Komisarja e Lartë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay dënoi të hënën rrëzimin e aeroplanit të pasagjerëve të linjes ajrore Air Malaysia mbi territorin e Ukrainës që kontrollohet nga forca rebele pro-ruse, e që shkaktoi vdekjen e 283 ushëtarëve dhe ekuipazhit prej 15 vetash. Ajo tha se “kur të merren në konsideratë rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike që mbizotërojnë tani, kjo shkelje e ligjit ndërkombëtar mund të jetë një krim lufte”. Ajo paralajmëroi të gjithë, përfshirë edhe simpatizantë të kauzës ruse nga vende të huaja që u janë bashkuar forcave rebele ruse – si për shembull nga Serbia (shënim i autorit) — se do të ndërmirren të gjitha masat e mundura për të siguruar se, “çdonjëri që të kryej shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar, përfshirë krime lufte, do të sillen para drejtësisë, pa marrë parasyshë se kush janë ata” dhe nga vijnë, tha zyrtarja e lartë e Kombeve të Bashkuara. Ajo bëri thirrje njëkohësisht për një hetim sa më të shpejtë, të gjithëanshëm, efikas, të pavarur dhe të pa-anshëm”, të rrëximit të aeroplanit të pasagjerve civilë. Zonja Pillay e bëri këtë koment ndërsa OKB-ja botoi raportin e kërkuar më heret mbi konfliktin në Ukrainë në të cilin, ndër të tjera, thuhet se megjithëse është vështirë të konstatohet numëri i vërëtetë i viktimave, ç’prej mesit të muajit prill, nga konflikti në atë vend janë vrarë të pakën 1,129 veta, ndërsa janë plagosur 3, 442 persona, ndërkohë që, sipas raportit të OKB-ës më shumë se 100,000 veta janë çvendosur nga shtëpitë e tyre, si rrjedhim i konfliktit. Ajo shtoi se raportet janë tepër alarmuese mbi luftimet në rajonin Donetsk dhe Luhansk, ndërkohë që sipas saj, të dy palët kanë dërguar në atë zona armë të rënda, përfshirë artilerinë, tankse, raketa dhe misile. Raporti i OKB-ës mbi konfliktin në Ukrainë nënvijon gjithashtu një rritje alarmuese të shkeljeve të të drejtave të njeriut në zonat lindore të Ukrainës që kontrollohen nga rebelët e armatosur pro-rusë. Në raport theksohet se grupe rebelësh të armatosur që mbështeten nga Rusia, rrëmbejnë njerëz, i burgosin i torturojnë dhe i ekzekutojnë ata, si masa këto që i përdorin me qëllim për të frikësuar dhe për të kontrolluar popullatën e asaj zone. Në raport thuhet se vihet re një profesionalizëm i dukëshëm në radhët e grupeve të armatosura ruse, duke akuzuar drejtë për drejtë se ato, “udhëhiqen politikisht dhe ushtarakisht nga shtetas të Federatës Ruse”. Ajo u bëri thirrje të dy palëve në konflikt që të tregojnë kujdesin më të madh, në mënyrë që të parandalojnë vrasjen dhe plagosjen e civilëve. Konflikti midis rebelëve pro-rus dhe forcave të Ukrainës është diçka për të ardhur keq, por rrëximi i një aeroplani civil me pasagjerë ndërkombëtarë është një krim lufte, siç alludoi edhe Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut. E vërteta është se deri tani bota ka reaguar me një përmbajtje të pashpjegueshme ndaj këtij krimi që shkaktoi vdekjen e qindëra pasagjerve të pafajshëm nga vende të ndryshme të botës, e të cilët nuk kishin aspak të bënin me konfliktin në Ukrainë. Duke komentuar këtë akt mizor, Presidenti Obama ka thënë se “Ekzistojnë prova se aeroplani civil i Malajzisë u rrëxua nga një raketë tokë-ajër e cila ishte hedhur nga një zonë e cila kontrollohet nga separatistët e mbështetur nga Rusia, mbrenda territorit të Ukrainës”. Ndërsa zëdhënsja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Marie Huf ishte më e përcaktuar duke drejtuar gishtin e akuzës atje ku duhet. Ajo tha se, “Ndoshta ne nuk e dimë ende me saktësi se kush e rrëzoi aeroplanin, por përgjegjësia për këtë incident pushon mbi krahët e Presidentit rus Putin.” Ajo u tha përfaqsuesve të medias ndërkombëtare të akredituar pranë Departmentit Amerikan të Shtetit se, “Këta separatistë rusë, të cilët ne besojmë se ishin ata që rrëxuan me raketë aeroplanin e vijës ajrore të Malajzisë, nuk do të vepronin atje pa mbështetjen e Presidentit Putin dhe të qeverisë ruse, dhe se ata nuk do të armatoseshin po mos të kishin mbështetjen e Presidentit Putin dhe të qeverisë ruse.” Si rrjedhim, shtoi zëdhënsja e Departmentit të Shtetit, “ne jemi zotuar që të zbulojmë se çka ndodhi atje, me qëllim që të ata të cilët e kryen këtë akt të shëmtuar të mbahen përgjegjës dhe se vendet, të cilat mbështesin këta separatistë ashtu siç bën Rusia”, shtoi ajo, “duhet të mbahen gjithashtu përgjegjëse”. Ndërsa zevëndës zëdhënsi i Shtëpisë së Bardhë, Eric Schultz pohoi para përfaqsuesve të medias se, “Ne e dimë se Rusia ka furnizuar me armë dhe stërvitje këta separatistë.” Këto ishin reagimet më të ashpëra megjitëse të përmbajtura, të zyrtarëve më të lartë amerikanë me përjashtim të ndonjë anëtari të Kongresit, të cilët ishin shumë më kritikë ndaj rolit të Rusisë në konfliktin e saj me Ukrainën. Ndërkohë, vendet europiane, nepërmjet deklaratave të zyrtarëve të tyre, janë shprehur ditët e fundit, se në bashkrendim me Shtetet e Bashkuara, ato janë gati t’i imponojnë Rusisë së Putinit sanksione të tjera në sektorët financiar, energjetik dhe të industrisë së armëve. Një numër analistësh kanë vërejtur ditët e fundit se reagimet e vendeve perëndimore ndaj rrëximit të aeroplanit të vijës ajrore të Malajzisë mbi Ukrainë, duhej të ishin më të forta dhe më të vendosura. Shumë prej tyre kanë krahasuar rrëximin e këtij aeroplani nga ata që mendohet se ishin rebelët pro rusë në Ukrainë, të mbështetur dhe të financuar nga Rusia — me rrëximin e aeroplanit të vijës ajrore të Koresë së Jugut nga një aeroplan luftarak sovjetik 30-vjetë, pikërisht në shtator të vitit 1983, sulm ky nga i cili asokohe mbetën të vrarë 269 persona të pafajshëm. Natyrisht se atëherë ishte kulmi i luftës së ftohtë, por kjo nuk e bënte më të lehtë as më të justifikueshëm sulmin barbar të regjimit komunist sovjetik kundër një aeroplani civil, me justifikimin se kishte hyrë në hapësirën e tij ajrore. Në krahasim me reagimet e sotëme, reagimi i Presidentit të atëhershëm amerikan Ronald Reagan ishte i ashpër dhe i vendosur, duke e quajtur masakër sulmin e Bashkimit Sovjetik kundër aeroplanit të vijes ajrore koreane ku si përfundim gjetën vdeljen 269 viktima të pafajshme, përfshirë edhe një numër të madh amerikanësh. Ky krim kundër njerëzimit, pat thënë Presidenti Reagan nuk duhej harruar kurrë këtu në Amerikë dhe as anë e mbanë botës. Presidenti Reagan, duke i folur kombit dhe botës mbi rrëximin e aeroplanit korean nga sovjetikët në vitin 1983, e pat cilësuar atë sulm të ngjashëm me sulmin mbi Ukrainë, duke thënë se ai, “ishte një sulm i Bashkimit Sovjetik kundër botës dhe kundër ndjenjave morale të cilat drejtojnë marrëdhënjet njerëzore kudo”. “Ky”, ka thënë Presidenti Reagan, “ishte një akt barbarizmi i kryer nga një shoqëri që nuk respekton të drejtat e individit dhe që nuk tregon respekt për vlerën e jetës së njeriut”, duke e cilësuar atë edhe si akt i një vendi i cili gjithmonë përpiqet të zgjerojë me forcë influencën e tij në përpjekje për të dominuar kombet e tjera.” Do të ishte tepër lehtë, tha ish-presidenti amerikan “që në raste të tilla të mendohej për hakmarrje, por kjo nuk është përgjigjëja e duhur. Ne duam drejtësi dhe veprim për të siguruar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë më”, ka thënë Presidenti Reagan. Gjatë debatit me Presidentin Obama në fushatën e vitit 2012 për president, kandidati republikan Mitt Romni me të drejtë pat deklaruar se ishte Rusia ajo që përbënte kërcënimin kryesor ndaj sigurisë dhe interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë njerëzve vullnet mirë të cilët besojnë në liri, dhe jo Al Qaeda siç pretendonte Presdienti Obama. Këtë e kishte pohuar 30-vjetë më parë edhe ish-Senatori demokrat Henry Jackson, i cili kishte deklaruar se Bashkimi Sovjetik përbënte kërcënimin më të madh ndaj Amerikës dhe botës. Andaj, ka thënë Senatori demokrat, nëqoftse Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të vazhdojnë të luajnë rolin udhëheqës në përpjekjet për sigurimin e një paqeje të qëndrueshme midis kombeve, atëherë Amerika duhet të jetë e fortë jo vetëm me fjalë por edhe me vepra, përfshirë edhe gatishmërinë ushtarake, për t’u përballur me të këqiat e kësaj bote që kërcënojnë lirinë dhe të drejtat e nejrëiut të popujve anë e mbanë botës. Analistë të ndryshëm kanë shprehur dyshimet e tyre nëse administrata e Presidentit Barak Obama është me të vërtetë serioze mbi rolin, që sipas ish senatorit demokrat Henry Jackson dhe ish-presdientit Reagan, Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë në botë në përgjithësi, dhe në raste si rrëximi i aeroplanit të vijës ajrore të Malajzisë, në veçanti. Ky, sipas Presidentit Ronald Reagan, nuk është një rol që e kërkojnë Shtetet e Bashkuara. Por sipas tij, ashtu si edhe roli që luajtën amerikanët e dikurshëm që themeluan këtë vend si “shpresën e fundit dhe shpresën më të mirë për njerëzimin”, historia është shprehur ai, kërkon shumë nga çdo brez i amerikanëve. Sipas Presidentit Reagan, gjatë historisë, “Amerika ka dhënë shumë për botën, por duhet të jemi kurdoherë gati të japim edhe më shumë.” Kurdoherë, veprat janë më bindëse se fjalët. Prandaj, nëqoftse Shtetet e Bashkuara nuk e luajnë këtë rol udhëheqës në botë – si në kohë paqeje ashtu edhe në kohë konfliktesh — siç rekomandonte një president republikan dhe një senator demokrat 30-vjetë më parë, atëherë kush do e luaj një rol të tillë? Ndërsa, përsa i përket rrëximit të aeroplanit të vijës ajrore të Malajzisë mbi Ukrainë — kur të merret parasyshë mbështetja e Presidentit rus Putin për rebelët pro-rus si dhe agresioni rus ndaj Ukrainës gjatë vitit të kaluar — provat dhe hetimet mbi këtë “tragjedi botërore”, siç e cilësoi edhe Presidenti Obama — eventualisht mund të vërtetojnë se Moska ishte përgjegjëse në mënyrë direkte ose indirekte për masakrimin e pasagjerve të pafajshëm. Si e tillë, Rusia dhe Presidenti i saj Vladimir Putin duhet të mbahen përgjegjës nga opinioni botëror dhe nga ligjet ndërkombëtare për këtë akt barbar.
Frank Shkreli: Shoqata të medieve amerikane kritikojnë ashpër administratën e kryetarit Obama
Gjatë viteve, kritikë të ndryshëm politikë dhe të tjerë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, kanë kritikuar segmente të posaçme të medias amerikane për mungesë të mbulimit kritik të politikave të administratës duke thënë se ato pothuaj kishin rënë në dashuri me administratën e Presidentit Barak Obama dhe me politikat e tija. Marrëdhënjet e administratës Obama me gazetarët ka vazhduar të jetë tepër komplekse. Dihet se të gjitha administratat e kaluara, për vetë nga natyra e veprimtarisë së tyre politike, janë përpjekur që të kontrollojnë mesazhet që i dërgohen publikut të gjerë mbi punën e dikastereve qeveritare. Por gazetari i New York Times, James Risen, i cili mund të përballet me burgim sepse refuzon gjithnjë të zbulojë burimin qeveritar të një lajmi që ai ka botuar kohë më pare në gazetën e tij, është cituar të ketë thënë se administrata Obama, sipas tij, “Është armiku më i madh i lirisë së shtypit, në të pakën një çerek shekulli”, në këtë vend.
Ditëve të fundit, këtyre kritikave iu bashkua edhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë e cila, e themeluar në vitin 1909, promovon përhapjen e lirë të informacionit, që është jetike sipas saj, për të pasur një popullsi të informuar mirë, punon për të frymëzuar dhe për të arsimuar brezin e ri të gazetarëve dhe njëkohësisht mbron Nenin e Parë të Kushtetutës Amerikane që garanton lirinë e fjalës dhe të shtypit. Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, në emër të kryetarit të saj, David Cuillier i dërgoi Presidentit Obama një letër të nënshkruar nga ai dhe nga 40 organizata të tjera që përfaqësojnë gazetarët. Në letër kritikohet ashpër Shtëpia e Bardhë dhe këshilltarët e presidentit se po censurojnë mbulimin e lajmeve nga media, se po kufizojnë gatishmërinë dhe mundësinë e zyrtarëve më të lartë të administratës së tij që të intervistohen nga përfaqsues të medias dhe që të jenë të gatshëm të flasin me median pa paragjykime e përgatitje politike dhe pa i pastrua me sitë pyetjet për përfaqsuesit e dikastereve. Si rrjedhim, në letër i bëhet thirrje Presidentit Obama që të ndalojë praktikat e agjencive të qeverisë federale, të cilat pengojnë përhapjen e informacionit me rëndësi për publikun dhe jetën e përditshme, duke bërë thirrje për ndryshimin e politikës që kufizon përhapjen e lirë të informacionit për publikun. “Këto praktika janë bërë gjithnjë e më të përhapura anë e mbanë Amerikës, duke penguar në këtë mënyrë që publiku të ketë informacionin e saktë, në kohën e duhur dhe me një afat të shpejtë”, tha për media, Kryetari i Shoqatës së Gazetarve Profesionistë, David Cuillier, duke shtuar se, “Presidenti Obama kishte premtuar të ishte presidenti më transparent në histori. Ai mund të fillojë të bëhet i tillë duke u dhënë fund këtyre praktikave, tani”, shtoi ai.
Shoqata e Gazetarve Profesionistë thotë se asnjëherë më parë nuk ka patur një koalicion të tillë organizata gazetarësh si dhe një numër të tillë entesh që merren me qeverisjen e mirë, të cilat kanë një qendrim dhe së bashku kanë folur haptazi mbi këtë çështje. Raste të shumëta të praktikave, ku gazetarëve nuk u jepet mundësia dhe në të vërtetë u pengohet mundësia të kryejnë detyrën e tyre ka shkaktuar që publiku të mos ishte në dijeni të informacioneve të rëndësishme për të. Drejtoresha e Shoqatës së Gazetarëve të Mjedisit, Beth Parke, dhe njëra prej nënshkruesve të letrës drejuar presdeinti Obama, tha se, “Kurdoherë që zyrtarët qeveritarë ndalojnë përhapjen e informacionit ose kur nuk i japin rëndësi zbulimeve shkencore, ata janë duke ndërhyrë me të drejtën e publikut për të qenë i mirë informuar dhe për ditur se ç’bën qeveria dhe përfaqsuesit e saj në çdo kohë. Kur gazetarët injorohen dhe kur përfaqsuesit e dikasterve të qeverisë nuk janë të gatëshëm të flasin me median, atëherë pengohet përhapja e lirë e informacionit dhe njëkohsisht mashtrohet edhe publiku”, shtoi Drejtoresha e Gazetarëve të Mjedisit.
Shoqatat që nënshkruan letrën drejtuar Presdeintit Obama, u bënë thirrje edhe gazetarëve anë e mbanë vendit që të bashkohen me ta në luftën kundër këtyre dukurive e trendeve në arenën publike dhe private — në nivel federal, shtetëror dhe vendor — duke botuar editoriale kundër këtyre përpjekjeve dhe duke kundërshtuar vendosmërisht dhe publikisht këto praktika, kudo që të paraqiten e kurdoherë që të ndodhin.
Letra drejtuar Presidentit Obama dhe e nënshkruar nga pothuaj 40 organizata amerikane të gazetarëve, ishte e pashëmbullt për nga kritikat e ashpëra drejtuar Shtëpisë së Bardhë dhe këshilltarëve të presidentit, duke i kritikuar ata për “kontrollimin e lajmeve për qëllime politike”. Siç dihet, Presidenti Obama kur u zgjodh President i Shteteve të Bashkuara më 2008 kishte premtuar se do të drejtonte administratën më transparente deri atëherë. Kjo, sipas letrës së drejtuar shefit të qeverisë amerikane, jo vetëm që nuk ndodhi, por përkundrazi, adminstrata Obama dhe zëdhënsit e saj, kanë penguar punën e gazetarëve dhe të korrespondentëve dhe për më keq, ajo ka hapur dyertë për lobistët, për grupet e interesave të posaçme dhe “njerëzve me para”.
Cinicizmi i amerikanëve ndaj zhvillimeve politike në Washington në përgjithësi dhe të politikës së Shtëpisë së Bardhë në veçanti, është venë në dukje në sondazhet e fundit, ku vihet re se po bie dukëshëm popullariteti i Presidentit Obama dhe i politikave të tij. Nënshkruesit e letrës, drejtuar Presidentit Obama, shkruajnë se për ekzistencën e këtij cinicizmi ndaj politikës së Shtëpisë së Bardhë dhe ndaj zhvillimeve politike në Washington në përgjithësi, Z. Obama mund të ngarkojë me faj vetëm veten e tijë dhe askënd tjetër, duke iu drejtuar atij se “nuk është e nevojshme të shikosh aspak më larg se tek administrata jote për burimin e këtij cinicizmi dhe frustrimit të popullit me politikën”. Dhe i bën thirrje Shefit të Shtçpisë së Bardhë që të marrë një qëndrim personal për ndalimin e këtyre trendeve dhe njëkohësisht i bëhet thirrje që të mos përdoret si metodë përhapja e lajmeve për qëllime politike nga këshilltarët e tij dhe të vendos transparencën në marrëdhënjet me gazetarët dhe me publikun, para se të “helmohet mëtej demokracia jonë.”
Në të kaluarën, zëdhënsit e Shtëpisë së Bardhë kanë hedhur poshtë akuza të njëjta si këto të theksuara në letrën e javës së kaluar dërguar Presidentit Obama, për mungesë transparence në marrëdhënjet me gazetarët dhe me publikun — përfshirë edhe Shoqatën e Korrespondetëve të Shtëpisë së Bardhë — por letra në fjalë jep disa shembuj konkretë përpjekjesh zyrtare për të ndërhyrë dhe për të kontrolluar përhapjen e lajmeve për qëllime politike dhe për të penguar punën e përditshme të gazetarëve në përpjekjet e tyre për të informuar saktë, shpejt dhe drejtë publikun. Por, Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë, njëkohësisht edhe profesor i gazetarisë në Universitetin Arizona tha se është krejtësisht në dorë të gazetarëve dhe të qytetarëve për të kundërshtuar me forcë këto trende dhe abuzime zyrtare ndaj lirisë së medias, sepse sipas tij, ndonëse në vetvete këto mund të mos dëmtojnë gazetarët drejtë për së drejti, ato dëmtojnë thellë interesat e publikut dhe të shoqërisë, por mbi të gjitha tha ai, manipulimet e lajmeve për qëllime politike dëmtojnë rëndë të gjithë vendin.
Lufta midis qeverive dhe zëdhënsve të tyre politikë kudo në botë, përfshirë edhe qeverinë amerikane, të cilat dëshirojnë nga koha në kohë, të manipulojnë përhapjen e lajmeve të informacionit në favor të tyre dhe për qëllimet e veta politike, është një luftë që ka ekzistuar gjithmonë dhe do të jetë përherë pjesë e marrëdhënjeve — për nga natyra — të tensionuara midis medias së lirë dhe të politikanëve kudo dhe pa përjashtim, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Kjo është arsyeja që baballarët e kombit amerikan i kanë dhënë rëndësinë më të madhe — mbi të gjitha të drejtat e tjera — lirisë së fjalës dhe të shtypit, duke e përcaktuar atë në Nenin e parë të Kushtetutës amerikane, si elementin kryesor dhe më të rëndësishëm për funksionimin e një shoqërie të lirë e demokratike. Kjo luftë sa vjen e inteksifikohet herë pas here edhe këtu në Shtetet e Bashkuara, dhe si e tillë është një betejë që duhet të luftohet e të fitohet për hirë të lirisë së fjalës dhe të medias, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe anë e mbanë botës.