Frank Shkreli: Nga Lëvizja antikomuniste polake, në krye të Evropës


 Këshilli i Europës vendosi javën e kaluar të zgjedhë si President të Këshillit të Europës, Kryeministrin e Polonisë, Z. Donald Tusk, në mandatin që fillon më 1 Dhjetor, 2014 deri më 31 Maj, 2017.  Këshilli Europian emëroi gjithashtu italianen Federica Mogherini në detyrën e Përfaqsuesës së lartë të Bashkimit Europian (BE) për Punë të Jashtëme dhe të Sigurisë, por ajo që tërhoqi vëmendjen, ishte zgjedhja e udhëheqsit polak, Donald Tusk në detyrën e lartë të kontinentit europian, në krye të Këshillit të Europës.  Ai rrjedhë nga qyteti polak Gdansk, qytet ky që ka hyrë në histori si djepi i lëvizjes antikomuniste të punëtorëve polakë dhe njihet si qëndra e protestave antikomuniste që gjatë 1980-ave u përhapën anë e mbanë Polonisë, por influenca e të cilave u ndie  më vonë në mbarë Europën Lindore e Qëndrore.   I lindur në qytetin Gdansk me 1957, Donald Tusk, ishte njëri prej themeluesve të Komitetit Studentor të Solidarnostit – një degë kjo e Lëvizjes Solidarnost të puntorpve polakë, e udhëhequr nga Lech Walesa — dhe ka shërbyer si përfaqsuesi kryesor i Solidarnostit në Shtëpinë botuese Wydawnictwo Morskie, dhe ka punuar si gazetar për të përjavshëmen, “Samorządność”, organ i sindikatës së puntorëve Solidarnost.  Për arsye të veprimtarisë së tij, në mbështetje të sindikatës Solidarnost, ai ishte vendosur nga autoritete komun iste, në “listën e zezë, gjë që e përjashtonte atë nga punësimi në firmat e drejtuara nga shteti dhe nga qeveria komuniste polake e asaj kohe.


Zgjedhja e tij, tërhoqi vëmendjen pra jo vetëm sepse ai është i pari nga Europa Lindore ish komuniste që zgjidhet në atë post të lartë të burokracisë europiane, por edhe për faktin se ai i takon një brezi politikanësh polakë dhe europianë, i cili 25 vjetë më parë, në një moshë të re ishte në frontin e luftës kundër komunizmit.  Si student, Donald Tusk ishte shumë aktiv në Lëvizjen anti-komuniste polake, Solidarnost, e cila fillimisht sfidoi komunizmin dhe më vonë mundi regjimin komunist polak, 25 vjetë më parë.  Z. Tusk edhe në ditët e sotëme ai nuk e fsheh admirimin e tij për ish-Presidentin amerikan Ronald Reagan dhe ish-Kryeministren britanike Margareth Thacher, të cilët konsiderohen ndër protagonistët kryesorë që kontribuan drejt shëmbjes së komunizmit në Europën Lindore dhe Qëndrore.  Si aktivist i dikurëshëm i Lëvizjes Solidarnost, ai ka vazhduar gjithashtu t’i qëndrojë besnik edhe ikonës së lirisë polake dhe europiane, Z. Lech Walesa, ish udhëheqsit të kësaj lëvizjeje, i cili qe zgjedhur president Polonisë në vitin 1990, menjëherë pas rënjes së komunizmit.  


 


 Pas zgjedhjes së tij në postin e Presidentit të Këshillit të Europës, Donald Tusk u tha gazetarve se konsideron se dy prioritetet kryesore të mandatit të tij janë vendosja e një bilanci midis disiplinës buxhetore dhe rritjes ekonomike në vendet e eurozonës dhe të merret me kërkesat e Londrës, e cila kërkon me ngulm ndërmarrjen e reformave në radhët e Bashkimit Europian, pasi sipas, tij, “asnjë person i arsyeshëm nuk mund të imagjinojë Bashkimin Europian pa Britaninë e Madhe.”  Si politikani i parë nga vendet anëtare të Europës ish-komuniste në BE-në, Z. Tusk, për tu zgjedhur detyrën e lartë të KE-së, ai kishte mbështetjen e Kryeministrit britanik David Cameron dhe Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, është e njohur tanimë si mbështetse e tij.  


Në lidhje me politikën e jashtme,  Kryeministri polak ka kritikuar Rusinë ç’prej fillimit të krizës në Ukrainë, duke kërkuar sanksione më të forta kundër Moskës për agresionin e saj në Ukrainë, ndërsa në lidhje me politikën europiane, ai njihet si mbështetës i një integrimi më të madh politik dhe ekonomik mbrenda BE-së, ndërkohë që ka kritikuar ato që ai i ka quajtur si, “monopolizime politike” të vazhdueshme nga vende me influencë si Gjermania dhe Franca. Në vend të këtij përqëndrimi të marrjes së vendimeve nga dy tre kryeqytete me rëndësi, ai ka thënë se nevojiten përpjekje të përbashkëta, ku secili vend anëtar të paraqesë propozimet dhe nismat e veta, sidomos kur është fjala për negociatat mbrenda eurozonës.


 


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, në një deklaratë të lëshuar mbrëmë në emër të Shteteve të Bashkuara, u drejtoi urimet e tija Kryeministrit polak, Donald Tusk dhe Ministres së Punëve të Jashtmë të Italisë, Federica Mogherini.  Kryediplomati amerikan tha në mesazhin e tij se “pret që të punojë me të dy udhëheqsit e ri europianë për të përballuar sfidat e mëdha me të cilat përballemi në lidhje me sigurinë, demokracinë dhe lirinë në lindje të Europës, në rajonin e Lindjes së  Mesme, si dhe anë e mbanë botës dhe njëkohësisht të bashkveprojmë për të mbrojtur dhe për të realizuar vizionin tonë të përbashkët për një Europë të tërë, të lirë dhe në paqe.”  Zoti Kerry nënvijoi në mesazhin e tij se, “Shtetet e Bashkuara dhe Europa ndajnë zotime të forta në mbështetje të lirisë, të sigurisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, të ligjit dhe të tregjeve të lira.” Ai përfundoi urimin e tij duke thënë se, “Ne jemi të bashkuar me lidhje të qëndrueshme kulturore dhe tregtare, me një histori të përbashkët, si dhe me shpresat tona për një të ardhme më të mirë… për të ndërtuar marrëdhënje edhe më të forta trans-atlantike si dhe një botë më të sigurtë dhe më të begatë për brezat e ardhëshëm.”


 


Zgjedhja e Z. Donald Tusk si President i Këshillit të Europës është simbolike dhe e rendësishme pasi ve në dukje se sa shumë ka ndryshuar, jo vetëm një vend ish komunist si Polonia në dy dekadat e fundit, por zgjedhja e tij shënon njëkohësisht edhe transformimin e vet Europës pas shëmbjes së komunizmit. Polonia, natyrisht, krenohet me zgjedhjen e tij në këtë detyrë me përgjegjësi,  sepse sipas analistit polak, Pawel Swieboda, “asnjë burrë tjetër polak deri tashti, me përjashtim të Papa Gjon palit të II, nuk ka arrritur të sigurojë një post aq të lartë.” Duhet të krenohet edhe Europa me këtë vendim, pasi duket se “Europa e vjetër” është e gatëshme që të pranojë vendet ish-komuniste – të kësaj “zonë energjetike”, siç tha vet Z. Tusk — jo vetëm si anëtare të saj, por edhe si udhëheqse të fatit të përbashkët. Vetë Kryeministri Tusk e cilësoi zgjedhjen e tij në krye të Europës si një hap të madh për vendet anëtare të Europës Lindore, duke u thënë gazetarve se “është i sigurt fakti se diçka ka ndryshuar dramatikisht në Europë gjatë gjashtë muajve të fundit.” Ai u pohoi gazetarve të shtunën që kaloi se, “Prania e njerëzve me përvojë nga Europa Lindore, është tepër e nevojshme në Europë.”


Është e natyrshme që një patriot si Donald Tusk, në një detyrë aq të lartë që i është besuar nga Europa, ai do të punojë për interesat europiane dhe njëkohsisht është e logjikshme që ai të mos harrojë as interesat kombëtare të vendit të tij, por as ato të të rajonit të Europës Lindore ish-komuniste me të cilin ai dhe vendi i tij deri 25 vjetë më parë kanë ndarë të njëjtin fat të keq nën regjimet komuniste.  Si përfaqsues i një vendi siç është Polonia,  e cila ka vuajtur aq shumë nga komunizmi dhe që i njeh mirë hallet e tranzicionit, shpresojmë që Presidenti i ri i Këshillit Europain, Donald Tusk të luaj një rol të rëndësishëm edhe në politikën e integrimeve europiane, në mbështetje të zgjërimit të BE-së me vendet që ende nuk janë anëtzare, por që aspirojnë t’i bashkohen BE-së, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.


 


 


Frank Shkreli: Vrasja brutale e një gazetari


 


Të mërkurën, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama ndërpreu pushimet verore për të dënuar në mënyrën më të ashpër dhe më të theksuar vrasjen makabre, ekzekutimin me prerje koke të gazetarit të rëmbyer amerikan James Foley nga militantët terroristë, të të ashtuquajturit Shteti Islamik (ISIL), që vepron në territoret e Sirisë dhe të Irakut.  Në një deklaratë televizive të mërkurën pas dreke, Presidenti Obama, duke venë në dukje zemërimin e tij, si rrallë herë më parë në publik, tha se vrasja e gazetarit  James (Jim)Foley “ishte një akt dhune që tronditi botën mbarë”, dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara “do të bëjnë çdo gjë të mundur që të venë drejtësinë në vend”.  Presidenti Obama tha se “Jim Foley ka raportuar nga zona të vështira dhe të rrezikshme lufte, duke qenë dëshmitar i vuajtjeve të njerëzve anë e mbanë botës”.  Presidenti amerikan theksoi   se veprimtaria e gazetarit Foley, i cili ishte marrë peng pothuaj dy vite më parë ndërsa raportonte mbi vuajtjet e njerëzve të pafajshëm në konliktin në Siri, “është në kontrast të thellë me ato që bëjnë vrasësit e tij.  Le të jemi të qartë për ISIL-in”, shtoi Presidenti Obama. “Ata kanë shkatërruar qytete dhe fshatra të tëra, duke vrarë civilë të pafajshëm dhe të të pa-armatosur, në akte dhune prej frikacakësh”.  Ata tha Presidenti Obama, “Kanë rrëmbyer gra e fëmijë duke i torturuar, duke i dhunuar dhe duke i trajtuar si skllevër.”  Z. Obama tha se grupi terrorist ISIL ka “vrarë edhe myslimanët — si të sektit sunni ashtu dhe shia — me mijëra.  Ata kanë venë në shënjestër të krishterët dhe pakica të tjera fetare, vetëm e vetëm se pse praktikojnë një fe tjetër.  Ata deklaruan qëllimin e tyre për të kryer gjenocid kundër një populli të vjetër”, deklaroi shtoi Presidenti Obama.  Në prononcimin e tij të ashpër dhe shumë të prerë kundër grupit ISIL, Presidenti amerikan tha se ai grup, “Nuk flet në emër të asnjë feje.  Numri dërmues i viktimave të tyre janë vetë myslimanët dhe asnjë fe nuk mëson vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Asnjë Perëndi e drejtë nuk favorizon masakrën që ata bënë jo vetëm dje por për çdo ditë tjetër. ISIL nuk ka asnjë ideologji, me ndonjë vlerë njerëzore”, tha udhëheqsi amerikan. Ata deklarojnë”, shtoi Presidenti Obama, “se janë në luftë me Shtetet e Bashkuara ose me Perëndimin, por fakti është se ata terrorizojnë fqinjtë e tyre”, tha Presidenti Obama  në reagimin e tij ndaj lajmit për vrasjen brutale të gazetarit James Foley.


Presidenti amerikan tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të jenë “vigjilente dhe të pamëshirshme” në operacionet kundër grupit ISIL të cilat do të vazhdojnë, nënvijoi ai dhe u bëri thirrje irakianëve që të bashkohen për të përjashtuar këta terroristë nga komunitetet e tyre. Ai shtoi edhe se “as populli sirian, për fatin e të cilit raportonte gazetari James Foley, nuk meriton të jetojë nën hijen e një tirani ose nën kërcënimet e terroristëve” duke thënë se sirianët dhe irakianët ” kanë mbështetjen tonë në luftën e tyre për një të ardhëme më dinjitoze”, përfundoi presidenti Obama.


Vrasësit e James Foley kërcënojnë të gjithë gazetarët, vendas dhe ndërkombëtarë, të cilët kanë vajtur atje për të raportuar  mbi luftërat dhe terrorin kundër vendasve në atë zonë.  Këtë javë u publikua edhe një video që tregon Steven Sotloff, një gazetar  amerikan tjetër, fati i të cilit nuk dihet, por që merret me mendë se edhe ai është i rrëmbyer. 


Në lidhje me këtë situatë, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, në një deklaratë të mërkurën, shfaqi shqetësimin e tij të thellë për të gjithë gazetarët që sipas tij — shumica janë sirianë — por që mbahen gjithnjë peng nga grupi ISIL, i cili ka rrëmbyer, ka vrarë dhe ka kërcënuar gazetarët në territorin që ai kontrollon.  Sipas Nën Drejtorit të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Z. Robert Mahoney, “Gazetarët e kanë ditur se Siria është vendi më i rrezikshëm për të punuar si gazetar, madje edhe para se t’i pritej koka  gazetarit James Foley-t”.  Ai citohet në dekaratën e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve se,”Pjestarët e Shtetit Islamik, që vranë James Folye, përdorin dhunë dhe kërcënime me qëllim për të mos lejuar raportimin e pavarur nga zonat që ata kontrollojnë.”  Megjithëkëtë, shtoi ai, “Gazetarët sirianë dhe korrespondentët e huaj si Jim Foley janë të gatëshëm të rrezikojnë jetën, “në përpjekje për të qenë dëshmitarë”, sipas fjalëve të një gazetarje tjetër amerikane Marie Colvin, gjithashtu e vrarë më heret në Siri.


Organizata për Mbrojtjen e Gazetarëve e cila ndjekë me vëmendje të drejtat dhe liritë e gazetrave në mbarë botën, thotë në deklaratën e saj me rastin e vrasjes së gazetarit James Foley, se gjatë dy viteve të fundit, Siria ishte vendi më i rrezikshëm në botë për gazetarët, ku përveç tij, thotë ajo, të pakën 69 gazetarë të tjerë janë vrarë gjatë atij konflikti, përfshirë disa që janë vrarë matanë kufijve të Libanit dhe Turqisë.  Organizata në fjalë nënvijon se gazetarët janë subjekt sulmesh nga të gjitha palët dhe se në një situatë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, më shumë se 80 gazetarë janë rrëmbyer në Siri, gjë që nuk është shënuar asnjëherë më parë në botë. Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve me qëndër në New York, përafërsisht 20 gazetarëve — shumica e të cilëve janë sirianë – sot për sot nuk u dihet fati.


Të gjitha këto raste, thotë Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarve, venë në dukje rrezikun me të cilin përballen çdo ditë në punën e tyre, gazetarët dhe korrespondentët vendas dhe të huaj në zonat që kontrollohen nga grupi ISIL. Si rezultat, njerëzit e thjeshtë mund të pyesin, pasi dihen mirë rreziqet, atëherë pse shkojnë gazetarët në ato zona të njohura mirë për veprimtari terroriste.  Ndoshta përgjigja më e mirë, por më e pabesueshme nga një nënë që posa ka humbur djalin e saj në dorë të terroristëve, vjen nga nëna e gazetarit James Foley, Diana e cila me lotë në sy tha për medien se, “Kurrë më parë nuk kemi qenë më krenarë për djalin tonë.  Ai dha jetën duke u përpjekur që t’i tregojë botës vuajtjet e popullit sirian”.  Edhe Presidenti Obama lavdëroi gazetarin James Foley për kurajon e tij gazetareske dhe për raportet e tija nga Siria, duke thënë se ai ka shërbyer si “dëshmitar” i vuajtjeve të njerëzve aq larg.  Ndërsa babai i James Foley-t, John Foley, kur u pyet se pse djali i tij kishte vendosur të shkonte në një zonë aq të rrezikshme për gazetarët, ai u përgjigj: “Pse futen zjarrëfiksit në një shtëpi të mbuluar nga flakët?  Ky, ishte profesioni i tij.”


Ndërsa Kryetarja e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Sandra Mims Rowe, duke reaguar ndaj vrasjes së gazetarit James Foley, tha se, “Ai shkoi në Siri për t’i ekspozuar botës vuajtjet e popullit sirian, për të qenë dëshmitar i luftimeve në atë vend dhe duke bërë një gjë të tillë, ai luftoi dhe dha jetën njëkohësisht edhe për lirinë e shtypit.”


 


 


 


 


Frank Shkreli: Edhe një presion tjetër kundër shqiptarëve nën Malin e Zi


 


Problemet e shqiptarëve nën Mal të Zi njihen tanimë mirë nga të gjithë, mbrenda dhe jashtë trojeve shqiptare.  Madje edhe ndërkombëtarët janë në dijeni të të shkeljeve të drejtave të njeriut të atyre pak shqiptarëve që jetojnë gjithnjë në trojet e veta nën Malin e Zi, përfshirë të drejtat politike, ekonomike, kulturore dhe gjuhësore — në mos përfillje me konventat ndërkombëtare.  Çështja e pronave është një ndër problemet më të theksuara, ndërkohë që qeveria e Podgoricës po ndërmerr masa për të tjetërsuar statusin e disa pronave kudo që jetojnë shqiptarët, jo vetëm atyre kolektive por edhe private, duke filluar nga Plava e Gucia e deri tek Malësia e Madhe e deri në Valdanos të Ulqinit. Duke shkaktuar kështu shpërngulje të tjera të mundshme të shqiptarëve nga trojet e veta shekullore, sikurë nuk jemi larguar mjaftë prej atyre anëve! Përveç kësaj, a ka ndie kush që në një vend të ndalohet me ligj përdorimi i simboleve të një kombi me pretekstin se përdorimi i tyre kërcënon rendin publik.


 


Fatkeqsisht, vetëm lajme të këqia dëgjon njeriu nga ajo anë. Sot mësova se e vetmja gazetë, që botohet në gjuhën shqipe në Mal të Zi, Koha Javore gjëndet përball një “pozite delikate, për të mos thënë kritike për të ardhmen e saj”, sipas një artikulli të botuar nga Kryeredaktori saj, Ali Salaj me të cilin ai i bën thirrje opinionit publik, mbrenda dhe jashtë vendit, për të bërë ç’mos që të shpëtohet  nga mbyllja gazeta e vetme shqiptare në Mal të Zi .  Koha Javore, siç duket është venë në shënjestër për tu mbyllur si rezultat i falimentimit të shtëpisë botuese, “Pobjeda”, megjithse për mua kjo nuk është e qartë sepse se lidhje ka Koha e Javore me shtëpinë botuese, mbasi siç thotë edhe Kryeredaktori Salaj në artikullin e tij, se ligji parashikon që financimin e botimeve të tilla nga fondi për pakica, në përputhje me “Konventën Kornizë Për Mbrojtjen e Pakicave Nacionale” dhe me “Konventën Europiane mbi Gjuhët Rajonale dhe të Pakicave”, ndaj të cilave është i detyruar t’i zbatojë edhe Mali i Zi. Si përfundim, shkruan Z. Salaj, mediat e pakicave duhet të ruhen dhe të mbështeten edhe nga institucionet përkatëse, për shkak të misionit të tyre të caktuar në një shoqëri shumë-etnike. Kryeredaktori i gazetës Koha Javore — e cila ka vazhduar botimin ç’prej vitit 2002  — bën apel për ndërhyrje dhe për ndihmë nga ana e institucioneve përkatëse, si dhe nga faktori politik, që besoj i referohet klasës politike shqiptare në Mal të Zi, që të bëjnë ç’mos për të shpëtuar të vetmen gazetë shqip në trojet shqiptare atje.  Zoti Salaj shkruan se botime, siç është Koha Javore, për pakicat ekzistojnë anë e mbanë vendeve të ish-Jugosllavisë, përfshirë edhe Serbinë, por edhe Kroacinë, Slloveninë, Kosovën dhe Maqedoninë.  Të gjitha këto gazeta dhe revista të grupeve etnike, sipas Z. Salaj, në një formë ose në një tjetër, financohen nga ministritë përkatëse ose nga këshillat e pakicave kombëtare, ose varen në raste të tjera varen nga ndonjë subjekt tjetër i lidhur me qeveritë përkatëse, në përputhje të plotë me detyrimet e tyre ndaj konventave ndërkombëtare për ruajtjen e gjuhëve rajonale dhe në mbështetje të pakicave dhe të kulturës së tyre, që është një detyrim ndërkombëtar për të gjitha vendet, përfshirë edhe Malin e Zi.


