Është e pa mundur të mbetesh indiferent pasi të kesh shikuar programin, Shqipëria Tjetër – Gjurmë Shqiptare — pikërisht segmentin mbi Shqiptarët e Sanxhakut, të gazetarit të njohur shqiptar, Marin Mema.
Në dokumentarin e gazetarit të guximshëm Mema bëhet fjalë për shqiptarët e Sanxhakut, të cilët sot mbeten të vetëm dhe të harruar, në dorë të fatit dhe të Serbisë. Në dokumente vihet në dukje se gjatë historisë, shqiptarët e Sanxhakut, i janë nënshtruar presioneve të tmerrshme asimiluese — shpesh të përgjakshme — me popullsinë sllave boshnjake. Serbia e sotme i njeh ata zyrtarisht si boshnjakë dhe si rrjedhim shqiptarët nuk ekzistojnë në ato troje dhe nuk njihen si të tillë nga shteti nën të cilin jetojnë, Serbia. Por, realiteti më i dhembshëm, siç thotë edhe gazetari shqiptar Marin Mema në programin e tij, ata nuk njihen si shqiptarë madje as nga Shqipëria dhe as nga Kosova. Por, megjithëkëtë, gazetari Mema sjellë prova të forta se me gjithë përpjekjet serbe gjatë dekadave për të ndryshuar identitetin e shqiptarëve të kësaj zone ku kanë jetuar stërgjyshërit e tyre, aty ka ende një histori shqiptare dhe ku dallohen qartë gjurmët e identitetit shqiptar të banorëve të Sanxhakut. “Na jem shqyptar, bre bir! Na jemë kenë Shqyptar, pse ashtë rrotullue koha, ajo ashtë diçka tjetër”, shprehet një grua shqiptare e Sanxhakut, në dokumentarin e gazetarit shqiptar, Marin Mema.
Shqiptarët, raporton Mema, identifikohen si “boshnjakë” megjithëse nuk janë të tillë, dhe shton se në Sanxhak, përsa i përket identifikimit kombëtar, është gjithëçka me e lehtë përveç se të jeshë shqiptar. Duke qenë dëshmitarë i frikës së atyre banorëve për t’u idenifikuar si shqiptarë, gazetari Mema me të drejtë pohon se prania e tij atje, “Ndoshta për pak momente, ne u dhuruam diçka që ata nuk e kanë: lirinë për të qenë vetvetja, për të ndjerë se po flasim mes veti, për hallet e dertet që s’kanë mundur t’ia shprehin kujt. Të tregon për gjithçka tjetër që i mungon në jetën këtu, në tokën e tyre, që i përket dhe s’i përket. I përket se këtu i ka rrënjët dhe s’i përket sepse dikush kërkon t’ua këpusë.” Gazetari Mema thotë se në rajonin e Sanxhakut, me një popullsi prej mbi 400.000 banorësh, ishte ndeshur me mbiemra krejt shqiptar, por që gjatë dekadave janë sllavizuar, si për shembëll, familjet Makajt të këthyer në Makiq, Gjekajt janë këthyer në Gjekiq, Nikajt janë bërë Sahaliloviq, fisi Gjokaj janë bërë Selmanoviq,e ashtu me rrallë, thekson Mema. Ai ka intervistuar banorë të atyre fshatrave të cilët rrëfehen se deri në moshën 20-vjeçare, nuk kanë folur aspak të ashtuquajturën“boshnjaçke”, por kanë komunikura në gjuhën shqipe. Gazetari Mema ka vizituar fshatra të Sanzhakut të banuara nga shqiptarë të fiseve të njohura të historisë së kombit, Shkreli, një ndër fiset më të mëdha atje, thotë gazetari. Pastaj fiset e përmendura Këlmendi, Dukagjini, Shala, Lekaj, Fetahu, Zogaj, Kurtaj, Camaj e të tjera.
Në dokumentarin e gazetarit Mema shihet qartë se përsonat me të cilët ka folur dhe të cilët e identifikojnë veten si shqiptarë ose me origjinë shqiptare, ata shprehin nostalgjinë për çdo gjë shqiptare dhe i ankohen gazetarit Mema për mos kujdesin që bota shqiptare ka treguar dhe tregon ndaj tyre, ndërsa pohuan se gazetari nga Shqipëria ishte i pari që po interesohej për ekzistencën e tyre. Shqiptarët e Sanxhakut jetojnë në frikë të përhershme, thuhet në dokumentarin e korrespondentit Mema, por megjith frikën që kanë nga autoritetet serbe për identifikimin e tyre kombëtar, ata prapseprap i shprehin ndjenjat e tyre për gjuhën, kulturën dhe traditat, për të cilat nuk guxojnë të flasin publikisht ose edhe me njëri tjetrin, por që u janë kaluar atyre brez pas brezi nga të parët e tyre dhe për të cilat shprehin krenarinë e vet ndajë përkatësisë kombëtare.
“Nuk guxojna m’u kallzu se jemë shqiptarë… nuk guxojna me bajtë plisin këtu në Serbi… shumë e dua gjuhën e shqiptarëve, e po më vjen barre (turp) se nuk di me folë mirë shqip.” Këtë realitet të dhimbshëm, thotë gazetari Marin Mema, e gjeti në pothuaj çdo fshat të Sanxhakut që ai vizitoi. Pyetjes së gazetarit nëse i dhëmb humbja e gjuhës shqipe, një nga banorët e moshuar i përgjigjet me lotë në sy. “Po qysh s’më dhëpet,(dhimbet) more burrë? Të tanë, tanët kanë folë shqip. Plakanët kanë dekë, tashti vetëm boshnjaçke”, flitet. Një tjetër banor shprehet se babai i tij nuk ka dijtë hiç serbisht. Po më dhepet (dhemb) shpirti që po hup (humb) shqipja. Na e hupem (humbëm) shqipen”. “Unë i kam në zemër shqiptarët prej Kosove e Albanie”, thotë një tjetër , “Ama kurrë s’kem kontakt”, me ta.
