Mediat elektronike dhe gazetat përhapën lajmin e zi anë e mbanë trojeve shqiptare se Prof. Doktor Zef Mirdita, në moshën 80-vjeçare e la këtë shekull për në jetën e amshuar, duke i mbyllur sytë në Zagreb të Kroacisë ku kishte jetuar dhe zhvilluar për shumë vite aktivitetin e tij akademik dhe shkencor. Kombi shqiptar është sot më i varfër me zhdukjen e këtij historiani dhe kolosi të shkencës dhe letrave shqipe. Është më i varfër kombi shqiptar dhe sidomos Dardania, me humbjen e një shqiptari dhe shkencëtari të madh, i cili me sjelljet e tija fisnike dhe me një përvojë të gjatë akademike dhe kombëtare — ai me jetën dhe veprat e tija në gjuhë të ndryshme europiane dhe sidomos përballë të huajve, nderonte kombin shqiptar kudo që shkonte dhe kudo ligjëronte nepër kryeqytete të Europës, në mbrojtje të historisë mija vjeçare të kombit shqiptar në trojet e veta autoktone, duke filluar nga periudha e iliro-dardane e deri në ditët e sotme.
Fatkeqësisht, përveç nëpërmjet disa shkrimeve të tija, unë nuk patur rastin ta njihja personalisht Profesor Zef Mirditën, por ata që e kanë njohur për së afërmi dhe të cilët kanë pasë fatin të ishin edhe studentë të tij në Universitetin e Prishtinës dhe universitete e fakultete të tjera të Kosovës, e konsiderojnë kalimin në amshim të Profesor Zef Mirditës sot si një fatkeqsi për botën arbërore, për të vërtetën e saj historike dhe për shqiptarizmin në përgjithësi. Ndër vetitë e Profesor Zef Mirditës, pohojnë ata, ishte e vërteta mbi historinë iliro-shqiptare si dhe mbrojta e saj kudo dhe kurdo, por ai njëkohsisht ruante edhe vetitë që nuk mësohen në libra, por të cilat historikisht e kanë dalluar fisin e vjetër të shqiptarit nga popujt e tjerë – e që janë burrënia, nderi, besnikëria. Mision të jetës së tij, ai kishte përcaktuar mbrojtjen e historisë dhe të së vërtetës së zanafillës së shqiptarëve, sidomos të Dardanisë dhe dardanëve.
Megjithëse Dardanët kanë qenë njëri prej fiseve më të dalluar të botës ilire, fatkeqësisht gjeneza dhe historia e tyre nuk kishte tërhequr më parë vëmendjen dhe interesimin e studiuesve dhe të historianëve të vërtetë si Profesor Zef Mirdita. Për më tepër, edhe ato pak studime që mund të ishin bërë gjatë dekadave të kaluara, sidomos nga të huajt, historia e Dardanisë dhe Dardanëve mohohej dhe madje kur paraqitej, ajo shtrembërohej qëllimisht nga të huajt, me mungesa të mëdha historike dhe kulturore, përfshirë edhe mohimin e etnogjenezës së tyre.
Por akademik Zef Mirdita si rradhë ndonjë tjetër historian, e kishte marrë përsipër si përgjegjësi personale intelektuale por edhe kombëtare, për të provuar me veprat dhe shkrimete tija me argumentat shkencorë, se Dardania ishte Iliri dhe se dardanët ishin me prejardhje ilire, njëkohësisht duke hedhur poshtë njëherë e mirë edhe tezat kryesisht të shtrembëruesve të historisë së shqiptarëve — pasardhësve të ilirëve — se dardanët nuk na paskan qenë me prejardhje ilire. Mirëpo, Profesor Zef Mirdita gjatë gjithë jetës së tij me veprat dhe studimet që ka bërë në këtë fushë, argumenton me fakte historike dhe mbështetur në zbulime arkeologjike se e kundërta është e vërteta nga ato që kanë paraqitur shtrembëruesit e historisë së ilirëve dhe të shqiptarëve. Në shkrimet e tija, Profesor Zef Mirdita ka mbrojtur vazhdimisht tezën e etnogjenezës iliro-shiptare se dardanët në të vërtetë kanë ekzistuar si një popullsi banuese në trojet e veta në Dardani nga kohët e hershme e ndoshta edhe deri në mesjetë dhe si të tillë ata janë aty padyshim parardhës të shqiptarëve në Kosovën e sotme dhe më gjërë.
Historiani shqiptar Moikom Zeqo, duke vlerësuar figurën dhe veprën e Profesor Zef Mirditës me rastin e vdekjes së tij, pohon se, “Zef Mirdita qe një mjeshtër i madh i analizës, i referencës shkencore bibliografike dhe arkeologjike si dhe i metodologjisë moderne të parashtrimit dhe të sintezës së mirëfilltë. Studimet e tij për Dardaninë dhe iliricitetin e Kosovës në antikitet janë substanciale dhe të patjetërsueshme. Dhe të mos harrojmë që një vështrim të tillë historik dhe konceptual ai e ka bërë dhe e ka botuar shumë më përpara arritjes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës”, është shprehur historiani Moikom Zeqo.
Ndërkaq, njoftohet se në Zagreb sapo është botuar dhe promovuar vepra voluminoze e akademik Zef Mirditës me titullin: “Dardanët dhe Dardania Antike”. Duhet të jetë kjo një vepër e madhe, e mbarë dhe e frytshme e këtij Apostulli të Dardanisë, një vepër kjo besoj që pasqyron shprehje të ndriçimit mendor historik dhe të atdhedashurisë së tij për kombin e vet dhe për të vërtetën e preardhjes së tij historike, nga rrjedhte edhe vet. Një vepër kjo e fundit nga Profesor Zef Mirdita, që shpresojmë të shërbejë si porosi dhe flakë për brezin e sotëm të shqiptarëve, pasardhës të dardanëve – si flakë që të mos shuhet por të shëndritë si trashëgimi e Apostullit të Dardanisë, Zef Mirditës për ruajtjen e identitetit kombëtar për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të shqiptarëve — në udhën e historisë se re të Kosovës dardane të pavarur dhe të kombit shqiptar në përgjithësi, anë e mbanë trojeve të veta.
Kush ishte Prof. Zef Mirdita?
Prof. Dr. Zef Mirdita u lind në Prizren, më 13 mars të vitit 1936. Shkollën fillore e kreu në Prizren, ndërsa gjimnazin klasik, respektivisht interdioqezian, në Pazin dhe në Zagreb. Në Fakultetin Katolik Teologjik në Zagreb, më 1958, absolvoi Filozofinë. Në vitin shkollor 1959/60 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit – Dega e Historisë. Nga viti shkollor 1961/62 ishte demonstrator në Katedrën për Histori Kroate te prof. dr. Jaroslav Šidak. Qysh si student i vitit të tretë dhe të katërt ligjëroi lëndën e Historisë në gjimnazin e mbrëmjes “Ise Kršnjavoga” në Zagreb. Diplomoi më 8 korrik të vitit 1965.
Pas kthimit në Prizren, më 8 shkurt të vitit 1966, punoi profesor në gjimnaz, në shkollën e mesme të muzikës dhe në shkollën e mesme të mjekësisë, ku ligjëroi histori, sociologji, gjuhë latine dhe gjuhë frënge, në paralelet me mësim në gjuhën shqipe, serbe dhe turke. Nga 1 janari i vitit 1967 kaloi në Prishtinë si asistent në Katedrën e Historisë, Dega e Historisë Antike dhe më 3 nëntor 1972 doktoroi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit me temën Dardanët dhe Dardania në Antikë. Më 1973 u zgjodh docent me ç’rast e mori përsipër Katedrën e Historisë së Kohës së Vjetër në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, të cilën lëndë e ligjëroi në dy gjuhë, për studentët shqiptarë dhe serbë. Në gusht të të njëjtit vit qëndroi në Shqipëri ku bëri gërmime e hulumtime arkeologjike. Më 1974 si bursist i Qeverisë Italiane qëndroi në specializim në Katedrën e Historisë së Vjetër në Universitetin “La Sapienza” e Romës. Në vitet 1976-1977, si bursist i Fondit “Alexander von Humboldt – Stiftung” qëndroi në specializim (Për Historinë e Vjetër dhe Paleobalkanistikën) në Universitetin e Heidelberg-ut në Gjermani. Më 1978 u zgjodh profesor, ndërkaq më 1983 profesor ordinar në Universitetin e Prishtinës. Më 3 prill 1991 u zgjodh anëtar me korrespondencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Njëkohësisht, si profesor mysafir ligjëroi në disa universitete europiane, si në Vjenë, Jena, München, Romë, Sofje dhe Tiranë. Më 1991-1992 qëndroi në Gjermani (München) për të dytën herë si bursist i Fondit “Alexander von Humboldt – Stiftung”. Nga 1 marsi i vitit 1993 është këshilltar shkencor në Institutin Kroat të Historisë ku e udhëheq projektin “Vlasi –popullatë e vjetër ballkanike që nga fillet historike deri më sot”. Që nga viti akademik 1997/98 deri në atë 2006/07 ishte ligjërues në Fakultetin Filozofik të Universitetit “J. J. Strossmayer” në Osijek, ku e ligjëroi lëndën: Historia e Vjetër – Lindja e Vjetër. Përveç dhjetë librave në shqip, shqip-gjermanisht dhe në kroatisht, botoi në gjuhën shqipe, kroate, frënge, angleze, gjermane dhe italiane, në revistat shkencore të vendit dhe të huaja, mbi 100 studime, shqyrtime dhe punime – artikuj, recensione, kritika, shënime, polemika etj. Po ashtu përktheu disa libra nga kroatishtja në shqip dhe nga shqipja në kroatisht. Që nga viti 1999 është nënkryetar i Shoqatës së Miqësisë Kroato-Shqiptare, ndërsa në periudhën kohore 2003-2007 ishte anëtar i Këshillit për Pakica Kombëtare në Qeverinë e Republikës së Kroacisë. Më 16 qershor 2004, Alfred Moisiu, kryetar i Republikës së Shqipërisë e dekoroi Profesor Zef Mirditën me shpërblim për kontributin e dhënë albanologjisë dhe për përfaqësim të denjë të komunitetit shqiptar në Republikën e Kroacisë. Më 29 prill 2005, u laureua me shpërblimin e Akademisë Kroate të Shkencave dhe Arteve për librin, “Vllehët në historiografi”, i cili u shpall libër i vitit 2004. Më 21 dhjetor 2011, me rastin e 75 vjetorit të lindjes, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës e shpalli shkencëtar të vitit 2011.
(Biografia e Profesor Zef Mirditës është marrë nga Revista Drita – e përmuajshme Fetare-Kulturore e Kishës Katolike në Kosovë).