 


Roli pozitiv që ka luajtur Koha Javore për 13 vjetë në informimin e publikut shqiptar, si e vetmja gazetë në gjuhën shqipe në Mal të Zi, është i padiskutueshëm. Mungesa e saj në tregun shqiptar të medies nuk mund të merrej me mendë.  Pasi shkruan se “çështja” e Kohës Javore është shëndrruar tani në një “çështje politike”,  Kryeredaktori Ali Salaj thotë se ka vendosur të ndërmarrë fushatë që për mendimit tim është një risk i guximshëm nga ana e tij, për t’i bërë thirrje të hapur por me vend, parlamentit dhe qeverisë së Malit të Zi, opinionit publik vendor si dhe faktorit ndërkombëtar, përfshirë ambasadat perëndimore në Podgoricë dhe madje edhe Kongresit amerikan dhe Departmentit Amerikan të Shtetit dhe diasporës shqiptare — që gazeta e vetme shqiptare në Mal të Zi të mos shuhet por të vazhdojë punën e saj si deri më tani dhe të jetë pjesë e skenës mediatike në Mal të Zi dhe më gjërë.


 


Mundësia e mbylljes së Kohës Javore dhe masat e tjera të shtetit malazez ndaj shqiptarëve atje duhet të jenë pikëspari një subjekt shqetësimi serioz, sidomos, por jo vetëm për klasën politike shqiptare në Mal të Zi, e njohur tanimë për mos bashkpunim kur vjen puna tek interesat e përbashkëta të shqiptarëve në Mal të Zi, por duhet të shqetësojë të gjithë shqiptarët kudo, përfshirë edhe Tiranën dhe Prishtinën zyrtare. Të gjithë duhet të shfaqin vendosmërisht pa-pajtueshmërinë dhe pakënaqësinë e tyre serioze me trajtimin e shqiptarëve nga Podgorica zyrtare. Por, mbi të gjtiha, është kjo klasë politike e zgjedhur nga shqiptarët në Mal të Zi, ajo që duhet të jetë pengesa e parë dhe kryesore ndaj këtyre masave dhe tu thotë ndal kësaj dhe përpjekjeve të vazhdueshme të shtetit malazez për të ngushtuar gjithnjë e më shumë hapësirën e të drejtave themelore të njeriut që shqiptarët duhet të gëzojnë si çdo pakicë tjetër në Europë, përfshirë edhe të drejtën për të pasur medien e vet në gjuhën amëtare. Shqiptarët e Malit të Zi, si çdo pakicë tjetër kudo, kanë të drejtë të kenë organin e vet të informacionit.  Politika shqiptre në Mal të Zi duhet të sigurojë dhe të luftojë për të drejtat bazë të zgjedhësve të tyre, bazuar në të gjitha konventat ndërkombëtare dhe në përputhje me ligjet që drejtojnë të drejtat e pakicave në Europë dhe të kundërshtojnë vendosmërisht dukuritë e ndryshme anti-shqiptare që po shfaqen gjithnjë e më shpesh në zonat ku jetojnë shqiptarët, ata pak që kanë mbetur.  Është e kotë të përpiqesh të bëjsh politikë kur popullit që ti përfaqëson i shkelen të gjitha të drejtat që duhet t’i ketë të barabarta në krahasim me shumicën. Kjo është detyra e parë dhe themelore e një partie politike dhe e politikanit të zgjedhur nga populli në një vend me të vërtetë demokratik. 


 


Problemet e shqiptarëve nën Mal të Zi, që fatkeqsisht duket se sa vinë e shtohen dita ditës, dihen mirë. Megjithëse mendohej se — me shpalljen e Malit të Zi shtet i pavarur dhe sovran, ndaj të cilës arritje shqiptarët kontribuan në mënyrë të konsiderueshme — gjëndja e shqiptarëve atje do të përmirësohej.   Por fatkeqsisht, pothuaj nuk ka sferë të jetës politike, shoqërore, ekonomike ose kulturore që shqiptarët në Mal të Zi, nuk shfaqin ankesa e shqetësime për keqtrajtim ose trajtim ndryshe. Shumë prej tyre shprehen se e ndjejnë veten si qytetarë të rendit të dytë, të diskriminuar, të shkelur e të nepërkëmbur.  Kjo shikohet nga ana e tyre si një përpjekje e qëllimshme afatagjatë asimilimi nga ana e autoriteteve malazeze për tu mohuar shqiptarëve autoktonë identitetin kombëtar në tokën e tyre shekullore — duke i bërë që ata ta ndjejnë veten si të huaj në tokën e në shtëpitë e veta shekullore. Mali i Zi siç duket ka në mend të institucionalizojë politika që sikurë kanë për qëllim që në mënyrë të qetë por të vendosur,  të përjashtojnë shqiptarët nga jeta politike dhe ekonomike e vendit.  Këto politika anti-shqiptare — sidomos në lidhje me pronat, me asimilimin e detyruar, me mos zhvillimin ekonomik të zonave ku banojnë shqiptarët dhe me mbështetjen e programeve që pengojnë zhvillimin kulturor dhe gjuhësor të shqiptarëve — synojnë në zhdukjen e kulturës, të gjuhës dhe të traditave shqiptare në ato troje.  Një vërejtës i drejtë dhe i paanshëm nuk mund të konstatojë ndryshe. A është mbyllja e gazetës Koha Javore pjesë e kësaj politike me qëllim zhdukjen eventuale të kulturës dhe gjuhës shqipe në Mal të Zi?  Kjo politikë, fatkeqsisht, të pakën në sipërfaqe, nuk duket aspak më ndryshe nga politika e ish-Jugosllavisë komuniste dhe as nga politika që Millosheviçi u përpoq të vendoste në Kosovë mbas shpërndarjes së ish-Jugosllavisë.


 


Po të ndodhë, mbyllja e gazetës Koha Javore nga autoritetet malazeze do të ishte gjithashtu edhe një shkelje flagrante dhe e qëllimshme e lirisë së shtypit dhe e fjalës së lirë.  Për më tepër, mbyllja e Kohës Javore do të ishte një kriminalizim i fjalës së lirë.  Liria e fjalës dhe liria e shtypit nuk janë vlera dhe standarde ekskluzivisht amerikane ose perëndimore. Por, ato janë vlera universale të të gjithë botës së qytetëruar, përfshirë familjen e shteteve europiane të cilës edhe Mali i Zi ka aspirata që t’i bashkohet. Andaj, si pjesë e këtyre vlerave, Podgorica zyrtare duhet të përpiqet më shumë për akomodim e jo asimilim, bazuar në standardet evropiane dhe në proces të korigjojë pa drejtësitë dhe të vendosë të drejtat e barabarta dhe legjitime në të gjitha fushat e jetës politike, ekonomike dhe kulturoro-gjuhësore për komunitetin shqiptar në Mal të Zi, përfshirë edhe të drejtën e pasjes së shtypit në gjuhën amëtare. Të përpiqet më shumë për akomodim e jo asimilim, bazuar në standardet evropiane. Shpresojmë që ky të mos jetë numri i fundit i Kohës Javore. 

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …