65 vjet më parë, në hotelin Lexington në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara, ndërroi jetë i mërguar dhe larg Atdheut, Midhat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit dhe nip i rilindësve, Naim Frashëri dhe Sami Frashëri. Unë desha ta kujtoj këtë përvjetor, natyrisht për vet meritat e këtij burri të madh, trashëgimtar i familjes së madhe rilindase të Frashënlijve, mendimtarit, shkrimtarit, politikanit, dhe mbi të gjitha Shërbestarit të Shqipërisë, siç e quanin bashkohasit dhe bashkluftarët e tij. Unë nuk e ndjejë veten as të denjë dhe as të informuar mirë që në këtë përvjetor të vdekjes së Midhat Frashërit të shkruaj mbi jetën dhe aktivitetin e tij politik dhe atdhetar. Por, po e shënoj këtë përvjetor me një kujtim modest, në emër të disa bashkombas të mi, bashkpuntorë të ngushtë të Midhat Frashërit — të cilët nuk janë më — por të cilët i kam njohur dhe me disa prej tyre kam patur fatin e mirë që në rininë time të punoja me ta tek Zëri i Amerikës, gjatë 1970-ave dhe në fillim të ’80-ave dhe të cilët, besoj se po të ishin gjallë nuk do t’a lenin këtë përvjetor të kalonte pa thënë diçka për mësuesin dhe udhëheqsin e tyre të dashur.
Midhat Frashëri, si themeluesi dhe kryetar i Ballit Kombëtar, për ta ai ishte jo vetëm një udhëheqës politik, por konsiderohej edhe si një udhëheqës shpirtëror, si një shëmbull patriotizmi të vërtetë dhe atdhedashurie të shëndosh. Në ambientin e zyrës ku punoja me këta patriotë, pothuaj nuk kalonte asnjë ditë që njëri ose tjetri prej tyre të mos përmendte diçka nga koha që kishin kaluar me Midhat Frashërin, të cilët si besnikë tij që ishin, ai iu referohej atyre si “djemtë e mijë” . Këta ishin ndër ata që kishin shkuar këmbë për këmbë me Midhat Frashërin, ose siç e quanin shpesh edhe me pseudonimin, Lumo Skendon që ishte bërë si emër i dytë i tij, njërit prej burrave të përmendur të kombit shqiptar. “Lumua ka thënë kështu, Lumua më ka thënë këtë….”, ishte pothuaj një refren i përditshëm i ish-kolegëve të mi, sidomos gjatë pushimeve kur shkonim për kafe, pas transmetimit të programeve në ndërtesën e VOA-s. Kujtimi i tij rrahte në zemërat e tyre dhe ishin të përbetuar që të ruanin porositë e tij dhe të luftonin me dije e me penë për të çuar në vend amanetin e Midhat Frashërit, për një Shqipëri të lirë e demokratike, për një Shqipëri të Shqiptarëve, siç thonin ata. Ata e bënë këtë, secili në mënyra të ndryshme, deri në fund të jetës së tyre.
Ata flisnin për udhëheqsin e vet, si njërin prej tyre, i cili sipas tyre, ishte i thjeshtë e i dashur me të gjithë — gjithmonë me ta, gjatë luftës nepër borë e shi e të ftohtë, si në fitore ashtu edhe në humbje. Ata kujtonin arratisjen e tyre nga Shqipëria me lundër nepërmjet Shkodrës për të shpëtuar kokën nga Enver Hoxha, kur çlirimi i vendit fatkeqsisht u zëvendësua me sundimin e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, i cili detyroi që shumë prej bijve më të mirë të kombit të arratiseshin e të merrnin rrugët e botës. Ata kujtonin jetën nëpër kampet e refugjatëve në Itali dhe gjetiu, në gjëndje shumë të vështira të asaj kohe, pa mbështetje dhe pa shpresë, shpesh edhe pa ushqim të mjaftueshëm. Pasi e dinin se isha i lindur në trojet shqiptare nën-ish-Jugosllavinë, kolegët e mi më flisnin shpesh për pasionin e thellë dhe dashurinë që Midhat Frashëri kishte pasur për Kosovën, dhe për trojet shqiptare në përgjithësi, theksonin ëndërrën e tij për një Shqipëri Ethnike. Megjithë humbjen politike dhe megjithë vuajtjet nepër rrugët e mërgimit, të gjithë ish-kolegët e mi, pothuaj pa përjashtim, pohonin se megjithë humbjen dhe përball situatës së zymtë të pas luftës, si përfundim i fitores së komunizmit, dhe të ndarjes me familjet e tyre, ndonëse ata vet kishin humbur shpresat, ishte Midhat Frashëri ai, i cili, sipas tyre i frymëzonte ata, u jepte shpresë, u jepte forcë për të shikuar me optimizëm drejtë së ardhmes. “Shpresa mbahet me punë dhe ideal”, ka shkruar Midhat Frashëri dhe pyetjes se “Cili duhet të jetë ideali ynë?, ai përgjigjet duke thënë se ideali ynë, “Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm.”
Kisha dëgjuar aq shumë prej tyre për personin dhe veprimtarinë e Midhat Frashërit, si njeri dhe si një rilindas i shquar, mbi travajët e tyre gjatë dhe pas luftës, sa që pas disa viteve me ta, pothuaj e ndjeja veten si të kisha qenë pjesë e atij grupi të nderuar bashkadhetarësh, megjithse në krahasim me ata isha shumë më i ri nga mosha. Prandaj, në këtë 65-vjetor të vdekjes së Midhat Frashërit, dua të kujtoj edhe ata që kanë qenë afër tij dhe me të cilët kam pasur nderin dhe privilegjin t’i njoh për së afërmi. Pikëspari Zonjën e ndershme Lulu Vrioni, të mbesën e Midhat Frashërit dhe për mendimin tim, ndoshta spikerja më e mirë që kam njohur unë. Talat Karagjozi, i cili më thoshte se Midhat Frashëri i kishte vdekur në duartë e tija dhe kurdoherë që fliste për të, i mbusheshin sytë me lotë, pasi nga ajo ditë e sot, mendohet se me të këthyer në Amerikë, Midhat Frashëri u helmua pas deklaratës që kishte bërë në radion BBC të Londrës në lidhje me formimin e lëvizjes anti-komuniste në mërgim dhe pas themelimit të Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, kryetar i së cilës ishte zgjedhur Midhat Frashëri. Ndër të tjerët e kësaj gjenerate, me të cilët kam punuar, kanë qenë Xhevat Kallajxhiu, Ruzhdi Daca, Gaspër Kiçi, Bardhyl Pogoni dhe jashtë zyrës së VOA’s ishin “djemtë” e Midhat Frasherit me të cilat kisha njohuri e shoqëri, përfshirë Dr. Tako Bacaj, Ramazan Turdiu, pastaj djemtë e Profesorit dhe gjeografit të njohur dhe kartografit të parë shqiptar nga Kosova, Ahmet Gashi — autorit të parë të gjeografisë së Shqipërisë më 1935, vëllëzërit Dr. Faton Gashi dhe Prof. Luan Gashi i Lidhjes Kosovare, jeta e të cilëve ishte e dendur me veprimtari patriotike dhe kontribute edhe për vendin e adaptuar, Amerikën — njëri si mjek i dalluar e tjetri si profesor shkencash politike, i cli njihej si profesor që adhurohej nga studentët e tij universitarë amerikanë. Kujtimet e këtyre ish-kolegëve e miqëve të mi për Midhat Frashërin — ish-udhëheqsin dhe mësuesin e tyre — janë bërë tani edhe pjesë e kujtimeve të mia, përshtypje të cilat i kujtoj me nderim në këtë 65- vjetor të vdekjes së Midhat Frashërit, djalit të Abdyl Frashërit dhe nipit të Naimit dhe Sami Frashërit.
Ishin këta ish kolegë të mi gazetarë, të cilët çdo ditë dhe në çdo moment, profesionin e tyre përpiqeshin ta merrnin tepër seriozisht. Ishin të “shkollës së vjetër”, ashtu siç i donte dhe siç i kishte mësuar Midhat Frashëri, i cili rolin e gazetarit e kishte çmuar shumë, duke thënë se gazetarët duhet të jenë “njerëz të idealit” dhe “me ndërgjegje të lartë kombëtare” dhe se shtypi, ka shkruar ai, duhet të jetë “kopshti i një jete morale, shkolla e së vërtetave politike dhe shoqënore, predikimi për zhvillimin mendor dhe shpirtënor, e një disipline vullnetare e një rregulle të inspiruarë prej amorit dhe dashurisë, duke kupëtuarë drejt dhe vërtet interesin tënë”. Ideja e tij ishte se shtypi i lirë që do t’i shërbente interesave të kombit dhe të shoqërisë duhej “të drejtohet nga njerëz të zotë dhe profesionistë”, duhej të jetë, sipas Midhat Frashërit, në “Duar të dënja, në njerëz të zotër, të pajuarë me cilësi dhe virtute të naltë”.
Në fjalimin e tij të famshëm në BBC e Londrës, në vjeshtën e vitit 1949, Midhat Frashëri iu drejtua shqiptarëve kudo që ishin duke paralajmëruar se kombi shqiptar po e kuptonte se çfarë kishte sjellur fitorja e komunizmit në Shqipëri, duke thënë se, “Kadalë, kadalë raca Shqiptare, ajo race së cilës nuk i mungon asnjë virtyt njerëzor, ajo racë që vuan por edhe që ndjen, që ofshan por që edhe shpreson dhe nuk harron, ajo racë themi, filloi të shohë të vërtetën, të shohë rrezikun edhe fatkqesinë, në të cilën e hodhën matrapazët komunistë. Po i çilte sytë dhe po e mprehte vullnetin e saj”. Ai e pat përfunduar fjalimin e tij duke shprehur shpresën se të gjithë Shqiptarët do ta kenë shpirtin dhe mendjen gjithëmonë për të mirën e Shqipërisë. “Kjo, tha ai, “është lutja jonë ndaj Zotit të Madh dhe lusim që gjithnjë Shqiptarët e vërtetë të rrëfehen të denjë për të qenë Shërbëtorët e Shqipërisë.”
Fatkeqsisht, ky trashëgimitar i denjë i Rilindjes kombëtare – jo vetëm që në Shqipërinë e tij të dashur nuk konsiderohet si Shërbestar i Atdheut, por përkundrazi, historia komuniste e etikon atë gjithnjë me njollosjen si “reaksionar”, madje edhe “tradhëtar” të kombit. E kush? Midhat Frashëri, djali i Abdyl Frashërit! Midhat Frashëri i Kongresit të Manastirit ku së bashku me At Gjergj Fishtën vendosën themelet e alfabetit shqip! Midhat Frashëri i Konferencës së Paqës në Paris edhe aty së bashku me At Gjergj Fishtën e Mons Bumçin për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve! Midhat Frashëri i cili me fjalime e shkrime, nepër konferenca ndërkombëtare dhe me deklaratat e tija në gjuhë të ndryshme, me fanaticizëm ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të Kombësisë shqiptare!
Mjaftë me mëkatet që u janë bërë patriotëve si Midhat Frashëri dhe At Gjergj Fishta! Historia e regjimit komunist të Enver Hoxhës i kishte shlyer edhe imazhet e tyre nga fotografitë historike, në përpjekje për t’i zhdukur ata përgjithmonë nga historia, por megjithëkëtë,veprat e tyre do të mbeten gjithnjë të paharrueshme, sepse të tilla ishin!
Njoftimi për vdekjen e Midhat Frashërit, më 3 Tetor, 1949 marrë nga gazeta e Ballit Kombëtar, Flamuri
MIDHAT FRASHËRI
Midhat Frashëri, kryekalorësi i patriotizmës Shqipëtare, nuk rron më: drapëri i vdekjes e çkëputi nga rrethi ynë. Bir i denjë i Apostujve Frashëjot të Rilindjes , Midhat Frashëri pasoi besnikrisht gjyrmat e të Parëvet të vet. Ideali i tërë jetës së Tij ka qenë Shqipëria. Punoi gjithnjë për një Atdhe të lirë, popull të lirë, qeveri të lirë. Lindi, rrojti dhe vdiq i varfër: Pasurija më e çmuarshme e Tij ishte Shqipëria, së cilës i dedikoi çdo përpjekje, çdo mundim e çdo sakrificë. Sa herë tingëlloi këmbana e rrezikut, Midhat Frashëri u tregua ushtar i devotshëm në shërbim të Atdheut.
Pas pushtimit të huaj, më 1939, u vu në krye të lëvizjes nacionaliste , “Balli Kombëtar” dhe mbajti lartë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, Flamurin e Kombit, Flamurin e Lirisë. Kryemartir i lirisë në mërgim, Midhat Frashëri, me vdekjen e Tij, lë një vend të madh të zbrazët në shoqërinë Shqiptare, po ideali i Tij qëndron i gjallë e i fuqishëm. Emëri i Tij përbën për popullin Shqipëtar një monument lirie, atdhetarije dhe demokracije.
Në emërin e idealit të Midhat Frashërit, Kryeveteranit të pavdekur të patriotizmës, mijëra, qindramijëra Shqipëtarë ndoqën rrugën e Shqipërisë. E ndoqën dje, e ndjekin sot, do t’a ndjekin nesër. Amanetin e Midhat Frashërit do ta mbajmë sa të jemi gjallë.
Rroftë Shqipëria e Lirë.
Balli Kombëtar, New York, Tetor 3, 1949