- Mema thotë se të jesh sot shqiptar në Sanxhak është tepër e vështirë, në mos e pamundur. Historikisht, periudha e artë nëqoftse mund të quhet si e tillë për shqiptarët e Sanxhakut, konsiderohet të ketë qenë në fillim të viteve 40-a, kur ishte hapur shkolla e parë shqipe atje, si pjesë e programit arsimor të Ministrit të atëhershëm të Arsimit në Shqipëri, Ernest Koliqit, për Kosovën dhe trojet shqiptare nën ish-Jugosllavinë. Ja si shprehet për atë periudhë për gazetarin Mema njëri prej banorëve të moshuar të asaj zone, i cili në vitin 1941 kishte ndjekur shkollën shqip. Ishte kjo një periudhë që gazetari Mema e cilëson si një kohë kur qyteti i Pazarit të Ri, ndryshe nga tani, “Frymonte shqip pa patur detyrim të fshihej.” Të rinjt e asaj kohe, u shpreh njëri prej shqiptarve të intervistuar “Këndojshin kangë, shkojshim rresht nepër çarshi tue knue:
besa-besë unë jam shqiptar,
por çka më ndodhi unë nuk kam fjalë,
po të më lidhni me zinxhir
unë i këpusi, jam i lirë.
Knojshim kangë, njerzit delshin prej dugajve e brohoritshin, bravo, bravo. Ishim të veshur me këmisha të kuqe e pantollë të shkurtëra të zeza, simbolet e flamurit të kombit”, shprehet shqiptari nga Sanxhaku.
Por luftën për zhdukjen e shqiptarëve në rajonin e Sanxhakut që e kishin filluar çetnikët e Drazha Mihailoviçit e përfunduan komunistët jugosllavë duke vrarë e prerë shqiptarë të pafajshëm, duke mbjellur frikë dhe duke detyruar shumë prej tyre të largoheshin nga trojet e veta, për të shpëtuar jetën, a po siç shprehet edhe korrespondenti Mema që, “të gjejnë mënyra të ndryshme për të qenë gjithëçka, përveçse shqiptarë”.
Gazetari Mema rrëfehet në fund të dokumentarit se për ‘të, “ishte e dhimbshme të prekësh këtë realitet.” Shumë e vërtetë! Duke parë dokumentarin e ndjeva veten sikur jam duke shikuar një film për një grup shqiptarësh të izoluar nga historia diku në pjesë tjera të botës, e jo aty në Sanxhak, si të të thuash “një vrap pele” nga Prishtina e nga Tirana. Mos interesimi për shqiptarët e Sanxhakut nga Prishtina dhe nga Tirana zyrtare është i pakuptueshëm në këtë periudhë historike në të cilën jetojmë sot. Të drejtat themelore bazë të njeriut, si liria për të përdorur gjuhën, kulturën dhe identifikimi kombëtar, janë të garantuara edhe nga konventa dhe marrveshje të ndryshme europiane dhe ndërkombëtare. Është e drejtë dhe përgjegjësi e dy shteteve shqiptare që të mbrojnë si vëllëzrit e vet dhe të drejtat e tyre, përfshirë lirinë e identifikimit kombëtar, përdorimin e gjuhës dhe të flamurit të shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës. Është e pafalshme që sot shqiptari kudo qoftë në trojet autoktone të veta, ta ndjejë veten të frikësuar ose të rrezikuar nga ushtrimi i të drejtës së tij – e sanksionuar ndërkombtarisht — për të mbrojtur identitetin, gjuhën dhe kulturën e vet. Është e pafalshme që sot shqiptarët e Sanxhakut, ose kudo tjetër në Ballkan, në fillim të shekullit 21, të të kenë frikë të identifikohen si të tillë ose të fshehin flamurin e kombit të vet nën kolltuk. U takon dy shteteve shqiptare që të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve kudo, përfshirë edhe të shqiptarëve të Sanxhakut. Ata janë shqiptarë, e jo “boshnjakë” dhe si të tillë të drejtat e tyre duhet të mbrohen aty ku jetojnë si edhe në nivele ndërkombëtare. Në qoftë se Serbia kërkon të drejtat e një dyzinë serbësh që thuhet se jetojnë diku në afërsi të Fierit, pse mos të kërkojnë Tirana dhe Prishtina zbatimin e të drejtave të njeriut për 400.000 shqiptarët e Sanxhakut të identifkuar zyrtarisht si “boshnjakë”? Sepse, siç u shpreh në fund të programit edhe gazetari Marin Mema, “Kur nuk ka një mbështetje serioze, si mund tu kërkosh këtyre njerëzve të deklarojnë rrënjët e tyre”, nën rrethanat e vështira shtypëse nën të cilat jetojnë. Në qoftë se vazhdohet kështu me mos interesim zyrtar për fatin dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet e veta autoktone, fatkeqsisht nesër do të flitet për “sanxhaqe” tjera anë e mbanë trojeve shqiptare, disa prej të cilave i ka venë dukje me mjeshtri në dokumentare të tjera gazetari Marin Mema, i cili duhet të përgëzohet për punën që po bën. Apeli i shqiptarëve që kanë mbetur në Sanxhak (por edhe i shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi dhe Preshevë) është, siç bëri thirrje njëri prej të moshuarve shqiptarë në dokumentarin për shqiptarët e Sanxhakut: “Mos na harroni! Të djegun jemë për Shqipni, por badihava. S’po kemë gja në dorë, hiç.”