për çlirimin e Kosovës nga forcat kriminele serbe – ekziston nevoja për të kujtuar kontributin e miqëve tanë me origjinë çeke: Vaclav Havel dhe Madeline Albright. Deklarata e papërgjegjshme e presidentit Zeman në Beograd na tregon edhe njëherë se bota nuk është kurrë e sigurt, se të drejtat dhe liritë njerëzore janë gjithmonë në rrezik nga individë në detyra të larta si Zeman e Vuçiq.

Mendojmë se mori fund komunizmi, mori fund lufta në Kosovë e tani jemi në rregull.   Asgjë nuk është e garantuar në këtë botë.  Por ajo që mund të bëjnë shqiptarët në trojet e veta, është që të zgjedhin personat që do të mbrojnë – mbi të gjitha – interesat kombëtare – liritë dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve, brenda kufijve të dy shteteve shqiptare dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në përgjithësi, si dhe përforcimin e institucioneve demokratike në vend, në rrugën eventuale drejtë integrimeve të plota euro-atlantike.  Tjetër rrugë nuk ka për shqiptarët.

Si reagim i menjëhershëm ndaj deklaratave të Zemanit në Beograd, u takon enteve më të larta të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë që të bashkrendojnë një përgjigje të fortë diplomatike ndaj këtyre deklaratave të pa përgjegjshme të Presidentit të Republikës së Çekisë gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd. Si fillim, Ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në Pragë të kërkojnë takime në Ministrinë e Jashtme të Çekisë për shpjegime në lidhje me deklaratën e papërgjegjshme të udhëheqsit çek në Serbi. Të njëjtën të bëjnë ministritë e jashtme në Prishtinë e Tiranë, të ftojnë ambasadorët çekë atje dhe tu paraqesin protestën zyrtare të qeverive shqiptare.  Mos kini frikë! Çonju prej gjumi dhe mbroni interesat kombëtare! .Eh, në duar të kujt ka mbetur fati i Kombit!

Ish-Presidenti Vaclav Havel, ndryshe nga Millosh Zemani i sotëm, ishte i mirë informuar për vuajtjet e shqiptarëve gjatë shekujve përfshirë periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës.   Ai ishte gjithashtu edhe një zë i shpresës për njerëzit e shtypur kudo, i cili aktivisht ka kritikuar politikën serbe të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë dhe ndryshe nga zemanët e kësaj bote, ka qenë mbështetës i vendosur i sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave kriminale të Serbisë për çlirimin e Kosovës. “Edhe më parë kam mbrojt qëndrimin se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë sa më parë për të mbrojtur jetën e njerëzve nga arbitrariteti i shtetit”, ka thënë Vaclav Havel, në lidhje me sulmet ajrore të NATO-s kundër regjimit kriminel të Sllobodan Millosheviçit të Serbisë.

Unë për veten, preferoj të kujtoj trashëgiminë dhe miqësinë e politikës zyrtare çeke ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, të promovuar nga i ndjeri Vaclav Havel dhe jo qëndrimet aktuale të Millosh Zemanit, në mbështetje të kriminelëve të luftës në Kosovë, shumë prej të cilëve vazhdojnë të shërbejnë në detyra të larta të shtetit dhe të qeverisë serbe, disa prej të cilëve ishin bashkbisedues me presidentin Zeman, gjatë vizitës së tij në Beograd.

Pa marrë paraysh se çthonë dhe ç’mendojnë Vuçiqi dhe Zemani për pavarësinë e Kosovës, si pasojë e kësaj pavarësie, gjëndja sot në Ballkanin Perëndimor është shumë më e mirëdhe më e sigurt për paqën në Ballkanin Perendimor, se ç’ishte 20-30 vite më parë.  Por kjo situatë nuk ndodhi vetvetiu.  Ajo është zhvilluar falë — ndër të tjerë – kontributit të patriotit të madh të Republikës Çeke, Vaclav Havelit, i cili me zërin e tij moral, gjithë jetën kundërshtoi dhe luftoi diktaturën komuniste në vendin e tij dhe në mbarë botë, si dhe padrejtësitë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut kudo që ndodhnin ato.   Është trashëgimia morale dhe veprimtaria e Çekut të Madh, Vaclav Havelit, që sipas Madeline Albright, “Ka treguar se një vend i vogël mund të ndryshojë shumë gjëra kur ka udhëheqsin e duhur me parime morale”.

Fatkeqësisht, në takimet e tija këto ditë me zyrtarët serbë në Beograd, presidenti aktual i Çekisë, Millosh Zeman me deklaratat e tija raciste anti-shqiptare dhe kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës, ndryshe nga Vaclav Havel, tregoi edhe njëherë (kjo nuk është hera e parë që ai shprehet në këtë mënyrë), se ai nuk ka asnjë parim moral, as si njeri, e si presidenti Çekisë, jo se jo!

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …