Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Po zbrazen trojet shqiptare dhe askush nga qeveritarët nuk e çanë kokën

Po zbrazen trojet shqiptare dhe askush nga qeveritarët nuk e çanë kokën. Ky nuk është një lajm që nuk dihej më parë, por është disi ndryshe kur vërtetohen përmasat e këtij problemi nga një agjenci e madhe botërore, cila është e njohur për anketat e saja të famshme e që matin opinionet botërore mbi çështje të ndryshme, kombëtare dhe ndërkombëtare. Javën që kaloi, Gallup botoi një raport mbi emigracionin ndërkombëtar, ku ndër të tjera përfshihet edhe dëshira e lartë e shqiptarëve për tu larguar nga trojet e veta. Ky lajm është edhe më tronditës kur të merren parasyshë të dhënat e organizatës Gallup të anketave, e cila në raportin botëror mbi emigracionin, botoi të dhëna edhe mbi numrin e shqiptarëve nga Shqipëria dhe nga Kosova, të cilët janë shprehur se po të kishin mundësi të largoheshin nga vendi, do të bnin një gjë të tillë.

Sipas organizatës Gallup, 14% e njerëzve anë e mbanë botës do të dëshironin të emigronin nga vendet e tyre, për në ndonjë vend tjetër, po të kishin mundësi — ose 710-milion veta anë e mbanë botës, në përgjithsi, mendojnë të largohen nga atdheu i tyre pot u jepej rasti.  Këto të dhëna nga Gallup bazohen në intervistat që kjo organizatë thotë se ka zhvilluar me 586,806 të rritur në 156 vende të ndryshme anë e mbanë botës, midis viteve 2013-2016.

Në raportin e organizatës Gallup thuhet se gjatë kësaj periudhe – në nivel ndërkombëtar — është venë në dukje rritja më e madhe e dëshirës për të emigruar sidomos nga vendet evropiane që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, si edhe nga vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve, Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore.  Arsyet për rritjen e dëshirës për të emigruar janë të shumta, sipas agjencisë Gallup, por përmend si kryesoret luftën civile në Siri, përcakton papunësinë kronike në Shqipëri si një prej arsyeve që njerzit dëshirojnë të largohen në një numër aq të madh, si dhe shpërthimin e sëmundjes ebola në Bregun e Fildisht, në Afrikë. Bregu i Fildisht është në vendin e parë në botë të atyre që dëshirojnë të largohen së andejmi, i pasuar nga Haiti në vendin e dytë, ndërsa Shqipëria zë vendin e tretë botërisht për numrin më të madh të qytetarëve të saj që dëshirojnë të emigrojnë. Ky numër ka arritur një shifër marramendse prej 56% e popullsisë shqiptare që dëshiron të largohet nga vendi.

Thonë se “ku dhemb dhëmballa shkon gjuha”.  Kur pashë radhitjen e Shqipërisë nga organizata Gallup në vendin e tretë në botë pas Bregut të Fildisht dhe Haitit, me një përqindje prej 56% të popullsisë shqiptare që dëshiron të largohet nga atdheu po të kishte mundësi, m’u duk si diçka tepër e pa besueshme, por edhe një gjë tepër e trishtueshme. Madje Gallup shënon se numri i shqiptarëve ishte ndër rritjet më të mëdha të dëshirës për të emigruar në krahasim me 154 vendet që pasqyron raporti, duke shënuar një ndryshim të dukshëm me raportin e mëparshëm të kësaj agjencie të viteve 2010-2012 kur përqindja e shqiptarëve që kishin shprehur dërhirën për të emigruar ka qenë gjatë asaj periudhe 36%. Domethënë pra se raporti i fundit Gallup shënon një rritje të numrit të shqiptarëve që duan të emigrojnë po të kenë mundësi, nga 36% që ishte në periudhën 2010-2012, në atë prej 56% sot, natyrisht, po tu jepej rasti për tu larguar nga vendi i tyre.  Një e dhënë kjo absolutisht e tmershme, që duhej të shkundte nga gjumi çdo udhëheqës të ndershëm që ia do të mirën vendit dhe kombit të vet.

Edhe Kosova, sipas Gallup ka shënuar rritje në numrin e atyre që dëshirojnë të emigrojnë: nga 29% për periudhën 2010-2012, në 34% sot e atyre që duan të ikin po tu jepej rasti.  Po të marrim parasyshë këtu edhe të dhënat për Maqedoninë që gjithashtu sipas Gallup, sot 34% e popullsisë së atij vendi që dëshirojnë të largohen dhe që shumica mund të jenë shqiptarë, por edhe shifrat nga trojet e tjera shqiptare si në Mal të Zi e Preshevë — atëherë mund të thuhet se kemi të bëjmë me një tragjedi kombëtare të përmasave të pa para ndonjëherë: zbrazjen e trojeve shqiptare në kohë paqeje, ndërkohë që askush nuk e çanë kokën për këtë punë. Mund të thuhet se më shumë se gjysma e shqiptarëve do të largoheshin nga trojet e veta, po të kishin mundësi. Raporti Gallup mbi emigracionin është një pasqyrim i pakënaqsive masive të shqiptarëve dhe një paralajmërim serioz për klasën politike shqiptare në të gjtiha trojet shqiptare për të adresuar këtë problem, para se të bëhet tepër vonë.

Shqipëria është në kulmin e një fushate politike për zgjedhjet e 25 qershorit dhe Kosova sa po përfundoi fushatën, ndërkohë që mbajti zgjedhjet për parlamentin e ardhëshëm të djelën që kaloi.  Në asnjërin rast nuk është diskutuar seriozisht ky fenomen i tmershëm për të ardhmen e shoqërisë shqiptare dhe të kombit. Jo vetëm politikanët, të cilët janë shkaku kryesor i këtij fenomeni dhe i gjëndjes së krijuar, por as media vizive as ajo e shkruar nuk e gjejnë të arsyeshme që të zhvillohet një debat publik në lidhje me këtë çeshtje.  Është për tu habitur se si media dhe politikanët shqiptarë, gjashtë muajt e fundit, kanë shpenzuar më shumë kohë në televizion dhe në gazeta, duke debatuar mbi dëmet që i ka sjellur botës dhe Shteteve të Bashkuara – madje edhe marrëdhënieve shqiptaro-amerikane — zgjedhja e Donald Trump-it president, se sa tragjedia kombëtare që përbën zbrazja, dalëngadalë, e trojeve shqiptare.   Ndërkohë që sipas raportit të Gallup – Shtetet e Bashkuara mbeten gjithnjë destinacioni numër një në botë, i atyre që kërkojnë të largohen nga vendet e tyre, anë e mbanë botës dhe që po të kenë mundësi dëshirojnë të emigrojnë në një vend  të preferuar për ta.

Historia e shqiptarëve njeh, fatkeqsisht, shpërngulje tragjike të detyruara me forcë të shqiptarëve nga trojet e veta, nga Kosova dhe Maqedonia në bazë të marrveshjeve midis Serbisë e Turqisë fillim shekullin e kaluar, por edhe shpërnguljen me forcë të shqiptarëve nga Çamëria. Fatkeqësisht, duket sikur planet serbe të Çubrilloviqit për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta, po i zbatojnë vetë shqiptarët sot.

Por, për këtë fenomen tepër shqetsues për kombin sot, shqiptarët nuk mund të fajësojnë komunizmin, as serbin, as grekun, e as turkun. Po t’i detyronte dikush tjetër shqiptarët që të largoheshin nga vendi tyre, të gjithë ne do ishim rrugëve të qyteteve të Amerikës dhe të Evropës dhe koridoreve të kancelarive perëndimore për të kërkuar drejtësi për shqiptarët dhe për t’i thënë stop shpërnguljes së shqiptarëve. Sot, shqiptarët jetojnë në paqë, në dy shtete që e quajnë veten demokratike dhe kontrollojnë fatin e tyre si kurrë më parë.  Njëra anëtare e NATO-s me shpresë për tu bërë anëtare e Bashkimit Evropian dhe tjetra gjithashtu me ambicje për t’iu bashkuar integrimeve euro-atlantike.  Atëherë ku tjetër të kërkojmë drejtësi, përveç aty – në Tiranë dhe në Prishtinë – aty ku pikërisht sot duhet të kërkohet drejtësia dhe përgjegjësia për këtë pakënaqsi të një numri kaq të madh të shqiptarëve me jetën e tyre në vendlindje, ashtuqë të gjënden zgjidhje për ta bërë jetesën më të mirë e më të drejtë për të gjithë shqiptarët pa dallim dhe si rrjedhim të zhduket dëshira aq të madhe të tyre për tu larguar nga vendi.   Për këtë fenomen të trishtueshëm, votuesi shqiptar duhet ta kërkojë përgjigjen dhe përgjegjësinë aty, tek klasa e sotme politike shqiptare.

Në raportin e agjencisë Gallup thuhet se rritja e numrit të atyre që dëshirojnë të largohen nga vendet e origjinës mund të jetë një pasqyrim i konflikteve dhe trazirave në disa pjesë të botës, ku lufta, uria, tragjeditë natyrore dhe sëmundjet e bëjnë jetën e njerzëve tepër të vështirë dhe të pamundur që të vazhdojnë të jetojnë në vendet e tyre.  Ata të cilëve u intereson e ardhmja e shqiptarëve dhe e kombit duhet të pyesin veten se çka i shtynë shqiptarët që të dëshirojnë të largohen nga trojet e veta në një numër aqë të madh prej 56% e popullsisë në Shqipëri dhe 34% e popullsisë së Republkës së Kosovës, siç ve në dukje raporti i fundit i entit ndërkombëtar Gallup dhe kush është përgjegjës për këtë situatë.

Ka ardhur koha, para se të jetë tepër vonë, që dikush të bëjë pyetjen se pse shqiptarët duan të largohen aq masivisht nga atdheu i tyre në çperekun e shekullit 21, që patëm menduar, siç duket gabimisht, se duhej të ishte shekulli i shqiptarëve. Pse shqiptarët janë në krye të listës në Evropë dhe të tretët në botë – pas Bregut të Fildisht dhe Haitit – që po të kenë mundësi do të largoheshin nga vendlindja pa asnjë hesitim?  Çka i shtynë shqiptarët që të arrijnë në një përfundim të tillë dhe kush është përgjegjës për këtë? Dhe çfarë ndodhë me kombin shqiptar, nëqoftse eventualisht bëhet realitet dëshira e kësaj përqindjeje dërmuese të shqiptarëve dhe gjenë rastin e mundësinë për të braktisur trojet e veta nën rrethanat e sotëme? Dhe kush duhet të mbahet përgjegjës politikisht, për këtë?  Për këtë problem – përveç klasës politike të këtij çerek shekulli post-komunizëm — është përgjegjëse media edhe votuesi shqiptar që nuk kërkojnë llogari dhe përgjegjësi për fatin e kombit nga përfaqsuesit e tij politikë.  Dikush duhet të çajë kokën me këtë dukuri tepër shqetsuese, para se të jetë tepër vonë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …