Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Pak solidaritet, ju lutëm!

Kjo nuk është një thirrje fetare, megjithse fetë kryesore të botës e kanë si pjesë të mësimeve të tyre, por në botën e fillim shekullit të 21, është më tepër një thirrje njerëzore. Është një apel njerëzor dhe një domosdoshmëri kombëtare dhe ndërkombëtare, aq sa madje edhe Asambalea e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) ka vlerësuar rëndësinë e saj duke caktuar 20 dhjetorin si Ditën Ndërkombëtare kushtuar Solidaritetit njerëzor në botë.  Në të vërtetë, solidariteti është identifikuar në Deklaratën e Millenium-it të OKB-esë, si njëra prej vlerave më themelore në marrëdhëniet ndërkombëtare të shekullit 21, ku thuhet se ata që vuajnë dhe përfitojnë më pak nga shoqëria ku jetojnë dhe nga mungesa e të mirave të kësaj bote, meritojnë ndihmë më të madhe nga ata që përfitojnë më së shumti, të privilegjuarit e shoqërisë.   Të bindur pra se promovimi i një kulture të solidaritetit njerëzor, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar, Asamblea e Përgjithshme eKombeve të Bashkuara duke shpallur Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit, ka venë në dukje rëndësinë që duhet t’i kushtohet solidaritetit njerëzor nga vet OKB-eja por edhe nga vendet anëtare të saj.

 Megjithse OKB-eja caktoi 20-dhjetorin si Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit më 20 dhjetor të vitit 2002, solidariteti njerëzor, të pakën parimisht, ka qenë pjesë e punës dhe e veprimtarisë së Kombeve të Bashkuara ç’prej fillimit të ekzistencës së kësaj organizate botërore.  Dihet se krijimi i OKB-esë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ishte një përpjekje për të mënjanuar një luftë tjetër botërore dhe për të bashkuar popujt dhe kombet e botës në një front të përbashkët solidariteti me qëllim promovimin e paqës, të drejtave të njeriut, zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, në mbarë botën.  Është pikërisht, “fryma e solidaritetit” ajo në të cilën OKB-eja mbështet, “bashkpunimin për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare të karakterit ekonomik, shoqëror, kulturor dhe humanitar”.   Ishte pra, rezoluta (60/209) e 22 dhjetorit të vitit 2005 e Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, dokumenti që identifikoi solidaritetin si vlerën bazë universale që duhet të përcaktojë marrëdhëniet midis popujve, në shekullin e 21.

 Prandaj Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, është një ditë për të festuar bashkimin megjith ndryshimet politike, kulturore e tjera; është një ditë për t’u kujtuar qeverive të shteteve anëtare të OKB-esë që të respektojnë angazhimet e tyre ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare; është një ditë për të theksuar rëndësinë e solidaritetit shoqëror dhe politik; është një ditë për të debatuar mbi mënyrat për promovimin e solidaritetit midis njerëzve, dhe më në fund, është një ditë për të inkurajuar — me vepra — ndërmarjen e nismave të reja në përpjekje për të zhdukur varfërinë dhe për të promovuar një diskurs politik në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen vendet anëtare të OKB-së në veçanti dhe mbarë bota në përgjithësi, në fillim shekullin e 21.

Po si u shënua Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit njerëzor në botën shqiptare?!  Fatkeqsisht, ishte kjo një javë pa solidaritet, tepër e acaruar politikisht, një javë që jo vetëm nuk u karakterizua nga solidariteti njerëzor e vëllazëror, por ishte një javë që solli konflikt dhe mos pajtim në nivelet më të larta politike të Shqipërisë dhe si rrjedhim edhe në botën shqiptare në përgjithësi mbretëroi një atmosferë zhgënjimi, pasi ajo që ndodhë në Tiranë, për mirë ose për keq, fatkeqsisht, gjithmonë pasqyrohet domosdoshmërisht anë e mbanë trojeve shqiptare, e madje edhe në diasporë.  Ishte një javë kur pamë se në mungesë të institucioneve të forta me traditë demokratike dhe në mungesë të solidaritetit njerëzor dhe mbi të gjitha atij shqiptar, gjëndja politike u përkeqësua aq shumë sa që në Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit flitet, jo për solidaritet dhe bashkpunim kombëtar, por për konflikte të reja midis palëve politike. Zot ruajna!

 As solidariteti kombëtar, as pajtimi kombëtar dhe madje as diksursi politik midis shqiptarëve nuk mund dhe nuk duhet të imponohet nga të huajt. Kjo është diçka që duhet të ndërmerret nga vet shoqëria shqiptare dhe nga insitucionet e saj legjitime. Solidariteti midis palëve është një vlerë universale – ashtu siç e ka përcaktuar Organizata e Kombeve të Bashkuara për të gjitha vendet anëtare të saj — që duhet të bëhet pjesë e pandarë edhe e shoqërisë shqiptare.  Mbi të gjitha, është detyrë dhe përgjegjësi e kësaj klase politike të këtyre 27-viteve të fundit dhe e institucioneve të saj që të mos i fryjnë erës së konfliktit dhe të mos pajtimit politik dhe kombëtar, por të vendosin një frymë solidariteti, besimi dhe bashkpunimi midis palëve, për të evituar konflikte të mundshme në të ardhmen.  Ka ardhë koha që politika shqiptare të përballet me të vërtetën që po ndodhë në vend dhe të distancohet njëherë e mirë, qartazi dhe prerazi, duke gjetur zgjidhje bazuar në dialog, për konfliktet dhe mosmarrëshjet që kanë pllakosur atë vend për vite tashti, dhe bashkërisht të gjitha palët, në solidaritet me njëra tjetrën –të vendosin paqën, qetësinë dhe sigurinë për të gjithë.  Shqiptarët sot nuk kanë paqë!  Nëna Tereze, simboli jo vetëm i shqiptarëve për solidaritet, por edhe simboli botëror për mirësi, bamirësi e solidaritet njerëzor në mbarë botën, ka thënë se, “Nëqoftse nuk ka paqë, kjo ndodhë sepse kemi harruar se i përkasim njëri tjetrit”.

 Si shqiptarë, duam a s’duam, i përkasim njëri tjetrit, jemi të lidhur me njëri tjetrin dhe kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe si të tillë duhet të tregojmë solidaritet ndaj njëri tjetrit, jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit, por gjithmonë, pike së pari si njerëz por në rend të parë edhe si shqiptarë. Apeli në këtë Ditë Ndërkombëtare të Solidaritetit është që t’i jepet fund kësaj atmosfere politike përçarëse dhe konfliktuale në radhët e politikës shqiptare kudo, si e vetmja alternativë për të cilën ka nevojë kombi shqiptar – në këtë fazë historike të tij, në fillim shekullin e 21-të — për të siguruar paqën, sigurinë, mirëqenjen dhe zhvillimin shoqëror dhe ekonomik afat-gjatë — në solidaritet me njëri tjetrin– si përgjegjësi dhe detyrim i përbashkët për arritjen e objektivave madhore të kombit. Ka shumë për t’u bërë, por si të shënohet përparim në një atmosferë politike aq të acaruar, aq konfliktuale dhe përçarëse, si ajo që pamë këtë javë në Kuvendin e Shqipërisë?

Jam i vetdijshëm se megjithse shumë prej nesh e admirojmë Nënë Terezën — jo vetëm si simbol i solidaritetit shqiptar dhe botëror –por siç ka thënë Papa Françesku, shembull i një njeriu që është përpjekur të “krijonte një botë të re, bazuar në solidaritet dhe përkujdesje ndaj të tjerëve” – ne nuk jemi Nënë Tereza dhe nuk mund të arrijmë gjërat që ajo ka realizuar.   Por secili prej nesh, kudo që jetojmë, në shoqëri me konflikt ose me më pak konflikt, e kemi rolin tonë për ta luajtur, “duke ndezur një qirinj, drita e të cilit do t’a mund errësirën” e konfliktit dhe të përçarjeve politike, nëqoftse jetojmë dhe veprojmë në solidaritet me njëri tjetrin.  Ky është edhe mesazhi i Ditës Ndërkombëtare të Soldaritetit!

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …